Vullnet Mato
Ai ishte nga ata njerëz, që mund të duronte me shumë kënaqësi ta kalonte të gjithë natën në ndonjë bodrum të errët, i dërrmuar nga uria e të ftohtit, mes minjve dhe çdo lloj kafshe neveritëse, vetëm e vetëm që në mëngjes të raportonte në Degën e Sigurimit ca fjalë armiqësore.
Bejkul Sakrami ishte prototipi më i përsosur i njeriut të poshtër. Poshtërsia lexohej shkoqur edhe në fizionominë e tij të mprehtë, si ajo e dhelpërit në përgjim. Edhe në ngjyrën e fytyrës së tij, që i ngjante atij dheut të hirtë të bokërimave. Edhe në sytë e tij tepër të bardhë e të ftohtë, që u ngjanin syve të gjarprit të shkëmbinjve. Madje edhe hunda e tij kurrizore, me një ind kockor gati të tejdukshëm nën lëkurë dhe me dy flegra që i dridheshin pas çdo frymëmarrjeje, e bënte më të plotë leximin antipatik të portretit të tij. Mbase edhe vet Bejkul Sakrami ishte i vetëdijshëm për atë zymti që shprehte pamja e tij. Përderisa prirej aq shpesh nga bëmat e këqija e tundohej nga poshtërsitë. Thua se donte të hakmerrej me njerëzit fytyrëpaqe, për atë damkë që kishte vënë natyra në fytyrën e tij.
Kam dëgjuar shpesh të thuhet, se ekziston një lidhje e ngushtë ngjashmërie midis pamjes së jashtme të njeriut dhe shpirtit të tij. Këtë përqasje s’kam dashur ta besoj, veçse te ky person i jashtëzakonshëm, që shquhej nga mania e tij për të bërë fëlliqësira ndaj njerëzve të zakonshëm. Te pamja e të cilit, krijuesi i mistershëm kishte gdhendur të gjithë plasticitetin e përçudnuar të shpirtit, duke u bërë kësisoj i shëmtuar në të gjitha kuptimet.
Dhe më e keqja, ai nuk pendohej kurrë për bëmat e tij të mbrapshta, të kryera me mjetet e veta të preferuara, cinizmin, shpifjen, intrigën. Madje as fjalët dhe vështrimet përbuzëse të shokëve të punës nuk arrinin ta frenonin sadopak. Ai mjaftohej vetëm duke mos u folur më tej me gojë.
Ndonëse kisha dëgjuar për karakterin e tij të mbrapshtë, me Bejkulin u njoha nga afër krejt rastësisht. Në një nga ato diskutimet skenike pas provës gjenerale, që organizonte në atë kohë instruktori i komitetit të partisë për ideologjinë me punonjësit e kulturës dhe krijuesit e artit. Ku biseda sillej rreth realizimit ideoartistik të shfaqjes që do të jepej të nesërmen. Bejkuli u ngrit vrikthi nga mesi i sallës, ku ishim mbledhur. Me flegrat e hundës që i dridheshin dhe me vështrimin e shqetësuar, të tendosur përballë skenës tha:
– Pa shikoni hijen e kazmës e të pushkës, që bie prapa, në perden e bardhë të fondalit! Ajo krijon figurën e një zezaku të lidhur me litar. Ky është një gabim jo i vogël ideologjik që i ka shpëtuar skenografit. Një gabim që ka të bëjë me përbuzjen raciste ndaj proletarëve me ngjyrë… Ne duhet të jemi më vigjilentë! – pas kësaj sytë e tij shkreptinë një dritë të verdhë, të ethshme dhe iu rrëqethën tërë dejet e fytyrës.
Kuptohet, vetëm masa djallëzore e trurit të Bejkul Sakramit, që shkrepte vetëtima të zeza brënda kafkës së tij, mund të sajonte një fantazi të tillë ideologjike, për të goditur skenografin e pafajshëm e për të lartësuar mprehtësinë e vet kritike. Pas fjalëve të tij pasoi një heshtje e zymtë, gjatë së cilës të gjithë shikonin të çmeritur herë nga skena dhe herë nga instruktori i rreptë. Mua m’u drodh tërë shtati nga neveria. Diçka m’u përdrodh përbrënda stomakut. Atëherë, sikur të më kishte djegur një spec atje ku s’thuhet, brofa papritmas në këmbë. Dhe me një thirrje të beftë iu luta punëtorit të ndizte dritat e skenës. Pas pak gjithçka u ndriçua dhe hija e dyshimit të tij u davarit menjëherë.
-Ja ku u zgjidh edhe zezaku! -thirra me mllef dhe e shigjetova kritizerin absurd drejt e në ata sytë e tij të akullt.
Shpërthyen të qeshura qesëndisëse dhe sikur u zgjidhën nga litari i padukshëm të gjithë ata që gjendeshin në atë diskutim.
Kur dolëm nga salla, djaloshi skenograf më shtrëngoi dorën fort dhe u shpreh buzagaz:
-Vetëm një bir kurve mund të bëhet kur të duash edhe kritik i arteve figurative!
Në vijim të bisedës i thashë atij, se të gjitha energjitë keqbërëse të këtij njeriu ishin si të mbyllura në një shishe magjike. Mjaftonte vetëm rasti, që ai t’i hiqte tapën, për të dalë andej djalli i zi i shpirtit të tij. Ky mendim i pëlqeu mjaft skenografit, i cili, duke gjetur në atë krahasim shfrimin e pezmit të vet, tha:
-Më kënaqe aq, sa ma nxore menjëherë gozhdën e tij!
Por ndërhyrja ime, sado krejt e rastit dhe për të ndriçuar të vërtetën, e goditi keqas vanitetin e atij njeriu dhe më kushtoi tepër shtrenjtë. Si fillim Bejkul Sakrami më hidhte vetëm ca vështrime agresive me bishtat e syve të shpëlarë e të mrrolur nga urrejtja e fshehtë. Gjeste këto që nuk më frikësonin aspak, sepse rrekesha gjithmonë të isha i rregullt në gjithçka. Mirëpo ndodh, që në interes të keqbërësit, rasti punon me martel minatori, për të shkërmoqur qëndrimin shkëmbor të njeriut të drejtë. Pak ditë më vonë, pesëmbëdhjetë vjersha të mia, të dërguara në jurinë e konkursit të rrethit, ku bënte pjesë edhe Bejkuli, u dorëzuan prej tij në Degën e Punëve të Brendshme. Kësisoj, Sigurimi do të kishte mundësi të vlerësonte në to, jo vetëm zbulimin e “aluzioneve ideologjike” që kishte gjetur kritiku vigjilent, për fjalët aq të pafajshme si lule, flutur, qengj, por edhe të më jepte “çmimin” e vet të tmerrshëm. Siç ua kishte dhënë pak kohë më parë dy poetëve të rinj, të cilët u dënuan me pushkatim për poezi armiqësore. Pasuan diskutime pa fund, debate në disa tubime krijuesish dhe zyra “kompetentësh” trumykur, vijuan net stresante pa gjumë dhe ditë terrori psikologjik. Më kishte pushtuar një ndjenjë e errët frike, të cilën mundohesha ta zhdukja nga mendja, por më kot, sepse ajo më ishte ngjitur në ndërgjegje si nepërkë. E gjithë kjo katrahurë idioteske e frikshme e plot ankth zgjati derisa u sqaruan metaforat e krahasimet e mia një për një. Por për njërën nga vjershat, u bëra problem deri në organet botuese. Pra, i humburi isha unë. Bejkuli fitoi triumfin e përgëzimit.
Mirëpo ashtu siç thotë vargu i një kënge popullore “Kam lënë zotin të marrë hak.”, u tërhoqa në shpellën time, shtrëngova rropullitë mirë me rrip, përmblodha rradaken e hallakatur në zgavrën e saj dhe lashë gjykatësin suprem të merret me atë njeri.
Ai zuzar me gjakun e infektuar nga pasioni për ligësi, vijoi më tej veprën e vet të paskrupullt. Spiunoi, doli dëshmitar në gjyq kundër një këngëtari të dëgjuar, që u dënua për ndikime të huaja dhe bëri mjaft pisllëqe të tjera të kësaj natyre, të cilave nuk u nxirret fundi duke i numëruar.Tekefundit u mësuam me mendimin, se me Bejkulin e pandreqshëm ndodhnin gjithmonë rrengje të tilla, intriga, shpifje, spiunime e sjellje të ulta. Mbasi ai ashtu ishte prerë dhe asgjë në botë s’do të mund ta ndryshonte destinacionin e tij drejt keqbërjes fundore. Por, gjithësesi, atë çka ndodhi atëherë me gruan e tij s’kam për ta harruar sa të jem gjallë. Ishte vet zoti, që, nëpërmjet shpirtit të një gruaje, mori hakun e të gjithëve ndaj Bejkul Sakramit të poshtër.
Asokohe ai ishte baba i dy kolopuçëve të pashëm dhe burrë i një mësuesje me bukuri të rrallë. Këto ishin tepër të mjafta për të qënë, jo vetëm njeri i lumtur, por edhe familjar i qetë e i kredhur në andrallat e këndëshme të çerdhes së vet bashkëshortore. Por nëse është ashtu siç thotë Bibla, që njeriu është gatuar nga balta e shndërruar në mish, atëherë zoti në nxitim e sipër, ose kishte harruar, ose e kishte lënë enkas Bejkul Sakramin një qenie prej bataku. Dhe ashtu si te personazhet e Hygoit, ku bashkëjetojnë tipa të kundërt, kishte ndodhur edhe në bashkëjetesën reale të këtij rasti, ku baltovina flinte në një shtrat të butë me një perri.
Alketa ishte një femër elegante me shtat të lartë e të hijshëm, që të tërhiqte vëmendjen. Flokët ngjyrë ari të dallgëzuar, sytë qiellor dhe çdo gjë tjetër femërore tek ajo, përbënin një pasuri të lakmuar nga të gjithë ata që hidhnin vështrimin në fytyrën dhe trupin e saj. Fliste me një ton gazmor e të përzemërt. Kishte një të qeshur të paperënduar mbi buzë, që i çelte herë pas here, siç çelin gonxhet e zambakut pas shiut të verës. Ky krahasim merr vlerë më tej, po të kihet parasysh, se lulet e buzagazit të saj, çelnin gjithmonë pas breshërimave të poshtërsive të Bejkulit. Edhe mbas dy lindjeve të afërta, ajo femër dukej sikur qe rinuar ca më tepër. Ata që nuk e njihnin, e merrnin fare natyrshëm për vajzë bukuroshe.
Më duhet të pohoj këtu për sinqeritet, se i kisha hedhur kësaj gruaje ca vështrime ngultas, krejt të pavetëdijshme, si shprehje të admirimit tim për atë pamjen e saj aq të hirshme. Dhe ajo më ishte përgjigjur me florën e lulëzuar të buzëve të veta. Vetëm kaq. Sepse në të vërtetë, vështrimet e mia të pakontrolluara, më tepër se dëshirë dhe zili, ishin stepje habie për atë padrejtësi të madhe të fatit, që kishte bashkuar një djall skëterre me një ëngjëll parajse. Shpesh herë pyesja veten, si qe e mundur që Bejkuli aq i lig të flinte përnatë në të njëjtin shtrat me Alketën aq hirëplote. Madje, s’arrija të kuptoja, se si mund të bashkëjetonin aq pranë dhe në sinkron dy nocionet e kundërta estetike: E ulta neveritëse dhe E bukura mahnitëse? A thua ajo grua e zgjuar s’kishte arritur ende ta njihte shpirtligësinë e të shoqit?…
Por jo, s’kishte qenë thjesht ashtu. Njësoj si vërshimet e parreshtura të disa përrenjve të ndotur, që arrijnë me kohë të turbullojnë një lumë të madh e të kulluar, vërshimet e karakterit të përbaltur të të shoqit, kishin turbulluar pak nga pak edhe marrëdhëniet e tyre intime. Rritja e vazhdueshme e fluksit të opinioneve negative rretheqark, bënë që një ditë Alketa të vendosë përfundimisht për të ardhmen e martesës së saj. Me një qetësi ëngjëllore të admirueshme ajo u drejtua në dyert e gjykatës dhe e hoqi Bejkul Sakramin nga jeta e saj, siç mund të hiqet një veshje e njollosur, pa asnjë mundësi pastrimi. Madje sapo ajo mori në dorë dokumentin e shkurorëzimit, iku së bashku me dy fëmijët për të jetuar te prindërit e saj në qytetin e lindjes.
Një kohë të gjatë ndarja e tyre u përfol gjerësisht dhe të gjithë ata që i njihnin, binin në një emërues të përbashkët: “Sa mirë ia bëri!”.
Paskëtaj Bejkul Sakrami nxitonte hapat për t’u larguar nga njerëzit e njohur. Dhe dukej si një bishë e plagosur për vdekje, që kishte frikë mos i suleshin langonjtë pas shpine. Sytë iu zgavruan thellë, buzët iu tkurrën e iu thanë si dy copa sholle. Ai u bë nga fytyra dyll i verdhë dhe mori një çehre të sëmurë. Dukej si njeri i kalbur gjer në palcë. Dhe kjo s’qe thjesht një përfytyrim i atyre që e urrenin. Ndodhi që para syve të të gjithëve ai u shndërrua vërtetë në një kokë të vdekuri dhe ngjante me një maskë mortore, e cila endej rrugëve krejt vetëm.
Por edhe shfaqja herë pas here e kësaj kufome në qytetin e vogël krahinor nuk zgjati shumë. Qysh nga dita e ndarjes me gruan, me sa kuptohet, ai bluante ditë e natë për t’i gjetur një kundërpeshë opinionit të krijuar prej shuplakës së madhe që hëngri në jetë. Shpejt u muarr vesh, se Bejkul Sakrami ishte martuar në kryeqytet me një vejushë të operas. Ajo e tërhoqi në shtëpinë e saj dhe i rregulloi vendin e punës në arsim, diku në fshatrat e periferisë. Kështu pak nga pak edhe zhurma e ndarjes së tij me Alketën edhe buja e martesës në Tiranë zunë të shuhen e të harrohen bashkë me emrin shijekeq të Bejkul Sakramit.
Mirëpo prishja e një martese, ndonëse bëhet e ditur në kohë relativisht të shkurtër, shkaqet dhe misteret e saj vijojnë të zbulohen dalngadalë, si gurët që shkëputen pak nga pak prej mureve të një ngrehine të rrëzuar. Pas tre vjet martese me Bejkul Sakramin, vejushja e operas, e cila mezi priste një fëmijë, para se menopauza të shuante shkëndijat e fundit në shpuzin e pjellorisë së saj, kërkoi ndihmën e mjekut. Pas disa vizitave dhe analizave të përsëritura të të dy bashkëshortëve, doli se sperma e Bejkul Sakramit kishte lindur e vdekur.
-Si ka mundësi? -kishte pyetur Bejkuli i skandalizuar mjekun, -Unë kam lindur dy fëmijë me gruan e parë!
-Dy fëmijët i ka lindur gruaja, jo ti, -i qe përgjigjur shkurt specialisti i analizave të pagabueshme.
Bejkul Sakrami, i tërbuar prej këtij fakti, që e goditi më rëndë se gjylja e një obuzi, kërkoi vërtetim legalizimi nga komisioni mjekësor. Dhe e mori pa vonesë. Me një dokument të tillë, ai e hodhi menjëherë në gjyq Alketën e largët. Jo vetëm për ta poshtëruar publikisht, por edhe për ta shkarkuar veten nga detyrimi financiar i dy fëmijëve, e për të kërkuar rikthimin e pagesave mujore të tre vjetëve të shkuar.
Me një gjakftohtësi të habitshme, Alketa deklaroi në gjyq, se kishte qenë në një moshë vendimtare, kur gruaja pendohet që i ka qëndruar besnike një burri, të cilin ka filluar ta urrej për shkak të karakterit të tij të ulët. Ndonëse kishte pritur gjatë një fëmijë të ëndërruar, ish bashkëshorti i saj nuk kishte qënë në gjendje t’i përgjigjej. Por e kalonte të gjithë kohën duke vrarë mendjen për t’u ngritur kurthe njerëzve të pafajshëm. Në kushte të tilla, kur Alketa mendohej thellë për të zgjedhur, të bëhej nënë apo të mbetej beronjë, edhe pse e aftë si femër, ajo kishte gjetur mundësinë të kryente detyrën e amësisë, që i kërkohej nga ligjësitë natyrore me një person tjetër dy herë rradhazi. Këtë zgjidhje e kishte quajtur si më të arsyeshmen, për të mos u shkaktuar prindërve të sëmurë një tronditje të pamerituar me bujën e ndarjes. Duke e shtyrë kësisoj bashkëjetesën e saj me të shoqin, deri në atë pikë, sa ishte bërë e pamundur…
Thuhet, se gruaja ia mat burrit kokën me pe mëndafshi dhe ia vë festen tamam sipas kokës. Feste më të bukur e më fikse se kjo, që Alketa i kishte vënë Bejkul Sakramit të poshtër, zor se mund të gjëndej. Ajo e vuri eunukun e saj të urryer të mëkojë me lugë të vogël, të laget në prehër, të përkëdhelë e të rrisë dy fëmijë të ngjizur në mitrën e saj prej një mashkulli tjetër. Duke i ngulur atij në kokë dy brirë më të mëdhenj se të kaut për gjashtë vjet me radhë.
Shpesh herë, i habitur nga ai fund, zakonisht i palavdishëm, i dëshpëruar, apo i turpshëm, që i pret tipa të tillë si Bejkul Sakramin, kam shtruar pyetjen: Ç’është ajo dëshirë e egër, ajo ndjenjë mizore e këtyre njerëzve për të hyrë në jetën e të tjerëve me ligësi, për t’ua bërë jetesën të zezë e të padurueshme? Përse duhet të zhyten patjetër në llumin e gjirizit të poshtërsive, kur jeta e shkurtër ka aq shumë gjëra të bukura me të cilat mund të merret njeriu? Përse duhet të presësh stuhi urrejtjesh, duke krijuar humnera mes njerëzve, kur mund të vjelësh buzagaze mirënjohjesh dhe të sigurosh përkrahje miqësore në bashkegzistencën tënde njerëzore?
Bota e brëndëshme e njeriut është një univers aq i pasur e i mahnitshëm, sa edhe vet universi qiellor që na rrethon. Përse të mos gërmosh në vetitë e bukura e në cilësitë e mira të tjetrit, për ta bërë shok, mik, e bashkudhëtar të kësaj jete. Por duhet patjetër ta sulmosh atë me të gjitha bateritë e fshehta të arsenalit djallëzor, e ta bësh armikun e vetes. Dhe pas tij të shtosh armiq të tjerë, për t’u vetërrethuar një ditë nga një gardh i zi me gjëmba të helmët? Përse këta tipa duhet të provojnë fundin e hidhur, atë shpagim të pashmangshëm që i pret pas një vargu aventurash poshtërsie? A nuk mund të nxirret mësim nga fundi i turpshëm i dikujt tjetri të kësaj natyre, për të mos i hyrë gjithë asaj rruge të zezë? Përse vallë, përse? Nuk di, nuk di…
Të gjithë ne që u gërvishtëm në ndjenja e në shpirt nga ingranazhet e djallëzisë së Bejkul Sakramit, ishim tejet të kënaqur me hakmarrjen e heshtur, që i bëri zoti i shfaqur në trajtën e një gruaje atij keqbërësi të pandreqshëm. Dhe pas zhvleftësimit të tij, si njeri i kthyer në paçavure, morëm frymë me një dinjitet shembullor.
Madje edhe dënimi shporrës që i dha gruaja e dytë nuk na bëri aq përshtypje. Sepse dihet që inercia ndjek rrugën e nisur, duke të shtyrë deri në fundin e kahjes së vet. Por së fundi, kur ai ka shkuar 70 vjeç, u muarr vesh se e ka ndare edhe gruaja e trete dhe e katert, me te cilat provoi të lidhej në këtë jetë, ai njeri impotent edhe në shpirtin e tij…