2016-04-26

Rrëfimi i ushtarit Derek Maude “Degga”,16 vjeçar britanik që luftoi në Kosovë




Rrëfimi i ushtarit 16 vjeçar britanik që luftoi  në Kosovë (Video)
Një ish pjesëtar i Green Howard i njohur ndryshe edhe si regjimenti i Yorkshire i Britanisë së Madhe i cili ishte ushtari më i ri me shërbim në Kosovë ka rrëfyer për mediat britanike se si ushtria ia ndryshoi jetën.
Derek Maude “Degga”, 34 vjeçar, nga Roseworth, Stockton të Anglisë, ishte vetëm 16 vjeçar dhe sapo kishte përfunduar shkollën kur ishte dërguar të luftojë në Obiliq, në luftën e Kosovës të vitit 1999.
Fillimisht ishte planifikuar që ai të dërgohej në një mision paqeruajtës në Irlandën Veriore, mirëpo kishte marrë vlerësimin që ishte shumë i ri , gjë që nuk e ndaloi dërgimin e tij në një zonë lufte, shkruan portali britanik gazettelive.co.uk.
“Para se t`i bashkohesha ushtrisë isha i humbur në jetë, duke u futur në telashe shumë shpesh dhe duke u shoqëruar me persona të gabuar” ka deklaruar Derek, baba i tre fëmijëve.
“Ikja nga shkolla dhe shoqërohesha me persona më të moshuar të cilët më fusnin në telashe. Kuptova që duhej të disiplinoja veten dhe vendosa që t`i bashkohesha ushtrisë; isha vetëm 16 vjeç i sapodal nga shkolla”.
“Ishte e çuditshme që ushtria nuk më lejoi të shkoja në misionin paqeruajtës në Irlandën Veriore, megjithatë ishin shumë të lumtur të më dërgonin në Kosovë. Nëna ime ka firmosur pëlqimin që unë të shkoj në luftë”, ka rrëfyer ai.
Në pesë javët e para, Derek ishte i vendosur në Maqedoni, e më pas kaloi kufirin për në Kosovë ku ishte i vendosur për gjashtë muajt e ardhshëm.
“Ishte shumë e rrezikshme, kishte periudha ku bënim kërkim nëpër shtëpi dhe kishte të shtëna – ishte shumë e vështirë për disa kohë. Kam parë gjëra të tmerrshme të cilat nuk do t`i harroj kurrë megjithatë e dija që ishte pjesë e punës”.
“Isha i vetëdijshëm që kam qenë ushtari më i ri atje mirëpo të gjithë më kanë trajtuar me respekt dhe kam bërë miq të jetës aty. Në përgjithësi e kam dashur ushtrinë dhe e kam dashur ndjenjën që ma ka ofruar”.
Derek ka qëndruar katër vite në ushtri, që e ka lënë për t`u martuar dhe tani ka një profesion tjetër.
Pasi që ka parë një fotografi të tijën në një artikull sa i përket Green Howards, në Maqedoni, ai vendosi të kontaktojë shokët e tij të ushtrisë.
“Kam mbajtur lidhje me disa nga shokët të vendlindjes mirëpo me shumicën prej tyre kemi humbur kontaktet. Pasi që pashë artikullin dhe fotografitë në “The Gazette”, filluan të më kujtoheshin emrat. Përmes Facebook kam kontaktuar me të gjithë shokët nga ajo kohë dhe kemi vendosur që të takohemi së shpejti”, ka thënë ai.
“Dy prej tyre janë ende në shërbim, dhe disa të tjerë janë larguar mirëpo do të jetë shumë mirë të takohemi sërish”.
Për më shumë ai ka shtuar.
“Do të doja që qëndrimi im në ushtri të ishte më i gjatë ngaqë më ka ndryshuar pozitivisht. Nëse ka të rinj që kanë humbur rrugën në jetë, do t’ju rekomandoja qe t`i bashkohen ushtrisë ose rezervave ushtarake. Më ka bërë ky që jam sot”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...