Qeveria miratoi një ligji të veçantë që i hap rrugë Bashkimit Europian të hetojë mbi akuzat e Dick Marty-t për trafik organesh me robërit serbë luftës.
"Ne jemi me te interesuar se kushdo tjeter qe keto akuza shumë të rënda që bëhen për udhëheqjen politike të Kosovës, por edhe për Shqipërinë, te zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Ndaj edhe ne i propozojmë Parlamentit një ligj të veçantë për t'i njohur cdo autoritet, që ka nevojë ky grup hetimor, për të bërë hetimin më të plotë në Republikën e Shqipërisë, në çdo skaj", tha Sali Berisha.
Kryeministri e cilësoi raportin si një trillim pa fakte të shkruar nga ish-prokurori i Miloshevicit, që qëllimin e vetëm kishte përbaltjen e shqiptarëve me akuza për trafik organesh dhe varreza masive.
"Aty ku është pretenduar fill pas lufte kanë ardhur ekipet dhe kanë gjetur fshatarë lumianë, në shtëpitë e tyre. Kanë hapur stallën dhe kanë gjetur lopët e familjes dhe nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të vetme, të një varreze masive, ku pretendohet të jenë varrosur qindra serbë, paçka se nuk japim as edhe një emër të vetëm, në një kohë, kur janë mbi dy mijë shqiptarë me emër që nuk dorëzojnë trupat, por i mbajnë", tha Sali Berisha.
Berisha tha se motivi i akuzave që Dick Marty hedh mbi udhëheqjen politike të Kosovës dhe shqiptarëve, lidhet me qëndrimin e tij të njohur antishqiptar.
"Ai ka qenë një kundërshtar i zellshëm i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, sepse për atë më mirë Millosheviçi të përsëriste skenat hitleriane të spastrimit etnik dhe genocidit, se NATO të ndërhynte për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut të një populli, që po shpërngulej i tëri barbarisht nga trojet e tyre shekullore", tha Berisha.