PËRSHENDETJA E AMBASADORES SË RSH-SË, ZNJ. ELIDA PETOSHATI ME RASTIN E PESËVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Ottawa, Shkëlqesia e Saj, Znj. Elida Petoshati
Bashkëkombas dhe miq të dashur,
Të dashur motra dhe vëllezër,
Me anë të kësaj përshëndetjeje, dëshiroj t’ju uroj nga zemra “Gëzuar Përvjetorin e Pestë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”!
17 shkurti 2008 do të mbetet një ditë e shënuar në historinë kombëtare të shqiptarëve, që mbylli kapitullin e hidhur të genocidit më të egër dhe politikës së spastrimit etnik të ushtruar prej një shekulli mbi një pjesë të rëndësishme të trungut të kombit tonë që nga Serbia e Karagjeorgjeviçit e deri në fundshekullin e kaluar të Serbisë së xhelatit Milosheviç.
17 shkurti 2008 do të mbetet një ditë e shënuar edhe për historinë e rajonit, i cili pas njëqind vjetësh është një hapësirë më e paqtë, më e sigurtë dhe më demokratike, sepse më në fund me pavarësimin e Kosovës i është dhënë një zgjidhje çështjes shqiptare në Ballkan.
Prandaj kjo datë na bën të ndjehemi thellësisht krenarë pasi gjaku dhe sakrifica e pashembullt e shqiptarëve të Kosovës, përveçse mbeten në altarin e përjetshëm të kujtesës sonë kombëtare, u shpërblyen më në fund me ëndrrën më të madhe të brezave për ta parë Kosovën të lirë dhe të mëvehtësuar.
Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar modelin e një shteti tërësisht demokratik, i ndërtuar mbi themelet e bashkëjetesës multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, siç edhe sanksionohet në Kushtetutën e saj të standarteve më të mira europiane. Sot ajo ka fituar një dinjitet të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare, e njohur tashmë nga 98 shtete, ndërsa Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë njohu përfundimisht legjitimitetin e aktit të pavarësisë.
Sot qytetarët e Kosovës kanë përditë e më shumë motive për të përjetuar e gëzuar shijen e lirisë. Në sajë të maturisë së politikanëve të vet, procesi i pavarësisë së mbikqyrur është përmbyllur dhe po shkohet gradualisht drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë. Tashmë Kosova është orientuar pa kthim drejt perspektivës euro-atlantike. Shqipëria është thellësisht e angazhuar për avancimin e këtij procesi, që u bashkangjitet përpjekjeve të parreshtura të diplomacisë shqiptare për nxitjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës, por edhe shtimit të numrit të njohjeve, që do t’i sigurojnë asaj vendin e merituar në familjen e Kombeve të Bashkuara.
Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qytetarët e saj kudo ku ndodhen kanë rastin të përkujtojnë e përshëndesin vendet mike e aleate që nuk toleruan nëpërkëmbjen flagrante të të drejtave të njeriut dhe ndërhynë për të mbështetur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat e popullit kosovar për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë një prej padrejtësive më të mëdha historike në rajonin tonë.
Kjo mirënjohje i drejtohet sot natyrshëm edhe Kanadasë, si një nga vendet më të rëndësishme të aksit euro-atlantik, e cila luajti një rol substancial për përfundimin e konfliktit të përgjakshëm që çoi në çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe, por edhe për lehtësimin e efekteve të krizës humanitare të pranverës së vitit 1999. Ne shqiptarët kujtojmë e jemi mirënjohës se ajo u rendit, gjithashtu, ndër vendet e para që njohën pavarësinë dhe pritën me bujari e solidaritet të lartë njerëzor një komunitet të konsiderueshëm nga shqiptarët e Kosovës, duke u lejuar të jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm si qytetarë të denjë e plotësisht të integruar në shoqërinë kanadeze. Në këtë kontekst, ka vend për t’u përshëndetur vullneti i palës kanadeze për të forcuar marrëdhëniet me shtetin e ri të Kosovës, që u evidentua edhe gjatë vizitës së Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, në Kanada, në tetorin e vitit 2011, vizitën e Ministrit të Diasporës, z. Ibrahim Makolli në vjeshtën e kaluar, si dhe mesazhet e ngrohta të Guvernatorit të Përgjithshëm Johnston për Presidenten Jahjaga.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Përvjetori i Pestë i Pavarësisë së Republikës së Kosovës përkon me një tjetër ngjarje të lumtur për mbarë shqiptarët kudo që ndodhen, 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, ditën e flamurit kuq e zi të Ismail Qemalit e Isa Boletinit, për të cilin u flijuan ndër breza gjithë bashkëkombasit e trevave shqiptare, pa asnjë dallim. Me pavarësimin e Kosovës, shqiptarët e festuan 100 Vjetorin si një komb i lirë.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë, e cila ka qenë gjithëherë krah diasporës së mrekullueshme të shqiptarëve të Kanadasë nga mbarë trevat, ndërmori inisiativën e organizimit të “Vitit të Shqipërisë në Kanada”, me synimin për të shpalosur përpara autoriteteve dhe publikut kanadez marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-kanadeze, por edhe vlerat e patjetërsueshme të kombit dhe botës shqiptare.
Si Ambasadore jam ndjerë thellësisht krenare për gjurmën e pashlyeshme që shqiptarët e Kanadasë i mveshën simbolikës dhe festimeve të Ditës së Pavarësisë. Në një frymë të admirueshme unisoni, shoqatat e organizuara, por edhe individualisht, të gjithë pa përjashtim iu përgjigjën inisiativës së Ambasadës, përmes zhvillimit të një pakete aq të pasur veprimtarish në të gjitha qendrat e mëdha ku jetojnë shqiptaro-kanadezët. Personalisht kam përjetuar privilegjin dhe ndjesinë më të veçantë të ndjek përgjatë 2012-ës momentet kulmore të këtij Viti të bekuar të Shqipërisë në Kanada kur shoqatat dhe çdo shqiptar i thjeshtë festuan 28 Nëntorin, ditën më të madhe të gjithë shqiptarëve, si pjesë e ndërgjegjes së pandërprerë kombëtare në të gjitha viset ku jetojnë bashkëkombasit tanë.
Të gjithë së bashku ditën të mbajnë dhe përçojnë me krenari ngjyrat e kombit, simbolet dhe figurat tona të paharruara, duke e shndërruar “Vitin e Shqipërisë në Kanada” në një festë homazhi dhe respekti për gjuhën, historinë, kulturën dhe traditat e përbashkëta.
Gjej rastin të përsëris mbështetjen institucionale të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në drejtim të mbarëvajtjes së jetës sociale e kulturore të gjithë shqiptarëve, duke bashkërenduar punën për ruajtjen e virtuteve dhe vlerave të përbashkëta kombëtare në Kanadanë mikpritëse, atdheun tuaj të dytë.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Sot është vetëm Përvjetori i Pestë i Pavarësisë, shumë përvjetorë të tjerë do të vijojnë dhe brezat do të festojnë në mënyrën dhe kohën e tyre këtë ditë të madhe, por të gjithë do të trashëgojnë e përkujtojnë si ditën e parë jehonën e zërit të burrave të Kosovës që e përcollën bjeshkët për Komandantin Adem Jashari “ Bacë u kry ! ! ! ”

Gëzuar të gjithëve, sepse vërtet u kry….

Otavë, 14 shkurt 2013