Nga
Fritz RADOVANI: Pjesa e XIV
PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni,
të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”
■Sikur terroristët që kanë dhunue popujt e vendeve të
veta me vite të tana të mos kishin lanë edhe “Vepra” të shkrueme, sa shumë
krime që kanë krye do t’ishin të pabesueshme!
Enver Hoxha në muejt e parë të vitit 1945 porositë: “Të
mos i akordohen fonde Kishave Katolike nga shteti, të cilat kanë nevojë per
riparime, mbasi kështu ato do të shemben dhe nuk do të kemi nevojë me i mbyllë
ne.” Sigurisht ndikonte edhe gjendja e vështirë ekonomike e Popullit, që mbi
70% nuk kishin të sigurueme as buken e gojës.
■Dishmi e këtij urdhni asht Kisha Monumentale e Shirqit
dhe e Obotit, pranë së ciles janë kenë edhe thëmelet e shtypshkronjës së vjeter
që u pat ndertue në Obot në 1493.
1967:Para këtij viti në Shkoder ka fillue “Revolucioni Kultural”. Metoda e
“shembjes” ka fillue me Kishen e Jezuitëve dhe ate të Murgeshave, që janë marrë
nga shteti në nandor 1965, varrezat u prishën edhe pse aty ishte Don Ndre
Mjedja, që u dergue pranë Luigj Gurakuqit tek Varrezat e Deshmorëve tek spitali
fëmijve, e kur u ndertuen Varrezat e reja Poeti Don Ndre Mjedja, gjoja u
“harrue” tek Spitali... Një turp i pashlyeshem!
Veprimet antifetare kryheshin nga Xhemal Dini, i cili
perfaqsonte “Frontin Demokratik” dhe, ndimoheshin nga organizatat e rinisë dhe
të pionjerit pranë furrave, me pa se kush pergatitet per festat e mëdha të
Pashkëve... Veteranët ishin të kudondodhun...
4 MARS 1967: Mbulohen dyert e Kishës Kathedrale në Shkoder me “Fletë
Rrufe”!
U plaçkitën veprat e artit dhe skulpturat e Idromenos.
Para zhvillimit të Kongresit të BGSh, asht kenë fat që erdhi me pa pergatitjen
e Kishës si sallë Kongresi, Vito Kapo. Ajo pezulloi projektin per shembjen e
tavanit artistik të Kathedrales, veper arti e skulptorit Kolë Idromeno. Ai
tavan asht pothuej i vetmi “dishmitar” i zhvillimit “Revolucionit” në Shkoder,
pikrisht, kur Varrezat e Ipeshkvijve të para 1944, jo vetem u boshatisen dhe u
tretën Eshtnat në Dri, po nga urrejtja vendet e Varrezave u kthyen në
nevojtore...
■Mbyllet Kisha Monumentale e Zojës së Këshillit të Mirë
tek Kalaja e Shkodres, treten Eshtnat e Imz. Jakë Serreqit në Dri, e askush nuk
di me tregue ku iken veprat e artit që ishin tek Ajo Kishë e vjeter guri e
mermeri, e gjuejtun me topa nga turqit e malazezët!
Mbyllet edhe Kisha e Rusit dhe Ajo e Fretenve në
Gjuhadol, dhe që pasohet tek Arra e Madhe, tue ua vue drynin perfundimisht me
19 Mars 1967 të gjitha Kishave në Shkoder.
Vorrezat e Fretenve dhe të Kishave tjera u boshatisen dhe
u treten Eshtnat.
15, 16, 17 MARS: Bahen lutje të veçanta nga Kleri në Kishën e mbyllun të
Zojës Rruzare. Ditën e shtune, me 18 mars, në zyrën e Këshillit të Frontit të
Arrës së Madhe, para një komisioni të Frontit, me elementë të partisë dhe të
Sigurimit, u thirren gjatë paradites një nga një 20 Fretnit. Kërkohej prej
secilit Meshtar t’i bijshin mohit zyres së tyne meshtarake. Asnjë Klerik nuk
pranoi. E ndonjeni që u kishte “shërbye” Frontit e pushtetit, u tha: “Ju kemi
sherbye per mos me mërrijtë këtu. Këtu nuk jemi me ju!”
Mbasdreke Fretnit i dëbuen të gjithë nga kuvendi, bashkë
me françeskanët pleq dhe të mbetun. Kryetarin e Kishës Katolike Imzot Ernest
Çoba, me një taksi e çuen në shtëpinë e së motrës. Një popull i madh që as nuk
dihet si u mblodh aty e përcillte me lot nder sy Imz. Çoben, shumë i tronditun
po, dhe i mbytun në frikë bashkë me Popullin e vet.
19 MARS 1967: Ditën e diele, Dita e Shën Jozefit dhe e Larit, as nuk
ndihet asnjë tingull kumbone e as nuk gjindet asnjë Derë Kishe e çilun në qytetin
Martir.
26 MARS: Në Lezhë mbyllja e Kishës nga Fronti Demokratik do të kryhej me një
organizim të djallzuem, ditën e Pashkëve. Organizata e Frontit dhe Komiteti i
Partisë së rrethit, tue pasë sekretar partie, sigurim të shtetit, polici të
madhe, organizata të rinisë, nxanës të shkollave, dhe shumë popull me detyrim
në oborrin e Kishës së Kuvendit Françeskan shpallën “Kuvendin e tre brezave të
Lezhës”, me një vendim në emën të popullit, në 15 pika, “ku kërkojshin mbylljen
e të gjitha kishave e qitjen fare të besimit katolik me meshtarë e besimtarë.” Fillojnë
aksionet e Rinisë revolucionare me rrëzimin e kumbonares së kishës së lashtë
françeskane. Ky veprim pasohet edhe në Laç të Kurbinit, ku Shejtnoria e Shna
Ndout kje rrënue krejt dhe zona kthehet kamp ushtarak, që mos të lejojë popullin
të shkonte tek vendi i Shejtë për lutje me besim në Mrekullitë e Shenjtit.
1969: Kisha e vogël me vlera artistike në Laç të Vaut të Dejës, vepër e shekullit
XIII, Kishë me afreske dhe e shpallun “monument kulture”, Atë Kishë e vizitoi dhe
heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, madje aty edhe u kunorzue. Me urdhën të
Ramiz Alisë që drejtonte “Revolucionin kulturor” në Shkoder, Kisha u rrenue
plotësisht me dinamit nga sekretari i PPSH hidrocentralit Fadil Ymeri. Anmiku i
Gjergj Kastriotit sulltan Enveri, as “nuk kishte dijtë se Ajo Kishë po hidhet
në erë...” Çfarë hipokritësh na qeverisin!
Shumë kisha të tjera u shndërruen në salla kulture, salla
gjyqi, magazina e në stalla bagëtish. Kishte disa kisha që nuk u rrënuen, por
edhe ma keq kje fund i Tyne!
Kishin mbetë pa u mbyllë kisha e fshatit Sheldi, deri pak
ditë mbas Pashkëve, Kisha e fshatit Delbinisht. Kjo Kishë u mbyll e fundit,
ditën e Rrëshajve të vjetit 1968, për arsye se Populli kishte marrë çilsat e
kishës e nuk ia dorëzonte organizatës së frontit e të rinisë. Kur ata dojshin
ta shperthejshin me forcë derën e kishës, Populli delte para me lopata...
29 QERSHOR 1967: U mbyll edhe Kisha e “Zemrës së Krishtit” në Tiranë.
■Kur po ndertohej hidrocentrali i Fierzës Ramiz Alia
thrret Ingj. Besnik Bekteshin dhe i shpjegon se “shoku Enver, do të tregojnë
arsyet e ndertimit të hidrocentralit aty...”
Ing. Bekteshi hyni në dhomen e Tij dhe Enveri filloi me i
tregue per hidrocentralin dhe, arsyet e ndertimit në Fierzë, të cilat vështirë
se i beson kush sot. Nder tjera ai i shpjegoi: “Do të ndertojmë këte
hidrocentral i cili, nën liqenin e tij ka per të permbytë 38 Kisha të vjetra, dhe vetem
kështu, kjo zonë do të spastrohet nga ato Kisha Katolike...” U ndertue nga
kinezët prej vitit 1971 dhe u vue në punë në 1978, me emnin “Drita e
Partisë”...
■Diktatori Hoxha vazhdon të mbajë
dekoratat e titujt, mbasi ata i siguroi me Kushtetutë:
Neni 37 i Kushtetutës së
vjetit 1976: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë
ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.
Neni 55: “Ndalohet krijimi
i çfarëdo organizate me karakter fetar. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda fetare.”
Sabri Godo pat thane: “E kemi ndryshue Kushtetuten, po ato dekorata
terroristëve nuk po ua perket askush tash 27 vjet mashtrime demokratike!!”
Vazhdon
Pjesa e XV.
Melbourne,
Prill 2017.