2012-05-02

GJENERALI I LUFTËS DHE HEROI I PAQËS FATMIR LIMAJ ME SHOK U SHPALLËN SOT TË PAFAJSHËM

Shkruan Flori Bruqi




Gjykata e Qarkut në Prishtinë. shpall të pafajshëm deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj. Ai është është liruar nga akuzat për krime lufte në rastin “Kleçka”.






Bashkë më Fatmir Limajn u shpallën të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte edhe shokët e tij të luftës, Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën e Naser Krasniqin. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ndërsa akuzat u ngritën nga prokurori Mauricio Salustro.





Pak kohë më parë trupi gjykues i udhëhequr nga Jonathan Welford-Carroll, vendosi që gjashtë të akuzuarit për rastin “Kleçka” të shpallen të pafajshëm, ndërsa për Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij, u mor vendimi që shqyrtimi gjyqësor të vijojë.




Pas përfundimit të seancës së sotme gjyqësore Prokurori Maurizio Salustro ka paralajmëruar se do të ankimojë vendimin e Gjykatës së Prishtinës.



Deputeti Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka". Më 21 mars, trupi gjykues kishte marrë vendim që deklaratat dhe ditaret e dëshmitarit kryesor në rast, Agim Zogaj, të jenë të papranueshme, prandaj urdhëroi lirimin e të akuzuarve.

Nga nisi rasti Kleçka

20 nëntori i 2009-së e gjeti Agim Zogajn në policinë e EULEX-it, tek dëshmonte për krimet e kryera në Kleçkë gjatë luftës. Zogaj dëshminë e tij e vazhdoi edhe 30 nëntor, në polici.

Më 4 shkurt 2010 Zogaj ishte në Prokurorinë Speciale të Kosovës duke dhënë dëshmi në cilësinë e të dyshuarit për krimet e Kleçkës. Marrja në pyetje e të dyshuarit Zogaj në PSRK vazhdoi edhe më 9, 11, 16 dhe 17 shkurt, pastaj 10, 16 dhe 25 mars, 9 qershor për të vazhduar me 20 gusht në këtë cilësi.

Prokurori special Maurizio Salustro, më 5 tetor, në zyrat e tij, e dëgjoi Zogajn në cilësinë e dëshmitarit. Nga kjo kohë prokuroria filloi procedurat që dëshmitari Zogaj të shpallet dëshmitar bashkëpunues në rastin Kleçka.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që Zogaj të shpallet dëshmitar bashkëpunues, ndërsa prokurori dëshmitarin Zogaj e futi në programin e EULEX-it për dëshmitar të mbrojtur duke i dhënë edhe nofkën X.

Në korrik, prokurori, pas kërkesës së mbrojtjes, ju ofroi atyre që të marrin në pyetje dëshmitarin Zogaj.

Çka dëshmoi Zogaj në Prokurori?

Ishin pikërisht dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj që çuan në ngritjen e aktakuzës. Zogaj kishte dhënë deklarata të njëpasnjëshme për prokurorin dhe policinë e EULEX-it.

Rrëfimi i Agim Zogajt në prokurori fillon me përshkrimin e vrasjes së Nebojsa Djuriqiqit dhe Veljko Markoviqit, dy oficerëve policorë serbë, të cilët u mbajtën në burg në Kleçkë për një periudhë të gjatë kohe dhe të cilët i ekzekutoi vet me urdhër të, siç thotë, Fatmir Limajt rreth datës 4 ose 5 prill 1999.

Dëshmitari i tregoi EULEX’it për vendin e ekzekutimit - varrimit të dy trupave, të cilët më pastaj u gjenden pikërisht në vendin e përshkruar nga ai. Identitetet e tyre u vërtetuan nga një analizë e ADN’së, që u përputh me përshkrimin e dëshmitarit Zogaj. Autopsia e kryer tregon shkakun e vdekjes së këtyre dy viktimave (plagë nga të shtëna të shumëfishta me armë), gjithnjë në përputhje me tregimin Zogajt.

Zogaj tregoi se si e kishte kryer vrasjen edhe të një serbi me një kosë, për çka tregoi dy vendndodhje të mundshme të ekzekutimit dhe varrimit të tij. Në vijim, një zhvarrosje çoi në zbulimin e një varri masiv që përmbante pesë trupa. Në të njëjtin varr, u gjend po ashtu një teh prerës. Autopsia e dy mbetjeve njerëzore, tregoi si shkak të vdekjes “prerje në qafë nga një instrument i mprehtë”.

Dëshmia e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shpërfaqë se si dëshmitari bashkëpunues Zogaj, kishte treguar se i njëjti varr masiv përmbante trupat e katër të burgosurve tjerë serbë të cilët ishin ekzekutuar më të shtëna kallashnikovësh. Zogaj kishte shënuar emrat dhe datat e lindjes së katër personave tashmë trupa të pajetë. Të katër trupat u gjendën në vendndodhjen e treguar dhe identitetet e tyre u konfirmuan përmes analizave të ADN’së. Autopsia tregon se tre prej tyre ishin vrarë nga të shtëna armësh në kokë.

Ish-roja e burgut i siguroi hetuesve edhe dokumente zyrtare me origjinë nga UÇK’ja si gjykimet e gjykatës ushtarake, vendimet disiplinore, listat e të burgosurve, kërkesat me shkrim, datat e burgosjes dhe lirimit të një sërë të burgosurish të ndaluar në burgun e Kleçkës.

Të gjitha këto Zogaj i mbështeste edhe në ditarët e tij.

Aktakuza dhe fillimi i gjykimit

Fundi i gushtit të vitit 2011, gjeti Fatmir Limajn dhe 9 bashkëluftëtarët e tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, para gjykatësit për konfirmimin e aktakuzës.

Prokurori në fillim të gushtit në këtë gjykatë paraqiti aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve, duke i akuzuar të gjithë për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Më parë prokurori kishte kërkuar paraburgim dhe arrest shtëpiak për shumicën nga të pandehurve, pos Fatmir Limaj, i cili deri në atë kohë konsiderohej se kishte imunitet.

Në fund të shtatorit Gjykata Kushtetuese sqaroi çështjen e imunitetit dhe vendimi i gjykatës për personat që gëzojnë imunitet ishte se ata atë e gëzonin vetëm në kohën sa e kryerin detyrën në vendin e tyre të punës, pra vetëm gjatë orarit të punës.

Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese, i dha dritën e gjelbër prokurorit special Maurizio Salustro që të kërkonte arrestin shtëpiak për Fatmir Limajn. Gjykata në bazë të kërkesës së prokurorisë veproi dhe Limajt i caktoi masën e arrestit shtëpiak, duke i kufizuar kështu lirin e lëvizjes dhe komunikimit me persona të tjerë.

Me këtë vendim, gjykata i pamundësoi Limajt që të paraqitej në Kuvendin e Kosovës dhe të merrej me çështje që i takonin si deputet i Kuvendit. Për Limajn kjo ishte e rëndë, pasi që atij ju kufizua lira dhe komunikimin me të gjithë, përjashtim familjarët.

Që në fillim të tetorit i gjithë procesi gjyqësor para se të fillonte përjeton një goditje të rëndë. Në Gjermani gjendet i vetëvrarë dëshmitari bashkëpunues i prokurorisë Agim Zogaj, i njohur për procesin si dëshmitari X.

Tutje konfirmimi i aktakuzës ishte bërë dhe ishte caktuar kolegji i gjykatësve që do të gjykonte çështjen. Përbërje e cila ndryshoi para fillimit të seancave. Burime nga EULEX-i për Gazetën Jeta në Kosovë në atë kohë thanë se kjo ishte bërë për shkaqe personale të kryetarit të kolegjit, meqë ai do ta lente misionin e seanca do të zgjaste.

Ndryshe ishte mendimi i mbrojtësve të pandehurve, të cilët kishin plan që në fillim të seancës së parë të kontestonin përbërjen e kolegjit, kjo pasi që kryetari i kolegjit në një seancë ndër të tjera kishte parashikuar vdekjen e Zogajt.

Ishte 11 nëntori i 2011-së data e fillimit të seancave në Rasti Kleçka.

Të gjithë të pandehurit që në fillim të procesit u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kurse avokati i Limajt, Karim Khan, avokat nga Britania e Madhe i regjistruar në Kosovë vetëm për këtë rast, që në seancën e parë kërkoi shtyrjen e seancave për fundin e muajit shkurt ose fillimin e muajit mars. E gjithë kjo me arsyen që mbrojtjes i duhej më shumë kohë për tu përgatitur dhe se prokurori duhet ti kompletonte të gjitha provat.

Ndërkohë prokurori vazhdonte me hetimin dhe gjykatës e mbrojtjes i sillte deklaratat të dëshmitarëve të cilët i merrte në pyetje në atë kohë. Ndërsa për provat thoshte se ato që kishte i kishte dorëzuar.

Kolegji i caktoi mbrojtjes që me shkrim t’i dorëzojnë kërkesat e tyre lidhur me mungesat që kanë në prova rreth dëshmisë së dëshmitarit X dhe prova të tjera si dhe shkaqet që kërkojnë shtyrje e seancave.

Mbrojtja në këto seanca kërkoi edhe përjashtimin e prokurorit duke e propozuar dëshmitar, por që u refuzua nga kryeprokurorja Speciale e EULEX-it.

Gjykimi vazhdoi tutje me 18 seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku disa nga seancat nuk u mbajtën për shkak të gripit të gjykatëses vendore, sëmundjes së Behlul Limajt dhe kërkesave të mbrojtjes për përgatitje.

Mbrojtja në shumicën e seancave ishte në përbërjen e plotë, ku Limaj kishte dy avokatë dhe tre asistentë ligjorë, ndërsa edhe të pandehurit e tjerë kishin nga dy e një mbrojtës. Gjithsejtë në seanca merrnin pjesë 12 avokatë dhe 3 asistentë ligjorë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...