2012-05-02

Smilkovci, vrasja e pesëdhjetëfishtë e shqiptarëve

Gjëja e parë që duhet të bëjnë partitë shqiptare, është që të paraqiten me një propozim ligj të përbashkët me të cilin për vrasje të këtilla masive (duke përfshirë edhe vrasjen në Smilkovc) do të parashihet dënim me vdekje. Por paralelisht me këtë duhet të mbyllin të gjitha mundësitë për rast të montuar, në të cilin do të pësonin qytetarë të pafajshëm


Vrasja e pesëfishtë e maqedonasve në Smilkovc paraqet vrasje të pesëdhjetëfishtë për shqiptarët në Maqedoni, nëse është i vërtetë informacioni zyrtar që e prezantoi ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska.

Jo se me këtë tezë duam të nënvlerësojmë dhimbjen që e kanë pësuar familjarët e pesë viktimave, por edhe komuniteti maqedonas për bashkëkombësit e tyre, por për shkak se informacioni zyrtar për këtë vrasje komprometon shqiptarët duke u mveshur një imazh i cili nuk u takon.

Pa marrë parasysh se Jankullovska nuk përmendi asnjë fjalë për përkatësinë e tyre etnike (nga korrektësia apo hipokrizia nuk është me rëndësi), vetë fakti se në cilat rajone është zhvilluar aksioni policor flet mjaft. Prandaj nuk guxojmë të bëhemi naiv por duhet të parashtrojmë pyetjen se çka duhet të bëjnë shqiptarët në këtë rast?
image

Ne si media shqiptare duhet haptazi të dënojmë vrasësit pa marrë parasysh kush janë dhe prej nga janë. Njëkohësisht duhet të bëjmë sqarime dhe të sjellim të gjitha argumentet e mundshme se autorët e kësaj vrasje mund kenë emra shqiptarë, por në realitet janë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Kurse mysliman nuk mund të jenë asnjë gram. Me çdo respekt për besimtarët e vërtetë, patjetër duhet të sqarojmë se në mesin tonë ka njerëz të cilët sa më të gjatë e kanë mjekrën, aq më të thella i kanë rrënjët te shërbimet armiqësore të shqiptarëve. Dhe këta shpirtra të shitur dhe të instrumentalizuar janë të detyruar të zbatojnë urdhrat e padronëve të tyre, pa marrë parasysh se çfarë natyre janë ata urdhra.

Kuptohet se barrën më të madhe në kësi situata duhet ta marrin ata që i shfrytëzojnë beneficionet më të mëdha në emër të shqiptarëve– partitë politike shqiptare.

Gjëja e parë që duhet të bëjnë ata, është që të paraqiten me një propozim ligj të përbashkët me të cilin për vrasje të këtilla masive (duke përfshirë edhe vrasjen në Smilkovc) do të parashihet dënim me vdekje. Por paralelisht me këtë duhet të mbyllin të gjitha mundësitë për rast të montuar, në të cilin do të pësonin qytetarë të pafajshëm (siç ka me bollëk në Maqedoni).

Sepse VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Gruevskit, Cërvenkovskit dhe politikanëve tjerë maqedonas mund të ju konvenojë të ketë sa më shumë shqiptarë të tillë, që dëmtojnë imazhin e gjithë shqiptarëve, por partive shqiptare (nëse janë vërtetë shqiptare!) një gjë e tillë nuk duhet të ju konvenojë.
Vetëm nëse bëjnë një hap të tillë ata do të hapin rrugën për të nxjerrë në sipërfaqe, të gjitha dyshimet që kanë përcjellur aksionin “Montsra”.
Dyshimi i parë është se çfarë roli kanë mundur të ketë në një akt terrorist plaku 63 vjeçar nga Shutka. Apo gruaja plakë nga Hotla, e cila si shumë nëna shqiptare ka jetuar e vetmuar përskaj tre djemve, të cilët për të siguruar kafshatën e gojës kanë migruar në Zvicër e Belgjikë.
Dyshimi tjetër është se si është e mundur policia të mos zbulojë 20 ditë asnjë gjurmë për një vrasje aq të madhe të cilën e kanë kryer pjesëtarë të një grupi i cili (sipas Jankullovskës) numëron së paku 20 anëtarë. Dy pjesëtarë të kishte ky grup do të zbulohej më shpejtë ndonjë gjurmë, e lëre më njëzet.
Edhe më i madh është dyshimi se si është e mundur që në qendër të Shkupit të operojnë persona që kanë luftuar kundër NATO-s në Pakistan dhe Afganistan dhe policia të mos ketë njohuri për një gjë të tillë. Është paradoks “par exellance” që një shtet i cili rrah gjoks se po lufton terrorizmin ndërkombëtar në Afganistan e Irak, të mos mundet të zbulojë luftëtarë anti NATO 100 metra larg Shkupit. Apo policia ka pasur njohuri për ekzistimin e tyre, por i ka ruajtur t’i zbulojë në momentet kur nuk do të mund të ndriçojë ndonjë akt kriminel, si ai në Smilkovc.
Kulmin e dyshimit e paraqet fakti se vrasësit e Smilkovcës zbulohen në momentet kur në opinionin shqiptar u zbulua fjalimi i deputetit serb në Parlamentin e Maqedonisë Dragisha Miletiq, i cili një muaj para vrasjes ka paralajëmruar zhvillime dramatike në Maqedoni gjatë muajit prill. Miletiq mundet ditë e natë të thotë se me atë deklaratë ka paralajëmruar trazira të karakterit social, por askush nuk do t’i besojë. Sepse drama me të cilën ai i ka paralajmëruar zhvillimet në prill, nuk ka aspak “karakter social”.
Nuk duhet të harrojmë se Miletiq është politikan i rastit, por një deputet i cili në vitin 1999 kur zhvilloheshin sulmet e NATO-s kundër Serbisë, e pat shndërruar Shkupin në kryeqendër të propagandës së regjimit të Millosheviqit.
Poashtu zbulimi i “vrasësve” ndodhi një ditë pasi ish ministri i punëve të brendshme Pavle Trajanov, (i cili si pjesë e pushtetit aktual llogaritet në mesin e personave i me më tepër “informata operative”) deklaroi se vrasësit gjenden jashtë Maqedonisë.
Shpresojmë se ditët në vijim do të qartësojnë më tepër aksionin “Monstra”. Ajo që mund të thuhet pa asnjë dyshim është se vrasja në Smilkovc nuk është hakmarrje shqiptare. Sepse pa marrë parasysh se shqiptarët dyshojnë në shumë vrasje që ka kryer policia maqedonase, asnjë shqiptar i vërtetë nuk do të hakmerrej për gabimet e policisë duke vrarë të rinj të pafajshëm.



Të arrestuarit në aksionin policor “Monstër” , sot do të dalin para gjykatësit hetues.

Pritet që të gjithë për të cilët MPB ka dëshmi se kanë qenë te involvuar në vrasjen të dërgohen në Gjykatën Themelore 1 në Shkup . MPB kundër të gjithëve ka ngrirtur padi penale për terrorizëm.
image
MPB gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar 20 persona për të cilët dyshohet se në mënyrë direkte ose indirekte kanë marrë pjesë në vrasjen e personave.

Sipas ministres Gordana Jankullovska personat janë ithtarë të islamit radikal dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë në luftërat kundër NATO-s në Afganistan dhe Pakistan.

image
Fati Hasipi dhe vëllai i tij Fuat Hasipi nga lagjja Hasan beg e Shkupit u liruan të mërkurën nga policia. Ata nuk kanë qenë në mesin e të dyshuarve, por janë arrestuar prej policisë pasi kanë shkuar për të shoqëruar motrën e tyre, Suraja Hasipi. “Nuk ishim të dyshuar, por shkuam që të shoqërojmë motrën tonë, Surajën. Kur shkuam në polici na i vunë prangat, na rrahën me shqelma dhe më pas na morën në pyetje. Pyetjet ishin nga më banalet, a faleni, a shkoni në xhami, etj. Sot na lanë të lirë”, tha për “Lajm” Fuat Hasipi. Nga policia kërkohet, i fejuari i motrës së tyre, Demir Halili nga Haraçina, i cili momentalisht ka shkuar për punë në Evropë. “Dhëndri ynë është i gatshëm të vij në Maqedoni. Sa të gjej avion ai do të niset”, thotë Fuat Hasipi.


image

Dy vëllezër njëri 32 e tjetri 33 vjeç dhe një person tjetër dyshohen se e kanë bërë vrasjen. Dy persona tjerë dyshohen se u kanë ndihmuar të fshihen. Këta pesë persona akuzohen për terrorizëm dhe ndihmë të terrorizimit.



image
Aksioni i policisë ne disa pjese shqiptare te Shkupit ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë ne fshatin Smilkovc, kanë njoftuar për “Lajm” burime të larta shqiptare në Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Aksioni është në kuadër të hetimeve për ndriçimin e vrasjes së pesëfishtë. Përveç në rajonin e Shkupit, bastisje ka pasur edhe në fshatin Hotël të komunës së Likovës ku është arrestuar një grua”, njoftoi për “Lajm” i njëjti burim, duke insistuar të mbete anonim. Ai nuk ishte në gjendje të zbulojë për momentin numrin e të arrestuarve gjatë aksionit policor.

Bastisje masive, arrestohen dhjetëra shqiptarë

Dhjetëra shqiptarë janë arrestuar gjatë një aksioni policor në lagjen Gazi Babë të Shkupit dhe në fshatrat Hasanbeg dhe Haraçinë. Arrestimet kane ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur njësitet speciale policore kanë kryer bastisje nëpër shtëpi në disa rajone shqiptare të Shkupit. Jozyrtarisht raportohet se janë arrestuar dhjetëra qytetarë shqiptarë. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski nuk deshi të bëjë me dije nëse arrestimet kanë të bëjnë me vrasjen e pesëfishtë në afërsi të fshatit Smilkovc, por paralajmëroi detaje në një pres konferencë të MPB-së e cila do të mbahet sot pasdite. Në këto lagje vërehen patrullime të shumta të policisë. Patrullime të njësiteve speciale policore të armatosura deri në dhëmbë vërehen edhe në rajonin e Likovës, por edhe në rajonin e Tetovës.


Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar mbi 20 persona, të dyshuar lidhur me vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smillkovc, në afërsi të Shkupit. Numri më i madh i të arrestuarve janë nga Maqedonia. "Për një pjesë të të arrestuarve ekzistojnë dëshmi materiale se kanë qenë pjesë e kryerjes së vrasjes makabër të 5 personav", tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. Të arrestuarit, sipas Jankullovskës janë pjesëtarë të një grupi ‘radikal islamik’.

image
 "Ata janë persona që tentojnë t’i bëjnë keq jo vetëm të krishterëve por i kërcënojnë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe vetë myslimanët në Maqedoni. Motivi i tyre ka qenë që përmes kësaj vrasje të shkaktojnë frikë në mesin e qytetarëve", theksoi Jankullovska. Ajo shtoi se bëhet fjalë për persona që kanë marë pjesë në aksione terroriste në Afganistan dhe Pakistan dhe që kanë luftuar kundër forcave të NATO-s. Aksioni policor është zhvilluar në më shumë lokacione në Shkup, ndërsa të arrestuarit janë nga kryeqyteti . Informacionet e para tregojnë se nuk ka pasur lidhshmëri direkte midis viktimave dhe autorëve të vrasjes dhe për këtë qëllim motive për ndonjë hakmarrje të mundshme përjashtohet plotësisht nga Ministria e Brendshme. Gjatë operacionit policor të koduar si ‘Monstra’ ministria e Punëve të Brendshme ka gjetur edhe sasi të konsiderueshme armësh, por hetimet e mëtutjeshme do të tregojnë nëse këto armë kanë qenë të përdorura në vrasjen e Smillkovcës. Arrestimet vijnë pas një operacioni të gjerë mëngjesin e sotëm, ku policia ka arritur të sigurojë edhe dëshmi të tjera për kryerjen e vrasjes makabër më 12 prill. Ministrja Jankullovska ka theksuar se situata e sigurisë në Maqedoni pas këtyrë zhvillimeve po ndiqet me vëmendje dhe se policia është duke vepruar në mënyrë parandaluese. Pak para bërjes publike të informacionit për arrestimin e 20 personave të dyshuar për vrasjen në Smillkovcë në një takim të jashtëzakonshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski, me crast u iformua për aksionin policore të mëngjesit të sotëm, i cili është cilësuar si më i ndërlikuari që ka ndërmarrë deri tani Ministria e Brendshme.



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...