Ministrja e Punëve të Jashtme vihet në levizje për hapjen e Aeroportit, i shkruan Hotit, Zemajt e Abrashit
Aeroporti i Prishtinës ka disa ditë që njofton në vazhdimësi se fluturimet ende mbesin të bllokuara deri në një vendim të qeverisë.
Një situatë e tillë ka shkaktuar shumë pakënaqësi tek shumë bashkëatdhetarë e kosovarë që shkaku i pandemisë kanë mbetur të bllokuar në shtete të ndryshme. Madje disave u kanë skaduar edhe lejet e qëndrimit.
Lidhur me këtë problematikë para pak minutash ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka treguar se ka marrë shumë mesazhe dhe ankesa për mos hapjen e aeroportit.
Ajo ka thënë se i ka drejtuar shkresë zyrtare kryeministrit Prof.dr.Avdullah Hoti dhe ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe ministrit Armend Zemaj për të shikuar mundësinë e hapjes së aeroportit të Prishtinës, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e OBSH-së.
Reagimi i plotë i Ministres Haradinaj-Stublla:
Me qindra mesazhe dhe telefonata nga diaspora jonë kanë ardhur këto ditë në adresën time dhe të MPJD-së, me kërkesën për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
I mirëkuptoj të gjitha këto shqetësime, veçmas për shkak të anulimeve të vazhdueshme të avio-biletave, koston e madhe financiare dhe pasigurinë nga gjendja e krijuar.
Po për këtë temë, në mëngjesin e sotëm i kam dërguar shkresë zyrtare Kryeministrit Hoti, Ministrave Zemaj dhe Abrashi, që të shohin të gjitha mundësitë që sa më parë të hapin Aeroportin e Prishtinës dhe t’i lejojnë fluturimet, gjithmonë duke respektuar dhe ndjekur udhëzimet e IKSHP-së dhe OBSH-së.
Do të kërkojmë zgjidhje të përshtatshme dhe të sigurtë për bashkëqytetarët tanë dhe për rikthimin në punë të Aeroportit të Prishtinës sa më parë të jetë e mundur.
Kush ështe Meliza Haradinaj ?
Ka kryer studimet bachelor në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), në drejtimin politika publike.
Studimet postdiplomatike, Haradinaj i kreu në Universitetin e Oxfortit, përmes bursës së qeverisë britanike, në drejtimin Diplomaci.
Pas përfundimit të studimeve, ajo u rikthye në Kosovë për t’i shërbyer vendit.
Ajo u zgjodh asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë vitit 2009-2013, ndërkaq më vonë themeloi edhe Institutin Kosovar për Diplomaci, organizatë kjo për avancimin e interesit shtetëror të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare.
Meliza është pjesë e kryesisë së AAK-së, ndërkaq edhe pse mbanë mbiemrin Haradinaj, ajo nuk ka asnjë lidhje gjaku me kryeministrit e Kosovës. Meliza është e martuar dhe ka dy fëmijë.