POLITIKA
53 milionë euro për tre vjet e tetë muaj burg! Pal Lekaj mund të mos shkojë prapa grilave- ja pse
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.
Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtarja Violeta Namani, tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në bashkëkryerje.
Afera e 53 milionëshit është një ndër aferat më të mëdha të korrupsionit në shtetin e Kosovës që ishte zbuluar në vitin 2019Shpllajen e aktgjykimit ndaj Lekajt, për gazetën “Bota sot” e komentoi juristi Blerim Burjani.
Sipas tij, Lekaj do ta apelojë këtë aktgjykim dhe kjo procedurë mund të ndikojë në aktgjikimin përfundimtar.
“Dënimi i Pal Lekaj është i bazuar në faktet dhe provat sipas prokurorisë dhe gjyqtarëve, por ai kuptohet se do të apelojë për të reduktuar edhe më shumë këtë aktgjykim.
Pra procedura e ankimimit gjithmonë ndikon tek aktgjykim, qëllimi është për të arritur deri te dënimi me kusht, deri tash asnjë politikan nuk është dënuar me aktgjykim përfundimtar”, ka theksuar Burjani.
Burjani, bazuar në këtë rast theksoi se nuk ka pasur luftim domethënës të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Musa Damati, avokat i ish ministrit Pal Lekaj, u shpreh i bindur se shkalla e dytë do të ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Vendimi i sotshëm është skandaloz dhe i njëjti do të apelohet për në gjykatën e shkallës së dytë, për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin. Ky është një projekt i cili ka filluar para shumë kohë se klienti im, ish ministri i Infrastrukturës të pranoi detyrën. Ky është një projekt i cili që nga fillimi është krijuar me vonesa dhe implikime buxhetore”, deklaroi ai.