Sot 1 shkurt 2024 , në Republikën e KosovëS hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”. Bashkimi Evropian më 1 shkurt 2024 shprehu shqetësim për pasojat eventuale që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se të gjitha bankat komerciale në shtet janë udhëzuar që të hapin degë në veri, teksa BQK-ja i ka obliguar ato që të ofrojnë xhirollogari bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.
Ndërkaq, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve është paralajmëruar se do të nisë operimin në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicës serbe, në mënyrë që bizneset atje të mund të regjistrohen dhe fiskalizohen.
Pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës se nuk do të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania,Franca, Gjermania dhe Italia dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Kosovë, më herët kanë bërë thirrje për shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
Presidenca serbe nuk u deklarua për takimin e Vuçiqit me QUINT-in. Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se në takim u diskutua pikërisht për vendimin e BQK-së dhe tha se situata e shkaktuar nga ky vendim “është më e vështirë se kurrë më parë”.
“Ishte e qartë për të gjithë në takim se [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti është fajtori kryesor. Serbët në ‘Kosovë dhe Metohi’ kanë të drejt të jetojnë, të përdorin transaksionet për pagesa dhe institucionet tona të jenë funksionale. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga këto”, tha ai për Radio Televizonin e Serbisë.
Sipas Petkoviqit, Vuçiq do të vazhdojë diskutimet për vendimin e BQK-së dhe do të flasë publikisht për këtë çështje në ditët në vijim.
Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përmendur ditën e sotme si afat për ndonjë njoftim rreth kësaj rregulloreje sa i përket zbatimit...
Bashkim Nurboja: Pezullimi [i rregullores] në asnjë mënyrë. Shtyrja është në diskutim e sipër. Lajçaku nuk ka pasur takim me askënd nga BQK-ja. Siç e dini, BQK-ja është institucion i pavarur. Ne jemi duke e diskutuar si çështje, nuk ka vendim përfundimtar ende, sot do të dalim me një vendim se ajo nga nesër hyn në fuqi.
Radio Evropa e Lirë: I përmendët institucionet, por në rregullore nuk thuhet se cilët mekanizma do ta monitorojnë zbatimin e kësaj rregulloreje...
Newsletter
Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Për t’i pranuar të parët materialet në emailin tuaj, regjistrohuni këtu.
Bashkim Nurboja: Secili institucion i ka obligimet e veta. Ne e kemi rregulluar domenin që e ka Banka Qendrore, e që ka të bëjë me qarkullimin e parasë. Domenet e tjera, çështjen e inspektoratit e rregullojnë institucionet tjera përkatëse. Administrata Tatimore i ka çështjet e veta, Dogana i ka çështjet e veta... Ne i kemi rregulluar çështjet që na takojnë neve si Bankë Qendrore. Ato kanë të bëjnë me evidentimin e qarkullimit të parave dhe asgjë tjetër. Nuk kanë të bëjnë me një valutë specifike, por me euron dhe valutat e tjera.
Radio Evropa e Lirë: Po thirreni në Kushtetutë, por pse është dashur tani të nxirret një rregullore për zbatimin e ligjeve që ekzistojnë?
Bashkim Nurboja: Nëse nuk është fuqizuar ligji, atëherë nuk e fuqizon as rregullorja. Por, kjo rregullore vetëm i përcakton instrumentet dhe aktorët përkatës që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit. Deri dje ka qenë ligji që e ka specifikuar, por aktorë përkatës nuk ka pasur. Tash, pasi ka qenë në domenin tonë dhe një ligj - Ligji i BQK-së - e përcakton se institucionet tjera duhet ta ndihmojnë BQK-në në zbatimin e rregulloreve dhe ligjeve, atëherë ne veç i kemi precizuar gjërat. Nuk ka diçka shtesë.
Kemi pasur informim publik, guvernatori [i BQK-së] është paraqitur nëpër media të ndryshme ku e ka shpalosur [rregulloren]. E kemi shpalosur nëpër portale të ndryshme, nëpër media të ndryshme se çfarë nënkupton.
Rregullorja është publike. Kështu që kjo nuk e ndalon askënd të pranojë para prej çfarëdo shteti... do të thotë një qytetar, çfarëdo të ardhurash që do të pranojë, shkon e hap në bankë xhirollogarinë dhe i pranon paratë…Dërguesi i dërgon, pranuesi i pranon. Rrugës, paraja konvertohet në valutën e euros.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë masat ndëshkuese nëse kjo nuk zbatohet?
Bashkim Nurboja: Ne nuk mund të ndëshkojmë. Ne e kemi rregulluar një çështje që mendojmë se është obligim i institucioneve të tjera për ta zbatuar, por BQK-ja nuk jep ndëshkim për institucionet e tjera, përpos për institucionet që i rregullon e që kanë të bëjnë me sektorin financiar.
Radio Evropa e Lirë: A është interesuar ndonjë bankë për t’u licencuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi Banka Komerciale [nga Serbia] atje po mbyllet?
Bashkim Nurboja: Në pjesën veriore ka filiale të bankave, të cilat operojnë në të gjithë Kosovën; ka institucione jobankare që merren me sistemin e pagesave, të çështjeve të ndryshme të shërbimeve financiare, të cilat operojnë edhe në veri. Është një numër i mjaftueshëm i tyre. Megjithëse, ka edhe banka tash që kanë shprehur dëshirë për t’i hapur filialet atje.
Në Kosovë është mbyllur një bankë me likuidim vullnetar, që ka qenë Komercjalna Banka. Është mbyllur vetë, për shkak të blerjes nga grupi i NLB-së në nivel ndërkombëtar.
Këtu operon NLB-ja dhe krejt bankat janë të licencuara. Të gjitha institucionet financiare duhet të jenë të licencuara për shërbimet e tyre.