1/10/13

SI E BËMË LUFTËN NË PASHTRIK?!



Intervistoi: Sheradin BERISHA 


PËRMBAJTJA 

Kush është Bilall Syla?; Përhapja e luftës nga Sllovenia në Kroaci për ne ishte një alarm...; U keqtrajtova pamëshirshëm nga udbashët serb...; Daljen e UÇK-së në skenë e kam pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm; Në fillim të marsit 1999 ... i bashkohem radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga Qeveria e Përkohëshme dhe SHP i UÇK-së (në fund të marsit 1999), u shtua numri i vullnetarëve.; Brigada “Feken” mori pjesë aktivisht në operacionin ”Shigjeta”; Planin operativ të operacionit ”Shigjeta” e ka përpiluar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së; Itinerari i njësive të UÇK-së, pas përfundimit të operacionit “Shigjeta”. 
 
Bilall Syla? 

Bilall Syla ka lindur më 14 mars 1965 në fshatin Gerbavc të komunës së Medvegjës. Në vitin 1973 familja e tij shpërngulet në Prishtinë dhe Bilalli aty do ta kryen shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm. Ndonëse kishte interesim të madh për artin ushtarak, në vitet 1980-1988 në Beograd e kryen gjimnazin dhe akademinë ushtarake. Nga viti 1988 deri në vitin 1991 shërbeu në Vërrnik të Sllovenisë në brigadën tankiste, ndërsa pas shpërthimit të konfliktit në Slloveni, më 16 gusht 1991 dezerton nga APJ-ja dhe kthehet në Kosovë. Nga vjeshta e vitit 1991 deri në vitin 1993 si ushtarak merrë pjesë në përgatitjen teorike dhe ushtarake të të rinjëve për luftë. Në shtator të vitit 1993 arrestohet nga UDB-a serbe dhe pas dhjetë muajve “lirohet “nga burgu, por jo edhe nga akuza. Për të mos rënë sërish në duart e UDB-ës, z.Syla largohet nga Kosova dhe emigron në Gjermani. Atje ven kontakt me veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe pa u lodhur do të punojë në financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mars të vitit 1999 do t´i bashkohet radhëve të UÇK-së dhe gjatë muajve mars – qershor ´99 merrë pjesë në stërvitjen e vullnetarëve të rinjë që kishin ardhur nga perëndimi... si dhe duke qenë komandant i Brigadës “Feken” në maj të këtij viti përfshihet aktivisht në operacionin ”Shigjeta” të përgatitur nga SHP i UÇK-së. 

*** 

Përhapja e luftës nga Sllovenia në Kroaci për ne ishte një alarm... 

PASHTRIKU.ORG: Z.Bilall, pas konfliktit të armarosur në Slloveni (1991) ju do të këtheheni në Kosovë. Cili ishte angazhimi juaj asokohe në Kosovë? 

Bilall SYLA: Derisa isha në Slloveni e kisha të qartë se Jugosllavia po shkonte drejtë shpërbërjes së saj, prandaj gjithnjë mendoja se herët a vonë një luftë e armatosur çlirimtare do të zhvillohet edhe në Kosovë. Meqë s´doja t´i shërbeja “armatës jugosllave” e cila komandohej tashmë kryesisht nga eprorët serbo-malazez, pa hezitim u largova nga radhët e saj dhe u ktheva në Kosovë. Me tu kthyer në Kosovë, në tetor 1991 rash në kontakt me disa veprimtarë politik (ish të burgosur) si me: Shemsi Veselin, Shukrie Rexhën, Zijadin Hoxhën, Fatmir Humollin... dhe për një kohë të shkurtë ne, në Prishtinë dhe në Besianë formuam disa grupe të rinjësh, të cilët fillimisht i përgatitëm në aspektin teorik, ndërsa më vonë edhe praktikisht duke bërë stërvitje me armë. Me këto stërvitje kishim për qëllim edhe të aftësonim drejtues të skuadrave (si njësi të para ushtarake), sepse përhapja e luftës nga Sllovenia në Kroaci për ne ishte një alarm, se duhet të përgatiteshim për rrethana të luftës. Në verën e vitit 1992 përmes Abedin Bytyqit njoftohem edhe me Hajzer Hajzerajn, i cili asokohe kishte nisur formimin e ”Ministrisë së Mbrojtjes” por në fakt unë s`kam pas ndonjë aktivitet në këtë ministri, për arsye se aty s´kishte gadishmëri për veprime konkrete dhe gjithmonë më sugjeronin se duhet të pres... për t´u angazhuar konkretisht!! 

U keqtrajtova pamëshirshëm nga udbashët serb... 

PASHTRIKU.ORG: Dhe përkundër këtij sugjerimi ju do ta vazhdonit aktivitetin tuaj - apo...? 

Bilall SYLA:Po pa dyshim...e kam vazhduar aktivitetin tim, deri sa u arrestova nga punëtorët e sigurimit serb. 

PASHTRIKU.ORG :Kur u arrestuat dhe si ka rrjedhur procesi hetues dhe ai gjyqësor? 

Bilall SYLA: Unë u arrestova më 17 shtator 1993 në fshatin Tupallë, derisa bëja një vizitë familjare, ndërkohë që një natë përpara, policia serbe e kishte bastisur shtëpinë time në Prishtinë. Me këtë rast kanë konfiskuar disa materiale dhe e kanë marrë peng babain tim me kusht që t´ju dorëzohem. Por mua siç thash më lartë më arrestuan dhe më sollën në burgun e Prishtinës. Dihet mirëfilli se në gusht - shtator të vitit 1993 pasoi një fushatë e egër burgosjesh të veprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe pjesëtarëve të të ashtuquajturës ”ministri e mbrojtjes” gjithëandej Kosovës. Dhe në Prishtinë, në të njëjtën kohë zhilloheshin hetimet ndaj pjestarëve të ”ministrisë...” dhe grupit të LPK-së prej nëntëmbdhjetë vetash. 

Gjatë procesit hetimor, ashtu sikur të tjerët, u keqtrajtova pamëshirshëm nga udbashët serb, dhe me këtë rast madje pata marrë edhe lëndime të rënda trupore, sidomos në kokë (këtë e konfirmon edhe Amnesty-International në raportin e shkurtit 1994). Pas 5 muajve, pikërisht më 11 shkurt 1994 mora aktakuzën e ngritur nga zv.prokurori Jovica Jovanoviç dhe për çudi mua më kishin futur në grupin e ministrisë, a në të vërtet tërë veprimtarinë e kisha kryer me pjesëtarët e ”nëntëmbdhjetshes”, ku bënin pjesë Shemsi Veseli, Ismet Mahmuti, Sali Salihu, Bajrush Xhemaili, Raif Çela, Nehat Selimi, Hajredin Hyseni etj. 

Kjo ka ndodhur, siç e kam kuptuar me vonë, për arsye se, meqë isha epror (toger) më kanë futur në grupin e “ministrisë” ku qenë përfshirë eprorë të lartë të ish-armatës jugosllave, siç ishin Hajzer Hajzeraj, Zaim Berisha, Haxhi Ferati, Ejup Dragaj,Agim Krasniqi, Ibush Kelmendi etj . Pavarësisht nga kjo, mund të them se këto dy grupe edhe pse të burgosur për të njejtin qëllim, s´ kanë pas asnjë veprimtari të përbashkët. 

Pas një procesi gjyqësor që zgjati për afër 2 muaj, më 15 korrik `94 trupi gjykues i drejtuar nga Dragolub Zdravkoviq, mua, Heset Sahitin dhe Xhelil Ramën na “liruan”, por jo edhe nga akuza e prezentuar në gjykim. 

Daljen e UÇK-së në skenë e kam pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm... 

PASHTRIKU.ORG: Pas daljes nga burgu qëndruat në Kosovë, apo dolët jashtë...? 

Bilall SYLA: Ndonëse s´u lirova plotësisht nga aktakuza, për t´i ikur arrestimit të dytë, ndërkohë vendosa të largohem nga Kosova. Fillimisht kalova në Shqipëri dhe pastaj emigrova në Gjermani. Në fillim kisha pak kontakte me bashkëatdhetarët tanë atje, sepse kushtet e jetës në të ashtuquajturat ”hajme” ma impononin një gjë të tillë. Mirëpo më vonë kur e fitova të drejtën e strehimit u njoftova me shumë veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si me Fehmi Lladrovcin, Fazli Veliun, Abdullah Prapashtican, Jashar Salihun e shumë të tjerë dhe natyrisht merrja pjesë në të gjitha manifestimet, demonstratat, tubimet me bashkëatdhetarët, homazhet tek varrezat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Shtutgart,... që organizoheshin nga Lëvizja popullore e Kosovës,...etj. 

 
Bilall Syla me eprorët tjerë në Helshan 

PASHTRIKU.ORG: Dihet mirëfilli se në vitet 1993-1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kryej dhjetra aksione kundër forcave policore e ushtarake serbe... së fundi përballen edhe frontalisht, ndërsa mërgata shqiptare ishte ajo që e financoi këtë ushtri të lavdishme. Cili ishte angazhimi juaj në këtë drejtim? 

Bilall SYLA: Daljen e UÇK-së në skenë e kam pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm, për faktin se aksionet e kryera nga radhët e saj e thyen “status quon”e krijuar nga ata që druanin të mos e ”provokojnë situatën...” duke menduar se kishin ndërtuar një klimë demokratike nën pushtimin serb. Aksionet e UÇK-së gjithashtu kanë ngjallur edhe interesimin e bashkësisë ndërkomëtare për Kosovën, dhe kjo do të dëshmohet në ngjarjet e mëvonshme. 

Duke e ditur se rrita UÇK-ja kishte nevojë financiare, me kohë u angazhova në fondin ”Vendlindja thërret” që grumbullonte mjete për te, madje për këtë qëllim e formova edhe një këshillë të këtij fondi në Vaihingen me rrethinë, (aty ku jetoja). Së këndejmi, që nga fillimi i vitit 1998 e deri në shkurt 1999, kam marrë pjesë në dhjetra tubime me bashkëatdhetarët tanë, të organizuar nga Këshilli Qëndror i Fondit ”Vendlindja Thërret” për Baden Württemberg, të cilët i informonim për rrjedhat e luftës çlirimtare në Kosovë dhe nevojën për ta ndihmuar financiarisht UCK-në. Ofensivat e përgjakshme të verës së vitit 1998 dhe masakrat e shumta të ushtrisë e policisë serbe, që ushtronin ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, e që kulminacioni i tyre do të arrijë me masakrimin e mbi 40 mashkujve të Reçakut (më 15 janar 1999), përveçse nxitën përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare e sidomos të SHBA-ve, në procesin e zgjidhjes së çështjes sonë, ku rezultoi me organizimin e konferencës së Rambujesë, këto ngjarje për më tepër tek unë ndikuan fuqishëm, për t´ju bashkuar radhëve të UÇK-së edhe fizikisht. 

Në fillim të marsit 1999 ... i bashkohem radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 

PASHTRIKU.ORG: Dhe ju a e braktisët Gjermaninë, për t´ju bashkuar radhëve të UÇK-së...? 

Bilall SYLA: Po pas krijimit të këtyre rrethanave unë më nuk ndjehesha i qetë. Kështu që vendosa përfundimisht t´i bashkohem radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - në fillim të marsit 1999. 

Në shkurt të atij viti, takohem me kolegun tim Shaban Musliu, i cili që nga fillimi i vitit 1998 ishte në luftë dhe në Gjermani kishte ardhur për t´i kryer disa punë. Ai më informoi detalisht për rrjedhat e luftës së UÇK-së në Kosovë dhe nevojën e përfshirjes së ushtarakëve në radhët e saj. Ndonëse ishim përgatitur për të shkuar në Kosovë, ato ditë kontaktuam edhe me Bashkim Lladrovcin, i cili ishte me qëndrim në Belgjikë dhe përfundimisht në fillim të marsit, ne të tre nga Zyrihu udhëtuam për në Tiranë. Në Tiranë, paraqitemi në selinë e UÇK-së dhe takohemi me Shaip Mujën, Adem Grabovcin, Halim Krasniqin (vëllaun e Xhevë Krasniqit), Ramiz Lladrovcin etj. Aty do të qëndrojmë një javë dhe gjatë kësaj kohe u informuam gjithëanshëm për ecurinë e zhvillimeve në Kosovë si dhe morëm informacione të duhura për detyrat tona, që do t´i kryenim. Pas një jave do të udhëtojmë në zonën kufitare dhe u vendosëm në fshatin Vlanë të Hasit. Aty gjetëm një qendër të vogël stërvitore e cila shërbente për mobilizimin, përgatitjen dhe përcjelljen e luftëtarëve të lirisë për në Kosovë. 

PASHTRIKU.ORG :Kush ju priti në Vlanë? 

Bilall SYLA: Në Vlanë takuam Xheladin Gashin - Plakun, i cili ishte përgjegjës i armatimit në atë zonë, ...por ndërkohë do të takohemi edhe me Azem Sylën - ministrin e atëhershëm të mbrojtjes. Me Plakun dhe Azem Sylën biseduam gjerësisht për organizimin tonë dhe u ngarkuam me detyra konkrete: gjetjen e rrugëve për t´u futur me armatim brenda në Kosovë. 

PASHTRIKU.ORG: Dhe ju do të futeni në Kosovë...? 

Bilall SYLA: Jo..., ndryshuan planet për futjen tonë me ushtarë dhe armatim në Kosovë. Kjo ndodhi për faktin se, në gjysmën e dytë të marsit 1999 në Tropojë: Azem Syla, Xheladin Gashi - Plaku dhe Shaban Musliu mbajtën një takim me Rrystem Berishën - komandantin e Brigadës 138, që operonte në Koshare dhe aty pasi analizojnë gjendjen e krijuar përgjatë kufirit, ku forcat serbe kishin përqëndruar trupa të mëdha ushtarake, merret vendimi për t´i koordinuar veprimet ushtarake rreth thyerjes së kufirit shqiptaro - shqiptar. Dhe si rrjedhojë, pas këtij takimi filluam stërvitjet intenzive me ushtarët e rinjë. 

 
Qendra stërvitore në FEKEN 

PASHTRIKU.ORG: Kush ishin eprorët që morën pjesë në stërvitjen e ushtarëve në Vlanë? 

Bilall SYLA: Në Vlanë ishim disa eprorë: unë, Shaban Musliu, Bashkim Lladrovci, Agim Haziri, Esat Krasniqi, Fadil Demiri etj. Ky stafë eprorësh i përgatiti ushtarët e rinjë, ashtu që në fillim të prillit dërguam grupin e parë prej 70 ushatrësh në frontin e Koshares, i cili kishte shpërthyer më 9 prill 1999 - me vendim të ShP të UÇK-së. 

Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga Qeveria e Përkohëshme dhe 

SHP i UÇK-së (në fund të marsit 1999), u shtua numri i vullnetarëve.. 



PASHTRIKU.ORG: z.Syla, a kishte edhe qendra tjera stërvitore, përveç stërvitores në Vlanë? 

Bilall SYLA: Po, pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga Qeveria e Përkohëshme dhe SHP i UÇK-së (në fund të marsit 1999), u shtua numri i vullnetarëve, kështu që me kohë u hapën edhe disa qendra të reja stërvitore, si në: Burrel, Kolsh, Dukagjin, Kalimash, Helshan (afër Krumës)...dhe së fundi edhe në “Feken” në qendrën e Akademisë Ushtarake ”Skënderbeu” në malet e Dajtit. 

PASHTRIKU.ORG: Po, si rrodhën ngjarjet pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm...? 

Bilall SYLA: Në fillim të prillit, meqë në Helshan u rritë numri i ushtarëve, mua, Bashkim Lladrovcin dhe Ibër Elezajn na caktuan që të shkojmë në këtë qendër stërvitore, komandant i së cilës ishte koloneli Maliq Doçi. Ndërkohë në Helshan do të na bashkohen edhe disa eprorë të tjerë të ushtrisë shqiptare si: kolonel Spiro Butka, kolonel Arqileu dhe togerët: Agim Sallaku, Ermir Begaj dhe Dritan Durmishi. 

Ky stafë komandues dha kontribut të madh në aftësimin fizikë e luftarak të rreth 1000 vullnetarëve, që kishin ardhur nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare dhe nga shumë vende të botës perëndimore. Në mesin e vullnetarëve ishte edhe eprori Ibrahim Shaqiri nga fshati Llojan i Kumanovës, i cili na u bashkua në stërvitjen e ushtarëve. Në fillim kushtet e përgjithshme në qendrën stërvitore ndonëse nuk ishin të mira, ato do të përmirësohen dukshëm pas vizitave që i bënë kësaj qendre, disa anëtarë të SHP të UÇK-së. 
 
* * *
Përhapja e luftës nga Sllovenia  në Kroaci
për ne ishte një alarm
PASHTRIKU.ORG: Kush e koordinonte aktivitetin e komandave përkatëse nëpër qendrat stërvitore? 

Bilall SYLA: Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Qendrën tonë e kanë vizituar disa herë eprorët e SHP të UÇK-së: Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi, Musa Jashari, Rifat Sylejmani, Fadil Zejnullahu, Enver Rrustemi, Nexhmidin Kastrati etj, madje edhe gjenerali i ushtrisë shqiptare Kudusi Lama - Komandant i Divizionit të Kukësit,i cili ka merita të jashtëzakoshme në koordinimin e aktiviteteve ushtarake në gjithë zonën kufitare. 

PASHTRIKU.ORG: Pas thyerjes së kufirit në Koshare, a keni dërguar ushtarë tjerë në vijat e frontit ku zhvilloheshin luftime të përgjakshme? 

Bilall SYLA: Meqenëse fronti i Koshares ishte pjesë e operacionit të përgjithshëm, që zhvillohej në gjithë zonën kufitare, ishte obligim i qendrave stërvitore që të dërgojnë ushtarë atje. Prandaj kah mesi i prillit 1999 nga qendra stërvitore e Helshanit për në Koshare kemi dërguar edhe 204 ushtarë të stërvitur mirë, ndonëse interesimi për të shkuar në front ishte shumë i madh. Në përcjellje të ushtarëve ishim: Maliq Doçi, unë, Alush Shala dhe Shaban Musliu dhe në fshatin Papaj të Tropojës ushtarët ia dorëzuam eprorit Nasim Haradinaj. 
Komandant Bilall Syla duke lexuar tekstin e betimit - më 25 Maj 1999,
para ushtarëve në Feken.
--------------------------------------------

Brigada “Feken” mori pjesë aktivisht në operacionin”Shigjeta” 

PASHTRIKU.ORG: Dhe pastaj...si u zhvilluan ngjarjet? 

Bilall SYLA: Në fund të prillit nga Helshani rreth 650 ushtarë i transferuam në qendrën stërvitore të akademisë ushtarake “Skënderbeu” në Feken, ku kushtet për stërvitje ishin më të mira. Në këtë qendër gjetëm edhe qindra ushtarë - vullnetarë, të cilët ato ditë kishin ardhur nga disa vende të Evropës perëndimore, por kishte edhe nga Shqipëria. Në kuadër të konsolidimit të komandës ushtarake nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u emrova komandant i gjithë efektivit të UCK-së në këtë qendër stërvitore. Ndërkohë, stafi komandues bëri edhe strukturimin ushtarak dhe formuam një brigadë me tre batalione, e cila do të merrte pjesë aktivisht në operacionin “Shigjeta” që do të zhvillohet në malet e Pashtrikut. Me këtë rast Brigadës ia dhamë emrin e qendrës stërvitore ”Feken”. Në radhët e brigadës kishim edhe vullnetarë gjermanë, anglezë, një sllovake e cila ishte e martuar me një shqiptar etj. Në “Feken”, stërvitjet ushtarake (ushtrimet taktike dhe gjuajtjet luftarake me armët personale dhe ato të përbashkëta) planifikoheshin, udhëhiqeshin dhe realizoheshin drejtpërdrejtë nga eprorët e akademisë. Dhe kontribut të madh në mbarëvajtjen e këtyre stërvitjeve, ka dhënë padyshim edhe komandanti i akademisë z.Flamur Skarparlliu me tërë stafin drejtues të tij. 

PASHTRIKU.ORG: Ndonëse asokohe në Shqipëri ishin të përqëndruar edhe shumë ekspetë ushtarak të NATO-s, a kishit kontakte më pjestarë të saj? 

Bilall SYLA: Po, kemi pasur. Me këtë rast dua të përkujtojë një vizitë, që ato ditë na bënë atashtë ushtarake të SHBA-ve dhe të Anglisë. Gjatë qëndrimit të tyre në qendër, ne bëmë një demonstrim ushtarak me emrin ”togu këmbësorik në sulmë” dhe nga ky demonstrim yni u ndanë shumë të kënaqur...madje në shenjë admirimi, para nesh deklaruan se: ”sikur ta kishim moralin e lartë tuajin për luftë, me armatimin tonë modern që kemi do të arrinim deri në Beograd”. 

PASHTRIKU.ORG: z.Bilall, dihet mirëfilli se më 25 maj 1999 në këtë qendër stërvitore do të organizohet edhe ceremonia e dhënjes së betimit. A mund të na thoni si u zhvillua kjo ceremoni? 

Bilall SYLA: Një nga ngjarjet më mbresëlënëse për mua dhe gjithë efektivin ushtarakë të UÇK-së, ishte padyshim dhënja e betimit. Atë ditë maji betimin e dhanë 1180 ushtarë. Në këtë ceremoni përveç dhjetra prindërve të ushtarëve, morën pjesë përfaqësues të SHP të UÇK-së dhe të strukturave shtetërore të Shqipërisë: Jakup Krasniqi, Sabit Brokaj, Xhavit Haliti, Raif Gashi e shumë të tjerë. 

Planin operativ të operacionit ”Shigjeta” e ka përpiluar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së 

PASHTRIKU.ORG: Më lartë theksuat se Brigada ”Feken” ka marrë pjesë në operacionin “Shigjeta”. A mund të na thoni se, kush e përpiloi planin e operacionit ”Shigjeta” dhe si u zhvillua ky operacion përgjithësisht? 

Bilall SYLA: Planin operativ të operacionit ”Shigjeta” e ka përpiluar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me qëllim të thyerjes së forcave të shumta serbe që ishin përqëndruar në zonën kufitare dhe depërtimin tonë në drejtime të caktuara në thellësi të Kosovës, për t´u lidhur pastaj me njësitë e UÇK-së që operonin në Zonën Operative të Dukagjinit dhe në Zonën Operative të Pashtrikut, të cilat kishin shumë nevojë për ushtarë dhe armatim. 
Bilall Syla me bashkëluftëtarët e tij


PASHTRIKU.ORG: Si u zhvillua operacioni “Shigjeta” ? 

BILALL SYLA: Pasi dhamë betimin, me urdhër të SHP të UÇK-së batalioni i parë dhe i dytë i Brigadës “Fekeni” me gjithë efektivin e saj do të marshojë në drejtim të Pashtrikut, ndërsa batalioni i 3 i kësaj brigade nën komandën e Bashkim Lladrovcit do të marshojë si përforcim në frontin e Koshares. Në bjeshkët e larta të Pashtrikut arritëm mbas një marshimi të gjatë e të mundimshëm në drejtimin: Mali i Dajtit - Malësi e vermut – Helshanë (Krumë) – Cahan - Maja e Pashtrikut, me komplet paisjet ushtarake që kishim. Detyrën luftarake të Brigadës ”Feken” në Cahan e pranova nga komandanti Nexhmedin Kastrati, ndërsa aty ishin edhe eprorët: Musa Jashari, Rifat Sylejmani, Enver Rrystemi etj. 

-Në kuadër të Operacionit, njësitë e brigadës ”Feken” ishin caktuar të operonin në Drejtimin e dytë Taktik (D2T) ku një ditë përpara në këtë zonë ishte futur në luftime me armikun, njësia e ashtuquajtur “Taktik Force - 0” (TF-0) e komanduar nga eprori Fadil Zejnullahu dhe një pjesë e Brigadës 126 e Hasit. 

-Në krahun e majtë, në drejtim të “qafës së mullarit” (D3T) operonte batalioni ”Atlantiku” nën komandën e Hysni Sylës, ndërsa në vijim mbi fshatin Nikoliq ishte njësiti tjetër nën komandën e Binak Gashit. 

-Në krahun e djathtë në drejtim të fshatrave të Hasit të Thatë dhe përgjatë Drinit të Bardhë (D1T e D4T) operonin njësitë ushtarake të komanduara nga Kemail Shaqiri dhe Ruzhdi Saramati. 

Me këtë rast vlen të theksohet, se ne operacionin “Shigjeta” ka marrë pjesë edhe efektivi i Divizionit të Kukësit, i cili ka vënë në dispozicion tërë arsenalin ushtarak. 
Bilall Syla gjatë kohës së konsultimeve me bashkëpunëtorët e tij
Brigada jonë pra, ka operuar në qendër të forcave tona, pikërisht në majën e Pashtrikut dhe ka mbuluar 3 km të vijës sulmuese. Atje tereni ishte jashtëzakonisht i vështirë, i zhveshur nga malet e me thyerje të thella të terenit, çka e vështirësonte lëvizjen tonë, furnizimin, por edhe bartjen e të plagosurve gjatë luftimeve.

Harta e Operacionit "Shigjeta" (Maj - Qershor 1999)
---------------------------------------------------
Megjithatë forcat e UÇK-së në fund të majit 1999 patën përparime dhe u futën disa kilometra në thellësi të territorit, ku operonin forcat serbe. Mirëpo, mbas kësaj, armiku shumë shpejt solli përforcime të reja nga forcat elite parashutiste të Brigadës 549 të korpusit të Prishtinës si dhe aktivizoi helikopterë të shumtë për të përballuar situatën. Madje ajo përdori edhe artilerinë e rëndë duke gjuajtur shpesh herë edhe predha me helme kimike, por fatmirësisht për shkak të lartësisë mbidetare (1990 m) era e barte shpejt helmin ashtu që ne nuk patëm pasoja. Në fillim të qershorit, pas konsolidimit të forcave tona, ndërmorëm një seri sulmesh të rrufeshme kundër forcave serbe, për të qëndruar në pozicionet e marra. Gjatë luftimeve të përditshme në Pashtrik kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve edhe me forcat e NATO-s, ku në shumë raste ua kemi dhënë koordinatat identifikuese për babmardimin e pozicioneve serbe nga ajri, ndërkohë që njësitë tona sulmonin vazhdimisht nga toka. 
PASHTRIKU.ORG: Dhe pas një lufte të përgjakshme përgjatë tërë vijës së kufirit, më 9 qershor 1999 forcat pushtuese serbe kapitullojnë me nënshkrimin e marrëveshjes tekniko - ushtarake në Kumanovë. A pati luftime pas kësaj marrëveshje...? 

Bilall SYLA: Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës ra intensiteti i luftimeve, por megjithatë akoma kishte gjuajtje sporadike nga forcat serbe, dhe këtë e bënin, tani jo se donin të rezistonin, por nga frika se si do të tërhiqeshin mbrapa për në Serbi. 
 
Ibrahim Shaqiri në mesin e luftëtarëve, gjatë Operacionit “Shigjeta”
në Pashtrik (Maj 1999)
PASHTRIKU.ORG: Sa ishte numri i të rënëve dëshmorë gjatë këtij operacioni ? 

Bilall SYLA: Po në këtë operacion ranë dëshmorë shumë ushtarë. Vetëm nga brigada ime gjatë operacionit ”Shigjeta” në altarin e lirisë ranë pesë ushtarë: Florim Rushiti, Avdi Xhaçku, Lulzim Llugiqi, Bedri Gashi që të katër në Pashtrik, ndërsa Fatmir Ratkoceri ra dëshmorë në frontin e Koshares. 

Itinerari i njësive të UÇK-së, pas përfundimit të operacionit “Shigjeta” 

PASHTRIKU.ORG: Po...pas përfundimit të operacionit “Shigjeta”, cili ishte itinerari i njësive të UÇK-së? 
Plani operativ i operacionit„Shigjeta“i hartuar nga SHP i UÇK-së
Bilall SYLA: Pas përfundimit të plotë të luftimeve, ne organizuam homazhe tek varrezat e deshmorëve, dhe më pastaj me urdhër të komandës së operacionit, më 16 qershor 1999 gjithë efektivi i brigadës marshuam për në Kosovë në drejtimin: Kushnin - Rogovë e Hasit. Një natë kemi fjetur në shkollën e fshatit Rogovë dhe të nesërmen sipas planit, rreth 700 ushtarë u transferuan në zona të ndryshme operative të UÇK-së, sipas përkatësive teritoriale të ushtarëve.
Bilall Syla me bashkëluftëtarët e tij në Pashtrik, gjatë operacinoit “Shigjeta” (Maj 1999)
 --------------------------------------------------

Ndërkohë eprorët e Brigadës: Dritan Durmishi, unë, Ermir Begaj, Ibrahim Shaqiri, Rrahim Bekteshi dhe Florim Balaj udhtuam për në Kleçkë dhe në selin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u takuam me komandantin e shtabit Agim Çekun.
Ibrahim Shaqiri (i pari nga e majta) me eprorët e Brigadës”Feken”
në Pashtrik (Maj 1999)
-----------------------------------------

 Në këtë takim komkandantin Çeku e informuam hollësisht për rrjedhat e përgjithshme të operacionit ”Shigjeta” dhe nga aty dolëm me detyra të reja, tanimë në rrethana paqe. Unë meqë isha nga Prishtina u transferova në Zonën Operative të Llapit, mirëpo pas një kohe, për shkaqe familjare u demobilizova dhe u ktheva në Gjermani. 

 
Brigada “Feken” mori pjesë aktivisht në operacionin”Shigjeta”
PASHTRIKU.ORG: Cili ishte angazhimi juaj, pasluftës në Gjermani? 

Bilall SYLA: Pas luftës, duke e parë neglizhencën e institucioneve të Kosovës, për t´i ndihmuar familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, në Gjermani nuk ndejta duarkryq. Përkundrazi, së bashku me një grup shokësh organizuam disa herë aksione humanitare dhe ju ndihmuam familjeve të atyre që dhanë bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës. Ndihmat materiale i kemi dërguar në Prizren, Dardanë, Ferizaj, Prishtinë etj. Tani së fundi kemi grumbulluar 1600 € dhe i ndihmuam 5 familje të dëshmorëve. Besoi se aksione të ngjashme do të organizojmë edhe në të ardhmen. 

No comments:

Post a Comment