2018-03-02

Lluka e epërme nëpër shekuj e Arif Molliqit

Image result for adem lushaj

NGA:MR.SCi. ADEM LUSHAJ 


Kopertina e librit( Arif Molliqi, “Lluka e Epërme nëpër shekuj”, monografi, botoi SHB Armagedoni, Prishtinë)Një monografi shkencore


Monografia “Lluka e Epërme nëpër shekuj” e Arif Molliqit, është e veçantë. Po themi e veçantë sepse përshkruan historinë e vetëm një fshati nga gjetja e shënimeve të para e gjer në fund të vitit 1999. Aty ka histori të rritës, zhvillimit, luftës dhe qëndresës kombëtare të llukjanëve nëpër shekuj. Në brendësi ka histori, kulturë, ka etnografi, toponimi, mikrotoponime. Prandaj, ky libër i Molliqit, në të gjitha përmasat i përgjigjet tipit të monografisë shkencore, tha redaktori i librit.


Gjithsesi në ketë monografi e veçanta e punës se autorit është studimi apo kërkimi ta përshkruaj relievin e Llukës, përbërjen e tokës, klimën, ujërat; botën bimore dhe shtazore, edhe kushtet për të jetuar dhe për t’u zhvilluar këto. Aty ka shpjegime për toponimet dhe mikrotoponimet që gjenden në Llukë të Epërme. Po nëpërmjet shpjegimit të tyre nxjerrë vjetërsinë e fshatit Llukë e Epërme.

Molliqi monografinë e ka nda në disa kapituj; pozita gjeografike, toponimet dhe mikrotoponimet, zhvillimin historik dhe shoqëror të Llukës së Epërme, zhvillimi ekonomik, urbanizmi dhe arkitektura popullore e Llukës së Epërme, kullat e para trekatëshe që s’i kishin fshatrat e tjerë dhe ato të mëvonshmet, ndërtimin si dhe shkatërrimi i kullave. Në monografi gjejmë kërkime studimor për popullsinë, familjen, fiset dhe lagjet e Llukës si dhe gjenealogjin e lagjeve dhe familjeve Babanaj, Kaqorraj, Memaj, Molliqaj, Muqaj, Mulaj, Neziraj, Sutaj, Tahirukaj, Thaqaj dhe degët e tyre.

Molliqi, rëndësi të madhe në këtë monografi i ka kushtua edhe Verrave të Llukës, kuvendeve dhe besëlidhjeve shqiptare që janë bërë aty në kohë të ndryshme për çështjen kombëtare duke përmend besëlidhjen e parë te Verrat e Llukës më 1878, 1885, 1903, 1904, pastaj atë të vitit 1910 e kështu me radhë. Lufta ballkanike dhe kolonizimi i Kosovës dhe terrori serbo-malazez kundër shqiptarëve, është një kapitull tjetër i radhës. Këtu Molliqi nxjerr në dritë luftën dhe qëndresën e banorëve llukjanë kundër serbo-malazezëve, kolonizimi, deri edhe ndërrimin e fesë me dhunë që jua pat bërë kisha ortodokse malazeze. Pjesëmarrja e llukjanëve në Luftën e Dytë Botërore, është një kapitull tjetër. Megjithatë, ngjarjet e këqija pas lufte për llukjanët dhe për shqiptarët e Kosovës vazhdojnë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë, sepse vjen koha Rankoviqit; vijnë burgosjet, rrahjet, maltretimet, vrasjet dhe masakrat e shumta ndaj popullatës shqiptare të Llukës. Të gjitha këto Molliqi i përshkruan në monografi pa harrua Tivarin e Ahmet Thaqi me shokë,pa harruar NDSH-istin Adem Molliqaj dhe Tal Babanin, pastaj atdhetaret Sadri Shala, Mic Muqaj, Hasan Memaj e disa të tjerë.


Në këtë libër, mësojmë për djemtë e Llukës së Epërme që treguan trimëri kur e veshën uniformën e UÇK-së, kur u armatosën, kur luftuan përballë serbëve me atë pak armatim që e merrnin në Shqipëri, kur u vranë dhe kur mbetën gjallë që t’i kujtojnë betejat e veta dhe të shokëve. Këtu ranë dëshmorë disa djem të rinj, kurse disa të moshuar vdiqën gjatë shpërnguljes për në Shqipëri. U dogjën edhe shtëpitë e tyre dhe, po nën ato gërmadha të mbetura nga lufta, nisi jeta e re.

Shkollimi dhe kultura shpirtërore, është një kapitull tjetër i monografisë. Gjithsesi pa e lënë anash Tahir Ef llukën profesorin e Shkollës se Lartë „Fatih“ në Stamboll ( 1844-1909). Mejtepin si shkolla e parë shqipe jo vetëm në Llukë por gjithë Kosovën dhe vargun e gjithë atyre llukjanëve që vazhduan shkollimin e mesme dhe universitar gjer në vitin 1999.

Po këtu, në Llukë, ka rrënjë edhe epika historike popullore. Të këtij vendi janë Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të cilët, me shumë tekste të këngëve shkruar për ngjarje të kohës sa ishin në Kosovë dhe kur shkuan në Shqipëri, e pasuruan folklorin tonë, fondin e këngëve epike, duke trajtuar në to ngjarje me karakter historik.

Në fund, po citoj mendimin e redaktorit që e tha më rastin e promovimit të kësaj monografie që u bë në Hotel „Rio de Jenerio“ në Llukë; „në këtë monografi nuk ka zbrazje të ndjenjave sikurse ka bërë kohë më parë Arifi në përmbledhje poezish. Këtu ka mendim dhe meditim; ka histori, etnologji, folklor; ka dokumente dhe fotografi; ka copa të vogla nga jetëshkrimi i njerëzve që kanë vdekur dhe që janë gjallë; ka art dhe ka shkencë; ka maturi dhe mençuri nga filozofia e popullit shqiptar, veçanërisht nga burrat e familjeve të Llukës së Epërme, për prejardhjen e të cilëve, po dhe për diturinë, shkollimin, trimërinë, traditën, nderin, besnikërinë e tyre, e për çfarë jo tjetër me vlerë të papërsëritshme ndër shekuj, mund të lexoni këtu nga një monograf që e di përgjegjësinë e këtij lloj shkrimi. Këtë monografi dhe këtë histori fshati do të donte ta kishte cilido fshat i Kosovës. Do të donte ta kishte edhe një Arif Molliqi që ka guximin, ka vullnetin, ka dëshirën dhe shëndetin ta shkruajë zhanrin më të vështirë: monografinë…“

****

Arif Molliqi

Arif Molliqi, lindi në vitin 1953, është shkrimtar shqiptar nga Kosova, i lindur në Llukë të Epërme afër Deçanit.

Me shkrime ka filluar nga viti i fundit të gjimnazit ( kohë kur filloi të botoi), edhe pse ka shkruar më herët. Në fillim nuk e ngacmonte aq shumë poezia, andaj filloi më humor dhe satirë, n´atë kohë nuk preferohei shumë satira, andaj për ti ikur „keqkuptimeve“ filloj të shkruaj edhe poezi.

Satiren e shkroi krejt padiktueshëm tek gazeta humoristike „ Thumb, duke botuar me pseudonime të ndryshme si; Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etjera. Gjatë vitit 1977/78 bashkëpunoi në gazeten e studenteve „Bota e re“ ne faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.Këtë bëri edhe më Radio televizionin e Prishtinës, shkroj disa pjesë humoristike që i dha televizioni.

Edhe në „Rilindje“ botoi shumë shkrime saterike gjersa një ditë, të shqetësuar miqët e tij e rekomandojnë; herë për herë ta le satirën sepse ishte gjini letrare e „vështirë“ për kohën. Pas kësaj „këshille“, Molliqi e vazhdoi me intenzivisht me poezi,prozë dhe dramaturgji. Eshtë shpërblye disa herë me vendin e parë dhe të dytë në konkurset letrare për poezi.

Veprat


“Simfoni për darkën e qenve”, poezi, Prishtinë, 1994

“Në udhëkryq pa zhurmë”, (poezi), Toena, Tiranë, 1996

“Loja e Sarkofagut”, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998

“Psherëtima e zareve”, (poezi), Panteoni, Tiranë, 1999

”Përplasje” (skica dhe mbresa), Fakti, Shkup, 2000

"Premiera e një pranvere”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 2000

“Kafka e ujkut”, (roman), Toena, Tiranë, 2001

”Dëshmorët jetojnë pas vdekjes”, (monografi), Prizren,2002

“Shënime nga arkiva e qytetit D.”, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003

“Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.” (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2004

“ Loja e dytë e Sarkofagut”, (dramë) Rozafa, Prishtinë (Kjo dramë është marrë për botim nga konkursi letrar i shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs)

“Portret i pambaruar”, (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2006

“Klubi Shqiptar Verrat e Llukës“ në Hamburg“, (monografi), klubi, 2007

"Gruaja e vizatuar nudo", roman, Faik Konica, Prishtinë, 2008.

Antologji

Arif Molliqi, është prezentuar edhe në këto libra dhe antologji:

Halil Haxhosaj: “Premtime letrare, shkrime kritike, Prishtinë,2006

Shefqet Dibrani: “Libri dhe mbresa”, kritikë letrare, Zvicer 2005,

Chelaru Marius, Baki Ymer dhe Luan Topçiu “Antologji e poezisë shqipe”, në gjuhen rumune, një antologji më disa poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Valman, Rumani, 2006

Nga Jochan Blanke i janë përkthye në gjuhen gjermani disa cikle me poezi dhe është prezentuar nga një forum gjerman në një mbremje poetike në Hamburg më 2007.


Poezi nga Arif MOLLIQI

SHI TË RRASA E ZOGUT

1.
Rigon egër Një trazim i fshehur hovshëm mbetet në mes
Mbi shkëmb të prerë të Malësisë luftëtarët majë bjeshke
Çdo ditë të vijnë vullnetarisht nga lugina
Nga të katër anët e botës aty ku gufon zemra djaloshare
Atdheu thërret ejani në Koshare Përgadisni
Me fishekë e këngë majakrahut me zjarrin që gufon në gji
Ejani në shkrepat e thepisura aty ku Rrasa e Zogut ju pret
Kosova me vallen e shqiponjave në qiell
Rojet e tokave tona janë aty
Në lartësinë e Bjeshkëve të Nemura
Natyra është e dashuruar në luftëtarët e Lirisë
Aty shikimet dhe këngët e tyre të madhërishme
Rrinë në ujin e zhurmshëm të përroskave
Kosharja ua lidh trupin pas nëntë plagëve
Muzat e Rrasës së Zogut lajnë plagët me lotët e ngrohtë
Për betejën e nesërmë i bëjnë gati

2.
Në kasollën e pyellit në rrasën e gurit era njësoj e ftohtë
Pranvera në Koshare u kthye sërish sërish u kthye
Që një shekull e ngujuar në gurë
Dhe bilbilat sërisht filluan të këndojnë
Dëgjoj në heshtje zërat e mbrëmjes
Mbi gjethet e ahut shiu shembet,
Nga shkrepi në shkrep nga zemra e gurit
Vjen zëri i Sali Çekut
Thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit
Ti Kosovë e bukura Kosovë
Lindim dhe vdesim pë Ty

3.
Koshare Koshare ti kohë e netëve të gjata,
Ti kohë e ditëve të ndara dy pjesë të Atdheut
Tash nata e Bartolomeut aty
Çasti i kohës së ndaluar përtej tokës së rrudhur
Mbaroi Guri i kufirit s´është më
Rrasën e Zogut Muzat shqiptare e mbrojnë
Këtu ku rri unë, s´ka dritë asgjë shqiptare
Këtu edhe frika për vdekjen s´është shqiptare
O më falni s´jam si Ju
Ujë nga Rrasa e Zogut s´kam pirë
Muzat e Bjeshkëve të Nemura s´më kanë përkundur
Apo s´di s´di a kam të drejtë
Dashurinë për Ju e shkruaj në mërgim
Mos më ndërpritni i di të gjitha
Sonte një ushtimë shkrumb valë-valë zbret
Krisma armësh Vegimi s´më gënjen
Gurët në Koshare po thyejnë qafën
Shi të Rrasa e Zogut shi në Çiçavicë shi në Pashtrik
Gurët e varrit gurë kufiri u dridhën
U rrokullisën në kapërcell shekulli
Në humnerë as copat e ndërgjegjes Evropë
Dy krahët e një Torzo bashkohen
Tropoja pa mjegulla
Para agut në Pranverë

4.
Këtu gjithçka është kujtimi për Ju
Liria Rrasa e Zogut e kuqluar
Mbi barin e njomë të kësaj Pranvere fle
Por s´kam fuqi të bisedoj me Ju
Liria fjala juaj e fundit guri i kufirit
Bota s´bën sehir
Të degët e pishave të rrenjët Ahu hijemadh
Vashat ua lidhnin plagët e lotët e ngrohtë
Borën e Gjeravicës shkrin
Te pellgu i gjakut zogjtë s´i mbyllën dyert
Këngës tmeronte bajlozin e zi
Dielli ndërmjet Rrasës së Zogut nisi të dalë
Të ngrohë ftohtësinë në të dy anët

5.
Gjeravica beteja e re
Kohë shirash pranverore.
Heshtja shekullore shkëmbi Rrasa e Zogut
Kënga e trimit të plagosur jepkurajo
Ej moos u terhiqni Atdheunsërisht e pashë
Gjeravica qëndron

Shi në Rrasën e Zogut para lindjes se diellit
Sa e ftohtë sa e ngrohtë kjo natë
Agimi e Salihu ranë për të jetuar

(Tiranë, prill 1999/Hamburg, maj 1999)

LIGJËRATË PËR LIRINË

Liria është diçka që as vetë njeriu s´di çka është

Është diçka që s´mund ta duash
më shumë se sa të don ajo ty

Çfarëdo që të duash mund të thuash për te
se Liria është tokë që duron gjithçka

Vend ku mund të mbjellish lulën,
lulëtherren edhe kaqen

Mbrenda Lirisë njeriu mund të bëj mëkate
nëpër kronikat e saja

Të gjithë mendojnë se Liria është jeta
është dashuria dhe krenaria

Por ky zbukurim na mashtron se Liria
s´ është diçka që hahet e, as që pihet…

Liria është diçka që as vet njeriu s´di çka është

Janar, 2013

ZJARMI MALLI

Në brigjet e Elbes
Për ditë i grimcoj fjalët
Për ditë përtyp kujtimet

Natën kthehem nga kam ardhe
Ditën i lidh ëndrrat nyje
Hahem me vetveten

Njësoj në dimër e verë
Rënkimi i shpirtit
Rrjedh njësoj

Maje shtize gjuha dhe dashuria
N´treg shesim zjarmin e mallit
As më lirim s´ti blen kush

Atdheun e varim n´këngë
Më përralla i shkundim malet
lumenjtë e fushat i dridhim më fjalë

Po,
Çka marrim mbas vetes
Gënjeshtrën se kemi jetua

(Hamburg, 23.02.2012)

NATA NË BLACË

Veshi nata valadonin e murgut
numëroi varret pikë për pikë

Porta e mbyllur u plak
nga kollë e kavernave

Sa e gjatë nata mes arkivoleve
në maternitetin e Bllacës

(30. 03. 99)


Këngët që marrin frymë

I.
Kohë për kohën zi, zi e që zien tym e flakë më drithërime
E gurët trokasin, ndoshta plasin nga gjaku nga krimi
Nga pluhuri e qelbi nëpër rrugë që kundërmojnë
Të sëmurët i puthin me armë, kokë e plumb, plumb e kokë
Nëpër vdekje kapërcejnë ata që u vonuan dje e sot
Pranvera e hershme lëngon mortje, klithma të tjetërsuara
Të çara toke, përbuzje nga egërsirat plot urrejtje njerëzore
Gjithkah gjurma që psherëtinë aq egër, egërsira gjithkah le gjurma
Nëpër rrugë eci. Eci e ndalem. Ndalem para portës shkrumb
Tre a katër fëmijë të djegur ma mbyllin derën, derën ma mbyllin
S´ka dhoma të lira në këtë kohë zotëri, zotëri me kravatë të kuqe
Janë të mbushura me vdekje dhomat, edhe podrumet, edhe parlamentet
Nëpër rrugë, anës rrugës, nën hijen e gështenjave, te Pishat e Deçanit
Rrëzë Çiçavicës…
Avari ka, rrëmbime, vrasje, krisma çoroditëse. Ka varre
Ka hajdutë me tanke, me uniforma të xhelatëve. Ka kasapë
Të çmendurit i kanë lënë të lirë, të lirë t´shajnë, të lirë t´vrasin
Të dhunojnë të lirë, të dhunuarit n´shtëpi nuk kthehen kurrë
Shtatë brezave u lejohet të flasin për vdekjet, për vdekjen
E kohës fishkëllyese, për kafkat e përgjakura n´Evropë,
Ngado që shikoj njerëzit e mi dukën të gatshëm të vdesin
Pa dhembje, pa pikë loti, krenarë me këngën e tyre;
„Ah, Kosovë mos thuaj mbarova,
se djemtë Tu hala janë gjallë…“

II.
Eci rrugëve të qytetit Muze dhe shikoi Gjeravicën
Nga lagështi n´verë hithrat kanë ngritë Kokën
Shkëmbi i Qelisë digjet, digjet më qytetin n´lak
Nënat e plagosura te pragu i shtëpisë që digjet shpresojnë
Shpresojnë se këtu kanë ikur fajdexhinjtë, spiunët, tregtarët
Kanë ikur kasapët, vrastarët. Kanë ikur politikanët me drapër e çekan
Kanë ikur dhe na mbeten shtëpitë të ngjyrosura nga flaka
Kanë mbetur kafkat që flasin si dëshmi e njerëzimit
Ka kroje që shpërthejnë si shatërvan, ka këngë që marrin frymë
Ka lule të pranverës, ka duar të plasaritura
Që shpupurisin hirin e të vrarëve. I mbledhin eshtrat e djegur
Ka zogj që këndojnë, ka jetë që s´do të shuhet kurrë
Një fëmijë te pragu ulur sa bukur thërret –
O, ooo Kthehuni more heji!
Një fëmijë plagët ia shëron Kullës, E ia nis jetës së re.


*****


Aktiviteti letrarLexuesit tanë sot në të shumtën janë të interesuar që të njohin botën shpirtërore të autorëve të rinjë. Ata bëjnë kërkime , kërkime të cilat u ofrojnë të bukurën. Nga kërkesat që bëjmë, kemi hasur autorët e rinjë janë shquar në punën e tyredhe kanë prurje të bukura. Unë do të përmendja këtu Arif Molliqin, që është një autori i ri dhe shumë i suksesshëm që ka arritur nivelet më të larta dhe të letërsisë evropiane, pa përmendur dhe shumë autorë të rinj tek ne, të cilët vërtetë e kanë ngritur në nivel dhe i kanë dhënë përmasa të reja letërsisë shqipe, që mund të lexohet nga çdo lexues i botës. Pra i janë përgjigjur letërsisë bashkëkohore, qoftë në drejtimet e rrymave të ndryshme letrare, qoftë si mesazhe apo dhe përmbajtje e thellë, ku thelbi i kësaj letërsie është shqipja, por dhe shpirti shqiptar, edhe pse krijuesit jetojnë dhe veprojnë jashtë atdheut.

Arif MOLLIQI, është poet që ka krijuar individualitetin krijues jo vetëm në poezinë e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe në shkallë kombëtare. Tashmë poezia e tij ka fituar një vlerë dhe peshë artistikeArif Molliqi në të gjitha përmbledhjet poetike ka dëshmuar vetën se është nga poetët e rrallë që ka ruajtur lidhjet shpirtërore dhe të pandashme me vendlindjen, me atdheun dhe me Kosovën përgjithësisht.

Arif Molliqiai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, Arif Molliqi ka dhënë prova se është një ndër poetët, prozatorët, publicistët, që punën e tijë në letërsinë tonë e merr me një përkushtim dhe ka bërë kthesa qoftë në poezi, qoftë në prozë, duke ditur me mjeshtri të kapë tema që janë aktuale për shoqërinë tonë. Ai pas Azem Shkrelit dhe Podrimes, mund të llogaritet një ndër krijuesit tanë, që ka bërë dhe po bënë kthesa të mëdha në letërsinë tonë, duke gëdhendur gjuhën dhe nga këto gëdhendje po nxjerr thesare të mëdha. Arif Molliqin nuk e kisha njohur më parë personalisht, por duke e lexuar me vemendëje të lartë prej kohësh, kur e takova më dukej sikur të ishim njohur nga fëmijëria. Përse themi kështu? Ky maestro i vërtetë i fjalës së shkruar, e bënë lexuesin sikur të jenë rritur me te, gjatë kohës kur lexuesi lexon brendinë e tij shpirtërore. Me një thellësi shpirtërore, ndjesi artistike, me vargjet dhe rreshtat e tijë Molliqi ka fisnikruar letërsinë tonë, duke i sjellur asaj vlera me mjeshtri, për çka edhe është nderuar me shumë çmime letrare. Arif Molliqin personalisht e njoha para dy vitesh kur u nderua ng LSHAKSH në Gjermani me çmimin Shkreli, në vendin e parë. Më dukej i njejti, sikur kur e lexoje, sikur bisedoje me te, ai ishte vet vlera, vet poezia, vet miku i mbushur plot fisnikëri.

Vështirë do e kishim për të përcaktuar nëse Molliqi do të ketë bërë hapa më shumë në prozë apo poezi, sikur ai të mos e thoshte vet se e don më shumë poezinë. Arif Molliqi poezinë e ka pasion dhe e shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar. Ndoshta në prozë për nga numri ka shkruar më pak, por proza dhe poezia e tij janë të fuqishme, me një vlerë të rrespektueshme, vlerë që tërhjek vemendëjen e lexuesëve, them të atyre që leximin e bëjnë kujdesshëm dhe e kuptojnë në mënyrë profesionale, ndryshe një kategori lexuesish duhet të lexojnë disahere për të kapur thelbin e këtyre vlerave me brumin e duhur artistik. Sikur shumë krijues tjerë që jetojnë në mërgim, edhe Molliqi i cili jeton në Hamburg të Gjermanisë, nuk ka mundur të i ikë boshtit të temave që për trajtim kanë mërgimin, ku vend qenësor zënë malli dhe dashuria për atdheun. Arif Molliqi është një krijues i cili rrugëton kujdesshëm qoftë në rrugën e poezisë, qoftë në ate të prozës, duke ditur të shpërndajë brendinë ideore të fjalës së shprehur në art.(Shaban Cakolli).


Floripress,3/3/2018

No comments:

Post a Comment

Traktatit të fshehtë të Londrës, i cili kishte hartuar planin për të zhdukur shtetin shqiptar nga harta e Evropës.

Biblioteka e Kongresit Amerikan, publikon hartën famëkeqe të Traktatit të fshehtë të Londrës, i cili kishte hartuar planin për të zhdukur sh...