Në foto:Gjon Keka
Gjon Keka ka lindur më 1981 në Kamenicë të Kosovës. Në vitin 2004 u diplomua për shkencat poltike (politolog), ndërsa në vitin 2006 përfundoi studimet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, ku ka fituar gradën Magjistër me temën "Kanalet direkte dhe indirekte të diplomacisë", në qendër të së cilës është pavarësia e Shqipërisë në 1912 e më pas. Njëkohësisht në 2005 - 2006 është specializuar në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Pastaj në programin e teknikës së avancuar të negociatave 2009 - 2010, UP, IEBA, ADA. Që nga viti 2009 është anëtar i Institutit Shkencor "Urania", i themeluar nga shkencëtarët Max Wilhelm Meyer dhe Werner von Siemens në vitin 1888. Ka punuar me projekte në Wus Austria 2005, me shoqatën "Nënë Tereza", "Pjetër Bogdani" etj. Përveç publikimeve të ndryshme në rrafshin shkencor, politik, teorik, praktik, analitik, si dhe atë publicistik, ka botuar edhe librin "Kosova drejt pavarësisë dhe integrimit". Gjithashtu ka botuar edhe shumë artikuj në shtypin shqiptar, kryesisht për çështjet e politologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Keka vazhdon të jetë aktiv në këto fusha duke shkruar shpesh për zhvillimet politike shqiptare, rajonale dhe globale.
Botime
Gabimet politike në Kosovë dhe Shqipëri - 2010
Shqiptarët në prizmin e diplomacisë ndërkombëtare - 2011
Ibrahim Rrugova - Lidership i idealeve të mëdha - 2011
Vetëplotësimi i Kombit - 2012
Skënderbeu, ideator i bashkimit europian - 2012
(Floripress,17.4.2018)
_____________
Gjon Keka: Libër i ri për Skënderbeun
Jemi në vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit dhe ky duhet të shihet parasëgjithash si një vit i bekuar për kombin,sepse nderon figurën kryesore të tij, figurën që është renditur ndër personalitet mbikohore të Europës dhe botës në përgjithësi që la gjurmë të pashlyera në historinë e përgjithshme të Europës.
Dhe gjatë tërë punës sime shoh se kjo figurë në vetvete ka shumë për të thënë jo vetëm tani në këtë shekull, por i bindur se edhe në shekujt në vijim ,ai do të mbetet figura më e trajtuar në historinë e njerëzimit.
Ashtu si punën e librave tjerë të mëparshëm edhe punën e këtij libri ia ofrojë vlerësimit dhe gjykimit të lexuesit dhe studiuesve të kësaj fushe.