2011-10-31

Gani Qarri:Tivari, ky Varr masiv i asgjësimit të shqiptarëve





Shqiptarët e robëruar nga mbretëria serbo-sllave, për dekada me radhë e kishin të ndaluar çdo gjë që u përkiste atyre si komb,që nga gjuha, shkollimi,tradita, dhe deri te vet emri i tyre për tu quajtur - Shqiptar-ishte i ndaluar. Shqiptari mundë të lajmërohej vetëm me mbiemrin e bastarduar nga serbët,të cilit në mënyrë të dhunshme i ishte ngulitur prapashtesa sllave; iq - viq! për gjatë gjithë kohës së pushtimit sllavë deri më ardhjen e gjermanëve në luftën e dytë botërore.
Megjithëse për herë të parë pas çlirimit nga pushtuesit sllavë me ardhjen e gjermanëve, shqiptarët si shpesh herë, në historinë e tyre,kishin formua edhe qeveri provizore dhe hapur shkolla në gjuhën shqipe gjithandej trojeve të okupuara,që para ardhjes së gjermanëve nuk i kishin, emrave të tyre tanimë u ishte kthyer tingëllimi normal- shqip, dhe mbiemrat e shqiptarëve ishin liruar nga prapashtesat ngatërrestare-sllave, iq e viq, të cilat sipas gjuhës tonë,tingëllonin edhe si pjesë e qenieve shtazore, dhe nuk kishin të bënin fare me emrat shqiptarë.
Përkundër të gjitha vuajtjeve nga sllavët, shqiptarët, ftesës për luftë antifashiste,do ti përgjigjeshin jo vetëm me fjalë por edhe me vepra e pjesëmarrje masive me armë në dorë në luftë kundër gjermanëve dhe italianëve. Por edhe udhëheqja sllavo-komuniste e "vëllazërim bashkimit" nuk kishte ndenjur duarkryq, ajo u kishte shitur shqiptarëve mashtrimin më të madh në histori, i cili do tu kushtonte dhjetëra-mijëra vdekje, shpërngulje e syrgjynosje dhe edhe 50 vjet të tjera robëri.
Ofertat e PKJ-s, ishin tejet joshëse,dhe premtimet të pa dëgjuara ndonjë herë më parë, saqë shqiptarët me përvojën e hidhur që kishin nga pushtimet sllave, çuditeshin duke mos u besuar veshëve të tyre, kur dëgjonin nga bijtë e pushtuesve të deriatëhershëm të cilët për pak kohë do të ktheheshin prapë në vendet tona si pushtues të rinj,kur mu nga ana e tyre u premtohej, se si shqiptarët do ti gëzonin të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare,që nga liria dhe shkollimi në gjuhën e tyre amtare, deri te vetëvendosja për fatin e tyre të ndrydhur,dhe të vendit të coptuar, në të ardhmen e pas luftës.


Shi për këtë edhe shqiptarët do ti përgjigjeshin me pjesëmarrje masive, luftës antifashiste që nga ditët e para të shpërthimit të saj,dhe në bazë të premtimeve të proklamuara dhe të drejtës së tyre legjitime për bashkim,ata ishin mbledhur në Bujan për mbajtjen e një konference kombëtare, ku do të merrnin pjesë të gjitha grupimet politike,dhe kombëtare,përfshi edhe përfaqësuesit serbo-malazezët, punimet e së cilës do të zgjasnin nga 31 dhjetori i vitit 1943 deri me 1 e 2 Janar të vitit 1944. 



Në punimet e Konferencës së Bujanit do të silleshin vendime historike dhe një Rezolutë për Vetëvendosjen e Shqiptarëve të robëruar,në të ardhmen e pas luftës së ashtuquajtur "nacional çlirimtare. Luftë me gjithë sakrificat e mëdha dhe premtimet përrallore nuk u dëshmua e tillë edhe për shqiptarët,pasi që edhe një herë përfundoi me ripushtimin e asaj pjese të shqiptarëve që edhe më parë ishin nën pushtim dhe edhe për një herë më tepër, u bë edhe një ri-copëtim tanimë i brendshëm i trojeve shqiptare nën jugosllavi,nga republikat sllave,ku trojet tona u ndanë në mes të Serbisë, FYROM-it dhe Mal të zi të cilat,me përjashtim të 70 % të Kosovës që është e lirë,pjesët tjera të trojeve shqiptare gjenden edhe sot nën pushtimin sllav dhe grek.

Vendimet e konferencës së Bujanit i kishin tmerruar komunistët nacionalist serbo-malazezë si dhe komunistët internacionalist shqiptar, aq sa kundër rezolutës për bashkimin e shqiptarëve,përheqë kundërshtimit serb,kundër do të ngrihej edhe vet Enver Hoxha, duke e hedhur si të pa pranueshëm një vendim të tillë kombëtar, edhe pse përfaqësuesi i dërguar nga PKSH në konferencën e Bujanit,e kishte pranuar dhe nënshkruar Rezolutën për vetëvendosjen e shqiptarëve.




Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme të regjimit ushtarak në Kosovë
Pas Konferencës së Bujanit, të mbajtur nga 31 dhjetor të vitit 1943 dhe 1 e 2 janar të vitit1944 ku u aprovua Rezoluta për Vetëvendosje të popullit shqiptarë në Kosovë,dhe trojet tjera shqiptare,anëtarët e Komitetit Qendrorë të Partisë Komuniste Jugosllave si Svetozar Vukmanoviq – Tempo dhe Millovan Gjillasi,jo vetëm se e kishin kundërshtuar Rezolutën e Konferencës së Bujanit,për të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosjes, por ishin angazhuar dhe kishin arrit deri atje sa që me vendim të shtabit operativ jugosllav të vendosnin edhe gjendje të jashtëzakonshme ushtarake,në Kosovë,dhe si udhëheqës të regjimit ushtarak ishin caktuar kolonel Sava Drleviqit,dhe Spasoje Gjakoviqit si shef i OZNA-s siç quhej UDB-ja e atëhershme.


Menjëherë pas vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë,nën komandën e kolonelit Sava Drleviq,dhe ati UDB-asho -policor Spasoje Gjakoviq ata kishin vendosur që ti realizonin planet e Çubrilloviqit, për shfarosjen e shqiptarëve të projektuara në vitin 1944,kështu që në fund marsin e vitit 1945 me urdhrin e tyre,kishte filluar robërim-kidnapimi masiv i mijëra shqiptarëve që nga mosha 16 deri në 65 vjeç në emër të të ashtuquajturit "mobilizim" për frontet e luftës së Sremit në Serbi, "çlirimit" dhe bashkimit të Istrës me Kroacinë dhe Triestes me Sllovenin,edhe pse Triesten pas disa kohësh,Jugosllavia e atëhershme do të detyrohej t'ia kthente prapë Italisë, Istra e dikurshme italiane,edhe sot i takon Kroacisë.


Ky lloj mobilizimi i destinuar për largimin masiv të shqiptarëve të aftë për luftë nga Kosova, kishte për qëllim largimin e të gjithë atyre shqiptarëve që shiheshin si potencial i mbrojtjes së trojeve tona kombëtare, dhe si forcë e realizimit të bashkimit kombëtar, sipas Rezolutës së Bujanit,ndaj që ato të mos ndodhnin dhe brigadat serbo-malazeze të vepronin të lira në gjithë hapësirat shqiptare, në fund të Marsit dhe fillim të Prillit 1945, nga komandanti i gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake,kolonel Savo Drleviq,dhe ai i OZNA-UDB-s Spasoje Gjakoviq, do të organizoj shfarosje masive e shqiptarëve në Kosovë,përmes vrasjeve,likuidimeve,mobilizimit,dhe shpërndarjes së tyre në shumë fronte,në hapësirat e gjithë Jugosllavisë,duke mos mobilizuar asnjë serb,për dërgim në këto fronte,derisa mblidheshin mijëra shqiptar nga të gjitha anët e Kosovës,Iliridës,Preshevës Bujanocit, shqiptarët nën Mal të zi dhe gjithandej nga kishte shqiptar, me regjistër dhe numër të paracaktuar për secilën pjesë të trojeve shqiptare se sa shqiptar të aftë për luftë duheshin mobilizuar,ku
 me vrasjen e 5000 shqiptarëve në tragjedinë e Tivarit,Plani serb në pjesën më të madhe të tij edhe u realizua.


Qëllimi kryesor i kësaj Tradhtie, siç u cek edhe më lartë, ishte pengimi i realizimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit e cila u mbajt nga 31 dhjetor të vitit 1943 dhe 1 e 2 janar të vitit 1944,në të cilën me aklamacion ishte miratuar Rezoluta për Vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës pas luftës e cila akoma zhvillohej, duke caktuar si "GARANT" Ushtritë Nacional -Çlirimtare Jugosllave,në kuadër të së cilës,me shpresën për liri dhe bashkim kombëtar siç u ishte premtuar , luftonin edhe shqiptarët, dhe UNÇ të Shqipërisë, bile atëbotë propagandohej se të drejtën e Vetëvendosjes për secilin Komb e garantonin edhe aleatët e mëdhenj -si Amerika, Anglia madje edhe Rusia apo Bashkimi Sovjetik,siç quhej deri vonë, bazuar edhe në Kartën e Atlantikut, Konferencën e Teheranit dhe të Moskës.

Qendër të robërimit shqiptar,e cila atëbotë quhej "Qendër e mobilizimit" ishte caktuar Prizreni ku shqiptarët e mobilizuar me dhunë dhe mashtrim nuk kishin as armë e as veshje ushtarake dhe sipas përjetuesit të kësaj ngjarje Azem Hajdini-Xani edhe ndonjërit që kishte armë, ato ua kishin marrë,në mënyrë që pas kalimit në Shqipëri,ti vrisnin më lehtë,gjë që edhe kishte ndodhur gjatë gjithë rrugëtimit,pasi që në mesin e të mobilizuarve në pranverën e vitit 1945, nuk kishte asnjë serb apo malazez të mobilizuar, por vetëm shqiptar,të cilët me arsyetimin e "lirimit" të tyre nga pesha e armëve,i lan tërësisht duarthatë,dhe siç u kishin thënë, armët atyre nuk u duheshin,sepse ishin të sigurt, pasi që marshuta e tyre do të kalonte nëpër Shqipëri,për në destinacionin e vdekjes,të quajtur Tivar i cili do të kthehej në varr masiv për 5000 shqiptarët e asaj marshute të vdekjes.


Marshimi i Brigadave serbo-malazeze me robërit shqiptarë nëpër Shqipëri

Besimin për përcjelljen e shqiptarëve të mobilizuar nga Kosova dhe viset tjera shqiptare,përgjatë marshutës së tyre rrënqethëse,nëpër Shqipëri, e kishin fituar Brigadat Serbe që vepronin në Kosovë,nën komandën e Sava Drleviqit,të cilat sipas planit, vrasjen e shqiptarëve e kishin filluar me të hyrë në Shqipëri,që nga ndalimi i parë në Kukës, duke i ftuar natën në shtab,së pari shqiptarët më me ndikim siç u thoshin "për konsultime" rreth itinerarit të rrugës,për ti vrarë pastaj, si dezertor, gjoja se ata kishin tentuar të iknin,për të vazhduar kështu edhe në Pukë me rrahje,maltretime, uri, etje dhe vrasje, mbytje nëpër lumenj e liqene përgjatë gjithë rrugëtimit nëpër Shqipëri,deri në Shkodër,ku shqiptarët e mobilizuar, i priste Brigada e X serbo-malazeze, e cila do ti merrte gjoja për ti dorëzuar te Divizioni X-të sulmues Dalmatin, që shqiptarët ta ndihmonin çlirimin e Triestes dhe bashkimin e Istrës me Jugosllavinë, për ti vrarë ata,para se të arrinin atje, pothuajse që të gjithë sa kishin arritur të gjallë në Tivarin e Ri ditën e 31 Marsit të vitit 1945.


Mu në kohën kur,me urdhëratë e Komandantit të pushtetit ushtarak në Kosovë, Sava Drleviq dhe ati UDB-asho policor Spasoje Gjakoviq, brigadat shqiptare të Kosovës ishin dërguar në Luftën e Sremit, po me urdhëratë e tyre duke mos harruar edhe ndihmën e madhe të bashkëpunëtorëve shqiptar,të cilët nuk hezituan ta vrisnin edhe Shaban Polluzhën, në momentin e parë që ai guxoi tu thoshte jo urdhrave serbe,ata mobilizuan edhe 5000 shqiptar të tjerë të cilët do të dërgoheshin për tu masakruar në Tivar.



Kurse brigadat shqiptare të Shqipërisë, ishin dërguar nga Kosova në Sanxhak e Bosnje deri në Vishegrad, gjoja për të luftuar kundër gjermanëve, derisa robërit e "mobilizuar" shqiptarët në mars të vitit 1945 në të njëjtën kohë të lodhur e të rraskapitur,të rrahur e të uritur dhe të djegur nga etja dhe torturat tjera që serbët barbar-ushtronin mbi ta, para se ti zgjatnin duart drejt vëllezërve të tyre, duke u lutur për një copë bukë dhe një pikë ujë,ata vriteshin mizorisht,në vendin amë nga barbarët serbët, para syve të vëllezërve të tyre në Shqipëri të cilët i përshëndetnin të mobilizuarit shqiptar nga Kosova dhe trojet tjera etnike shqiptare,me plotë "dashuri vëllazërore" duke mos mundur ti shpëtonin,u uronin rrugë të mbar, me shiqimin e kthyer lartë në parullën ku shkruante; Tito-Enver- sikur donin tua bënin me dije,se ata ishin gjykatësit e të mobilizuarve,me bekimin e të cilëve,shqiptarët vazhdonin rrugëtimin nëpër mëmën Shqipëri, drejtë vdekjes së tyre tragjike të planifikuar nga serbët, për ti vrarë ata 5000 burra në Tivar!
Arritja në Tivar në Varrin masiv të asgjësimit shqiptar

Sipas mbijetuesit të masakrës, Azem Ajdinit- Xanit, Tivari ishte skuta më e izoluar e Malit të Zi, dhe ai ishte vendi më i padukshëm i cili nuk kishte as lidhje komunikatave, kështu që me qëllim, mu Tivari ishte zgjedhur si vendi më ideal,për ekzekutimin mijëra të mobilizuarve shqiptar, ku ishte kryer një masakër aq të madhe mbi shqiptarët dhe pothuaj në mënyre gati të padiktueshme,do të ekzekutohej një krimi i paparë në Historinë më të re të Ballkanit, mbi 5000 shqiptarët e pa armatosur.
Në fillim, nga Mitrovica e deri në Prizren mobilizimin e kishin organizuar oficerë dhe ushtarakë shqiptarë me komandim në gjuhën Shqipe duke i bindur të mobilizuarit se shkonim për çlirimin e Istrës dhe Triestes, "nga vuajtjet nën okupimin e huaj" si dhe tua prenin gjermanëve vijën e frontit të Sermit ,për të arrit sa më shpejtë "çlirimin" e vendit dhe kapitullimin e nazizmit.
Kjo ishte propaganda që atëherë përdorej si mashtrim për mobilizimin e sa më shumë shqiptarëve ndaj të cilëve do të zbatoheshin edhe masakra të tilla,si ajo e Tivarit.
-----------------------------------------------------------------------------------
Realizimin e Ëndrrës shqiptare për bashkim kombëtar,dhe shfrytëzimin e rastit aq të mirë për bashkim kombëtar, i cili nuk përsëritet shpesh,nuk e kishin penguar me të gjitha mjetet, vetëm komunistët nacionalist serb, por aq më tepër e kishin kundërshtuar komunistët internacionalist të Shqipërisë,të cilët tashmë kishte kohë që ishin vëllazëruar aq thellë me komunistët nacionalist serbo-malazezë,sa që për hir të dashurisë së madhe vëllazërore që kishin ndaj tyre, ata në mënyrë kategorike do të refuzonin çfarëdo bashkim me "miqtë" kosovarë, dhe shqiptarët tjerë nën pushtimin sllav.
Ka të atillë që thonë,se PKSH ishte e dashuruar me komunistët jugosllav, kjo nuk qëndron, sepse faktet flasin për kontakte të komunistëve internacionalist shqiptar,me të ashtuquajtur vëllezër ,të cilët ishin vetëm,nacinalisto-komunist, serbo-malazez, si Dushan Mugosha, Miladin Popoviq, Svetozar vukmanoviq Tempo, e deri te Aleksandër Rankoviqi, i cili është i njohur në histori si më i madhi-shpërngulës i shqiptarëve me dhunë,i cili për kohë të shkurtër përzuri dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova për në Turqi ,por megjithatë ai do të dekorohej nga PKSH me medalje të artë për "TRIMËRI". 
Kontaktuesit e komunistëve shqiptar,ishin nacionalistët serbo-malazezë,të veshur në rroba komunistësh,por nuk ishin kroat apo slloven,me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Komunistët serbo-malazez ishin nacionalist të hapur dhe asnjë herë të kamufluar të cilët kudo dhe në çdo vend, kundërshtonin hapur,madje insistonin dhe bindnin edhe komunistët internacionalist shqiptar,të hidheshin kundër çfarëdo marrëveshje që mund ti ofronte shqiptarët, e mos ta përmendim bashkimin e tyre. Dhe, për fatin e keq të të mobilizuarve, me dijen dhe bekimin e komunistëve internacionalist shqiptar,mu Brigadave-serbe do tu BESOHEJ transferimi i 5000 shqiptarëve të pa fajshëm pothuajse nëpër gjysmën e Shqipërisë londineze të cilët do të përcilleshin me maltretime,uri, etje , tortura e vrasje për gjatë gjithë rrugëtimit nëpër Shqipëri,për tu dërguar në varrin masiv ,të quajtur Tivar ku do të vriteshin pothuajse të gjithë 5000 të mobilizuarit me tradhti të shumanshme,për ç`gjë komunistët shqiptar të Shqipërisë heshtën,kurse komunistët shqiptarë të Kosovës,ndaluan çfarëdo bisede mbi tragjedinë e Tivarit,me dekada të tëra,gjatë afro 50 viteve të sundimit të tyre. 
Madje pushtetarët komunist shqiptar në Kosovë tentuan ta heshtin përgjithmonë vrasjen e 5000 shqiptarëve, kurse në Shqipëri nuk do të mungonin përpjekjet, për paraqitjen e 5000 shqiptarëve të vrarë si 500,djem "kosovar" e herë ,herë duke i përshkruar edhe si ballistë e banditë. Por lidhjet me komunistët serbo-sllav, nuk u ndërprenë për shumë kohë, ku përveç letrave flirtuese të cilat të këpusin "shpirtin" edhe sot po ti lexosh,që atëbotë kuadrot e larta të Partisë dhe Shtetit shqiptar u dërgonin, vëllezërve serbo malazezë, e më së tepërmi cernagorit Miladin Popoviq.
Pas përfundimit të luftës ata do të shkojnë aq larg sa që përveç unifikimit doganor me Jugosllavinë e atëhershme,ata në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të fusnin gjuhën serbe si lëndë mësimore,duke harruar tërësisht, jo vetëm krimet serbe të bëra ndaj popullit tonë gjatë luftës por edhe shqiptarët e mbetur nën pushtimin sllavë,të cilëve u mohohej çdo e drejtë elementare, njerëzore dhe kombëtare.

-------------------------------------------------------------------------------------

Por të kthehemi edhe një herë te rrugëtimi i të mobilizuarve shqiptar,nëpër Shqipëri të cilin Azem Hajdini-Xani e përshkruan kështu ; na mundonin me uri,e më shumë me etje, duke na penguar të pinim ujë edhe kur kalonim pran ndonjë prrocke. Vetëm nëse binte shi pinim pikat e shiut që binin duke hapur gojën për të shuar etjen tonë,pasi që për ne nuk kishte strehim as kur binte shi e as kur bënte ftohtë. Natën e kalonim nën qiellin e hapët,kurse përcjellësit tanë serb flinin e pushonin në objekte të mbuluara shqiptare të cilët derisa ne ecnim ditë e natë këmbë ata gjatë Rrugës,ndërroheshin në kuaj e qerre ndërsa ne të uritur, të etur e të rraskapitur,nuk kishim mundësi ti kryenim as nevojat tona fiziologjike,ngase na detyronin të ecnim me tempon që na diktonin përcjellësit e pushueshëm dhe të ushqyer mirë, kurse ata që nuk mund të ecnin apo sëmureshin gjatë rrugës, vriteshin para syve tanë nga përcjellësit serbo-malazezë të cilët i shpallnin simulant,dhe i pushkatonin aty për aty. Poashtu vritej secili që përpiqej të këpus diçka nga ndonjë pemë skaj rruge, për të hëngër,apo ai që me kapele donte të merrte pak ujë në prrockë i kallur nga etja.
Në ditën e parë të marshimit,rreth orës 20 arritëm në Kukës dhe natën e kaluam nën qiellin e hapur,me reshje të imta shiu nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të forcave ushtarake serbo - malazeze,të cilët nga mesnata filluan ti ftonin në shtab njerëzit më autoritativ dhe eprorët tanë shqiptar- kinse për konsultime, por nga ora 01 pas mesnate dëgjuam të shtëna dhe britma të tmerrshme të cilat na treguan,se nuk bëheshin bisedime por kryheshin likuidime të kuadrove tona.
Nga Kukësi në Pukë, arritëm rreth orës 19.oo,ku na vendosën në një luginë të rrethuar me pyje, dhe mbi ne binte prapë shi si rrëke, edhe këtu-kështu e kaluam natën, dhe të nesërmen shumë veta u pushkatuan si simulant,ngase nuk mundën ta vazhdonin rrugën, derisa dhjetëra të tjerë, mëngjesi i gjeti të vdekur. 
Nga Puka, në vendin e quajtur Ura e Zogut arritëm rreth orës 20.oo. Urën e kishin shkatërruar Italianët e ne duhej të kalonim përmes një vigu dhe njëlloj vagonete. Në vagonetë i ngarkuan mëse 50 veta dhe teleferiku i improvizuar u këput, ata ranë në atë greminë të thellë,ku disa vdiqën dhe disa u lënduan rëndë. Radhët tona zvogëloheshin. Ne tentuam t' u ndihmojmë, por shkijet na penguan duke na detyruar të kalonim nëpër atë vig të improvizuar, vazhduam rrugën dhe arritëm në Vaun e Spaçit afër Shkodrës,Ura ishte e shkatërruar edhe aty kurse ne duhej të kalonim në anën tjetër me një anije të improvizuar edhe aty na mbetën disa shokë të sëmurë rëndë, për fatin e të cilëve kurrë nuk jemi informuar, por nga përvoja e dinim se të sëmurit vriteshin si simulant.
Në Shkodër arritëm me datën 30 mars të vitit 1945, rreth orës 16.oo. Në të dy anët e rrugëve na shikonin shumë njerëz, shumica prej të cilëve qanin kur na shihnin se në çfarë gjendje kishim ardhur, disa qanin, duke pëshpëritur- ku jeni duke shkuar? edhe ata me dukej sikur e dinin se ne po na qonin në rrugë pa kthim ! Shumë prej tyre na ofruan bukë dhe ujë dhe këtu për herë të parë shuam etjen. Por kjo nuk zgjati shumë dhe shkijet shpejtë na vendosën në kazermat e Shkodrës në një kodër të lartë,ku nuk kishte ujë për pije. As këtu nuk na lanë gjatë sepse Brigada e X-të serbo malazeze pas mesnate na mori nga Shkodra dhe u nisëm në drejtim të Ulqinit,por jo fortë larg Shkodrës, kah ora 3 pas mesnate kolona hasi në një eksploziv të gjatë afro 20 metra në mes të rrugës,paniku ishte aq i madh,sa që me gjithë urdhrin që të mos lëvizim shumë prej nesh u rrokullisën në të dy anët e rrugës , me ç`rast filluan të shtënat e serbo-malazezve që na përcillnin,të cilët, aty vranë dhe plagosën shumë shqiptarë.
Me 31 Mars të vitit 1945 nga ora 14 arritëm në Tivar të ri, afër monopolit të duhanit, disa nga ne, nën rrahjet me shufra hekuri të ushtarëve serbo malazezë,të cilët qëndronin para hyrjes,na futën në një ndërtesë,derisa ajo u mbush, kurse të tjerët mbetën jashtë,me të arritur na thanë që të gjithë të ulemi me duar të lidhura prapa qafe, dhe pasi që ushtarët e brigadës së X-të serbo malazeze u larguan nga ne për afro 150 metra së pari u dëgjua një eksplodim i fuqishëm në afërsi dhe pastaj filluan të shtëna nga të katër anët, nga dritare e kulme shtëpish, rrugë e spitale, për më tepër se 1 orë e gjysmë,zgjati sulmi për shfarosjen e shqiptarëve. Sulmet vinin nga të gjitha anët dhe shtihej nga të gjitha llojet e armëve,si jashtë ndërtese ashtu edhe brenda saj, prej orës 14.oo deri ne ora 15.45. dhe pas këtij akti mizor, i cili zgjati mbi një orë e gjysmë, të shtënat u ndërprenë,dhe ata që kishim shpëtuar në kufoma,na thirrën të dalim jashtë,gjoja se Tito na kishte falë jetën.
Derisa ne dilnim nga ndërtesa, brenda mbetën shumë të plagosur, duke qarë e kërkuar ndihmë,kurse në oborr, një rrethim i madh me ushtarë serbo-malazezë, dhe një skenë e paparë me mijëra shqiptarë të vrarë e të plagosur që shtriheshin para nesh, mbi trupat e të cilëve ishin ngulitur ,sëpata e bajoneta, shkopinjtë dhe tërfurq, ku në mesin e të vrarëve kishte edhe shumë të plagosur që kërkonin ndihmë me klithma para të cilëve qanim edhe ne,ata pak te mbetur gjallë kur në atë grumbull të madh njerëzish të kryqëzuar si kubiku i druve një mbi një, nuk mund të dallohej më se kush ishte kush,nga shqyerja trupave,shkëputja e gjymtyrëve dhe gjaku që rridhte nga çdo anë. 
Pas 10 - 15 minutash pasoi proklamata e shtabit,e cila lexohej me megafon,ku thuhej: informohen të gjithë ata që kanë mbetur gjallë ose të plagosur se komandanti suprem i UNÇ, shoku Tito ka urdhëruar ndërprerjen e zjarrit dhe të gjithë i ka falur - pavarësisht prej gabimeve që kanë bërë,rroftë shoku Tito....rroftë UNÇ, rroftë Vëllazërim bashkimi.
Në mëngjes vërejtëm se si mbi ujë notonin mijëra plisa të bardhë, shoka, japanxhe dhe kufoma të shqiptarëve të vrarë. Edhe neve të shpëtuarve,na mbajtën në plazh plot 18 orë pa ngrënë e pa pirë, ku etjen kot përpiqeshim ta shuanim me ujë të detit.
Pas gjithë atyre peripecive,vdekjeve dhe tragjedisë së përjetuar edhe nga udhëheqësit e Kosovës,në vend të ngushëllimit, në ato momente të rënda,kishte arritur një porosi për ne,me përmbajtje mjaft fyese,ku thuhej:

"Me keqardhje kemi marrë lajmin për incidentin dhe tragjedinë që ndodhi në Tivar, për çka ju vet ishit fajtorë. Megjithatë ne kemi marrë të gjitha masat për sigurimin e jetës suaj dhe kushteve më të mira jetësore. Tash e tutje për në front përveç udhëheqësve serbë e malazezë do t' u shoqërojnë edhe oficerët kroatë e sllovenë, si dhe disa oficerë shqiptarë". 

Masakrës së 5000 të robëruarve shqiptar, Azem Hajdini-Xani, dhe disa nga të mobilizuarit, kishin shpëtuar duke u rrëzuar bashkë me të vdekurit të cilët kishin parë se si terroristët e Brigadës së X-të serbo-malazeze, përmes rënkimeve të shumë shqiptarëve të plagosur, të cilëve nuk mund tu ndihmonte askush në zavalin e dhënies së mundimshme të shpirtrave të tyre,i ngarkonin të vrarë e të plagosur bashkë, në qerre e kamion dhe ashtu siç i kishin bartë nga vendi i krimit ,të gjallë e të vdekur i kishin hedhur në Det dhe gropa për të mos i par më kush kurrë ,duke ua humbur edhe eshtrat dhe çdo gjurmë të tyre përgjithmonë. 
Por sikur të mos mjaftonte as kjo, shqiptarët edhe pas lufte e kishin të ndaluar të kërkojnë ndriçimin e tragjedisë së Tivarit dhe kushdo që përpiqej ta bënte këtë, ndiqej dhe persekutohej pa mëshirë. Ndiqeshin dhe maltretoheshin prindërit, fëmijët dhe të afërmit e atyre që kishin pësuar në Tivar, në mënyra të ndryshme deri te ato më mizoret, duke i konsideruar edhe ata si armiq dhe të rrezikshëm për shtetin.
Planifikimi i Masakrës së Tivarit 

Në fillim të vitit 1945, një numër i madh i Shqiptarëve atëbotë u mobilizuan, që të shkojnë në Frontin e Triestes, gjoja që t" ia prisnin vijën e fortifikuar të frontit gjerman nga fronti i Sremit, t' u bëhej e pamundur tërheqja e gjermanëve në Austri e Itali dhe të ndihmojnë UNÇ-n jugosllave për çlirimin e Triestes dhe të Istrës,para se të arrinin njësitë anglo - amerikane,që këto territore t' i bashkëngjiteshin- Jugosllavisë,për çlirimin e të cilave s'duhej kursyer asgjë e as numri i viktimave. Me arsyetimin se për arritjen e këtij qëllimi duhej edhe ndihma e shqiptarëve ,nga e gjithë Kosova dhe viset tjera shqiptare nën jugosllavi, ishin tubuar më se 5000 shqiptar, për të marrë rrugën e Tivarit, dhe ndaj tyre përgatitej një kurth monstruoz e djallëzor me destinim të bëhen viktima të një masakre të paskrupullt që për nga monstruoziteti nuk ka edhe një shembull tjetër të shfarosjes së përmasave të tilla në Ballkan përveç Mathauzenit në Austri dhe Oshviençinit të Polonisë në historinë e civilizimit njerëzor evropian, do të thoshte Azem Hajdini-Xani.
Si në dokumentet e zbuluara civile,ashtu edhe në ato ushtarake të kohës, thuhet se planifikimin e masakrës dhe mobilizimin- vetëm të shqiptarëve- nga Kosova dhe trojet tjera etnike nën jugosllavi,si dhe ekzekutimi i afro 5000 të atyre shqiptarëve brenda një ore e gjysmë në Tivar, ishte kryer me qëllim dhe në mënyrë të organizuar,nën urdhëratë e udhëheqësve të gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake në Kosovë, kolonelit Sava Drleviq dhe shefit të OZNA-UDB- Spasoje Gjakoviq,plan ky që kishte filluar të vihej në veprim,që me daljen e shqiptarëve në Shqipëri,me të arritur në Qytetin e Kukësit,për të vazhduar gjatë gjithë rrugës për Pukë dhe Shkodër, e deri në Ulqin,për të përfunduar me shfarosjen e tyre masive me 31 mars të vitit 1945 nga ora 14 kur thuhet se kanë arritur atje e deri në ora 15, e 45, kur thuhet se kishte përfunduar masakrimi i tërësishëm i shqiptarëve në Tivar.


Dhe për dekada të tëra si në Kosovën e pushtuar ashtu edhe në Shqipërinë e lirë, askush nuk kishte guxuar ta përmendte hapur këtë masakër derisa Azem Hajdini-Xani nga Skenderaj si mbijetues i masakrës së Tivarit me 9.11.1966,u ishte drejtuar personalisht me një shkresë, Komunës së Mitrovicës, Komitetit të Kosovës në Prishtinë, Komitetit Qendrorë të Jugosllavisë dhe të gjitha organeve të atëhershme shtetërore-jugosllave me kërkesë për zbardhjen e masakrës së Tivarit.


Sipas disa dëshmive,për nevojat e brendshme partiake dhe në mënyrë interne dhe jo publike edhe Këshilli i atëhershëm popullor i Kosovës me Datën 12.11.1955 kishte kërkuar nga Gjyqi Ushtarak sqarime mbi Masakrën e Tivarit, ku sipas atyre dëshmive të cilat thuhet se ekzistojnë në librin mbi dokumentet zyrtare të periudhës së viteve 1943- 1945, të cilat në vitin 1955 ishin botuar si libër i veçantë në Prishtinë, Gjykatësi hetues i kryesisë së Gjyqit Ushtarak të RFJ-së kolonel Zvonimir Ostoiq, me datën 6.02.1956, ishte përgjigjur vetëm pjesërisht duke pranuar planifikimin e organizimit për masakrimin e qëllimtë të 5000, shqiptarëve në Tivar, nga udhëheqësi i atëhershëm ushtarak i gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, koloneli ushtarak Savo Drleviq në bashkëpunim me shefin e OZNA-UDB, Spasoje Gjakoviq,me ç`rast vërtetohet se me qëllim janë mobilizuar vetëm shqiptarët,dhe se të shtënat me armë kundër shqiptarëve të paarmatosur me të arritur në Tivar më 31.03.1945, janë urdhëruar nga komandanti dhe komisari i Brigadës së X-të serbo-malazeze dhe janë ndërprerë vetëm atëherë kurë askush më nuk ka lëvizur nga vendi, siç shprehet edhe Azem Ajdini-Xani, mbijetues i asaj masakre.
Vrasja masive ishte kryer në mënyrë të organizuar dhe në prezencën e të gjithë përfaqësuesve ushtarak dhe civil të Tivarit, të cilët paraprakisht kishin qenë të informuar mbi planin e shfarosjes së të mobilizuarve duarthatë shqiptar,ndaj edhe ishin përgatitur në mënyrë aktive për shtënie të organizuar me armë deri në shfarosjen e gjithë shqiptarëve, atë ditë të kobshme në Tivar!


Për afro 50 vite,nga shqiptarët e të gjitha trojeve,kjo ngjarje u hesht,dhe megjithëse për asnjë çast nëpër kohë,asaj nuk i ra kurrë pluhuri i harresës kombëtare, mbi masakrën e Tivarit, ra heshtja e një Varri shumë dekadëshe, nga frika dhe terrori i ri për 50 vite me radhë. Dikush me detyrim e dikush edhe me dëshirë,nga pozitat që mbanin apo dhe propaganda që zhvillohej, pothuajse të gjithë njëzëri,me ndonjë përjashtim të vogël, i duartrokitëm dhe ngritëm në zenitin e heroizmit, mu ata që në një formë apo tjetër ishin të përzier në këtë masakër dhe tragjedi të tjera kombëtare. 

Në përkujtim të veprës së Heroit Enver Zymberi



           SHKRUAN  GANI QARRI 


Jeta e popullit shqiptar dhe rrezikimi i trojeve të tij vazhdon të përcillet me sfida dhe të papritura, siç ndodhë sot edhe me veriun e Kosovës. Këto ngjarje lënë gjurmë të pashlyera në këtë pjese të historisë kombëtare shqiptare të cilat nuk mund të braktisen aq lehtë,sikur ky të ishte Misioni ynë i fundit.
 Këtë na e obligon edhe kujtimi për Policin Hero, Enver Zymberi i cili që nga ngjarjet e 25 Korrikut të vitit 2011, nuk vjen më vetëm si histori vetëdijesimi për vijën ndarëse të kufirit Kosovë -Serbi,por edhe si simbol kombëtar i martirizimit për pjesët e pushtuara të vendit dhe  rivendosjes së identiteti tonë shtetëror edhe atje,ku  për një kohë jo të shkurtër mungonte.
 Ai u tregua i pa mundur nga mësymjet e bandave kriminale serbe,me gjithë vendimet e shqiptarëve me urdhrin për tërheqje, jo vetëm të kufomës së tij të rënë heroikisht për çlirimin e veriut të okupuar por edhe të shokëve,me të cilët arritën ta kryenin misionin e besuar shtetëror dhe ti kapnin pikat e "ndaluara" kufitare.
 Pushtimi i veriut të vendit nga strukturat kriminale serbe të shoqëruara me denigrime e fyerje si askund tjetër në rajon,e forcuan shpirtin heroik e kombëtar  të Enver Zymberit  i cili pa asnjë hezitim e sprovoi vetveten duke kapërcyer të pamundurën për të depërtuar në zonën e ndaluar. Ai e mposhti edhe  vdekjen nga vrasja tinëzare e kriminelëve atje,për të kaluar në pavdekësi duke u shpallur Hero në historinë  tonë më të re.
 Vepra e tij ishte dhe mbetet qëndresë dhe kushtrim lirie,me dinjitet të lart kombëtar dhe amaneti më i fuqishëm i një shpirti të pa epur për të vërtetën tragjike dhe të përgjakur të shqiptarëve e cila shpesh herë nëpër kohë,ndodhi të mbulohej nga historitë e përsëritura me copëtimet e pambaruara të tokave shqiptare kundër të cilave nuk prajnë as sot përpjekjet e ish pushtuesve tanë të rinj e të vjetër. Enver Zymberi nuk u përpoq t'i bënte bisht asaj që nga ai u kërkua dhe thirrjes  së Atdheut iu përgjigj me devotshmëri duke u bërë përcjellës i amaneteve çlirimtare që vërshojnë nga amanetet e dëshmorëve të kombit dhe vuajtjet e shumë plagëve të pa mbyllura të këtij populli nëpër shekuj për tu bërë edhe vetë zë i pa shuar dhe i ngritur deri në lartësitë e një epike madhështore kombëtare dhe legjendë moderne e kohëve tona.
Heroi u nisë të mbronte atdheun nga ata që kërkojnë pa të drejtë hise në brinjët e thyera të vendit tonë të vogël, të cilit njëjtë si në mesjetë edhe sot i janë vërsulur kalorësit e pabesë sllavë të futur me hile nga ana e Serbisë si kuaj troje,thellë në brendësin e zemrës së Kosovës martire  me shpatat e tyre mishprerëse për ta ndarë edhe atë më dysh.
 Edhe pse ende sot bandat kriminale serbe shqelmojnë mbi gjakun e derdhur shqiptar në ato pjesë të vendit tonë,Heroi ynë ruajti me besnikëri betimin ndaj atdheut dhe lirisë së tij për të cilat edhe u flijua duke ia lënë atij amanet,Familjen, Bashkëshorten dhe katër fëmijët e mitur.Vepra heroike e këtij djaloshi trim dhe patriot, mosha e të cilit nuk plaket,do të kujtohet dhe nderohet me pietet përgjithmonë ,historia e të cilit na mëson edhe për një herë më tepër-se pa bashkim kombëtar nuk  mund të ketë Shqiptar  e as  Shqipëri të lirë dhe të qetë,në këtë pjesë të trazuar të Ballkanit.
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Zymberit dhe gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit kudo,të rënë për lirinë e shqiptarëve dhe trojeve të tyre në gjithë hapësirën etnike.

... edhe pse në paradoks dhe turp të plotë



imagePetraq KOTE
Shënim nga Petraq KOTE


... edhe pse në paradoks dhe turp të plotë, ne Fier ende festohet me " larmi aktivitetesh " si muaji letërsisë dhe arteve “, tetori. Madje nje slogan i vendosur me krenari nga Biblioteka Publike Fier në mes të rrugës qe pret me dysh këtë qytet të Myzeqesë e njofton ketë gjasë inkube ndër komunitet dhe kalimtarë të rastit të cilët vizitojnë Fierin dhe Jugun shqiptar. Por, përgjysmë,  ( ndoshta naivisht )!  Pse muaji tetor i cili u shpall i tillë për nder të ditelindjes së diktatorit  E. Hoxha e cila daton 16 tetor 1908, me vendim te sekretariatit te KQ PPSH ( 1979 ), hapesirohej " Muaji i letersise dhe arteve " Pra slogani ligjeron vetem " ...muaji i letersise ". Më parë ketij vendimi politik, shkrimtaret shqiptarë e festonin ditën e tyre me 25 maj te çdo viti, per nder te dites se lindjes te  Naimit te Frasherit  te Madhe ( 25 maj 1846 )...
Une ende nuk e di në festohet në qytete te tjera shqiptare  " ky muaj simbol " per letersine dhe artet shqiptare, por mendoj se poetet, shkrimtaret, artistet dhe te gjithe krijuesit e tashme pa kufij ideoartistik ( pa censure politike )  te Shqiperise, duhet te kene nje dite te tyren, per te nderuar ate qe vetë  krijojne, që për fat të mire një pjesë e mire e saj  është më elitare, më dinjitoze se letërsia tashmë e mbyllur e socrealizmit e ajo dite te këtë konotacion vetem me ARTIN... 
Unë nuk mendoj se E. Hoxha ka qenë një shkrimtar talent aq sa shqiptarët artistë ta pranojne edhe sot këtë vendim absurd dhe brutal  të ish kastës politike diktatoriale shqiptare ( 1944 – 1991 ) dhe ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fillesat dhe majat letrare shqiptare nuk duken në fillim të  shekullit të  njëzetë ( 16 tetor  1908 ) ditë dhe kur lindi apo jetoi E. Hoxha( … jeta nuk është gjë tjetër, veçse gjërat që bëjmë përditë ). Ato gjenden në mesjetën e vonë ( 1462 ) dhe pagëzori i tyre është imzot  Pal Engjëlli.
Edhe pse bashkohem me opinionin e prof. Lasgush Poradecit, shkrimet e tij kritike dhe jo me ato të Nolit e Konicës për Naim bej Frashërin, them se  25 maji, ditëlindja e Naimit nuk mund ta përfaqësoj simbolikisht se  denjshëm, po  “ ditën “ e shkrimtarëve shqiptarë. Krijuesit e tashëm të letërsisë estetike shqiptare, duhet ta shohin këtë simbolikë matan letërsisë së bejtexhinjve ( Nezim Frakullës ), në atë hapësirë historike letrare ku gëlonte letërsia e europianizuar shqipe e pesë B-ve të Mëdha  dhe atyre të gjuhës mëmë, arbëreshve të italisë.
Është koha e nderimit dhe respektimit të vetvetes. Le të bëjmë ato që i kemi vet  brenda mundësive të  bërjes dhe të luftojmë të realizojmë ato që nuk janë brenda mundësive tona për ti realizuar, siç përshembull bashkimin e gjithë letërsisë kombëtare shqiptare rreth një gjuhe civile, standarte siç e përcakton Kongresi i famshëm i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, 1972, duke respektuar përulësisht si   ushqim dietik të po kësaj gjuhe, dialektet ( gegnisht, toskërisht ), por më parë kjo luftë të finalizoj bashkimin e trojeve të coptuara  shqiptare. 
Le të kujtojmë katër ngjarjet më kulmore që ka bërë bashkësia e ndritur e shqiptarëve shekujt e fundit në shërbim të çeshtjes kombëtare:
Lidhja e Prizrenit
Kongresi  i Manastirit ( i parë, i dytë )
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe
 Lufta e Vlorës e vitit 1920
Dikush mund të aludoj edhe për Pavarësinë si kulm të katërt, por pavarësia e Shqipërisë etnike ( natyrale )  nuk u njoh nga Europerëndimorët në vitin 1912 ( … më sakt nga Londra. Në vitin 1913 ajo shtyu fuqishëm ndarjen e trojeve shqiptare ndërmjet grekëve dhe sllavëve të krishterë ), por në vitin 1920, fal luftës së Vlorës.
Jo, rastësisht i solla këto katër ngjarje vendimore në historinë e shqiptarëve. Vini re! Të katra kanë lidhje të pazgjidhshme me njëra tjetrën dhe të katra me krijimtarinë gjuhësore letrare kombëtare. Në të katër këto ngjarje prinë të diturit dhe të shquarit e arsimit gjuhës dhe letrave shqipe. Kujtoj se fjalën e fitores së luftës së ’20-tës e mbajti Jani Minga.
Dhe jo rastësisht do ta mbyll këtë shënim me një retorikë të Aristotelit: “ … fisnikëri ( fisi i mirë ) është për një komb, për një qytet, kur të parët dhe prijësit e tyre janë autoktonë dhe kanë rrjedhur prej tyre shumë njerëz  duke i patur zili. 
Ndaj, të nderuar miqtë e mi të letërsisë shqiptare, le të mendojmë për një ditë simbol, ku të gëzojmë dhe nderojmë veten, atë që kemi trashëguar e krijuar!...

ACPE promovon “Placebo” të poetes nga Prishtina, Drita Ademi Beqiri, në Londër



Nga Andi Terziu

Restoranti i Vetonit, pronarit shqiptar nga Peja, një biznesmen me një kulturë të radhë komunikuese ishte këndi kulturor ku promovimi i librit poetik “Placebo” i poetes nga Prishtina me banim dhe punë në Zvicër, Drita Beqiri Ademi, ishte kryefjala e një nate tejet festive. 

Pasditja e 29 Tetorit foli kështu qetë dhe shqip në Kilburn Bridge, Kilburn High Road, Kilburn, London NW6 6HT. Ishin të gjithë krijues me punë dhe angazhime në Britaninë e Madhe, bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare që me të zbritur nga udhëtimi në Kilburn Park Station apo nga Kilburn High Road Railway Station e nga makinat e tyre kishin vetëm një destinacion lokalin La Dolce Vita. 
Organizuar nga ACPE, Krijuesit shqiptarë në Exil, me Drejtor Fatmir Terziu, promovimi kishte në gjirin e tij të gjithë ata që ndjejnë vitesh peshën e fjalës së bukur shqipe, peshën e emocionet e fjalës së bukur të artit të fjalës. 

Promovimin e hapi poetja shqiptare nga Prishtina, Sadie Kryeziu Bejtullahu dhe më tej duke ia dhënë fjalën organizatorit dhe drejtuesit të ACPE dhe organizatorit të promovimit, Fatmir Terziu, gjithshka shkoi sipas një plani të detajuar.


E konceptuar krejt ndryshe, mes një melosi tejet poetik, ku dominonin kënga, vallja dhe fjala shqipe, në një sfond ballor me Flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës, nata promovuese kishte në gjirin e saj veç autores edhe të birin e saj Bledar Beqiri, që me një thjeshtësi ndiqte skenën festive, promovuese. 
image
Në këtë atmosferë, lexuan poezitë e vëllimit “Placebo” poetja Shejmond Paçarada, Diana Halili Lika, Sadie Kryeziu, poetët Xhavit Gasa, Sami Islami, Hyda Ismaili, Selman Lokaj, Kristina Leka, Albana Mici, Luçiana Ademi, Kristina Leka, Sherif Bllaca, Megi, Burimi, Zamira, etj..

.Poeti Hyda Ismaili lexoi më në detaj një kritikë të përqëndruar e profesionale rreth poezisë së poetes Drita Beqiri Ademi.
Më tej Dr Fatmir Terziu, redaktori, botuesi dhe përkthyesi i librit u ndal në vlerën e poezisë së poetes. Ai që në fillim theksoi se jo më kot e kishte cilësuar këtë poezi si poezi e simbolikës jetëdhënëse.
promovim1.jpg
Shkrimtari dhe poeti, Fatmir Terziu në fjalën e tij theksoi se “Poetja shqiptare nga Prishtina, Drita Beqiri Ademi, një intelektuale e diplomuar në degën e Gjuhë dhe Letërsisë shqipe në Prishtinë, përbën vëmendjen e radhës në këtë analizë dhe në këtë promovim në Londër. 

Është një poete që ka kohë që gatuan me embrionin e jetës së saj vargun poetik, që pa dritën e botimit në këtë vëllim poetik tejet premtues.

 Është një vëllim poetik që mishërohet jo thjesht nga ndërtesa femërore e filozofisë së vargut, por nga struktura me të cilën derivon mesazhin tërë poezia femërore. 

Poezia femërore, më saktë poezia e krijuar nga poetet femra, ka në thelb tre gjëra që vijnë ndjeshëm në syrin, mendjen dhe shpirtin e lexuesit. 
sami1.jpg
Të tre këta gjëra që lidhen me botën ndjesore, emocionalen e brishtë dhe atmosferën e ndikimit kanë në thelb atë që Eliot e vë në funksionim me kulturën e ‘vetë-eksplorimit të ritmit jetik mes jetës dhe vdekjes’ me të cilën femrat poete janë më të ndjeshme. 

Janë këto simbolika të jetës që vijnë në vargun e poetes Drita Beqiri Ademi. Në poezi të tilla si “Bota” ku sipas poetes ‘adrenalina rikompozohet’ dhe që na konfiguron vdekjen apo në poezi të tjera si “Dhimbja” ku sërish sipas autores
fatmir1.jpg
 “Lindja  e fëmijës është dhimbje/Dhe vetë fëmija dhimbje është/Atdheu, Nëna, Babai, dhe  ti…” që të gjithë janë dhimbje, ndjehet fuqishëm ajo që Eliot e transmeton tek filozofia e tij duke pasuar aspektin më të dhimbshëm atë të lidhjes me ardhjen në jetë. 

Më tej kemi një lidhje me tërë dinamikën e jetës së vetë njerëzores, udhëtesës filozofike jetë-vdekje, mes vargut të poetes që lidhet me atë çfarë herët Llambro Ruci e cilësonte si angazhim për ‘njerëzit me të cilët rron poeti’ kur ai në shkurtin e vitit 1982 analizonte vëllimin poetik të poetit S. Dede. 

Ndryshe kjo lidhje me të parën dhe tërë funksionin e poezisë së Ademit shkon më tej në lidhjen derivate të piketuar nga studiuesi Mehmet Kraja kur e shikon ‘fjalën si variacion’ dhe ‘frymëzimin’ si aspekt të  ‘variacionit poetik’.
foto35.jpg
 Kur Kraja shkruante për këtë ide në vitin 1979, natyrshëm poezia e Drita Ademit, s’kishte marrë jetë, por ajo tashmë ndjehet krenare në këtë sedërtim funksional. Në këtë lidhje poetike dhe teorike, poezia “Lumturia” mëshon apriori në deje të sinqerta jete. 

Ajo me vargun e saj të lirë, dikton jo vetëm dëshirë, por edhe dihamën e jetës: “Oh sa do të doja/Që  sot, e lumtur  të isha/Më  e lumtura në botë/Pra, dhe më e lumtur se sa Ti./Por kjo, e vështirë, është,/aspak e lehtë,/Sepse, ti mua  më  dukesh më e  lumtur/se sa je”.

Arti i komunikimit metonimik

Metonimia e kësaj poezie vë në siklet atë anë me të cilën ‘lumturia’ diktohet, dhe në rastin që poetja, në vend që të shprehej për një njeri të njohur, ajo vë në funksion thjesht një ‘Ti’ që në këtë rast është vetë ‘lumturia’ dhe dikton anën metonimike të përkryer të vargut. Kjo shihet më qartë tek poezia “O, Ju” ku retorikës së drejtuar “O ju më falni, më falni që ju pyes/Kah  shkojnë këto udhë” i vjen në funsksion të dyfishtë ana tjetër antonime, por e drejtpërdrejtë në rretorikën metonimike të funksionit filozofik, duke qartësuar se pyetja është edhe për njerëz: “Kah shkojnë këta njerëz/Nata pse  kaq e errët është,/yjet pse ikën...”. edhe në këtë rast është përdorur ajo që ka lidhje varësie me jetë-vdekjen, atë dukuri që ka ndodhur, diku jo shumë larg zemrës së autores. 

Këto fjalë e shprehje të figurshme si ‘yjet pse ikën’ veç kontekstit metonimi, kanë në thelb edhe atë me të cilën Kraja lidh variacionin poetik. Ky variacion poetik fuqishëm shihet tek vargjet ‘o, ju më falni që ju pyes.../prapë pranverë/prapë Mars, shi...”. A nuk e bën variante tërë poezinë e saj me këto vargje që flasim shumë, poetja Drita Ademi? Pranvera, Marsi dhe shiu simbolizojnë shumë më tepër në këtë variacion poetik. Ato janë një udhë e gjatë jetë-vdekje, që nis me pranverë-gëzimin dhe bitis me shi-lotin e vdekjes.
foto22.jpg
Në këtë kontekst ne ‘dëgjojmë’ në heshtjen tonë të leximit tek poezitë e Drita Ademit, jo vetëm “Këmbanat bien për lutjen e së dielës’ por edhe se si funksionon tradicionalja mes kulturës së simbolikave të tilla si “Mjegulla e zezë gllabëron qytetin e lashtë/Macja e zezë i pret udhën kalorësit të heshtur’ dhe ‘Shpresa e vdekja përballë njëra-tjetrës rrinë”.

Poetika dhe filozofia shprehëse

Poezia e poetes Drita Beqiri Ademi, gjen forcë hyjnore mes vargut, të saj, ridimensionohet mes forcës së gatuar nga ky varg dhe depërton fuqishëm si një artefakt i fjalës së bukur. 
v36.jpg
Vargje të tilla si “Më lejo të lutem,/më lejo/Të hyje  thellë në vargun e shkruar,/Të digjem  të bëhem hi/Ose, eja dhe ti  me mua/Prush te bëhemi, bashkë,/Që pastaj të ringjallemi...”, nuk janë thjesht ajo lidhje nyjësore me faktorin Hyjnor, as me sakrificën sublime për hir të saj, por një metafizikë dhe një filozifë që lidhet me vetë njeriun dhe simbolikën e jetës.
foto7.jpg
 Duke vazhduar me atë që përcjell emocionalen e kësaj simbolike le të ndjekim vargun potencial që plotëson të tërën në këtë lidhje absolutisht të goditur me figurën më të zgjedhur letrare: “e me mall/të qajmë/Me lotë Botën të lajmë/E hiri  e loti ynë për kohërat,/për ata që do të vijnë/Epitaf, të mbetet/Emri yt/Më lejo të lutem,/më lejo/Të vras të gjitha  kohërat/Të cilat/Kush e di,/se  ku,/e nga kush/Padrejtësisht  mekur janë...”. 

E gjitha kjo e riforcon këtë lidhje të ndjeshme vargore mes funksionit të saj të simbolikës jetëdhënëse. Studiuesit e mirënjohur Geri Giebel Chavis dhe Lila Lizabeth Ëeisberger do ta quanin këtë ‘terapi e udhëtesës jetike’ (2003:123). 
cimg3938.jpg
Por më tej kjo ‘terapi’ sipas teorisë së tyre është ajo ndjenjë e fshehtë që vjen përpos një dialektike të fshehtë, por që vjen nga koha, vendi dhe hapësira, si aspekte të lidhura historikë, por edhe si faktorë që plotësojnë ‘terapinë’ e një fakti: “E sot pikojnë helm, /damarëve të tu/dejeve/udhëkryqeve.../Që  ti,/atë helm pi,/çdo mëngjes/E geni yt hutuar ecën  drejt/Botëjetë e mykur,/e zverdhur...”
foto41.jpg
Duke përfunduar

Kjo ‘terapi’ jetëdhënëse i jep këtyre poezive të autores një frymëmarrje të gjerë tematike. Kjo frymëmarrje fillon që nga “Maji” që në syrin e poetes është “Një rreze dielli larg” e deri tek “Bota” që për poeten është gjithshka gatuhet ‘tangram’ diku “në laboratoret moderne” apo edhe tek “Dhimbja” që flet e nënkupton shumë. Nënkupton ‘lindjen e fëmijës’ që natyrshëm mes filozofisë së autores ‘është dhimbje’, që më tej sipas poezisë së saj ‘vetë fëmija është dhimbje’.
cimg3960.jpg
Kështu pasi lexon dhjetra e dhjetra poezitë e autores në përfytyrim të mbetet imazhi jetëdhënës, gjithë hapësira që vjen përpos një rrugëjete vajzë-motër-nënë-grua-shoqe. Me ngrohtësi dhe dashuri poetja formëson një udhëtim pikant në rrugën poetike. 
foto5.jpg
Por jashtë modestisë letë shpallim se kjo autore ka në duar edhe plane të tjera Romani i saj i lidhur sërrish me jetëdhënien natyrshëm që së shpejti do të flasë më shumë e më gjatë. Kjo flet për ardhjen në kohën e duhur të një vlere të bukur e tepër domethënëse në mjedisin letrar shqiptar.
cimg3945.jpg
Me këtë rast promovimi i organizuar nga Terziu, vuri gurin e parë vendimtar në rrjedhën poetike të Drita Ademi Beqirit, e cila mori urime dhe përgëzime nga dhjetra e dhjetra pjësëmarrës në këtë sofër promovuese letrare. 
foto6.jpg

FJALA E LIRE FREE SPEECH <fjalalire@googlemail.com>