Nga
Fritz RADOVANI:
MAJOR Dr. MARK GJOMARKAJ
(1913 – 1946)
1944 NANDOR, një muej mundimesh që nuk besoj se persritet ma në
Shqipni!
Më tregonte Kapiten Mikel Pjeter Prennushi, (pra, Daja
im) per një takim të Tij të fundit me Major Mark Gjomarkaj, Mikun e vet trim
dhe besnik... Djali i Gjonit Markagjonit, me të gjithë vllaznit e motrat.., të
një fidanishtes herojsh që Shkodra nuk i harron perjetë!
Mikeli e kishte pyet në se rrezikohet puna dhe shteti
merret nga komunistët, a do t’ishte ma mirë me ikë n’ Itali ku kishte krye
shkollen? – Marku i kishte pre fjalen, tue i thanë se ti o Mikel ke ku rrin dy
ose tre muej, derisa të zbarkojnë Aleatët në Shqipni... Mikeli pa asnjë dyshim
tek Marku e ka mbyllë biseden, mbasi as nuk e randonte gja në ndergjegje. Marku
i tha se as Ai me vllaun Lleshin, nuk e ka ndermend me u largue nga Shqipnia.
Ngjarjet u rrokullisen krejt ndryshej, gja që i kushtoj
shtrenjtë Atyne që i besuen Aleatve.
Nga fillimi i vitit 1946 u arrestue një rrobaqepës që
kishim pranë shtëpisë, Lap (Gasper) Tirana, një burrë shumë i mirë tek i cili
shkonim edhe na me qepë rroba... Nuk dinte askush me tregue se pse asht
arrestue ai rrobaqepës që nuk kishte asnjë dyshim per te.
Mbas një muej në tortura, Lapin e shtrojnë urgjent në
spital në gjendje shumë të randë. Kur filloi me u permirsue Lapi, halla ime
Gjyzepina që sherbente në spitalin e burgut, po që e njihte mirë Lapin, e pyeti
se pse ishte torturue aq shumë nga sigurimi? – Lapi i ka tregue se i kerkojnë
me pranue se i ka qepë ato ditë një kostum oficerash sigurimi Mark Gjomarkaj, i
cili me atë kostum oficerash shqiptar ka shkue në hotel “Dajti” dhe, asht takue
aty me disa diplomat të Misionit Anglez. Mbas një ore ka dalë dhe asht zhdukë,
pa asnjë pasojë, ndonse pak minuta mbrapa sigurimi shtetit asht informue, po
Marku u iku.
Halla e ka kshillue me qendrue, se askush nuk e akuzonte
Lapin se i ka qepë kostumin e Markut, që në fakt Lapi ja kishte qepë mbasi e
njihte mirë Markun që asht Burrë fjale!
Në të vertetë Lapi shpetoi vetem nga qendresa, po
fatkeqsisht nuk shkoi gjatë dhe u hap fjala se Mark Gjonmarkaj, ishte vra nder
malet e Mirditës. Trupi i Tij i gjakosun asht sjellë në Shkoder, pranë cepit
Murit të Rrëmajit, ku rruga vazhdon per në Skenderbeg...
Ata që e njohën Mark Gjomarkaj ruenin kujtimet ma të mira
per Burrninë e Tij...
E Ata që njohën edhe Vllaznit e Tij, besoj se me dhimbje
kujtojnë ket Derë të nderueme!
Melbourne,
17 Dhjetor 2019.
No comments:
Post a Comment