Autor i shumë veprave letrare e publicistike, por edhe fushash tjera, që kanë zgjuar interesimin e lexuesit por që kanë ngritur në shumë raste edhe reagime, polemika,kritika nga më të ndryshmet e nga më të ashprat, nëpër faqet e shtypit të kohës, etj, Flori Bruqi vjen para lexuesit sërish me një vepër të re, sa të çmuar, sa të lexuar, por edhe mjaft interesante për lëndën që përmban ky libër.
Siç veçon redaktori i librit, poeti ynë i mirënjohur Nehat S. Hoxha, se:"Poeti i frymëzimeve të "Zjarrit të diellit",1995,me një guxim dhe përpjekje të ngulmët flak dashurinë për poezinë dhe i rreket zbardhjes së çështjes kombëtare në Kosovë nëpërmjet diturish të nduarduarshme, të spikatura për ndodhjet e situatat aq të ndërlikuara të shekullit të tretur dhe të këtij qindvjeçari.", Flori Bruqi me librin "Guxim shqiptar" spikat të na ofrojë një vepër interesante me një gamë të gjerë interesimesh të tija, e cila e bën kureshtar secilin lexues që do ta ketë në duar, ta lexojë deri në fund me një frymë dhe "të pasurohet" me leximin e saj.
Derisa recensenti, Akademik Prof. Dr. Namik Shehu, për librin "Guxim shqiptar" do të shprehet:".përbën në vetvete një vlerësim special dhe një gjetje shumë të goditur të autorit,shprehur në mënyrë simbolike, që i lejon çdo patrioti shqiptar, me ndjenjë atdhedashurie,të zgjojë dhe të ringjallë tek ai:kombin (etnik) shqiptar, popullin e lashtë pellazgjiko-iliriko-shqiptar.", autori i librit Flori Bruqi, ia ka arritur qëllimit në sajimin e një vepre me interes për publicistikën tonë, mbase edhe për shkencën shqiptare përgjithësisht.
Do të përmendnim këtu, sidomos vështrimet si Beteja e Kosovës (1389) dhe kontributi i shqiptarëve; Napoleon Bonaparta dhe shqiptarët; Hero në luftë - hero në paqe, Ramush Haradinaj; Ramushi - viktimë e situatës (neo)koloniale; Jakov Milaj dhe raca shqiptare; Arvanitasit,Camëria,Epiri i Veriut dhe gjendja sot; Kush janë agjentët me influencë në Kosovë, dhe mjaft artikuj tjerë interesimesh e lëmenjsh të ndryshëm.
(Naim Kelmendi është shkrimtar dhe gazetar nga Prishtina)