Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë mbetur jashtë kufijve shtetërorë dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të qëndrojnë tutje jashtë, duhet të kontaktojnë ambasadat e Kosovës gjatë 48 orëve të ardhshme.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Infrastrukturës dhe Ambient.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të lejojë – në mundësitë që ekzistojnë – kthimin e organizuar për rastet e evidentuara nga ambasadat tona”, thuhet në këtë njoftim.
Sipas njoftimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, secili i kthyer do të qëndrojë i mbyllur në karantinë për një kohë të dhënë.
“Kujdesi për qytetarët tanë të ngujuar jashtë – në mënyrë të përgjegjshme, të organizuar dhe pa rrezikuar shëndetin publik në Kosovë – është obligim i institucioneve tona.
Secili shtetas i yni ndërsa, që nuk ka urgjencë, mund të zgjasë afatin e qëndrimit jashtë.
Sërish, për këtë luten t’i drejtohen ambasadave tona jashtë”, vijon njoftimi.Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.