Në
Tetovë, u mbajt edicioni XV i FNP "DITËT E NAIMIT"
Prej
datës 20-23 tetor, në Tetovë, u mbajt Edicioni i XV i Festivalit Ndërkombëtar
të Poezisë "Ditët e Naimit".
Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: SHBA,
Anglia, Holanda, Danimarka, Italia, Zvicra, Spanjë, Polonia, India, Malta,
Izraeli, Ukraina, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia.
Hapja e siparit të kësaj feste të poezisë dhe kulturës u bë përmes ndezjes së fishekzjarreve
dhe vendosjes së luleve te shtatorja e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashėrit,
në 111 vjetorin e vdekjes. Buqete me lule vendosën drejtori i Festivalit, Shaip
Emërllahu dhe laureati i këtij edicioni, poeti amerikan Craig Czury. Ndërkaq, anëtarët
e SHKA ’Jehona e Sharrit’ para Qendrës së Kulturës ekspozuan veshjet kombëtare
shqiptare me flakadanët e ndezur në duar. E gjithë kjo si, dhe hapja e
festivalit u ndoq në transmetim të drejtëpërdrejtë në Televizionin shtetëror –
Programi në gjuhën shqipe.
Edicionin
e XV e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash tha
se,
’’Ditët
e Naimit’’ është operatori i parë poetik dhe kulturor shqiptar, i cili në krye
të herës, e gjykoi si të domosdoshme rivendosjen e një infrastrukture moderne
ndërkomunikimi me kulturën dhe letërsinë shqiptare, si dhe ate të huaj. U ngrit
para 15 vitesh në këtë cep të gjeokulturës sonë, duke u bë prurësi dhe
përhapësi i llojit të vet, ku kryefjala është poezia, art ky që shumë mirë di
t’i lidhë popujt. Projektshënjuesi kulturor ‘Ditët e Naimit’ paraqet formën e
vetëdijes sonë globaliste për të komunikuar, ruajtur dhe afirmuar identitetin
tonë kulturor e shoqëror. E gjithë kjo, provon se letërsisë, kulturës dhe
qytetërimit tonë, me hapa të përshpejtuar i duhet të rivendosë urat
tradicionale të shkëputura të komunikimit me botën’.
Në
vazhdim Emërllahu theksoi se, ‘nën dritën e një formatimi të ri global, këtyre
modeleve të interkomunikimit iu nevojitet një rishikim, pra një kod që do t’iu
përgjigjet kërkesave, të cilat i dikton kjo epokë unifikuese. Për t’u bërë një
materializim i tërë kësaj, duhet që ky Festival të jetë pjesë e sistemit me
buxhet të siguruar. Kështu, duke u lexuar drejt roli dhe rëndësia e këtij
Festivali të rëndësishëm kulturor e letrar, sivjet Qeveria ate e ka futur në
programin e saj, ku merr përsipër t’i siguroj mbështetje programore, pra ai do
të ketë buxhet të garantuar. Ne duke shfrytëzuar këtë jubile, gjyjkojmë si
mundësinë më të mirë për të përshëndetur këtë akt të drejtë të Qeverisë.
Gjithashtu, tani kur jemi te kurorëzimi i një pune, përpjekje dhe sakrifice 15
vjeçare të anëtërëve të Drejtorisë dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të
Festivalit, dua të çoj një falenderim dhe një përgëzim deri te ta, për ta
zbutur sadopak atë lodhje e sfilitije të asaj rruge të gjatë, jo të lehtë, por
gjithsesi e drejtë’.
Në
orët letrare të festivalit u prezentuan poetët e ardhur nga vende të ndryshme
si: Craig CZURY (SHBA), Diti RONEN (IZRAEL), Richard BERENGARTEN (ANGLI),
Gustavo VEGA (SPANJË), Marianne LARSEN (DANIMARKË), Jan Baeke (HOLANDË), Samira
BERGMAN (ZVICËR), Krystyna LENKOWSKA (POLONI), Xhuzepe NAPOLITANO (ITALI), Anna
BAGËRJANA (UKRAINË), Sabahudin HAXHIALIÇ (BOSNJË DHE HERCEGOVINË), Kristiana
STANKOVA (BULLGARI), Nevena KOKANOVIÇ (SËRBI), Ndue UKAJ dhe Ag Apolloni
(KOSOVË), Agron TUFA (SHQIPËRI), Haxhi SHABANI (MONTENEGRO), Salajdin SALIHU,
Lulëzim HAZIRI, Hrito PETRESKI, Ekrem AJRULI, Ivan ANTONOVSKI dhe Delvina
KËRLUKU (MAQEDONI),
Në
ditën e dytë të Festivalit, poetët shkuan në Universitetin Shtetëror të
Tetovës, ku drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, laureati Craig Czury dhe
kryetari i Jurisë, Agron Tufa, u pritën nga rektori prof. dr. Agron Reka. Më
pas, në amfiteatrin e USHT-së, u bë përurimi i laureatit nga SHBA, Craig Czury.
Rektori, prof. Dr. Agron Reka, në fjalën e tij, tha se, poetët që vijnë nga të
gjitha meridianët e botës, përpos nderit që i bëjnë USHT-së, në këtë mënyrë, ata nuk e nderojnë vetëm
krijimtarinë poetike, por edhe figurën e rilindësit tonë të madh, Naim
Frashëri, vendin tonë, neve si nikoqirë dhe të gjithë dashamirët e fjalës
artistike. Gjithashtu, ai Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë
,,DITËT E NAIMIT” i shprehi falënderime, që pjesën më të bukur të këtij
Festivali e organizojnë në ambientet e Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke
uruar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Më pas, laureati i
Festivalit të këtij edicioni, iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të jurisë, por
edhe studentëve dhe profesorëve që kishin të bënin me natyrën e shkrimit të tij
poetik, poezinë dhe letërsinë amerikane.
Në
fund, për kontributin në afirmimin e letërsisë, artit dhe kulturës, rektori,
prof. dr. Agron Reka, poetit amerikan Craig Czury ia dorëzoi emblemën e
Universitetit.
Sipas
programit të Festivalit, në Bibliotekën e Universitetit të Evropës Juglindore u
mbajt ora letrare ‘Poetë dhe vargje’.
Në
ditën e fundit të Festivalit, në lokalin për art ‘Oda’ u përuruan vëllimi me
poezi i poetit nga Ulqini, Haxhi Shabani ‘Jam ai që nuk jam’ dhe libri me
vështrime kritike i kritikut Remzi Salihu, "Provokime
metaforike". Për librin e parë,
foli kritiku dhe studjuesi Ndue Ukaj, ndërsa për të dytin filozofi tetovar,
Bujar Plloshtani.
Gjithnjë,
në kuadër të programit poetët vizituan Teqen Arabati Baba, në Tetovë, ku u pritën
nga kryegjyshi botëror, Baba Edmond Brahimaj, i cili i informoi poetët mbi
historikun dhe rolin që ka luajtur kjo teqe në të shkuarën, por edhe ju
përgjigj interesimeve të tyre mbi thelbin e bektashizmës, ndikimin e tij në
jetën e njeriut etj.
Në
orën e madhe letrare "Meridiane poetike", që u mbajt në sallën e
madhe të Qendrës së kulturës ‘Naim Frashëri’, krijimet e tyre i lexuan poetët e
shumtë pjesëmarrës, u ndanë çmimet letrare të Festivalit, si dhe u shpallën
Anëtarët e Nderit. Juria e përbërë nga Agron Tufa (kryetar), Haxhi Shabani dhe
Salajdin Salihu, çmimin letrar ’’Naim Frashėri’’ ia ndan poetit nga SHBA, Craig
Czury. Drejtoria, atij, ia akordoi edhe titullin e lartë Anëtar Nderi, titull
që e mbajnë emra të njohur të letërsisë shqipe dhe asaj botërore si; Ismail
Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Abdellatif Laabi (Marok), Lionel Ray France),
Eva Lipska (Poloni) Zef Skiro di Maxho (Itali), Manlio Argueta (Salvador), Erik
Stinus (Danimarkë), Thomas Tidholm (Suedi), Peter Poulsen (Danimarke), Aleksandër
Zoto (Francë), etj.
Fitues
i çmimit letrar "Menada" u shpall poeti anglez, Riachard Berengarten,
çmimi "Oeneumi" iu nda poetes izraelite Diti Ronen, çmimi "Qiriu
i Naimit" iu dha poetit shqiptar Ndue Ukaj, ndërsa çmimi special shkoi te
poeti spanjoll, Gustavo Vega. Ndërkaq,
Anëtarë Nderi i Festivalit u shpallën përveç laureatit edhe poetët Xhuzepe
Napolitano nga Italia dhe Diti Ronen nga Izraeli.
Edhe
këtë vit Festivali botoi antologjinë e poetëve pjesëmarrës të përgatitur nga
Shaip Emërllahu dhe e përkthyer në shqip nga poetja gjermane Silke Liria
Blumbach, me titull "Rizgjimi i lutjes’’.
Skena
e Festivalit u ideua nga piktori Savash Veliu. Sonzor të këtij edicioni ishin
Telekomi i Maqedonisë, hotel EMKA, logos-A, Renova, Fondacioni ‘Dauti’,
Restorani ‘Arbi’ dhe ‘Matoshi’.
Festivalin
e ndihmuan, edhe Agjensionet turistike ‘Euroturist’ dhe ‘Bashkimi turs’, SHKA ‘Jehona e Sharrit’, ‘Albanian
translation’ etj.
A. Arsllani