Pa asnjë njoftim a paralajmërim nga institucionet relevante, Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë të mërkurën ka mbyllur dyert për vizitorë.
Shkak për këtë janë bërë dëmtimet nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, i cili nuk qe pa pasoja as për institucionet e kulturës e monumentet e trashëgimisë kulturore. Urdhrin për mbylljen e njërin prej muzeve më të vizituar jo vetëm në Tiranë por edhe në gjithë vendin e ka dhënë Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Në objektin e këtij institucioni plasaritjet janë evidente.
“Ndonëse publikisht nuk është dhënë asnjë njoftim, gjatë këtyre 20 ditëve, ka vijuar normalisht puna dhe frekuentimi i këtij institucioni”, kanë raportuar mediat shqiptare. Kanë raportuar se të mërkurën disa fëmijë të një shkolle 9-vjeçare në Durrës – qyteti më i prekur nga tërmeti që la 51 të vdekur – kishin ardhur për të vizituar muzeun, si aktivitet për të tejkaluar traumën që la pas tërmeti. Por janë kthyer.
“Të gjendur të papërgatitur, mësuesit vazhdonin të pyesnin se ku mund që t’i çojnë fëmijët për të kaluar disa orë argëtimi. Atyre u është përgjigjur një prej punonjësve të institucionit me dyer të mbyllura, i cili është shprehur se muzeu do të hapet vetëm kur të bëhet riparimi i dëmeve shkaktuar nga tërmeti”, kanë raportuar mediat të mërkurën. Sipas një përgjigjeje të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, “deri në akt-ekspertizën e Institutit të Ndërtimit muzeu do të qëndrojë i mbyllur për vizitorët edhe për administratën”.
Muzeu Historik Kombëtar është përuruar në vitin 1981. Në pavijonet e tij gjenden të ekspozuara rreth 5000 objekte, nga mijëvjeçari IV para erës sonë e deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.