Në foto : Naim Fetaj
Naim Fetaj, lindi më 07.02.1961 në Strellc të Decanit. Shkollën fillore e ka kryer në vendelindje, ndërsa të mesmen në Deçan. Ndërsa, Fakultetin Filozofik ( Degen e Letersisë dhe të Gjuhës Shqipe) e ka përfunduar në Prishtinë. Mëpastaj ka punuar gazetar në Programin Dokumentar të Televizionit të Prishtines, deri në mbylljen e tij me pesë korrik 1990.
Pos gazetarisë, Naimi që herët ka filluar të shkruaj dhe të botoj edhe poezi nepër gazetat dhe revistat e kohës. Ka të botuara vellimet poetike.
Nga viti 1991, jeton në Gjermani.
Veprat:
"Yjet bëjnë roje",poezi, Rilindja,1987
"Terrinë përtej diellit", poezi, SHB "Artini", 2013
"Vezullimë thinjash", poezi, SHB "Beqir Musliu" 2015
Çmimet:
Çmimi "Hivzi Sulejmani" për librin më të mirë të botuar nga autorët e rinj.
Çmimin e parë të konkursit "Takimet e Azem Shkrelit" në mërgatë, për librin më të mirë.
Poezi nga Naim Fetaj
TUJ KERKUE ESHTRA
( Për te zhdukurit-si këngë vaji )
Varre krejt na u bënë
Ato ara e vreshta...
Tuj kerkue eshtra...
Mbi ne ...zgerdhihet vjeshta
E askund s'ju gjejmë
Rrallë ndër këngë a vjersha
Pak më keq se ju
Po na vret dhe heshtja...
2.
Të këputura... nënat
I japin gji dhe malit
Veç hatri i djalit
I ruajnë dhe sytë e ballit
(More le t'këndon aty edhe ai zogu i zi
Veç varrin nëna...diku ta di
Ohiiiii......iiiiiiiiii....)
3.
Me dhemb shpirtin
Pleqtë tue ndalë
Permbi ata eshtra
Me i lanë dy lotë t'valë
Zi ...sikur gurëvarri
Myky i bani nuset
Malli për ju ...i shterroi krejt puset
E motrës as Drini ...nuk ia shpëlanë buzët
Ai gjogu i Doruntinës
Gjëmë i mbushi rrugët
Krejt terrinë e vrugët...
( Dhe vëllau kur po e thërret vëllanë
As bjeshkët ...s'po e mbajnë hatanë
Ohhiiiii.....iiiiiii....moj nanë...)
4.
Veç vajin e fëmijëve
Po e endin bilbilat
Të mos fiken kandilat
Vesa e zemres...kur t'i lagë fitilat...
(Hornberg,18.10.2014 )
...DHE E HUMBEM RRUGËN
Retë pushtuan qiellin e mjegulla kokat tona
Vec terrinë e tym.. ky imazh i marrë
Ec e gjeje rrugen ...prej shpije ndihet gjëma...
Askund një copë diell mbi kullë s'ka fanar
Natë e trishtë...e tmerrshme
Si nata e vorrit
( Ne...na kanë lënë... baco )
E humbem edhe rrugën ...në mes të oborrit
MOJ EUROPË...
Kur unë kisha qiellin n'dorë
Pate nisë ti... me hecë përtokë
...E m'i vodhe diell e hënë
Gjak e lotë tash ..gropë më gropë
Mos jam unë dhe varri yt
Moj ...Europë
SILLU...SILLU BOTË E VJETËR
Vetë e shpuam qiellin me shigjeta e plumba
Derisa shpirti na erdhi tek hunda
...Tash shi i zi pikon përmbi ne
...Si në ferr
Tek hamë njëri tjetrin përgjakët krejt nata
E dita krejt terrinë
Sa tmerr...sa tmerr
Sëmundjët kafshojnë globin
Si kobi kafkën tonë
Kur e ndërrojnë relievin me foto apatike
Njëri tjetrin hamë e pastaj festojmë
Se i vramë ninullat dhe këngët lirike
Fëmijët endin gjëmën me qefin nën sqetull
Mrizeve të huaja ku ëndërra e tyre vdes
Te përndjekurit gjysmën e botës e pushtuan
Pa bukë e ujë...gjysma tjeter vdes
U çmend njerëzia e zogjtë s'po këndojnë
Prej terri e tymnaje edhe sytë na lanë
Sillu.. sillu ti botë e vjetër
Rreth vehtes ...rreth diellit
Se ne rreth teje ...e sjellim hatanë
PEISAZH
Pëplasen me erën dhe bien përtokē gjethet
O sa skenë e trishtë krejt trupi rrënqethet
...S'po i lë vjeshta më gjethet nëpër degë
Veç ndonjë ftua të vonë a tek tuk ndonjë shegë
Sall pishat atje lartë si nuset me kurorë
Edhe kur fryen shumë luajnë e bëjnë me dorë
Në këtë erë furtunë kur u dorëzuan dhe lisat
Përmallshëm sytë e mi...mbeten peng tek pishat
( Hornberg ,08.10.2014. )
E RUAJTA TRIDHJETË VJETË
( Për Jusuf Gërvallën )
Si korb i zi
Lajmi atëbotë erdhi
...As fjalë...as vajë
Në buzët tona të thata
Ec...e shko në ligjerata
Njëqind orë ish dita
Dyqind orë ish nata
2.
Shikonim njëri tjetrin
Nganjëherë
E pshtynim vrerë
E askund
As ifff ...as ufff
Veç një zog atëbotë
Qante... edhe për ne
Guggu-Isuf...Guggu- Isuf
MOS O ZOT... MË KEQ
Në hënë s'ka më vend ...tej hënës gërmohet
Pluhur e piskamë...në tokë krejt terrinë
Ku ta gjejmë një vend e t'a shtrijmë këtë shpinë
...T'këndojmë për dashurinë...
Bota mbylli sytë.. vdekjen vjerr për vetull
Veç gurë e bërboça hedh mbi të ky shekull
As atje s'na lënë...ku bren miza hekur
Veç duke kënduar ...sa s'paskemi vdekur
Është vonë e më dukët thuaja teper vonë
S'na duron më kush ne duke kënduar
Dhe na vie rëndë a s'duam ta pranojmë
Stina e këngës ...moti paska shkuar
Telat e marrëzisë na e kputën shpirtin
Veç jargë rreth nesh... dreq o deli dreq
U vonuam shumë...dhe këngën e harruan
Mo Zo' më keq.. mo Zo' më keq...
KY QYTET
Ky qytet i huaj… m’i këputi këto këmbë
Si terrinë si ferr… çdo peizazh më tremb
As uji prrojeve s’gurgullon këndshëm
Simfoni e huaj veç dhëmbshëm…dhëmbshëm
Dielli as era nuk ma thajnë as lotin
Edhe vajin tim… e urrejnë për Zotin
Ky qytet i bukur…i huaj gjithësesi
Jetën m’a …vret si këngët një nga një
Hijerëndë e i gurtë po gjithësi… mbret
As për varrr s’e dua…e pshurri me lezet
Përditë e ngapak
E vras… e më vret
Ky lugat…qytet…
PUTHJA E PARË
...Dhe vie një ditë dhe zbresim në një degë
Si zogj të lodhur nga një stuhi
E shprushim shpirtin...Dashuri e parë na djegë
Si një zhishkë e fortë që siper zjarrit rri
...Dhe ndizen kujtimet pastaj si eshka
E largët...e largët n´terrinë si një fanar
Mallëngjyese e bukur dhe e rendë sa bjeshka
Qarën kund s´na lënë ...Ah ...Puthja e parë...
Skuqemi e zbehemi prapë... tinezisht
...Dhe buzët sërish flakë na qesin
S´guxojmë te tregojmë ku ndodhi e si
Me atë zhishkë në sy ... dhe do të vdesim
RRUGËTIM
( Nepër Grykën e Rugovës)
I verbër duhet të këtë qenë Homeri atëbotë
(...Dhe ty s´te pa kurre)
Gjersa Qlympin e ngjiste lart kah qielli
Veç zoti i luftërave këndej u fsheh dikund
Brigjeve e qukave ku nuk mbërrinë as dielli
Ç´bukuri e rrallë...kreshtat gërrithin qiellin...
Këngë e Legjenda tek dalin baf prej pritës
Baladat e fjetura kur zgjohet si tymnaje
Dritë-Hijet si terrinë
Terrinë në pikë të ditës
Dhe këngë e majekrahut kërset sa martina
Për kushtrim e dasem a një lindje te re
Nga vallja e rendë ...kur lodhet lëndina
...Kala është këtu çdo strehë
SKICË PËR AUTOPORTRET
Këngët...djalërinë
I lashe në Prishtinë
...Dhe dashurinë
Rininë...
Tanket m'a grinë
Tash rrugëve të botës...
Endi pleqërinë
...veq me Perëndinë
Gjëma e fisit tim...
Krejt lutjet ...m'i nxinë
KËNGË PËR SALI SYLEN
Kënga të vrau
A të vranë pse këndove
...Zogjte e malit kur i përmallove
Shtatë martina u kallën flakë
Shtatë herë kënga u la n`gjak
Prej vajit të nuseve pastaj
Lisat janë dheze flakë...
...Veç mestet pshtuen pa u gri
...E të than´ more Sali
Nuk donë këngë... do faqezi
KUR FALESHIN GJAQET
Në shuplakë të dorës
E niste fillin jeta
Kur faleshin gjaqet
Tym i bardhe nga oxhaqet...
Si prroni bjeshken
Loti ...i grryente faqet...
Femijët atë ditë
Pikën nga frengjitë
...Se zogjet kishin ikë
Krojet u ndalën
...Dhe gurrat
Kur dënesnin burrat
Vdekjën kaslistrok e bartën
Derisa dha shpirtë dhembja...
Borën tevona
...E shkrinte kënga
E me një milion
Shumëzohej buzëqeshja...
E Bacës...Anton...