2012-05-05
Enveri
Milazim Kransiqi, një narrator i ashpër, i thjeshtë, në një realitet që reflekton kohën e tij, një shëmbëlltyrë rrëfimi në romanin “Fotografia e kujtimeve”, për të cilin asnjëherë nuk është folur, dhe jo aq gjatë dhe për shkrimtarin.
Në romanin "E kuqja dhe e zeza" të Stendalit, të cilin im vëlla e mbante në fund të arkës së të shoqes, ruhej e fshehur një fotografi e Enver Hoxhës. Atë fotografi im vëlla ma pati treguar një ditë, duke më porositur dhjetëra herë që të mos i thosha askujt se çfarë fshehte ai në fundin e arkës së të shoqes. Nuk e di pse ma pati treguar atë fotografi mu atë ditë vjeshte (shiu nuk prajti tërë ditën e lume dhe ne ishim si të ngujuar në shtëpi). Tash them se mos ka qenë festa jonë kombëtare, 28 nëntori, për të cilën atëherë unë nuk dija asgjë. Nga ana tjetër, nuk e di pse nuk ma kishte treguar atë fotografi edhe më herët dhe pse nuk më kishte treguar se kishte një shtet që e quanin Shqipëri, nga e cila ne ishim të ndarë me dhunë para shumë e shumë vjetësh. Ne ishim shqiptarë si ata, e flisnim të njëjtën gjuhë dhe ishim vëllezër të një gjaku. Por, ne ishim në një shtet tjetër, që e kishte emrin Jugosllavi, e në të cilin nuk ishim krejt të lirë. Im vëlla fliste ngadalë, më një zë disi të dridhshëm dhe më duket se ballin e kishte më të zbehtë se zakonisht. Por, ai fliste pa
u ndalur, duke më shikuar drejt e në sy, me një shikim të butë, sa në çdo çast prisja se do të më përqafonte. Fotografia e Enverit ishin me ngjyra, një ngjyrë e kaftë e çelët dhe në fund ishte firma e tij. Ishte i buzëqeshur me faqe të mbushura dhe me një shikim të tretur në lartësitë që në fotografi nuk dukeshin.
- Si të duket?
- Kush? A, po. Shumë i mirë.
- A është më i mirë se ai topuzi, Titoja?
- A? Ah, po, po. Ky është shqiptar a?
- Shqiptar si ne. Dhe kryetar i shtetit tonë amë.
- A është kryetar i yni?
- Po de.
- Pse nuk është fotografia e tij në klasë?
- Nuk na e lënë. Por, ti mos i trego askujt se e kemi në shtëpi! Mund të kemi probleme me polici.
- Nuk i tregoj askujt.
- Por, ky është kryetari i shqiptarëve, mbaje mend! Dhe mos i trego askujt se e kemi fotografinë e tij në shtëpi, more vesh?
- Po, po.
- Pas njëfarë kohe, im vëlla e mori fotografinë, e futi në librin "E kuqja dhe e zeza", e mbështolli në një rrobë dhe e futi në fund të arkës, duke kënduar me zë të ulët një këngë, ku dalloja vetëm fjalët "Enver Hoxha t'u ngjattë jeta". Pastaj m'i ledhatoi flokët dhe sërish më po-rositi të mos i tregoja askujt për fotografinë që ai e mbante të fshehur.
- Kur të rritesh, do të mësosh më shumë, tash duhet të dish vetëm kaq!- foli im vëlla dhe pastaj iu afrua dritares dhe qëndroi duke e shikuar shiun që nuk prante. Edhe unë shikoja për dritare dhe shikoja në largësi, duke u munduar të lidhja disi mendimet për atë vend që quhej Shqipëri, që ishte atdheu ynë dhe që e kishte atë burrë me faqe të mbushura e me shikim të tretur në lartësi, Enver Hoxhën. Bëja përpjekje të formësoja disi në mendje se si dukej Shqipëria (më e madhe se Shegëza e Shpati bashkë?), se si dukeshin shqiptarët e saj? Figurat që më krijoheshin në mendje ishin të përmasave fantastike, si Muji e Halili, për të cilët nëna na tregonte përralla të gjata netëve të dimrit. A thua do të niseshin ata një ditë si Muji e Halili dhe të vinin te ne e të shporrnin nga fshati ynë Mirko tagrambledhësin dhe ata policët fytyrëzalli, të cilët na trokisnin me derë dhe e kërcënonin babën, se do t'ia merrnin bagëtinë dhe tokën nëse nuk e paguante "porezin". Hajt, hajt se vjen Enver Hoxha dhe ua tregon qejfin, mendoja. Ne fotografinë e tij e kemi në shtëpi, më shpërthente një mendin kryengritës, sa më kapte tmerri se mos më dilte edhe ndonjë fjalë nga goja. Por, ata as që më shikonin mua. Me sy të çartur, me damarë që u dilnin në të dy anët e qafës dhe me nofulla të shtrënguara, kërcënonin babën me fjalë që unë nuk i kuptoja, sepse flisnin në gjuhën e tyre serbe. Pamjet e ngërdheshura dhe të frikshme të Mirkos dhe të policëve të tij i krahasoja me pamjen e Enver Hoxhës nga fotografia, ku ai ishte i qetë dhe me shikim në lartësi dhe ndieja se triumfoja mbi ta. Por, dalëngadalë më krijohej bindja se as Enveri dhe as ata shqiptarët e tjerë të Shqipërisë nuk do të vinin kurrë, si Muji e Halili për të na shpëtuar.
- Fotografia le të rrinte aty në fund të arkës, në romanin e Stendalit "E Kuqja dhe e zeza", që unë të dija se kishte një president shqiptar dhe një Shqipëri, që ishte atdheu ynë i vërtetë, nga i cili na kishin ndarë me dhunë. Edhe pse askujt nuk guxoja t'i tregoja, ajo fotografi më bënte që të mbahesha më të madh para shokëve që nuk i dinin nga ato gjëra të fshehura.
- Edhe sot pas më shumë se tridhjetë vjetësh atë fotografi të Enverit e mbaj në dorë dhe e shikoj gjatë derisa shkruaj këtë tekst. Koha ka lënë gjurmët e veta edhe në fotografinë e tij, sado që tërë kohën ka ndenjur e ruajtur në atë libër dhe në fund të arkës. Por, ngjyrat vërtet janë bërë krejt të zhgjyera, sa mezi dallohen vijat e portretit. Tash di shumë e shumë gjëra për Enver Hoxhën, që nga rrëfimet e miqve të mi që kanë vuajtur ferrin e burgjeve të tij, e deri te literatura e botuar këto vitet e fundit, e cila e tregon Enverin si një diktator - përbindësh. Lexoj ngadalë titujt e kapitujve të librit të Ilir Malindit, duke e ndërprerë leximin me shikime të gjata mbi fotografinë që mbaj në dorë. Komunizmi sllav dhe pansllavizmi i Enver Hoxhës... Enver Hoxha nxjerrë thonjtë e diktatorit...
Përrenj gjaku. Vrasje dhe vetëvrasje... Kthetrat e mprehta të djallit... tentakulat e përbindëshit... Krerët e folesë së djajve... Roja e kryedjallit dhe disa kurdisje të Sigurimit... Epopeja sllave në Shqipëri... Epopeja ruse... Përkrahja e organizatave terroriste... Lufta kundër fesë... Puna e Sigurimit me shqiptarët në Jugosllavi... Vrasja e Mehmet Shehut... Arrestimi i Kadri Hazbiut... Vrasja e djemve të Kosovës... Herë shikoj përmbajtjen e librit herë fotografinë e Enverit, duke ndjerë si më djersitet dora dhe si më rëndohet nga pesha e saj. A thua ka qenë e mundur që të kem adhuruar një njeri të tillë, një krijesë aq monstruoze që ka shkuar aq larg sa e ka mohuar edhe vetë Zotin?!!!
- A e sheh? - i them vëllait.
- Po. Por, ashtu ishte ajo kohë. Ne e kishim një shpresë tek ai.
- Shpresë e kotë kishte qenë. Sa për të, Mirko e policët e tij do të na piqnin në hell.
- Megjithatë, ne e kemi forcuar veten, duke e krijuar iluzionin se e kemi dikë që na mbron, që është i yni. Kështu duhet të shikohet ajo punë.
- Por, kemi qenë të mashtruar, pranoje.
- Të mashtruar prej tij, po. Por, ne jemi mbajtur gjallë me shpresë. Kjo nuk është pak. Pa atë iluzion, ndoshta do të ligështoheshim krejt e nuk do të mund t'i bënim
ballë terrorit.
- Por, edhe ne jemi viktima të tij, pranoje. Jo si ata të Burrelit e Spaçit, por viktima po.
- Im vëlla më shikon me butësi, si atëherë kur ma tregoi për herë të parë fotografinë e Enverit dhe sërish ballin e ka të mbuluar me djersë të ftohta, të cilat i notojnë nëpër rrudhat e thella. Më shumë se tridhjetë vjet nga ajo ditë vjeshte (që mund të ketë qenë dita e festës sonë kombëtare) koha ka gdhendur në ballin e tij edhe formën e pashlyeshme të dëshpërimit.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...