Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/04/16

Librat best-seller

 “Bota e Sofia-s”, nga Jostein Gaarder  

Prej shumë dekadash vazhdon te jetë një roman best-seller që gjithmonë arrin të na udhëheqë drejt rizbulimit të filozofisë nëpërmjet syve kuriozë dhe ëndërrimtarë të një vajze të re. Një libër ideal për t’i afruar lexuesit me mendimin filozofik dhe shërbestarinë e tij për jetën dhe refleksionet ndaj saj.   

“1984”, nga George Oruell

Një përfaqësim i kthjellët dhe tronditës i totalitarizmit dhe njëri nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për politikën, komunikimin njerëzor, propagandën dhe të ardhmen e njerëzimit.  Një libër i domosdoshëm, sidomos për njeriun shqiptar.  

“Don Kishoti” nga Migel Servantes. 

Përtej historisë së dashurisë dhe bëmave kalorsiake të autorit, ky roman është monumenti i përjetshëm që Servantesi ka dashur të ngrejë për të dëshmuar krizën e besimit jo vetëm të kohës së tij, por të të gjitha kohrave, për njerëzit e kulturës dhe fisnikërisë që përballen dhe rrëzohen përpara një bote që nuk cmon dhe vlerëson më idealet.     

“Përtej së mirës dhe së keqes”, nga Fridrih Niçe

Pavarësisht se “Kështu foli Zarathustra” është libri më i madh i Niçes, kryevepra e tij e mendimit, që e pasqyron tërësisht botën e tij filozofike karshi botës dhe kombeve të Europës, konsiderohet pikërisht ky libër. Për autorin, të gjitha doktrinat filozofike gjenden të shtrënguara në darën e moralit. Zgjidhja që ai jep është një filozofi që nxit dhe promovon shpirtërat e lirë. 

“Bashkëpirja” nga Platoni

Në dukje një vepër e kushtuar erosit dhe dashurisë, e në veçanti  qasjeve të ndryshme ndaj tyre, ky dialog nga më të famshmit e Platonit, vendos në qendër konceptin e retorikës, të kuptuar jo thjesht si një art. Përkundrazi, vlera e veprës qëndron më shumë nëse arrin të na bëjë të kuptojmë sidomos dinamikat interesante ku ngërthehen tema të tilla universal si pushteti dhe konsensusi. 

“Moderniteti i lëngshëm”nga Zygmunt Bauman

I shndërruar sot në njërin nga termat objektivisht më të njohur dhe domethënës, moderniteti i lëngshëm është një koncept i krjuar enkas nga sociologu polak për të përshkruar epokën tonë.     

Bëhet fjalë për një teori brilante, që sintetizon të gjithë karakterin e paqëndrueshëm dhe gati relative të kohës ku po jetojmë prej dekadash, ku ndryshimi është e vetmja gjë e qëndrueshme dhe pasiguria, e vetmja siguri.

“Arti i të dashuruarit” nga Erich Fromm

Njëri nga librat më ndikues të psikologjisë që njihet si një kod i pashkatërrueshëm për ta jetuar dhe brendësuar dashurinë si një komponent zhvillues për jetën e çdo njeriu në raport me shoqërinë.  E kjo për faktin se të dashurosh do të thotë të mos posedosh, të lësh të lirë e të ndihmosh në zhvillimin total të personalitetit të tjetrit, brenda një plotërie të gjithanshme dashurie në të gjitha dimensionet.   

“Inteligjenca emotive”, nga Daniel Coleman

Njëri nga autorët më përfaqësues të kohës në fushën e psikologjië, Coleman ka arritur të frymëzojë njerëz në të gjithë botën për të zhvilluar një ndërgjegjie akoma dhe më të lartë emotive për të përmirësuar kështu marrëdhëniet ndërpersonale të njerëzimit. 

“Komedia hyjnore” nga Dante

E njohur prej më shumë se 7 shekujsh si një kryevepër, aktualiteti i kësaj vepre qëndron në faktin se Dante na mëson gjithmonë të shohim përtej realitetit të jetës dhe për të rrokur brenda këtij realiteti simbolet e asaj që nuk është reale, dhe për të shpalosur kështu një ide, një mendim, një ëndërr. E gjitha kjo na mëson njëherësh edhe se cfarë është në të vërtetë një mëkat dhe se si ne arrijmë të refuzojmë njohjen e së mirës dhe së keqes, si mundësi të vetme të shpëtimit.  

“Lufta dhe paqja”, nga Lev Tolstoj

Magjepsës, unik, i paanë, këto janë disa nga cilësorët që i janë mveshur këtij libri. Megjithatë, ai nuk duhet të konsiderohet si një libër që flet vetëm për Rusinë dhe epokën e Napoleonit. Përkundrazi, ai rrëfen më në thellësi të gjithë përbërësit e luftës dhe të paqes që zhvillohet jo vetëm midis shtresës së lartë, por edhe shtresës së ulët, madje edhe brenda mureve të cdo familjeje. Në këtë perspektivë, ky libër, befasisht, shpjegon shumë edhe diçka për ty, për familjen tënde dhe vëndin e saj në shoqëri. 

“Profeti” nga Kahlil Gibran

Një kryevepër e ndërthurjes së mencurisë filozofike me sugjestionin poetik, Gibran eksploron të gjitha temat universal të njeriut, nga dashuria, fati dhe spiritualiteti, me një ndjeshmëri të thellë dhe me një gjuhë të rrallë e mbresëlënëse. Pa rënë në dogmatizëm, po duke i lënë hapësirë interpretimit të lirë të lexuesit, “Profeti” ka arritur të mbetet një vepër që i drejtohet përjetësisë dhe që në breza do prekë të gjithë kordat më të fshehta të shpirtit njerëzor.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...