Ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj nuk janë shkruar nga një dorë, por nga katër duar. Sipas një ekspertize të kryer në Tiranë nga një ekspert i kësaj fushe, ka rezultuar se dorëshkrimet që akuzonin Fatmir Limajn nuk janë vetëm të një dore. Ekspertiza është bërë me kërkesë të avokatëve të Fatmir Limajt, Karim Khan dhe Tahir Rrecaj të cilët po e sfidojnë tashmë me këtë fakt akuzën e nrtiur nga prokurori Maorizio Salustro.
Portali LajmeShqip.com, më herët kishte publikuar ekskluzivisht Videoinçizimin e dhënë nga Agim Zogaj, alias “dëshmitari X” si dhe pjesë tjera ekskluzive të këtij rasti. Publikimi i plotë me titullin: “Ekskluzive: Dëshmitari X, dëshmia që kurrë s’u dëgjua (I, II, III)”
Portali kishte publikuar ekskluzivisht edhe dosjen me të cilën akuzohet Fatmir Limaj dhe të tjerët për rastin “Kleçka”.
Analiza që është kryer nga eksperti Hysen Korti mbi katër letra të Agim Zogajt konstaton se ato nuk janë vetëm të një autori. Portali LajmeShqip.com po publikon ekspertizën e plotë në gjuhën shqipe.
Eksperti në sqarimin e tij shkruan se tek secili prej katër dokumenteve materiali shkrimor në formë teksti me shkronja fillimisht, u kontrollua në tre faza, me sy të lirë me lente dhe mikroskop. Nga analizat, rezulton se ato janë dorëshkrime të lira, pa shenja falsifikimi teknik.
Më tej u ekspozuan sipas metodës se ekspertimit grafik të dorëshkrimeve kryesisht ne videoprojektor dhe me skaner në monitor dhe rezulton se në tërësinë e vet materiali shkrimor tek secili dokument pasqyron karakteristika të përgjithshme të veçanta te cilat duke qenë të rralla e të qëndrueshme i bëjnë ato me vlera individualizmi.
Ne fazën e ekzaminimit të veçuar për secilin prej tyre u evidentuan karakteristikat e përgjithshme e të veçanta shkrimore si: shkalla mbi mesataren e përpunimit të shkrimit dhe ritmit të të shkruarit, shkalla mesatare e lidhjes, pjerrtësi përgjithësisht djathtas, uniformitet madhësie e shtrirje mesatare të cilat individualizojnë plotësisht autorët dorëshkrues të tyre dhe shërbejnë për të realizuar krahasimet e kërkuara.
Dokumenti i pare, objekt eksperimenti specifikuar “A”, është shkruar përgjithësisht me shkronja kapitale, por aty-këtu, shfaq edhe shkronja të vogla të dorës dhe tek tre dokumentet e tjera specifikuar “B”, “C” dhe “D” megjithëse të shkruara përgjithësisht me shkronja të vogla të dorës, pasqyrohen edhe shkronja të variantit kapital. Në këtë gjendje, ato paraqesin mundësi krahasimi ndërmjet tyre me njëra tjetrën.
Nga ekzaminimi krahasues ndërmjet dorëshkrimit në të katër dokumentet, objekt ekspertimi me njëri-tjetrin gjenden disa prej karakteristikave shkrimore si të përgjithshme dhe të veçanta të kundërta ndërmjet tyre të cilat për lehtësi perceptimi, në tabelën fotografike janë specifikuar me shigjeta të numërtuara e ngjyrosura në mënyrë korresponduese.
Si përfundim, bazuar tek rezultatet e përfituara gjatë ekzaminimit të kryera katër dokumenteve objekt ekspertimi të cilat na janë vënë në dispozicion, pyetjes se parashtruar i jam përgjigjur nëpërmjet këtij konkluzioni: Katër dokumentet – nuk duhet të jenë shkruar nga i njëjti person, por duhet të jenë shkruar nga katër persona të ndryshëm.
Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dokumentin e hartuar tash e një kohë të gjatë, me protagonist kyç të shumëpërfolurin Dëshmitarin X, aktakuzën e nxjerrur tash nga sirtarët e prokurorisë kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Rastin Kleçka.
Burime nga EULEX-i kanë thënë dje për Portalin LajmeShqip.com se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të rëndë kundër Limajt dhe bashkëluftetarëve të tij.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për pesë pika, ndër të cilat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, shqiptarë dhe serbë ushtarakë, policë dhe civilë.
Aktakuza është ngritur kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Shaban Shalës, Behlul Limajt, Arben Krasniqit dhe Besim Shurdhaj.
Fatmir Limaj, vetë i dhjeti, akuzohet, siç thuhet në aktakuzë, për “Krime Lufte kundër Popullsisë Civile dhe Robërve të Luftës, në shkelje të Neneve 142 dhe 144 të Kodit Penal të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë”.
Ata, thuhet në dokument, akuzohen se në bashkëveprim, përfshirë edhe Dëshmitarin X dhe shtatë ushtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së, “dhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në një qendër paraburgimi që gjendej në fshatin Kleçkë”.
Periudha kohore për të cilën është ngritur aktakuza, ka të bëjë me pjesën e parë të vitit 1999, konkretisht prej muajit janar deri në qershor, kohë kjo kur lufta në Kosovë ishte intensifikuar dukshëm dhe forcat policore, ushtarake e paramilitare të regjimit të Millosheviqit kryen krimet më makabre mbi shqiptarët.
Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dosjen dhe aktakuzën ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka.
Ashtu siç edhe pritej, që në korrik të ngritej aktakuza ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmë. Portali LajmeShqip.com ka raportuar në orët e para të ditës së sotme se, prej dje, Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij janë nën akuzë. (LajmeShqip.com)