Zyrtarë të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara thanë se ka një tendencë shqetësuese të rritjes së rasteve me koronavirus.
Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, tha përpara një komiteti të Kongresit amerikan se javët e ardhshme “do të jenë kritike” për të frenuar numrin e të infektuarve.
Ai tha se Teksasi, Arizona, Florida dhe shtete të tjera janë “probleme serioze”.
Numri ditor i rasteve të reja në SHBA aktualisht qëndron në rreth 30,000, pasi më herët ka rënë në rreth 20,000.
”Kjo është shumë shqetësuese për mua”, tha Fauci, duke iu bërë thirrje njerëzve që t’i shmangin turmat dhe të vendosin maska.
Shtetet e Bashkuara “janë ende në mes të valës së parë” të sëmundjes, tha ai.
Autoritetet në SHBA kanë konfirmuar mbi 2.3 milionë raste me koronavirus dhe mbi 121,000 viktima – më së shumti në botë.
Në aspektin global, numri i të infektuarve ka arritur në mbi 9.2 milionë. Prej tyre, mbi 4.6 milionë janë shëruar dhe mbi 477,000 kanë vdekur.
Ekspertët e shëndetit thonë se koronavirusi nuk ka gjasa të mposhtet derisa të zhvillohet vaksina.
Fauci tha se është “optimist i kujdesshëm” se disa vaksina mund të jenë në dispozicion në fund të vitit.
****
Mjekët britanikë paralajmërojnë politikanët: Kujdes nga vala e dytë e koronavirusit
Mjekët britanikë kanë paralajmëruar politikanët të bëjnë kujdes më të shtuar kur bëhet fjalë për COVID-19.
Në Britaninë e Madhe kanë nisur lehtësimet e masave, derisa mjekët thonë se vala e dytë e koronavirusit është edhe më e rrezikshme, raporton Reuters.
“Ndonëse e ardhmja e pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar është vështirë të parashikohet, provat që i kemi tregojnë se vala e dytë e koronavirusit është një rrezik i madh”, thuhet në letrën e disa mjekëve drejtuar politikanëve, transmeton KOHA.
Kryeministri Boris Johnson tha të martën se do të lehtësohen dukshëm masat e kufizimeve që u vendosën për të parandaluar koronavirusin, duke thënë se kjo po bëhet e mundur për shkak të rënies së numrit të infektimeve dhe se besohet që tash për tash nuk ka rrezik të një vale të dytë. Restorantet, hotelet dhe parukeritë mund të rihapen më 4 korrik në Britani të Madhe, kur edhe do të lehtësohen masat e distancimit fizik. Sallat e teatrit, kinematë, libraritë, muzetë, parqet dhe kopshtet zoologjike, janë në mesin e bizneseve që mund të rihapen.
Britania e Madhe ka një nga numrat më të rëndë të vdekjeve nga koronavirusi në botë. Deri tash, kanë vdekur mbi 43,000 persona.
Mjekët kërkuan një rishikim të asaj që duhet të bëhet për të parandaluar një valë të dytë të rasteve të COVID-19.