Nuk ka dyshim se qeveria aktuale e Kosovës ka bërë gabime të shumta në skenën e brendshme politike po aq sa edhe në atë të jashtme. Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim se zyrtarët udhëheqës në Prishtinë janë përkujdesur deri më tash vetëm për interesat e tyre personale dhe i kanë harruar krejtësisht interesat e qytetarëve tanë.
Një ndër gabimet më të mëdha së fundi është edhe aprovimi në mënyrë të verbër i Gjykatës Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë, e cila ekskluzivisht do të merret vetëm me pretendimet për krime lufte të shqiptarëve duke injoruar krejtësisht gjenocidin e ndërmarrjes kriminale të Serbia gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998/99.
Shumica qeverisëse në Kosovë përmes këtij aprovimi dhe liderët aktualë të Kosovës janë përkujdesur për fatet e tyre personale duke shpresuar se do të falen nga gjykata përmes, siç shumëkush në Kosovë beson marrëveshjeve të heshtura me perëndimorët për pozita të reja në shkëmbim të pranimit të krijimit të gjykatës. Me gjasë, jo vetëm të gjykatës, por edhe të marrëveshjeve të dëmshme të vitit 2013 e 2015 me Serbinë, përfshirë edhe Demarkacionin me Malin e Zi. Marrëveshje që u konstatua nga Gjykata Kushtetuese, se ishin shkelur 23 nene te Kushtetutës ose binin ndesh me frymën e saj..
Arsyeja që po shkruaj nuk ka të bëjë për t’i krijuar pengesa funksionimit të kësaj gjykate. çështja thelbësore është nevoja për të përmirësuar gabimin e bërë me formën e saj dhe që ajo të merret edhe me krimet e luftës të bëra në Kosovë nga regjimi i Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit. Shumë nga ata që janë përgjegjës për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës gjenden të lirë në Serbi dhe madje janë të përfshirë në jetën politike atje po ashtu. Kjo gjykatë në formën aktuale të saj është diskriminuese. Asnjë standard ndërkombëtar i drejtësisë nuk është respektuar kur janë marrë vendimet për formimin e saj.
Gjykata Speciale nuk po formohet për t’u marrë me të gjitha krimet e bëra në Kosovë. Ajo po krijohet për t’u marrë vetëm me pretendimet për krimet e kryera vetëm të njërës palë, asaj të UÇK-së. Kjo është thjeshtë një drejtësi selektive dhe krejtësisht e turpshme. Krimet nuk kanë etni, as komb, as racë e as fe. Krimi është krim ose nuk është fare.
No comments:
Post a Comment