Nga Andi Terziu
Restoranti i Vetonit, pronarit shqiptar nga Peja, një biznesmen me një kulturë të radhë komunikuese ishte këndi kulturor ku promovimi i librit poetik “Placebo” i poetes nga Prishtina me banim dhe punë në Zvicër, Drita Beqiri Ademi, ishte kryefjala e një nate tejet festive.
Pasditja e 29 Tetorit foli kështu qetë dhe shqip në Kilburn Bridge, Kilburn High Road, Kilburn, London NW6 6HT. Ishin të gjithë krijues me punë dhe angazhime në Britaninë e Madhe, bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare që me të zbritur nga udhëtimi në Kilburn Park Station apo nga Kilburn High Road Railway Station e nga makinat e tyre kishin vetëm një destinacion lokalin La Dolce Vita.
Organizuar nga ACPE, Krijuesit shqiptarë në Exil, me Drejtor Fatmir Terziu, promovimi kishte në gjirin e tij të gjithë ata që ndjejnë vitesh peshën e fjalës së bukur shqipe, peshën e emocionet e fjalës së bukur të artit të fjalës.
Promovimin e hapi poetja shqiptare nga Prishtina, Sadie Kryeziu Bejtullahu dhe më tej duke ia dhënë fjalën organizatorit dhe drejtuesit të ACPE dhe organizatorit të promovimit, Fatmir Terziu, gjithshka shkoi sipas një plani të detajuar.
E konceptuar krejt ndryshe, mes një melosi tejet poetik, ku dominonin kënga, vallja dhe fjala shqipe, në një sfond ballor me Flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës, nata promovuese kishte në gjirin e saj veç autores edhe të birin e saj Bledar Beqiri, që me një thjeshtësi ndiqte skenën festive, promovuese.
Në këtë atmosferë, lexuan poezitë e vëllimit “Placebo” poetja Shejmond Paçarada, Diana Halili Lika, Sadie Kryeziu, poetët Xhavit Gasa, Sami Islami, Hyda Ismaili, Selman Lokaj, Kristina Leka, Albana Mici, Luçiana Ademi, Kristina Leka, Sherif Bllaca, Megi, Burimi, Zamira, etj..
.Poeti Hyda Ismaili lexoi më në detaj një kritikë të përqëndruar e profesionale rreth poezisë së poetes Drita Beqiri Ademi.
Më tej Dr Fatmir Terziu, redaktori, botuesi dhe përkthyesi i librit u ndal në vlerën e poezisë së poetes. Ai që në fillim theksoi se jo më kot e kishte cilësuar këtë poezi si poezi e simbolikës jetëdhënëse.
Shkrimtari dhe poeti, Fatmir Terziu në fjalën e tij theksoi se “Poetja shqiptare nga Prishtina, Drita Beqiri Ademi, një intelektuale e diplomuar në degën e Gjuhë dhe Letërsisë shqipe në Prishtinë, përbën vëmendjen e radhës në këtë analizë dhe në këtë promovim në Londër.
Është një poete që ka kohë që gatuan me embrionin e jetës së saj vargun poetik, që pa dritën e botimit në këtë vëllim poetik tejet premtues.
Është një vëllim poetik që mishërohet jo thjesht nga ndërtesa femërore e filozofisë së vargut, por nga struktura me të cilën derivon mesazhin tërë poezia femërore.
Poezia femërore, më saktë poezia e krijuar nga poetet femra, ka në thelb tre gjëra që vijnë ndjeshëm në syrin, mendjen dhe shpirtin e lexuesit.
Të tre këta gjëra që lidhen me botën ndjesore, emocionalen e brishtë dhe atmosferën e ndikimit kanë në thelb atë që Eliot e vë në funksionim me kulturën e ‘vetë-eksplorimit të ritmit jetik mes jetës dhe vdekjes’ me të cilën femrat poete janë më të ndjeshme.
Janë këto simbolika të jetës që vijnë në vargun e poetes Drita Beqiri Ademi. Në poezi të tilla si “Bota” ku sipas poetes ‘adrenalina rikompozohet’ dhe që na konfiguron vdekjen apo në poezi të tjera si “Dhimbja” ku sërish sipas autores
“Lindja e fëmijës është dhimbje/Dhe vetë fëmija dhimbje është/Atdheu, Nëna, Babai, dhe ti…” që të gjithë janë dhimbje, ndjehet fuqishëm ajo që Eliot e transmeton tek filozofia e tij duke pasuar aspektin më të dhimbshëm atë të lidhjes me ardhjen në jetë.
Më tej kemi një lidhje me tërë dinamikën e jetës së vetë njerëzores, udhëtesës filozofike jetë-vdekje, mes vargut të poetes që lidhet me atë çfarë herët Llambro Ruci e cilësonte si angazhim për ‘njerëzit me të cilët rron poeti’ kur ai në shkurtin e vitit 1982 analizonte vëllimin poetik të poetit S. Dede.
Ndryshe kjo lidhje me të parën dhe tërë funksionin e poezisë së Ademit shkon më tej në lidhjen derivate të piketuar nga studiuesi Mehmet Kraja kur e shikon ‘fjalën si variacion’ dhe ‘frymëzimin’ si aspekt të ‘variacionit poetik’.
Kur Kraja shkruante për këtë ide në vitin 1979, natyrshëm poezia e Drita Ademit, s’kishte marrë jetë, por ajo tashmë ndjehet krenare në këtë sedërtim funksional. Në këtë lidhje poetike dhe teorike, poezia “Lumturia” mëshon apriori në deje të sinqerta jete.
Ajo me vargun e saj të lirë, dikton jo vetëm dëshirë, por edhe dihamën e jetës: “Oh sa do të doja/Që sot, e lumtur të isha/Më e lumtura në botë/Pra, dhe më e lumtur se sa Ti./Por kjo, e vështirë, është,/aspak e lehtë,/Sepse, ti mua më dukesh më e lumtur/se sa je”.
Arti i komunikimit metonimik
Metonimia e kësaj poezie vë në siklet atë anë me të cilën ‘lumturia’ diktohet, dhe në rastin që poetja, në vend që të shprehej për një njeri të njohur, ajo vë në funksion thjesht një ‘Ti’ që në këtë rast është vetë ‘lumturia’ dhe dikton anën metonimike të përkryer të vargut. Kjo shihet më qartë tek poezia “O, Ju” ku retorikës së drejtuar “O ju më falni, më falni që ju pyes/Kah shkojnë këto udhë” i vjen në funsksion të dyfishtë ana tjetër antonime, por e drejtpërdrejtë në rretorikën metonimike të funksionit filozofik, duke qartësuar se pyetja është edhe për njerëz: “Kah shkojnë këta njerëz/Nata pse kaq e errët është,/yjet pse ikën...”. edhe në këtë rast është përdorur ajo që ka lidhje varësie me jetë-vdekjen, atë dukuri që ka ndodhur, diku jo shumë larg zemrës së autores.
Këto fjalë e shprehje të figurshme si ‘yjet pse ikën’ veç kontekstit metonimi, kanë në thelb edhe atë me të cilën Kraja lidh variacionin poetik. Ky variacion poetik fuqishëm shihet tek vargjet ‘o, ju më falni që ju pyes.../prapë pranverë/prapë Mars, shi...”. A nuk e bën variante tërë poezinë e saj me këto vargje që flasim shumë, poetja Drita Ademi? Pranvera, Marsi dhe shiu simbolizojnë shumë më tepër në këtë variacion poetik. Ato janë një udhë e gjatë jetë-vdekje, që nis me pranverë-gëzimin dhe bitis me shi-lotin e vdekjes.
Në këtë kontekst ne ‘dëgjojmë’ në heshtjen tonë të leximit tek poezitë e Drita Ademit, jo vetëm “Këmbanat bien për lutjen e së dielës’ por edhe se si funksionon tradicionalja mes kulturës së simbolikave të tilla si “Mjegulla e zezë gllabëron qytetin e lashtë/Macja e zezë i pret udhën kalorësit të heshtur’ dhe ‘Shpresa e vdekja përballë njëra-tjetrës rrinë”.
Poetika dhe filozofia shprehëse
Poezia e poetes Drita Beqiri Ademi, gjen forcë hyjnore mes vargut, të saj, ridimensionohet mes forcës së gatuar nga ky varg dhe depërton fuqishëm si një artefakt i fjalës së bukur.
Vargje të tilla si “Më lejo të lutem,/më lejo/Të hyje thellë në vargun e shkruar,/Të digjem të bëhem hi/Ose, eja dhe ti me mua/Prush te bëhemi, bashkë,/Që pastaj të ringjallemi...”, nuk janë thjesht ajo lidhje nyjësore me faktorin Hyjnor, as me sakrificën sublime për hir të saj, por një metafizikë dhe një filozifë që lidhet me vetë njeriun dhe simbolikën e jetës.
Duke vazhduar me atë që përcjell emocionalen e kësaj simbolike le të ndjekim vargun potencial që plotëson të tërën në këtë lidhje absolutisht të goditur me figurën më të zgjedhur letrare: “e me mall/të qajmë/Me lotë Botën të lajmë/E hiri e loti ynë për kohërat,/për ata që do të vijnë/Epitaf, të mbetet/Emri yt/Më lejo të lutem,/më lejo/Të vras të gjitha kohërat/Të cilat/Kush e di,/se ku,/e nga kush/Padrejtësisht mekur janë...”.
E gjitha kjo e riforcon këtë lidhje të ndjeshme vargore mes funksionit të saj të simbolikës jetëdhënëse. Studiuesit e mirënjohur Geri Giebel Chavis dhe Lila Lizabeth Ëeisberger do ta quanin këtë ‘terapi e udhëtesës jetike’ (2003:123).
Por më tej kjo ‘terapi’ sipas teorisë së tyre është ajo ndjenjë e fshehtë që vjen përpos një dialektike të fshehtë, por që vjen nga koha, vendi dhe hapësira, si aspekte të lidhura historikë, por edhe si faktorë që plotësojnë ‘terapinë’ e një fakti: “E sot pikojnë helm, /damarëve të tu/dejeve/udhëkryqeve.../Që ti,/atë helm pi,/çdo mëngjes/E geni yt hutuar ecën drejt/Botëjetë e mykur,/e zverdhur...”
Duke përfunduar
Kjo ‘terapi’ jetëdhënëse i jep këtyre poezive të autores një frymëmarrje të gjerë tematike. Kjo frymëmarrje fillon që nga “Maji” që në syrin e poetes është “Një rreze dielli larg” e deri tek “Bota” që për poeten është gjithshka gatuhet ‘tangram’ diku “në laboratoret moderne” apo edhe tek “Dhimbja” që flet e nënkupton shumë. Nënkupton ‘lindjen e fëmijës’ që natyrshëm mes filozofisë së autores ‘është dhimbje’, që më tej sipas poezisë së saj ‘vetë fëmija është dhimbje’.
Kështu pasi lexon dhjetra e dhjetra poezitë e autores në përfytyrim të mbetet imazhi jetëdhënës, gjithë hapësira që vjen përpos një rrugëjete vajzë-motër-nënë-grua-shoqe. Me ngrohtësi dhe dashuri poetja formëson një udhëtim pikant në rrugën poetike.
Por jashtë modestisë letë shpallim se kjo autore ka në duar edhe plane të tjera Romani i saj i lidhur sërrish me jetëdhënien natyrshëm që së shpejti do të flasë më shumë e më gjatë. Kjo flet për ardhjen në kohën e duhur të një vlere të bukur e tepër domethënëse në mjedisin letrar shqiptar.
Me këtë rast promovimi i organizuar nga Terziu, vuri gurin e parë vendimtar në rrjedhën poetike të Drita Ademi Beqirit, e cila mori urime dhe përgëzime nga dhjetra e dhjetra pjësëmarrës në këtë sofër promovuese letrare.
FJALA E LIRE FREE SPEECH <fjalalire@googlemail.com>