TI MË ISHE NUSE, VESHUR NGA LAVDIA!
O moj Shqiperia ime, zonjë ke pas qënë!
Ku m’i ke ti nuret, ç’mortajë të ka rënë?!
O moj Nënë, Nëna ime plot me halle-derte,
Kush të ka bërë ty, të flasësh ti me vete?!
Krenarinë ku ma ke, që të pati mbuluar?
Përse Ti kështu, lodhur, plakur, e munduar?
Ti më ishe nuse, krejt e veshur nga lavdia;
Përse moj, shtatin ta ka mbështjellë zija?!
Ku m’i ke ti vashat, djemtë si bilbilat?
Ku m’i ke ti këngët e, vallegjeraqinat?
Ku m’i ke ti fushat, me të mbjella, det?
Kthyer si dikur, ato prap janë kënetë!
Pse s’këndojnë traktorët, fushave të tua?
Ç’t’i ka gjetur malet, lumenjtë, a s’më thua?
Ku m’i ke uzinat, kombinatet, hekurudhat?
Nënë, përse fytyra, t’u zhubros nga rrudhat?!
Si qilim qe toka jote, lule plot e qendisur;
Në plehërishte ty sot, të kanë katandisur!
Se ky plehpushteti “yt”, jo, “nuk ka të sharë”!
Ty të mbyt në plehra, ne shpirtin do t’na marrë.
Të shqyejnë e të vjedhin, Ty, moj e gjorë!
Në të zezën humnerë, të fundosin çdo orë.
Mbuluar me plehra, frymën ta kanë marrë;
E, s’na lanë përmbi tokë, as vend për varr!
Nëno! Zjarr e flakë t’i kallen, kodrat edhe malet;
Tash të vdekurit do t’i djegin, dora s’do t’u ndalet!
Përmbi grumbuj plehu, “laraskat” ç’po këndojnë;
Skamnorët nëpër plehra, qajnë edhe vajtojnë!
Ç’është kjo kolerë, që e shkel njerinë e gjorë?
Ç’është ky plehpushtet, që na bëri kudo horë ?
Ç’janë këta plehkatilë, që të vrasin dhe, “të qajnë”?
Ç’janë këta lubij, që me vdekjen, lidh’ të mbajnë?!
Në maje të piramides, plehu na ka hypur;
Heq zvarrë Shqiperinë, gati e ka mbytur!
Na ka ndotur jetën, errësuar na ka dritën;
Pjell kudo krimin e, gjallë e mban frikën!
Por thikë e krimit, prekur na e ka kockën;
Nga ky pleh krim, ta pastrojmë ne Lokën!
Lulekuqet që po rriten, Kombin ta shpëtojnë;
Komb e Shqipe të bashkuar, pastër të jetojnë!
Tiranë, më 24.04.2012
LEGJENDAR, NË LEGJENDA MBETE !
“Ç’ka Kollata që po dridhet ?!
Bajram Curri, i gjallë s’po lidhet !” (populli)
Heu Kollatë, fortesë prej guri,
Merre në gjoks këtë shkëmb prej burri!
Se, kur trimat dinë si vdesin,
Shkëmb mbi shkëmb, si flamur mbesin.
Zemra e Plakut e fortë si guri,
I gjallë s’dorëzohet Bajram Curri!
Pushka e Plakut seç po këndon,
Mbi tradhtinë, kur drejt shënon.
Në lugje të blerta ndër lëndina,
Pushon kënga e cicërima.
Nëpër hone ndalon lumi,
Fort habitet, si qëndron burri!
Ç’ka Valbona,përse s’këndon?!
Zogu i bjeshkës përse ndalon?
Vajtojnë lugjet,thahet bari,
Kur pas shpine vret tradhtari.
Thërret Shkelzeni:-Motër Valbonë!
Mbaje në gji ti birin tonë!
Jo, Lavdia s’ka si vritet!
Flamurflakë, në bjeshkë rritet!
Jo, kurrë nuk vritet zemra e burrit ,
Në atë fortesë, në palcë të gurit!
S’ka si vdes biri i Malësisë;
Katakomb, në roje të lirisë!
Legjendar në legjenda mbete,
Se s’luftove kurrë për vete.
Jetën shkrive për vatan,
Lart qëndron, mbi shkëmb, vigan!
Jeta jote në udhë pat’nisë,
Udha jote drejt pavdeksisë!
Se luftove, Ti, për shqiptari,
Ndjejmë për Ty, ne, krenari!
Seç u ngrite si diell mbi male,
Për Shqiperinë, kur jetën fale!
Jeta jote s’shuhet kurrë,
Se Ty Kombi t’ thërret “Burrë”!
Me TY mburret raca jonë.
-Është shqiptar! -të huajt thonë.
Lart e ngremë me Ty kokën,
Si Ti burra, nderojnë Tokën!
As, kur Diellin ta zënë retë,
S’kanë çfarë t’ bëjnë ty rrufetë.
Se rrufe je, rrufe ndër mote,
Dritë e nder ç’ i jep kësaj toke!
As kur bjeshkët i mbulon bora,
As kur toka mbushet me hora,
As kur jeta rëndon nga pesha,
As kur ecja ndalon në kthesa,
As kur t’ ligjtë mbi ujë dalin,
As kur tund tërmeti malin,
As kur retë të nxijnë qiellin,
S’ mund t’ u vrasin, Ty as Diellin!
Më 26 Mars 2012
S H Q I P T A R I A
Shqiptaria, jo kurrë nuk vdes.
Mban përherë ajo Kombin gjallë.
Vlerë mbi vlera do të mbesë,
Në ballë të shqipes, yll i rrallë!
Lidh’ me të, shekujt i patem;
Me të shkruar është historia.
Shpirtin gjallë, me të e mbajtem,
Jetë pa të, nuk ka Liria!
Asaj fjale s’i matet vlera.
Në çdo zemer çel si pranvera.
Rriten brezat nëpër vite,
Shqiptarinë kanë, për yll drite.
Sa t’më rrjedhë gjaku në dammar,
“O sa mirë, - them, - jam shqiptar”!
Shpirt e zemer kam, shqiptarinë,
Në dritë të syrit kam, Shqiperinë!
Jo nuk shitet shqiptaria!
Kombi ynë ka veç një zemer
“Shqiptar”, është më i bukuri emer.
Kështu, na njeh ne historia!
Komb e fe kem’ shqiptarinë!
Kurrë nuk shiten ato për pare!
Flamur kem’ ne, Kuq e Zinë;
Është e lashtë rraca shqiptare!
Në palë të flamurit shqipen kemi,
Në palcë të shpirtit,shqiptar jemi.
Kem’ shqiponjën me dy kokë,
Shqiptarinë na e njeh kjo Botë!
KULLËQENDRESA E SHQIPTARISȄ
Në atë Prekaz, toka nder buron,
E,me lavdinë në cdo hap takon.
Burra,gra, pleq e fëmijë,
Në zemer të kombit, në përjetësi!
Madhështor, sa më i madhi mal,
Në sytë e mi je ti, Prekaz!
Në ato kulla kanë lind’ veç trima,
Kurrë nuk dinë si kthehet shpina!
Mal mbi mal, Kulla Jashare!
Derdh’ mbi të, vdekja barbare!
Sfidon vdekjen kjo kullë shqiptare,
Në përjetësi është, Himalaje!
Trupi i saj, plot predha i shpuar!
Në këmbë qëndron për të treguar:
Se çmimi i gjakut, i dhënë lirisë,
Ȅshtë: I Kosovës, i shqiptarisë!
Në shtatin tënd, Kullë,sa shumë vrima!
Kthyer në fole i ke, veç për trima!
Në këmbë të rrinë muret mbi prag,
Kanë themelet ushqyer me gjak!
Sa shumë flasin plagët e tua!
Sa shumë jetë, aty u flijua!
Sa shumë ëndrra, aty u vranë!
Sa shumë vdekjet, aty thanë!
Nuk të rrëzoi ty mizoria.
Lart të ngriti, moj ty, lavdia!
S’ta shou dritën ty, histeria.
Me ty ndritet fort, historia!
I flet Kulla krejt botës mbarë;
Kësaj Europës që na pati ndarë:
Shih si vdes biri i shqiptarisë!
Si luan, kundër padrejtësisë!
Jem një komb në zemer të Europës,
Kem një zë, në zërin e Botës.
Në këto troje ne jem të parë!
Diell e Hënë i kem, deshmitarë!
S’mund t’i rrëzojë kush muret tona!
S’na shuan terri i netëve të vona!
I rrit liria bozhuret si gjaku,
Mbi çdo mur, sot krenar bajraku!
Nuk t’u nxinë ty faqet e murit.
Sa shumë faqen ia zbardhe burrit!
Nuk t’u sos, moj ty, jo, qendresa.
Për shqiptari, moj, ti je fortesa!
Përball teje në një lëndinë,
Pranë e pranë, si në llogore rrinë,
Heronjtë e Kombit, në përjetësi,
Në ballë të nderit, me madhështi!
Ti nuk je veç Kulla Jashare;
Je, Kullëqendresa jonë shqiptare!
Plagët e tua, moj, gjak kullojnë
E, zemrat tona, ty gjak të çojnë!
Kështu, në këmbë, rrin shqiptaria!
Kështu, ndër breza, rritet lavdia!
Kështu i flasim ne historisë!
Kështu i bëjmë ballë, çmendurisë!
MOJ KOSOVË, MOJ ZANË DARDANE!
Moj Kosovë , moj zanë dardane;
Sa herë n’tym, zjarr e prush,
E, prap e gjallë nëpër tufane,
Kurrë ligshtuar, jo, s’të pa kush!
Rron e s’vdes jo, rraca e burrit,
Me rrënjë të thella në t’lashtën tokë;
Gjak e besë në palë t’flamurit;
Azem Bejta është gjallë me shokë.
I thërret shqipja zogjtë nga janë:
Bini bijë të tërë të vdesim!
Jem’ një trup, të ndarë s’e lëmë,
Vend e Nder për të gjallë s’i shesim!
Heu, Drenicëkuqja e shqiptarisë;
Për bojë, gjakun ia dhe historisë,
N’log t’betejes, me lule t’rinisë;
N’altar t’nderit, me burra t’lavdisë!
S’ka çka t’bën Ty, jo kurrë, lufta!
Djemtë e tu s’dinë çka është tuta;
I lind nëna e i rrit huta;
N’këngë trimerie i këndon lahuta!
Qendro Kosovë, moj rrufe moti!
I gjallë n’beteja t’vjen Kastrioti!
Bijtë e Shqipes, kurrë s’janë koritë,
Me faqe t’bardhë, n’dritë kanë me t’qitë!
Jo, jo! S’ka vdek’ ende lavdia;
Faqe në faqe e thotë historia!
“Djemtë e tu me dy alltia”,
S’i vret pushka as tradhëtia!
NJË NATË...
Një natë, babai me djalë, në rrugë mbet,
Tek derë e një avllie, ai nis e thërret.
-Cilët jeni ju, o njerëz të mirë?
Degjohet një zë gruaje, si në humbetirë.
-Ku janë burrat, burrat e shtepisë?
-Nën hije të blirit, tek fushë e xhamisë!
Kam mbet’e vetme e jam në merak,
Se hasmi , femijët m’i vret për gjak!
Djali, për krahu kapi të anë,
Sytë e tij, sikur gjaksin panë:
Prapa një murane, me syrin në shenjë,
Po priste e vjetra të vriste të renë!
-A të rrimë, o babë, në roje të shtëpisë?
E degjon brenda jetën, zërin e fëmisë?
S’ka gjë se shkelim kanun e zakon,
Veç kështu jeta, mbi vdekjen fiton!
Kullë e gurtë me plot frengji,
Si burg e ferr, pa dritë e liri,
Rrethohej nga vdekja, vdekja tinzare,
Që dhe tokën vriste, kur i hapte varre!
-Që në kullë, o bir, t’futim dritën, lirinë,
T’hapim dritare duhet, t’mbyllim frengjinë!
Që fëmijët të bëhen burra, pleq të vjetër,
Ta shikojmë jetën, me një shikim tjetër.
S’ka më keq, kur njeriun s’ke si e pret,
Kur n’derë të shtepisë, ai të thërret.
Se shtepia ka ngelë në fëmijë e në gra.
E burrat vriten, gjakun për të la’!
Këtë të keqe, që e patem varrosur,
Dhe një herë të ngrihemi, për ta groposur!
E dyertë t’i hapim, për mikun e jetën,
Se kështu mbrojmë veten e, të vertetën.
O X H A K U
Ti fole, që zjarrin mban në gji;
Kush s’u kënaq, flakëkuq, me ty?!
Tek ti lind zjarri, jo, nuk vdes ai;
Lind aty drita, ne na ndrin në sy.
Ti vatër e zjarrtë, plot ngrohtësi,
Rreth teje mbledh, të lashtat urtësi.
Përkunden kohërat, në driten tënde,
Zjarr e prushi yt, shpirt i një legjende.
Ti fole e zjarrtë, jetën mban në gji;
Flakë e prushëzjarr, që djeg ligësi!
Tek ti, o fole, të zezat netë digjen;
Me tëndin zjarr, oxhak, mendjet tona piqen.
Pranë teje, me urtësinë kuvendojmë.
Pranë teje, ne të ardhmen ëndërrojmë.
Pranë teje, mikun pritem, e nderuam;
Pranë teje, bujarinë, në sofër shtruam.
Ndezur shpirtin, për veten, mikun;
Kthen në hi, të keqen, të ligun.
Ngrohur ke zemrat, ndritur me flakë,
Lexoj në driten tënde, kohërat, oxhak!