2019-12-16

Betim Muço (1947-2015)

Betim Muco.png

Betim Muço, lindi në Tiranë më 1947. Studioi për fizikë në Universitetin e Tiranës. Punoi fillimisht si mësues në Krujë.

 Nga 1974 deri në 2001 punoi si sizmolog ne Institutin e Sizmologjise të Akademisë së Shkencave në Tiranë, ku fitoi gradat Kandidat i Shkencave dhe Doktor i Shkencave e më pas titullin Profesor doktor i sizmologjisë.


 Në vitet 1990-1991 Betimi realizoi një program post-doktoranure, në universitetin e Tokios, Japoni, duke zhvilluar lidhje të ngushta me Japoninë, kulturën dhe sidomos me komunitetin e shkencëtarëve sizmologë. Në këto vite ai ka qenë dhe Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri.

 Pas kësaj, Betimi realizoi një sërë vizitash shkencore në universitete dhe institute prestigjioze europiane. Në këto bashkëpunime dhe specializime ai përsos dhe rrit vlerat e tij si shkencëtar, duke e ndjerë veten të barabartë me shkencëtarë të shumtë europianë dhe amerikanë, që kanë ndarë me të, krijimet e tyre dhe bashkëpunuar me kënaqësi, duke përcjellë studime me vlerë dhe artikuj të shumtë të botuar në revista shkencore. 

Në vitet 1993-1997, ai bëhet drejtor i Institutit te Sizmologjisë. Në këtë periudhë instituti i Sizmologjisë, tashmë i dalluar për studimet me vlerë të sizmicitetit në Shqipëri merr përmasa të reja, duke zgjeruar bashkëpunimin me institucionet më prestigjioze në botë, duke ndërmarrë studime dhe projekte të përbashkëta, që i kanë bërë nder shkencës shqiptare. 

Mbas ndryshimeve politike, pas vitit 1997, Betimi hiqet nga Drejtor dhe caktohet Përgjegjës i Rrjetit Sizmologjik, në Institutin e Sizmologjisë deri në vitin 2001. 

Gjatë kësaj periudhe , ai punon me intensitet të madh, duke u angazhuar në shumë projekte ndërkombëtare, që sollën dhe modernizimin e rrjetit sizmologjik të Shqipërisë, me mjete të reja , duke përmirësuar ndjeshëm veprimtarinë praktike dhe shkencore të Institutit. 

Ai ka qenë njohësi më i mirë i tërmeteve dhe i shkaqeve të tyre në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në të gjitha studimet përkatëse. Si: “Sizmiciteti dhe Sizmotektonika e detit Adriatik”; “Studimi i Uljes së Tokës, lidhur me kushtet hidrologjike dhe gjeologo-inxhinierike, në rajonet e Sofies, Shkupit dhe Tiranës”. 

Drejtor i projektit “Përqasja deterministike e zonimit sizmik të disa vendeve të Ballkanit”. 

Koordinator i projektit “Vlerësimi i Potencialit sizmik për zonat e tërmeteve të mëdha të Europës; “Sizmotektonika dhe Rreziku Sizmik i Shqiperisë”.

 Në vitin 2001 Betimi aplikoi për Green Card në SH.B.A. dhe fitoi dy kategori : Interesi kombëtar i SH.B.A. si individ me aftësi të jashtëzakonshme dhe atë individual. 

Në SH.B.A. Betimi punoi si konsulent i IRIS (Incorporated Research Institution for Seismology), që është Institucioni më i rëndësishëm i sizmologjisë në SH.B.A.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur bashkëpunim të frytshëm me shkencëtarin e madh sizmolog John Costain, me të cilin ka ndarë një sërë studimesh dhe artikujsh shkencorë për tërmetet në shtetin Virginia.

Vlen të përmendim studimin e tij të fundit: “Mundësia e një marrëdhënie shkaksore midis klimës dhe sizmicitetit ndërpllakor, në rastin e zonës sizmike të Virginias” , duke hapur një dritare të re dhe për studimet sizmologjike në Shqipëri. 

Pavarësisht punës intensive në SH.B.A. Betimi nuk e ka ndërprerë lidhjen me Shqipërinë

 Ai ndërmori dy punime të rëndësishme si autor kryesor dhe koordinator në “Kuantifikimi i Tektonikës së sotme të Shqipërisë” si dhe koordinator kryesor i projektit “Harta dhe Vlerësimi i Gjeohazardeve (Rreziqeve Gjeologjike) të Ballkanit” shkalla 1:1.000.000. 

Në këtë projekt të fundit , ekipi shqiptar përbërë nga Prof.Dr.Defrim Shkupi, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj dhe ing. Fizikan Albert Avxhi, u cilësua më i miri në këtë veprimtari , duke ardhur nga një përvojë e suksesshme e botimit të Hartës së Rrezikut Gjeologjik të Shqipërisë, shkalla 1:200.000, ku vete Prof.Dr. Betim Muço kishte kontributin e tij të vlefshëm. Nje kontribut i madh i Prof. Dr. Betimi Muços është paisja e rrjetit sizmologjik të Shqipërisë, me një rrjet modern satelitor të tipit VSAT( që e disponon sot Departamenti i Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave-Tiranë).

 Betimi ka qenë shumë i lidhur me Shqipërinë, ai bënte, si të thuash dy jetë. Po i kishte bashkërenduar në mënyrë skrupuloze jetën e tij në Amerikë dhe atë në Shqipëri. 

Kur vinte në Shqipëri, nuk linte mik apo koleg pa takuar. Betimi ka marrë pjesë në disa emisione televizive shqiptare për shkencën si dhe për kulturën, duke prezantuar veten si një person me cilësi të rralla dhe me horizont e kulturë të gjerë. 

Krahas punimeve shkencore, Betimi nuk ka reshtur për 30 vjet së shkruari poezi, tregime, novela, ese dhe së fundi një roman. Ai botoi librin e parë me poezi në vitin 1967, “Rrugëve të Atdheut” dhe më pas ka botuar rreth 25 libra.

 Në këto libra, shumë prej nesh shikon pjesëmarrjen e tij në shumë ndodhi që syrit të Betimit nuk i shpëtonte. 


Nga viti 2001 jetoi e punoi në SHBA. U nda nga jeta më 15 janar 2015.


Ai i ka kënduar jetës, dashurisë, Shqipërisë, familjes së tij, shokëve dhe miqve të tij. 

Disa poezi te tij janë bërë këngë dhe kanë konkurruar me sukses në Festivalet e Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Betim Muço nuk e ka pasur të lehtë rrugën e tij drejt suksesit. 

Ai ka kaluar pengesat me aftësi. Betimi ka qenë një NJERI me plot kuptimin e fjalës. Nuk mbante kurrë mëri dhe ata që janë munduar ta pengojnë janë mishëruar në personazhe në tregimet e tij. Betimi ka qenë dhe një përkthyes i zoti.

 Ai ka përkthyer në shqip veprat e Graham Greene, Saul Bellow, Yukio Mishima, Rainer Maria Rilke, James Joyce,Vladimir Nabukov, Alice Monro. Në vitin 2008, ai përktheu në shqip “Antologjinë e Poezisë Botërore” të Shekullit 20, ku bëjnë pjesë 135 poetë nga gjithë bota. 

Çdo Vit të Ri, Betimi na dërgonte një kartolinë urimi, shoqëruar me një poezi, që kthehej në moto për ne, për një kuptim më të mirë të jetës, me këmbë në Tokë. 

Betim Muço është një shembull i përsosur i shkencëtarit, poetit, përkthyesit, i njeriut, që ka lënë mbresa të pashlyeshme tek të gjithë ata që e kanë njohur. 

Ai meriton të nderohet nga institucionet shtetërore shqiptare me të gjitha titujt e mundshëm. Shoqata Ndërkombëtare e Gjeologjisë Inxhinierike dhe e Mjedisit (IAEG) do të përkujtojë përvjetorin e vdekjes se shkencëtarit shqiptar Betim Muço, në pranverën e vitit 2016 në një Konferencë të Shkencëtarëve Europianë dhe Afrikanë, që do të mbahet në Bari të Italisë.


Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronin botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.


Kur e prezantuan këtë studim para mediave ato i bënë thirrje qeverisë që të azhurnonte hartat e reja në standardet kombëtare në sektorin e ndërtimit. Profesor Alija u shpreh në atë kohë se qeveria duhet t’i bënte hartat e reja si kusht normativ për të gjitha ndërtimet. Sipas tij hartat e reja duhet të zëvendësonin hartën sizmike të viteve 80 që sot e kësaj dite është ende në fuqi edhe pse vendi u godit përgjatë dy muajve të fundit nga 2 tërmetet më të fuqishme të 40 viteve të fundit.

Disa projektues pohuan se hartat e reja të krijuara nga katër profesorët e nderuar sot përdoren si udhëzues për shumë projektues dhe ndërtues, por ato nuk janë të detyrueshme, për shkak se ligji nuk i njeh. Firmat e vogla të ndërtimit ato që rastësisht hyjnë në sektor duke ndërtuar tre katër pallate, zakonisht kërkojnë ekspertizë të ulet, pohojnë inxhinierët.

Rreth 6 vite më parë profesorët e nderuar i bënë thirrje qeverisë që të adoptonte hartat dhe kodet e ndërtimit për shkak se tani po ndërtoheshin pallate shumëkatëshe mbi rekorde ligjore të vjetra.

Shqipëria është nga vendet me sizmicitet më të lartë në Evropë. Në vitin 1995 qeveria nxori një vendim që të gjitha ndërtimet mbi 8 kate duhet të paraprihen nga studime sizmologjike, jo vetëm godinat e banimit, por edhe të tjera.

Për fat të keq ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk është zbatuar në të gjitha ndërtimet tona”, u shpreh në atë kohë akademiku Sulstarova. Përmes studimit të kryer, pas 30 vjetësh akademikët kanë nxjerrë hartat e reja të shpërndarjes sizmike, të cilat, sipas Sulstarovës duhet të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave, në mënyrë që të jenë të detyrueshme për të gjithë ndërtuesit në vend.


Pretendojmë dhe kërkojmë nga qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, – tha Sulstarova në vitin 2013.

Akademikët në botimin e tyre kanë veçuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet VII ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet VIII ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet X ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën Ms=7.5.

Në studim autorët kanë dalluar 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë.


Monografisë ja rrisin vlerën edhe 12 harta të rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për 36 qytete.

Në monografi arrihet përfundimi se rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë në shkallën 1:500.000, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi.

9 zonat e burimeve sizmike me magnituda:

Zona Lezhë-Ulqin me Mmax=7.0 ; Ultësira Pranadriatike me Mmax=6.9 ; Bregdeti Jonian me Mmax=7.0 ; Korçë-Ohër me Mmax=6.9 ; Elbasan-Dibër-Tetovë me Mmax=6.9 ; Kukës-Peshkopi me Mmax=6.5 ; Shkodër-Tropojë me Mmax=6.5 ; Pejë-Prizren me Mmax=6.8 ; Zona e Shkupit me Mmax=6.5

Kontributet kryesore shkencore të Prof. Dr. Betim Muços:



–Harta Neotektonike e Shqipërisë, Shkalla 1:200.000(1995)

–Struktura Neotektonike e Shqipërisë dhe Evolucioni Gjeodinamik i saj(1996)

–Harta Sizmotektonike e Shqipërisë,Shkalla 1:500.000(2000)

–Vlerësimi Probabilitar i Rrezikut Sizmik të Shqipërisë, Projekt i NATO-s(2004)

–Harta e Rreziqeve Gjeologjike të Shqipërisë, Shkalla 1:200.000(2005)

–Harta dhe Vlerësimi i Gjeorreziqeve të Disa Vendeve të Ballkanit,Shkalla 1:1.000.000(2008)

–Sizmiciteti, Sizmotektonika dhe Vlerësimi i Rrezikut Sizmik të Shqipërisë(2010)



Muço, Betim (2014). "The atmospheric water as a triggering factor for earthquakes in the central Virginia seismic zone". Natural Hazards. 71: 135–150. doi:10.1007/s11069-013-0902-9.

Muço, Betim; Alexiev, Georgi; Aliaj, Shyqyri; Elezi, Zenun; Grecu, Bogdan; Mandrescu, Neculai; Milutinovic, Zoran; Radulian, Mircea; Ranguelov, Boyko; Shkupi, Defrim (2012). "Geohazards assessment and mapping of some Balkan countries". Natural Hazards. 64 (2): 943–981. doi:10.1007/s11069-012-0185-6.


Muço, Betim (2006). SEISMICITY OF THE ADRIATIC MICROPLATE AND A POSSILE TRIGGERING: GEODYNAMIC IMPLICATION. Nato Science Series: IV: Earth and Environmental Sciences. 61. pp. 351–367. doi:10.1007/1-4020-4235-3_24. ISBN 978-1-4020-4233-1.


Muço, Betim (1998). Twenty Years Seismic Monitoring of Induced Seismicity in Northern Albania. Seismicity Caused by Mines, Fluid Injections, Reservoirs, and Oil Extraction. pp. 151–162. doi:10.1007/978-3-0348-8804-2_9. ISBN 978-3-7643-6048-1.


Muço, Betim; Puka, Llukan (1993). "Periodic features of seismic activity in Albania". Pure and Applied Geophysics. 141 (1): 59–69. Bibcode:1993PApGe.141...59M. doi:10.1007/BF00876234.



Muço, Betim (1991). "Evidence for induced seismicity in the vicinity of Fierza reservoir, Northern Albania". Pure and Applied Geophysics. 136 (2–3): 265–279. Bibcode:1991PApGe.136..265M.


Tituj të veprave letrare : 


Rrugëve të atdheut (1967) 
Etyde(1972) 
Ekspres(1975)
Tregime(1978)
Kokrra gruri (1978)
Ditë që vështrojnë larg(1982)
Eshtë se ç'na është(1984)
Ditëlindja e këngës (1983) 
Plumbi i germave (1986) 
Gjurma e vetëtimës(1986)
Bota në sytë e Dolës(1986)
Në udhën time (1988)
Ëndrrat e fëmijëve (1989)
Mall për njerëz (1989) 
Ekuinokset (1990)
Tempujt e mosharrimit(1990)
Hiroshima jashtë meje(1995)
Penda e pulëbardhës(1996)
Karusel(1997)
Sirtarët(1999)
Rrefenjat e Hamburgut(2007)
Bumerang(2009)
Yjet janë fare pranë'(2017)
Mësimet e natës 101 përrallat e fëmijëve të mi (2017)


Flori Bruqi






No comments:

Post a Comment

Situata në Dardani, është kthye me Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij në atë të vitit 1999, pra epilogu i këtyre çështjeve është zero.

-                                             Nga Flori Bruqi Administrata  e  ish presidentit deri sotëm  Joe Biden kishte prioritet diçka ...