KOPI KYÇYKU,është doktor i shkencave, inxhinier, akademik, gazetar, eseist, profesor i gjuhës italiane dhe i historisë së Ballkanit, lindur në Pogradec më 1943, ka mbaruar fakultetet Gjeologji-Miniera dhe Histori-Filologji (degët gjuhë-letërsi dhr histori-gjeografi), profesor në universitetet e Tiranës e të Bukureshtit, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (qysh më 1967), autor i shumë vëllimeve me poezi, tregime, drama, pamflete, artikuj kritikë për letërsinë e artet, sidhe studimesh shkencore; përkthyes i mjaft veprash letrare, historike dhe gjeologjike nga disa gjuhë, në shqip, rumanisht dhe italisht. Laureat i Medaljes “Mihai Eminescu”, akorduar me Dekretin e Presidentit të Republikës së Moldavisë (2012). Është anëtar themelues i Fondacionit Evropian “Nikolae Titulesku”, anëtar themelues dhe anëtar i Komitetit Drejtues Ndërkombëtar i Qëndrës Evropiane të Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë Rumune, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës Qëndrore, anëtar titullar i Akademisë Evropiane të Arteve (Belgjikë), anëtar i Këshillit të Nderit të European Academy of Performing Arts, Kavalier i Shën Silvestrit Papë, anëtar i Shoqatës së Ballkanistikës dhe të Sllavistikës, anëtar titullar dhe anëtar nderi i shumë akademive dhe forumeve shkencore ndërkombëtare, president themelues i Fondacionit “Simpatizantët e Ataturkut” dhe i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Haemus” e themelues dhe bashkëdrejtues i revistës dygjuhëshe evropiane me të njëjtin emër (në shqip e në rumanisht), që del në Bukuresht qysh nga viti 1998, themelues dhe botues i revistës “The Eastern European Messenger”, që botohet në Londër, në gjuhën angleze etj. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe simpoziume shkencore, të organizuara në shumë vende të botës dhe ka dhënë mësim, si profesor i ftuar, në universitete të Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke u nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprimtarinë shkencore-didaktike dhe për përkthime. Është zgjedhur zëvendëspresident në të pesëmbëdhjetë edicionet e Kongresit Ndërkombëtar të Botës Shpirtërore Rumune. Në lëmin e historisë ka shkruar dhe ka botuar në shqip, rumanisht dhe italisht një numur të madh monografish, ndër të cilat: „Mustafa Qemal Ataturku”, „Turqia e Pasluftës (1945-1985)”, „Kryengritja e armatosur e Ilindenit, Maqedoni (1903), „Marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve”, „Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, “Arumunët në optikën shqiptaro-rumune”, “Historia e Shqipërisë”, „Pater - Emil Conduraqi”, „Historia e Maqedonisë”, „Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë”, „Histori e shkurtër e Azerbaixhanit”, „Algjeria - e kaluara dhe e sotmja”, “Zinxhiri i anktheve - radiografi e çiltër për vete dhe për të tjerë”, “Hajdar Alijev - një Ataturk i epokës sonë”, “Me pushkë dhe penë - Hristo Botev”, “Historia e Teatrit Botëror” (tre vëllime), “Mes strehësh e trandjesh”, “Dy Evropa - një divorc intelektual?” (bashkautor Razvan Theodoresku), “Udha drejt përkryerjes” (bashkautor Horia Nestoresku-Balçesht), “Një evropian i madh” (bashkautor Zoe Petre) etj. Është autor i tekstit universitar “Stilistika e gjuhës italiane”
Mbi supe
Vdekje e përkryer...
Si nuk e shihja, vallë?
Tingujt e dëborës
Kopi Kyçyku: Vargje
Mbi supe
Mbi supe mbart një zog, që flatrat rreh,
Nga fjalët më jan' bërë buzët gjak,
Si vdekja, dashuria kosën mpreh
Mbi ndjenjat që i vret, ose merr hak.
Vdekje e përkryer...
Edhe në qofsh prej guri, granit apo beton,
Kalon koha ngadalë, shkujdesur, me durim,
Me dhëmbët aq të mprehtë sikur të ledhaton,
Gjersa të shndrron në rërë prej plazhi plot shkëlqim.
Të vraka edhe drita, të vraka edhe terri,
Të vraka helmi, gazi, trishtimi dhe mërzia,
Të vraka thjesht vështrimi, dhe puthja erë ferri,
Por vdekja e përkryer vjen veç nga dashuria.
Si nuk e shihja, vallë?
Çuditem me vetveten: si nuk e shihja, vallë,
Si dimri vjen rënduar, me hënë të venitur,
Njëlloj si ai plaku me dhembje në dhëmballë,
Dentistin me rënkime te pragu duke pritur?
Habitem me vetveten: si nuk e kisha parë
Si dimri vjen mendueshëm, me pamjen e trishtuar
Të djalit çehrezbehur, përlotur, zemërvrarë
Nga ndjenja e kulluar, e thellë, por e dështuar?
Po grindem me vetveten: si nuk e kisha parë,
Si dimri vjen në pyje, me gjethe kalbur bore,
Që një drenushë e ndrojtur, në ar e argjend larë,
U merr erë tek dridhet si vetë gjethet prore?
Në sqep i mbiu...
(Në frymë popullore)
Kur u kthye me ushqim për të vegjlit zogu - at, i ziu,
Folenë e gjeti bosh, pa zogj, të shkretë, pa jetë,
Kërkoi por nuk i gjeti, iu thinjën pendët krejt,
Dhe fara, më në fund, në sqep atij i mbiu.
Tingujt e dëborës
(Kujtim i trishtë)
Në parvaz të dritares
dhe në pragun e jetës,
tingujt e dëborës
këtu, në vendlindje
më jehojnë në vesh
prej shumë vitesh.
Hije të shtënash pushke,
të mbetura diku,
si era e ngrirë
në degët e janarit -
akull në vena.
Në zemrën e ëndrrës së bardhë
një tingull prej vitesh nxihet.
Floripress, 24 prill 2016
Floripress, 24 prill 2016