Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se Serbia shkeli masivisht të drejtat e qytetarëve kosovarë për lëvizje të lirë. Ajo tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nisur t’i jetësojë kërcënimet e tij pas votimit të së martës Asamblenë Parlamentare për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gërvalla në një konferencë për media tha se nuk mund të japin informata të sakta se a janë liruar të gjithë apo ka ende qytetarë kosovarë duke u mbajtur nëpër vendet e ndryshme të Serbisë.
“Jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të presidentit serb, Vuçiq gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, i cili ka kërcënuar jo vetëm jo vetëm Kosovën, por edhe partnerët dhe mbështetësit e Kosovës që vota pozitive në Këshill të Evropës do të ketë pasoja. Vuçiqi ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij, në këtë kontekst e shoh unë ndalimin e sotëm të udhëtarëve, jo vetëm në autobus, por edhe në vetura. Dhe sidomos ndalimin e shumë zyrtarëve të policisë”, tha ajo.
Gërvalla tha se të ndaluarit iu nënshtruan bisedave informative për vitin 1999 dhe për anëtarë të UÇK-së.
“Një numër i madh i tyre i është nënshtruar edhe atyre që ne jemi mësuar t’I quajmë biseda informative. Shumë prej atyre që janë marrë në pyetje kanë pasur si qëllim të flitet për vitin 1999, anëtarë të UÇK-së. por për këto jam shumë e sigurt që institucionet tona të sigurisë, në momentin që i kemi plotësuar të gjitha të dhënat do të bëhen publike”, tha Gërvalla.
Ajo po ashtu tha se nuk ka shifra të sakta se sa qytetarë kosovarë janë liruar nga autoritetet e Serbisë.
Gërvalla fillimisht foli për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Gërvalla ka theksuar se më meritorët në këtë janë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD), Kreshnik Ahmeti.
No comments:
Post a Comment