Krijuesi Gani Xhafolli është shpallur fitues i çmimit “Ali Podrimja”, që e ndan Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë në kuadër të Orës së Madhe Letrare “Pavarësia”, që mbahen për çdo vit në për ta shënuar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Këtë çmimi ai e mori me poezinë “Diell mbi Krujë dhe Prekaz”.
Nderohet Shkurte Fejza
Një mirënjohje “Pavarësia” për kontributin në zhvillimin e artit muzikor, Unioni e ka ndarë për këngëtaren e muzikës popullore, Shkurte Fejza.
Ndërsa janë ndarë edhe mirënjohje të tjera për personalitete të njohura nga fusha e letërsisë, muzikës, gazetarisë, artit skenik dhe fusha të tjera. Fituesi i çmimit “Ali Podrimja”, Xhafolli, përveçse ka mbetur i kënaqur me marrjen e këtij çmimi, është shprehur se ndihet mjaft mirë që gjendet në një ambient me të madhen Shkurte Fejza, e cila, siç është shprehur ai, i jep dritë, jo vetëm ambientit ku mbahej manifestimi, por edhe vetë diellit. “Nuk janë llambat e KEK-ut që janë duke bërë dritë në këtë sallë. Por, është vetë Shkurte Fejza, e cila dritë i jep edhe e vetë diellit”, ka thënë ai. Ndërsa këngëtarja Shkurte Fejza, duke e pranuar mirënjohjen “Pavarësia”, ka thënë se mbetet e lumtur me marrjen e një mirënjohjeje nga ata nga të cilët është frymëzuar dhe ka kënduar vargjet e tyre.
Mirënjohje për gazetarët Blerim Haxhijaj dhe Isa Vatovci
Përveç këngëtares Fejza, Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë ka nderuar me mirënjohje edhe studiuesin Idriz Ajeti, studiuesin Imri Badallaj, si dhe gazetarët Blerim Haxhijaj nga RTK -ja ‘Progami i mëngjesit’ dhe Isa Vatovci nga gazeta “Kosova Sot”. Mirënjohje post mortum, USHKHS-ja ndau për diplomatin dhe krijuesin Gani Azemi dhe për sociologun Gani Bobi.