2012-05-05

Prof.dr.Agim Vinca ,poet i idealit kombëtar...



 Nga Mr.Sci. Flori Bruqi

Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës., ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe. Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit e dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Jeton dhe punon në Prishtinë.


 
  • VEPRAT LETRARE
  • Feniksi /poezi, 1972/
  • Bregu i mallit /poezi, 1975/
  • Në vend të biografisë /poezi, 1977/
  • Aspekte të kritikës sonë /studim, 1977/
  • Qasje /kritikë, 1980/
  • Buzëdrinas /poezi, 1981/
  • Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe /1945-1980/ /monografi historiko-letrare, 1985/
  • Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji /antologji, Sarajevë, 1985/
  • Arna dhe ëndrra /poezi, 1987/
  • Orët e poezisë /kritikë letrare, 1990/
  • Populli i pandalur /publicistikë, 1992/
  • Alternativa letrare shqiptare /kritikë letrare, 1995/
  • Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)
  • Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)
  • Dri' /poezi, përzgjedhje, Tiranë, 1999/
  • Sonet i vetmuar /poezi të vjetra dhe të reja, 2001/
  • Kurs i teorive letrare. Prej antikës deri te postmodernizmi /libër teorik, 2002/
  • Panteoni i ideve letrare /libër teorik, 2003/
  • Fije të pakëputura /sprova letrare dhe kulturore, 2004/
  • Kënga e hapur /antologji e komentuar, 2005/
  • Psalmet e rrënjës /poezi, 2007/ 
  • (Po)etika e fjalës dhe Arti i reagimit./2011/



E kanë vlerësuar si “poet i idealit kombëtar”, “mjeshtër i thjeshtësisë (madhështisë) poetike” dhe se “zëri poetik i tij e ka pasuruar poezinë shqiptare”. E kanë cilësuar si “mik dhe krijues i shquar”, “mjeshtër bindës i shkrimit”, “dijetar dhe profesor i Kosovës”.

Për studimet e tij janë shprehur se ato janë “shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare”, janë kontribut “në ringritjen e institucionit të kritikës” dhe “në realizimin e projektit të Historisë së Letërsisë sonë kombëtare”.
Arti_i_reagimit
Ai është poet, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, pedagog e edukator shembullor, përkthyes, publicist, polemist, drejtues mësimor e shkencor, veprimtar i palodhur politiko-shoqëror.

Për mëse 44 vjet, prof. dr.Agim Vinca kontribuon për promovimin e gjuhës letrare shqipe, arsimit, letërsisë e kulturës mbarëshqiptare; ka marrë pjesë aktive edhe edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90; ka luftuar për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve në Maqedoni, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, me qëllim fitoren e lirive njerëzore e kombëtare.

Një jetë me psalme poetike e kulturore për lirinë e Kosovës. Ato vijojnë ritin e tyre deri në ditët e sotme, kur Kosova martire ndodhet kaq pranë lirisë dhe pavarësisë së ëndërruar në shekuj. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe me Agim  Vincën, për të cilin akademik Rexhep  Qosja shprehet se është “intelektual që jetën dhe punën ia ka kushtuar ardhmërisë së popullit të cilit i takon”.


POETI

Tek Agim Vinca janë shkrirë talenti poetik me racionalitetin e shkencëtarit, studiuesit dhe kritikut të artit. Muzën poetike e ka takuar herët. Ka shkruar e botuar poezitë e para qyshkur ishte nxënës në shkollën e mesme. Në përvjetorin e  datëlindjes së peotit Agim Vinca , bilanci në këtë fushë duket i pasur: tetë vëllime me poezi, disa cikle e poezi të veçanta të botuara në shtypin letrar mbarëshqiptar, përkthime dhe disa antologji të autorëve shqiptarë. Por hijeshia dhe vlera e poezisë së Agim Vincës nuk lidhet kurrsesi me aspekte sasiore e statistikore. 

Poezia e tij është e gjerë (universale) në tematikë, e thellë në mesazhe dhe mjeshtërore në rrafshin stilistikor. Njohja shkencore e prof. dr.Agim Vincës, e përvojave kombëtare e botërore të vargëzimit, ka mundësuar krijimin e një poezie korrekte e fine në rrafshin e teknikave poetike e mjeteve të shprehjes.

Pjesa më e madhe e vargjeve të tij ndjekin mençurisht traditën e vyer të Naim Frashërit , Fan S.Nolit, Lasgush Poradecit  e Milosh Gjergj Nikollës-Migjenit: pra poezitë lexohen/perceptohen njëherazi me sy, vesh, shpirt e zemër. 

Do të mjaftonte vetëm poezia-ese trevargëshe, me titull “Letër Ukshin Hotit në Burgun e Nishit”, për të vërtetuar këtë: “Nuk e kanë vështirë të të burgosin./ As të të vrasin nuk e kanë vështirë./ Vështirë e kanë të të lënë të lirë”.

Atdheu si një tërësi, rrënjët shekullore të tij, vendlindja dhe familja, dashuria njerëzore, lufta për lirinë dhe të vërtetën, priren të jenë obsesionet kryesore tematike të poetit Agim Vinca. 
 Poetika_e_fjales
Tek kjo tematikë universale, ai sheh dhe identifikon idealet humane dhe intelektuale të tij, çka do të dëshironte që kjo të ndodhte në gjithë racën e homosapiensëve, pavarësisht dallimeve fetare, etnike, ekonomike, sociale, kulturore, ngjyrës së lëkurës, gjinisë etj. 

Në këtë kontekst poezia e tij denoncon “ushtarët e apokalipsit” (vdekjes), që vërsulen me thikë ndër dhëmbë e litar në dorë mbi Kosovë. 

Mbi Kosovë a gjetkë, dje apo sot, njëlloj ata ia “pshurrin fytyrën…” dhe “ia punojnë qindin botës”. 

Shumë nga krijimet poetike e letrare të A. Vincës janë përfaqësuar jo vetëm në antologjitë e përgatitura në gjuhën shqipe, por edhe në frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, rusisht, polonisht, turqisht, arabisht.

HISTORIOGRAFI DHE KRITIKU LETRAR

Agim Vinca është krijues dhe interpretues i letërsisë. Jeta e tij nuk mund të kuptohet pa këto dy veprimtari paralele. Siç pohon edhe ai vetë, sprovat e para në këta lëmenj të dijes, i ka pasur nga fundi i viteve ’60. Punimi i parë serioz në fushën e studimeve letrare ishte “Mendimi kritik i M. Kutelit”, tezë magjistrature (1974). “Aspekte të kritikës sonë” (1977) dhe “Qasje” (1980), janë dy librat me analiza dhe kritika letrare, me të cilat Prof.dr.Agim  Vinca prezantohet si një studiues i talentuar i proceseve dhe fenomeneve letrare shqiptare.

Pas një pune të palodhur dhe disavjeçare publikon studimin voluminoz “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”. 

Opinioni intelektual, shkencor, universitar dhe publiku i gjerë vijojnë ta konsiderojnë këtë libër si veprën më të thellë, “më të plotë” dhe “më të rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona”… Mendojmë se kjo vepër meriton vlerësim të veçantë për dy arsye: e para, duke vënë në krahasim metodologjitë dhe praktikat letrare të poezisë shqipe të viteve ‘50 e ’60, Agim Vinca bëhet studiuesi pionier që inicion studimet komparativiste në literaturën shqiptare dhe e dyta, “Struktura…” është vepra e parë historiko-letrare tek ne, në të cilën procesi dhe produkti letrar poetik analizohet posaçërisht në mënyrë unike, mbarëkombëtare, larg fragmentarizimit politiko-shtetëror.

Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi disa analiza, të cilat janë përmbledhur në botimet: “Kurs i teorive letrare” (2002), ribotuar në Shqipëri nën titullin “Panteoni i ideve letrare”, “Fije të pakëputura” (2004) dhe “Kënga e hapur” (2005), antologji e komentuar, e cilësuar si e para e këtij lloji në letërsinë shqipe. 

Ndërsa vepra “Alternativa letrare shqiptare” (Shkup, 1995) e ribotuar më 2005-n, sipas studiuesit kanadez Robert Elsie, “është sinteza e parë shkencore e ideve dhe rymave të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë, veçanërisht e rrjedhave që ishin në kundërshtim me doktrinën zyrtare të pasluftës, realizmin socialist…”.

Në këtë libër, prof. Vinca zbulon për herë të parë në mënyrë të plotë, portretet e dy intelektualëve e shkrimtarëve të panjohur sa duhet më parë, S. Malëshovës dhe disidentit Kasem  Trebeshina, rishqyrton shkrimtarin Ismail Kadare e prozën e tij, në raport me konformizmin politik e disidencën intelektuale (letrare) dhe bën një analizë relativisht të gjerë për Visar  Zhitin e poezinë e tij të shkruar në burgjet komuniste. Sjell gjykime e konkluzione të reja për krijimtarinë e autorëve, Gjegj  Fishta, Luigj  Gurakuqi, Fan S. Noli, Petro  Marko, Sterio  Spasse.

Shtëpia Botuese Librarium Haemus ka nxjerrë kohë më parë në qarkullim vëllimin antologjik të poetit  Agim Vinca, “Urnă vie” (Urnë e gjallë). Botuar në kushte grafike të shkëlqyera, vëllimi përfshin pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Vincës, përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku, shoqëruar me vlerësime kritike dhe me një bio-bibliografi të zgjeruar të poetit.
Prozatorja, poetja, kritikja letrare dhe gazetarja e shquar rumune Iolanda Malamen, në paraqitjen me titull “Ngadhnjimi i dëshmimit”, që i bën Vincës, thekson: “Ndjenja e fuqishme e historisë, sidhe hapësira legjendare në të cilën ajo i ka përkryer si gëzimet, ashtu edhe fatkeqësitë, këqyren me një panjollësi të magjishme në letërsinë shqiptare të djeshme dhe të sotme, letërsi e cila shpall me një energji të shquar të drejtën morale të mbijetimit dhe të njohjes. Përtej guximit të padurueshëm dhe shpesh bezdisës, tani kur hapja kulturore drejt botës na jep të drejtë, të gjithëve, të mësojmë edhe çka na ishte mohuar me egërsi të madhe politike për dhjetëvjetësha me radhë, ka ardhur koha t’i mbarështojmë me gjuhën e duhur vlerat epike dhe lirike, që të mos e lëmë veten të zhgënjehemi nga paragjykime dhe obsesione. 
 
Agim Vinca është njëri nga poetët shqiptarë më të njohur e më të lexuar dhe ja, sot kam para syve një libër me titull paradoksal dhe nxitës: Urnë e gjallë, në përkthimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit Kopi Kyçyku. Është një antologji që përfshin deridiku kronologjikisht krijime duke filluar nga viti 1978 e deri më 2006. Gjallëria himnore me të cilën autori hap zemrën, që nga vjersha e parë deri tek e fundit, me qartësinë dhe emocionin që i japin vokacionin leximit e dhuntinë poetike, mbështetet nga kthjelltësia patetike e botës në lëvizje.
 
Agim Vinca është shtegtuesi i ngarë të përshkojë vise magjike, duke na sjellë ndërmend ngadhnjime të futura në legjendë; shkretime luftërash, por edhe qetësinë familjare duke i dhënë fuqi një dokumentari tejet rigoroz, me të dhëna dhe ndodhì të saktësuara me madhështi. 
 
Është poezia e një intelektuali që vetëzbulohet çast pas çasti, duke raportuar historinë kulturore të botës, në Shqipëri, në atdheun që kuptimëson më epërisht se identiteti shtetëror, jetën e vet”. /A.-Ch.Kyçykuhttp://www.ahaemus.blogspot.com/.
 
Kurse Dr. Ardian Marashi, në “Vinca, ose poeti i permanencave shqiptare”, mes të tjerash, shprehet: “Lexuesin më kërkues, që kërkon nga poezia një shkallë abstraksioni të respektueshme, Vinca e fton në një udhëtim simbolik kah “psalmet e rrënjës”, aty ku në mënyrë të figurshme ngjizen identiteti dhe trajtat e permanencës shqiptare”. Në grykën e këtij vullkani të çuditshëm që rri gjithë kohës zgjuar, poeti hedh ashtu pështjellueshëm dromca jete e ëndrrash, që atypari përzihen e mbruhen me magmën shekullore, për të dalë vrullshëm në sipërfaqe si flakë o si tym. Atëbotë, para këtij spektakli çmeritës, poeti shndërrohet në një “urnë të gjallë”, e cila ushqehet me zjarrin e përbashkët të Ikarit shpresëmadh, të Don Kishotit shpresëmarrë, të Hamletit shpresëbjerrë dhe Faustit shpresëfarkëtues. 
 
Ai vjen e bëhet një vetje simbolike, në të cilën ndërthuret e gjithë problematika e poezisëShqytar i marrë, Ikar pa fletë, / Pakëz Faust, pakëz Hamlet. Të dhëna më të plota mund të gjenden në www.librarium-haemus.blogspot.com. 
 
Ardhja e “Urnës së gjallë” në rumanisht përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe pasuron më tej kolanën “Enkelana” të poezisë së zgjedhur shqipe të Librarium Haemus-it, ku janë botuar tashmë dhe do të botohen në vazhdimësi disa nga zërat më të fuqishëm të poezisë sonë.

VEPRIMTARI ATDHETAR DHE SHOQËROR
Në gjithë veprimtarinë si qytetar dhe patriot, që nga pjesëmarrja në demonstratat e studentëve të vitit 1968 e deri sot, me aktivitetin e tij ka dëshmuar integritet të lartë moral dhe intelektual, kohezion pikëpamjesh dhe veprimesh, ndershmëri profesionale e njerëzore. Pikëpamjet e tij të qarta politike e shoqërore, përkitazi me çështjen e Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtave të njeriut, i ka afishuar dhe mbrojtur qysh në fillim të viteve ’80, në një varg artikujsh publicistikë të botuara në të përkohshmet ish-jugosllave.
Në mars të vitit 1989 nënshkruan “Apelin 215” për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës. Në qershor 1991, A. Vinca ishte një ndër themeluesit e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë nga Maqedonia dhe zgjidhet kryetar. Po atë vit udhëheq mbledhjen për themelimin e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë dhe zgjidhet anëtar i kryesisë së tij. Në jo pak raste, sidomos pas viteve ’89-90, i është dashur të përballojë fushata të ashpra politike e mediatike, në Maqedoni e Kosovë, thirrje nga Sigurimi Shtetëror dhe mbajtje 20 orë në “bisedë informative”, akuza si “nacionalist” dhe “dezinformim i publikut”, largimin nga Fakulteti si “i padenjë për edukimin e brezit të ri”, bastisje të ambienteve familjare dhe konfiskime të shkrimeve personale. Arrestohet në vitin 1996 dhe mbahet 15 ditë në burg, në Prishtinë e Lipjan. Më 1997-n merr pjesë në mbledhjen solemne, që mbahet në selinë e OKB-së në Nju-Jork me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, ku flet për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe bën ftesë për pengimin e katastrofës. Në 1999-2000 emërohet zëvendësministër dhe më pas edhe ministër i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, post i lartë, prej të cilit jep dorëheqje për shkak të mospajtimit me politikat arsimore të ndjekura nga UNMIK-u.
Intelektual idealist, poet i mirënjohur, shkencëtar ekzigjent, pedagog profesionist, pajtues gjaqesh, “dashnor” i gjuhës letrare shqipe, vendlindjes, familjes dhe i çdo pëllëmbe toke shqiptare, patriot dhe europianist; ky është me pak fjalë letërnjoftimi i tij në këtë përvjetor  të datëlindjes së tij.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...