2013-02-23

Zyrtari i DASH, Filip Riker: Nacionalizmi është i rrezikshëm.


Riker: Obama përfaqësohet nga Arvizu, jo nga Podesta
Zyrtari i DASH, Filip Riker: Nacionalizmi është i rrezikshëm. Duam të shohim llogaridhënie për 21 janarin. Jemi të shqetësuar për zgjedhjet
Zëvendësndihmës Sekreetari amerikan i Shtetit, Filip Riker, në një intervistë për Top Story, tha se nacionalizmi nuk i duhet Shqipërisë. Sipas tij, nacionalizmi shërben për të shpërqendruar vëmendjen nga reformat dhe integrimi.
Riker pranoi në mënyrë të tërthortë ekzistencën e memos amerikane, kur tha se këto gjëra për nacionalizmin i thonë publikisht dhe privatisht.
Zyrtari amerikan shprehu nevojën e zgjedhjeve të lira dhe u shpreh se është i shqetësuar për një gjë të tillë.
Riker tha se për 21 janarin, ata presin llogaridhënie për vrasjet.
Ai mbrojti ambasadorin amerikan, Arvizu, duke thënë se janë krenarë për punën e tij. Ai tha se lobistët në SHBA nuk kanë ndikim në politikën e Uashingtonit për politikën e jashtme.
Riker e nisi intervistën duke thënë se ka ardhur në Shqipëri nga Brukseli, ku ka ndjekur nga afër bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm.
Kjo do të jetë e mirë për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe Serbi,” tha Riker.
“Mendoj që marrëdhëniet e mirë të fqinjësisë në të gjitha vendet e Ballkanit, ndihmojnë çdo vend në rajon,” shtoi më tej Riker, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën.
Riker tha se ai mbulon shtatë vende të rajonit në DASH dhe ka dëshirë që të vizitojë secilin nga këto vende së paku dy herë në vit.
“Shqipëria është një nga dy vendet që është anëtar i NATO-s, nga këto shtatë shtete për të cilat unë kam përgjegjësinë në Departamentin e Shtetit,” tha Riker, duke theksuar në këtë mënyrë se ata interesohen shumë për ecurinë e Shqipërisë.
“Hyrja në BE është rruga më e mirë për një stabilitet dhe begati në Shqipëri,” tha Riker.
“Mendoj se sikurse e dini, ka pasur disa frustrime përsa u përket proceseve. Anëtarësimi në BE është një proces kompleks, sepse ka standardet e caktuara. Mendoj se BE-ja ka qenë shumë e qartë se dëshiron që Shqipëria të marrë statusin,” komentoi ai ecurinë e integrimit të Shqipërisë, që ka ngecur prej thuajse katër vitesh.
“Ne do të vazhdojmë asistencën tonë që politikanët të punojnë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët,” tha Riker.
Energjia
Fillimisht, Riker është pyetur në lidhje me gazsjellësin TAP, pas lajmeve se SHBA nuk e mbështet këtë projekt. Por Riker tha se ata mbështesin çdo vendim që merret nga konsorciumi i Shah Deniz.
“Dëshiroj ta përgëzoj Shqipërinë për nënshkrimin e marrëveshjes për gazsjellësin TAP me Athinën dhe Romën.
Ne kemi folur për rëndësinë e sigurimit të energjisë. Korridori jugor do të sjellë burime të reja të furnizimit me gaz për Europën.
Ne do të mbështesim çdo vendim që merret nga konsorciumi i Shah Denizit.
Ne jemi për pluralizmin e burimeve dhe të projekteve,” tha Riker.
Nacionalizmi
Një vend të gjatë në intervistën e Riker zuri retorika nacionaliste në vend, që duket se është edhe shqetësimi kryesor në Uashington për momentin.
Riker tha se nacionalizmi është i rrezikshëm, ndërsa shtoi se ai sjell edhe shpërqendrim nga reformat.
“Mendoj që nuk është habi që nacionalizmi dhe retorika nacionaliste është diçka që e njohim, sepse e kemi parë se ku të çon nacionalizmi. Kjo sjell shpërqendrim nga fokusi qendror, që duhet të jenë reformat, përmirësimi i ekonomisë, që të krijohen mundësi më të mira për qytetarët, si dhe të punohet për fqinjësi të mirë, që është shumë e rëndësishme.
Harta e Europës është e caktuar, kufijtë janë të përcaktuar. Kështu që thirrja për të bashkuar shqiptarët, është joproduktive,” tha Riker.
“Ambasadori Arvizu ka bërë një punë të shkëlqyer në përcaktimin e mesazheve nga Uashingtoni për përmbajtje nga retorika e panevojshme nacionaliste dhe të përqendrohen tek jeta e qytetarëve”.
Riker ishte i prerë kur tha se kufijtë janë të përcaktuar në Europë.
“Sikurse e thashë, kufijtë në Europë janë të përcaktuar. Ajo ku gjendet Europa tani është Bashkimi Europian. Kjo përvojë ka sjellë stabilitet dhe begati. Kjo ka ndodhur sepse është lënë mënjanë retorika nacionaliste. Në vend të kësaj janë bërë reformat dhe janë lënë pas fantazmat nacionaliste të së shkuarës,” tha Riker.
“Ne shikojmë të njëjtat mundësi në këtë rajon. Ballkani është pjesë e Europës dhe SHBA do ta shohë këtë rajon në paqe. Prandaj e kemi mbështetur Shqipërinë të bëhet anëtare e NATO dhe kjo ka qenë një arritje e jashtëzakonshme,” vijoi zyrtari i SHBA, duke theksuar sërish se kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar.
“Në vend që të shpërqendrohemi në diskutime të panevojshme për nacionalizmin, duhet të përqendrohemi tek ajo se çfarë duhet bërë që këto vende të ecin përpara”.
I pyetur se deri në cilën fazë, deklaratat nacionaliste prishin marrëdhëniet me SHBA, ai tha: “Ne kemi marrëdhënie të forta bilaterale. Kur ne dëgjojmë retorikë nacionaliste, i ngremë këto shqetësime në frymën e miqësisë, me një dorë të shtrirë. Kjo vlen për politikanët e të gjithë spektrit”.
I pyetur nëse mesazhi për nacionalizmin është për një politikan të caktuar, apo për të gjithë spektrin, Riker tha: “Mendoj që është mesazhi është një për të gjithë. Ambasadori Arvizu flet në emër të presidentit të SHBA. Ne po flasim për të gjithë, kemi një mesazh të përbashkët për të gjithë rajonin, në mënyrë që të ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara. Ky proces nuk lehtësohet prej nacionalizmave të panevojshme, pasi shpie drejt destabilitetit dhe nuk është i mirëpritur. Kemi folur në Kosovë dhe ata janë të pakënaqur nga retorika nacionaliste”.
Zyrtari i DASH ka konfirmuar ekzistencën e një memo në mënyrë të tërthortë. Ai tha se ato janë pikëpamjet e SHBA, që po shprehen edhe publikisht, por janë shprehur edhe privatisht.
“Gazetarët i pëlqejnë këto drama. Sidomos në Ballkan. Nuk diskutojmë bisedat tona private diplomatike. Ato janë pikëpamjet që kemi. Kjo retorikë nacionaliste na shqetëson ne, shqetëson miqtë evropianë. Ndaj të mos shpërqendrohemi nga reformat.
Ky është mesazhi që unë kam. Ne duhet të flasim privatisht, por do flasim edhe publikisht sepse kemi një marrëdhënie të fortë. Ne po ecim në axhendën që shqiptarët kanë thënë se është përparësi e tyre dhe kjo është integrimi evropian,” tha Riker.
Zgjedhjet
Riker ka përsëritur nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend. Ai tha se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Riker shtoi se ata janë të interesuar për procesin dhe jo për fituesin.
“Ne kemi shqetësime dhe këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Uashington sepse do të vendosin tonin për fazën tjetër të të ardhmes së Shqipërisë.
Ne do të punojmë së bashku që të sigurohemi se këto zgjedhje të jenë absolutisht të suksesshme.
Ne jemi të kënaqur që mund të ndihmojmë në këto zgjedhje duke ngritur kapacitetet, duke vëzhguar, duke ofruar 1 milion dollarë, i bindur se duke punuar së bashku këto zgjedhje mund të shihen si të suksesshme nga Brukseli e Uashingtoni, por edhe nga qytetarët shqiptarë,” tha Riker.
“Sikurse tha Klinton, kushdo që fiton nga këto zgjedhje të lira të ndershme, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku.
Ne jemi shumë krenarë që Shqipëria është aleate e NATO-s. E dimë që proceset e vështira mund të përmbushen nëse punojmë së bashku”.
Madje Riker theksoi se edhe në SHBA kanë pasur vështirësi në zgjedhje.
21 janari
Duke folur për 21 janarin, ambasadori Riker tha se deklarata e dhënë nga Arvizu pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, është konsultuar me Uashingtonin.
Riker tha se ata duan të shohin llogaridhënie për 21 janarin.
“Mendoj që deklarata e ambasadorit Arvizu flet më vete dhe është një deklaratë e konfirmuar nga Uashingtoni. Arvizu është përfaqësuesi personal i Obamës. Ne kemi qenë të shqetësuar nga verdikti dhe kemi shprehur pikëpamjet tona,” tha Riker.
“SHBA kanë qenë të kënaqur që kanë ofruar asistencën kur na është kërkuar. Për shkak të kësaj ne kërkojmë të shohim llogaridhënie dhe drejtësi në këtë rast. Kjo nuk do jetë çështje amerikane, ajo do jetë çështje shqiptare. Kjo nuk është një çështje politike. Kudo në rajon ka një tendencë për të politizuar çështjet. Kjo nuk ka lidhje me asnjë palë. Nuk duhet të përdoret si top futbolli në këto zgjedhje. Por ne duam të shohim llogaridhënie. Shpresojmë që do jepet llogari dhe do përdoren këto fakte.
Ju keni parë që ka pasur një apel. Le të vazhdojmë përpara. Shpresojmë që të ketë një ndjesi se ka një llogaridhënie,” theksoi Riker, duke shtuar se asgjë nuk ka për të kthyer jetët e katër personave që janë vrarë, prandaj duhet llogaridhënie.
Për Arvizunë
Riker ka vlerësuar punën e ambasadorit Arvizu duke thënë se ai është përfaqësuesi personal i presidentit të SHBA.
“Sikurse e thashë, ambasadori Arvizu është përfaqësuesi personal i presidentit të SHBA. Jemi shumë krenarë për ambasadorin Arvizu. Jam krenar që është kolegu i imi. Punojmë jashtë mase ngushtë, sepse bota e tashme është botë e komunikimeve. Jemi krenarë për ambasadorin dhe ekipin e tij, me diplomatë të shkëlqyer dhe stafin lokal. Shqipëria ka po ashtu një ambasadë të shkëlqyer në Uashington.
Politikat përcaktohen nga presidenti dhe zbatohen nga ambasadorët. Kur kemi ndryshime pikëpamjesh, i shprehim publikisht dhe privatisht. Për këtë shërben aleanca. Shpresoj të vazhdojmë të punojmë së bashku për të qenë pjesë e një Europe të plotë e në paqe,” tha Riker.
Për lobistët
Nj tjetër shqetësim i ngritur në emision ishte edhe lobimi që bën qeveria në Uashingtoni.
I pyetur nëse ky lobim ndikon në qëndrimin e qeverisë amerikane, Riker tha: “Nuk mund të komentoj për transaksionet private. Ato janë kompani private. Por sikurse thashë, politikat vendosen prej presidentit të SHBA dhe Sekretari i Shtetit. Ambasada jonë këtu ka marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë e Shqipërisë dhe spektrin politik”.
“Në Uashington ka shumë aktorë që punojnë me qeveri dhe individë për t’u shpjeguar se si funksionon Uashingtoni.
Është e rëndësishme që të kuptohet se politika e jashtme përcaktohet nga presidenti dhe ekipet në Departamentin e Shtetit”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...