Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/02

HOTELI I BEQARËVE



REPORTAZH NGA THERANDA

Ndonëse hoteli i beqarëve ishte ndërtuar për nevojat e punëtoreve të Industrisë Kimike të Gomës në vitin 1976 në Therandë, megjithatë burokracia e kuqe e keqpërdori hotelin për qëllime të pamoralshme, dhe atë pa paguar asnjë metelik, siç thonë kafexhinjtë. Në këtë hotel, tani të ashtuquajtur beqar, nuk flinin punëtorët që vinin nga fshatrat e largëta, sidomos nga fshatrat malore të komunës: as gjatë verës së nxehtë (qoftë me diell, apo me shi), as gjatë dimrit të ftohtë me borë.
Hoteli beqarëve kurrë nuk arrinte të përmbushte normën mujore të shfrytëzimit, sepse ishte shndërruar në "bordele" për nevojat e burokracisë titiste si në komunën e Therandës, ashtu edhe në mbarë Kosovën. Në këtë hotel flinin udhëheqësit e organizatave punuese të ndërmarrjeve anembanë Kosovës me vajza; para se t'ua lëshonin vendimin e punës; flinin “mësimdhënësit” e fakulteteve me “studentet”, para se t’ua mbushnin indeksin e provimeve me nota kaluese; gjithashtu flinin edhe pushtetarët e kuq, siç i quan populli “peshqit e mëdhenj”, për të cilët angazhonin edhe këngëtare për argëtimin e tyre. Konkretisht, flinin seksokratët e mbarë Kosovës. Fjala seksokrat vjen prej fjalës burimore burokrat, që do të thotë njeri, që shpërdoron etikën familjare dhe shoqërore. Kështu me anën e korrupsionit dhe me anën e lavireve demaskoheshin sundimtarët e pushtetit të kalbur të Jugosllavisë së ndytë socialiste dhe vetadministruese. Kur ndonjë femër me kofshe të zbuluara ngjitej shkallëve të hotelit, dukej qartë që gjahu do të jetë i pasur. Shtypi ditor shkruante rregullisht për dhunimin e femrave në vende të ndryshme kapitaliste nga mafia dhe bandat kriminale, por nuk shkruante për dhunimin e femrave nga ana e përfaqësuesve të pushtetit jugosllav.
Prandaj në këtë hotel flinin burrat e moshave të ndryshme, prej moshës rinoshe deri te pensionistët dhe vinin nga vendet e ndryshme të Kosovës. Për nga profesioni ishin kryesisht udhëheqësit e organizatave punuese, shoferë të automjeteve zyrtare, mësimdhënësit e shkollave të mesme dhe të fakulteteve, konkretisht - pushtetarët e kuq prej komitetit komunal deri në parlament. Për nga përqindja pakica ishin beqarë, kurse shumica të martuar dhe atë me fëmijë. Thuhet se koha e kurvërisë në hotelin e beqarëve bëhej zakonisht në stinën e pranverës.


Në apartamentin e drejtorit gjeneral frigoriferi ishte i furnizuar me uiski, me birra, me mish të terur, me vezë, me vaj, me pemë dhe perime të freskëta. Për çdo mëngjes shefi i recepcionit kontrollonte frigoriferin, inspektonte vodkën ruse dhe uiskin amerikan, duke matur me milimetër, meqë drejtori gjeneral ishte ankuar se dikush po i pinte tinëzisht pijet alkoolike, ai e maste shishen me gishta të dorës. Dihet që ushqimi dhe pijet freskuese e alkoolike kanë qenë të paguara nga djersa e klasës punëtore të fabrikës, të cilët në vend të sasisë së mjaftueshme të oksigjenit, në mushkëritë e tyre kishin blozë helmuese të gomës. Ngjashëm porsi minatorët e “Trepçës”, edhe gomistët e Therandës, në pension dilnin me pasoja e me përfundim të gjymtë.
Subjekti i ngjarjes është se pushtetarët nuk kishin harruar vetëm gruan me fëmijët e tyre, por edhe kombin, edhe vendlindjen. Sipas dokumentarit historik flitet se kur hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare në Procesin e Nurembergut në vitin 1946, kishin provuar nëse Rudolf Hesi, përndryshe zëvendës i kancelarit nazist, Adolf Hitler, ishte i sëmurë mendërisht, hetuesit i kishin sjellë fotografinë e bashkëshortes me fëmijë, ndaj politikani nazist kishte qëndruar i ftohtë dhe kishte thënë se nuk i njihte; mirëpo kur ia dhanë fotografinë e Hitlerit, Hesi menjëherë thoshte se ky është “Fyhreri” (kupto: Adolf Hitleri). Prandaj edhe padronët politikë të Kosovës me siguri që nuk i njihnin anëtarët familjes së vet, por e njihnin “Fyhrerin” e tyre - Josip Broz Titon.
Një pastruese e hotelit tregonte se si kishte parë disa udhëheqës partiakë të Komitetit Krahinor të Kosovës, duke luajtur letra kumari mbi barkun e një femre të zhveshur, dhe të bardhë si bora, kështu tregonte ajo. Kumaria luhej me dredhi dhe mashtrime, ngjashëm siç vepronin pushtetarët gjakpirës ndaj klasës punëtore dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës. Loja kishte qenë e tillë, në mënyrë që secili që fitonte pikët, fitonte të drejtën të puthë gjoksin e femrës, po ashtu të zhveshur. Ngjarja të kujton filmin artistik "Unë i dua ushtarët", ku flitet për një grup fashistësh italianë, të cilët kishin zbarkuar në një qytet bregdetar. Tek kapiteni italian paraqitet një femër, e cila kërkon punë. Kur kapiteni e pyeti femrën se ç' profesion kishte, ajo pa ngurrim, duke shkopsitur bluzën në gjoks, tha se është kurvë dhe mund t'i kënaqte ushtarët e tij. Kurvëria është një dukuri e shëmtuar, me anën e së cilës gratë shesin trupin e tyre për të siguruar mjetet e jetesës. kështu quheshin edhe skllavet që shërbenin në bordelet e perandorisë së vjetër romake, më vonë edhe në haremin e sulltanit turk. Edhe pse kapiteni në fillim i kishte këshilluar ushtarët që t'i përmbahen disiplinës ushtarake, megjithatë e shkeli rregulloren, ngjashëm siç vepronin edhe pushtetarët e LKJ-së. Epilogu është se pushtetarët titistë ishin të kallur për një lavire, kurse në pallatet shtetërore hiqeshin si burra fisnikë. Në vitin 1971, kur në Zagreb shpërthyen demonstratat për pavarësinë e Kroacisë, në kafenetë e Beogradit ushtonte slogani ironik i të dehurve “Zhene damo, Jugosllaviju ne damo!” (Gratë i japim, Jugosllavinë s’e japim!), prandaj e njëjta ngjarje po përsëritej në hotelin e kurvave, me që nderi i shtetit vinte mbi nderin e gruas. Duket qartë se kështu po shkërdhehej Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, që rrugën ia hapte fashizmit serbomadh, e cila do ta tronditë mbarë botën me shfrytëzimin e pasurive të Kosovës dhe shtypjen e popullit shqiptar. Padyshim që shovinistët serbë, të kyçur në organet e pushtetit jugosllav, do të inspektonin ndonjë ministër shqiptar, nëse në dhomën e hotelit numër 001 flitej rreth çlirimit të Kosovës nga kolonizimi serb. Prandaj ata (kupto: shovinistët serbë) ishin të qetë, meqë servilët shqiptarë vazhdojnë të jenë besnikë dhe të paluhatshëm ndaj kolonizatorit serb për shtypjen dhe shfrytëzimin e egër të popullit shqiptar.
Në Montekarlo, qytet në Monako, kam parë pallatin e madh të kazinos, atje gjendej banka e lojës dhe luhej bixhoz, disa fitonin, disa humbnin; prandaj këtyre të fundit nuk u mbetej zgjidhje tjetër, pos të bënin vetëvrasje duke u hedhur prej majës së shkëmbit në detin e thellë të Azurit. Flitej se disa prej tyre, kur humbnin pasurinë dhe shtëpinë, në hipotekë futnin edhe nusen, ose bijën e tyre të vetme. Ndryshe me kapitalistët e Montekarlos, që linin peng pasurinë dhe gruan apo bijën, pushtetarët shqipfolës lënin peng popullin e madh shqiptar dhe Kosovën e mjerë përballë fashizmit të egër serb, tani me rroba komuniste. Njëmend Sinan Hasani me shokët e tij kishte luftuar kundër fashizmit gjerman në Luftën e Dytë Botërore (kështu flitej), por tani e puthte neofashizmin serb që ishte më i keq dhe më i tmerrshëm se i pari. Prandaj për inat të Demonstratave të Studentëve Shqiptarë në vitin 1981, që kërkonin Republikën e Kosovës me të drejta të barabarta në federatën jugosllave, puthadori serb botoi librin serbisht dhe shqip “Kosova - të vërtetat dhe mashtrimet”, të cilën ia redaktuan dy kalemxhinj të Kosovës - Nazmi Rrahmani dhe Rrahman Dedaj. Po sikur dy redaktorët e mjerë të redaktonin ndonjë vepër me vlerë shkencore në shërbim të lexuesve shqiptarë dhe jo broçkulla të pushtetarëve shpirtzinj që vepronin në shërbim të kolonizimit serb. Këtu e ka vendin vargu i poetit gjerman, Bertolt Breht, “Të dobëtit nuk luftojnë”, të cilët nuk donin të sakrifikoheshin për të dalë faqebardhë para popullit shqiptar, por vazhduan të ndjekin rrugën e Tito shkjaut, që në Beograd po lindte një përbindësh të ri ultrafashist me emrin - Sllobodan Millosheviq.
Hoteli i beqarëve ka qenë jashtëzakonisht i bukur, sidomos kati i dytë ka qenë luksoz, pajisur me telefon e me televizor, me saksi të mëdha lulesh dhe ishte i rezervuar veçanërisht për nevojat e autoriteteve partiake të pushtetit jugosllav. Prandaj fjetja në dhomat e katit të dytë ka qenë dukshëm më shtrenjtë së në katet e epërme. Të gjithë ata (kupto autoritetet partiake) që flinin në këto dhoma, nuk paguanin fare. Dihet që klasa punëtore e Industrisë Kimike të Gomës "Ballkani" ka qenë "zemërgjere", prandaj ua paguante hotelin vagabondëve të kuqë të hierarkisë titiste. Nëse tërë qyteti nuk kishte ujë të pijshëm, hoteli luksoz i beqarëve kishte jo vetëm ujë të pijshëm, por edhe ujë të ngrohtë për larje në banjë; nëse në tërë qytetin ndërpritej drita elektrike, hotelit me mysafirë nga Komiteti Krahinor i Kosovës i sigurohej drita elektrike; nëse shkolla fillore dhe Qendra e Arsimit të Mesëm nuk kishin ngrohje gjatë dimrit dhe nxënësit - ardhmëria më e bukur e popullit, mërdhinin, përkundrazi hoteli i beqarëve, më falni i kurvave, kishte ngrohjen qendrore me avull. Era e “shlivovicës” të merrte frymën (kështu quhej alkooli që prodhohej prej kumbullës në Serbi), ndërkohë në repartet e fabrikës vinte era kimike e gomës që të nxinte jo vetëm pjesën e jashtme të trupit, por edhe brenda në mushkëri, siç thuhet jashtë zi, brenda edhe më zi, të cilën vetëm mjeku mund t’ia dëgjonte me stetoskop. Në Suedi thuhet se dashuria në punë është e mrekullueshme, por shumë e rrezikshme, sidomos kur është fjalë për punësimin e femrës dhe për notën kaluese në universitet, e tillë është derisa nuk zbulohet, prandaj sapo të zbulohet lindin pasojat, mashkulli sipas pozitës në detyrë menjëherë e humb detyrën dhe mund të dënohet sipas ligjit. Përkundrazi në Kosovë nuk ka ngjarë që shefi i ndërmarrjes apo mësimdhënësi të largohet prej detyrës dhe të dënohet, jo vetëm për nder të detyrës së shenjtë, që të përkujton etikën mjekësore të Hipokratit, por edhe si anëtarë i LKJ-së.
Më kujtohet kur gjyshi im nuk guxonte t'u bërtiste qeve në oborrin e vet, për shkak se fqinji, prefekt i prefekturës në kohën e fashizmit italo-gjerman flinte gjatë ditës në verandë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me kulakët e KSA të Kosovës, ndërkohë që këta “flinin” në hotel, duhej të ndalej muzika e një dasme të fqinjit pranë hotelit. Prandaj edhe sot nuk ka dallim mes Qazim Mulletit në Tiranë dhe Mahmut Bakallit në Prishtinë; nuk ka dallim mes Benedito Musolinit në Romë dhe Ali Shukrisë në Beograd; gjithashtu nuk ka dallim mes Jozef Gebelsit në Raihstagun gjerman dhe Sinan Hasanit në Skupshtinën Fashiste të Jugosllavisë. Shumë udhëheqës të shteteve në botë e donin atdheun e vet dhe e mbronin si sytë e ballit, mirëpo udhëheqësit e lartshënuar nuk e donin atdheun e tyre (lexo Shqiperinë), por e donin Jugosllavinë, që ia kalonte fashizmit gjerman, ashtu siç e kishte dashur Ballaban Pasha Turqinë e padishah Muratit, për të cilin edhe u vra duke luftuar kundër kryetrimit tonë - Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Jehona e hotelit të beqarëve u përhap shumë shpejt, prandaj në këtë hotel vinin edhe disa “mësimdhënës” të Universitetit të Prishtinës së bashku me studentet e tyre. Këtu bëhej provimi i mjaltit të poshtërsisë, që do të thotë shkatërrimi i etikës dhe moralit të pedagogjisë, i dinjitetit universitar, i familjes dhe kombit shqiptar, njëkohëshishte shkileshin të drejtat e njeriur. Sipas të dhënave statistikore tregohej se hoteli në muajin qershor ishte më i ngarkuar me bujtës. Në kohën, kur penelopat shqiptare me besnikëri pritnin burrat e tyre trima të burgosur për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb, seksokratët lodronin me kurva nëpër hotelet e Kosovës. Pushtetarëve të pafytyrë nuk brengoseshin për gjendjen e vështirë të Kosovës dhe popullit shqiptar; nuk u interesonte emancipimi i femrës shqiptare, që do ishte hallka e përparimit të kombit shqiptar, sepse ishin të vendosur të shkonin drejt shkatërrimit të identitetit kombëtar, të cilët i shpërblente dhe i nderonte Lidhja Komuniste e Jugosllavisë serboçetnike. Prandaj sa më keq që vepronin sundimtarët politikë në dëm të Kosovës, aq më mirë bëhej për Serbinë kolonizatore. Natyrisht që edhe në hotelet e qyteteve serbe bëheshin lojëra të pista me gra të shthurura moralisht, mirëpo Serbia ishte pushtuese, kurse Kosovës i duhej emancipimi i popullit shqiptar dhe çlirimi i përgjithshëm kombëtar nga prangat e robërisë jugosllave. Ngjarja të kujton pikturën alegorike “Paniku” të piktorit të madh spanjoll, Francisko de Goja, në të cilën një ogur i madh me anën e reve udhëton prapa bjeshkëve; ndërkohë që njerëzit dhe kafshët nga frika marrin arratinë, vetëm një gomar dhe disa mëzetër të ngurosur nuk luajnë vendit, që nënkupton se nuk e shihnin rrezikun e armikut që do ta sulmojë vendin. Prandaj edhe Kosova kishte gomarë e mëzetër të shkretë, që nuk donin t’ia dinin për pasojat e sulmit nga pushtuesi gjakatar serb më i keq se turku, se gjermani, se italiani dhe se bullgari. Në vendin e shqiponjave (lexo: Shqiperia Etnike) kemi shembuj vetëmohues te trimave, kur për nder të mbrojtjes së atdheut nga pushtuesi turk dhe serb, trimat shqiptarë para nuseve të veta nuk pranonin të hiqnin armët prej brezit.
Një mësimdhënës, servil, i universitetit kishte shkuar edhe më larg, hotelistit i kishte thënë komplimentin përulës: "Ju duhet t'ia lani këmbët drejtorit dhe t'ia pini ujët." U mor vesh se përkëdhelja e mësimdhënësit të mjerë vinte si rrjedhim i fjetjes me studenten në hotel, që ia kishte marrë nderin. Siç dihet, Bajram Bytyqi një kohë të gjatë ka qenë drejtor gjeneral i fabrikës "Ballkani", shtëpia e tij me çati prej bakri është ndërtuar me djersën e punëtorëve të industrisë së gomës, ndodhej pranë qendrës së studentëve në Prishtinë, dhe shkëlqente: si ditën nga rrezet e diellit, ashtu edhe natën nga dritat e neonit në bulevard. Gjithashtu, sipas traditës borgjeze të vetadministrimit jugosllav, kishte vilën në bjeshkën e Sharrit - në Brezovicën piktoreske, atje ku i kishin edhe pushtetarët e kobshëm titistë. Ndryshe me komplimentin e profesorit të pamoralshëm me studenten e gjorë qafëgastare, një fshatar e kishte kritikuar hotelistin, duke i thënë se në këtë hotel po prishen çikat shqiptare, kurse hotelisti ia kishte kthyer se më mirë çikat të prishen brenda në hotel, se të lodrojnë nëpër male dhe t'i shqyejnë bishat. Kritika e fshatarit më përkujtoi dy vajza irlandeze, Anne Bonney dhe Mary Read që kishin qenë pirate të famshme në historinë e femrave irlandeze në shek. XVII-të. Këto vajza kishin kuptuar se si djalë më lehtë mund të gjenin punë te të pasurit. Kështu një ditë detarët me anije kërkonin piratë, ndaj këto dy vajza të veshura si burrë u pranuan në pirateri. Po të dinin detarët që janë femra, nuk do t’i pranonin, jo vetëm që pirateria ishte e vështirë për femra, por sepse në atë kohë besohej se prania e femrave në anije mund t’u sillte fatkeqësi detarëve. Dallimi është se derisa vajzat irlandeze ishin të detyruara të bënin punën e piraterisë për shkaqe ekonomike, studentet shqiptare përdhoseshin për një notë kaluese në universitet.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...