“Trinomi i lirisë” është titulli i librit me poezi përkushtuese për Jusuf e Bardhosh Gëvallën dhe Kadri Zekën. Ky libër përmban 43 poezi të 34 autorëve që jetojnë dhe punojnë ne botën e jashtme. Këtyre krijimeve që janë mbledhur nga Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla u paraprinë edhe një fjalë e redaktorit të librit Halil Haxhosaj dhe një fjalë përkujtimi nga Martin Çuni.
Kujtesë historike
Autorë të poezive në këtë libër janë nga të gjitha trojet shqiptare dhe secili nga ta në mënyrën e vet u përpoq t’i poetizojë shqetësimet dhe admirimin e vet, që ka për këta tre martirë të lirisë. Poezitë janë dhënë me një pasion të madh dhe me një gjuhë plot figuracion. Autorët na e paraqesin Jusufin, Bardhoshin e Kadriun ashtu si ishin në jetë, si njerëz që nuk e duruan dot robërinë, dhe që gjithë jetën punuan për lirinë e Kosovës. Autorët në krijimet e tyre kanë përjetësuar personalitetet e këtyre martirëve, duke e dhënë një pasqyrë të veçantë për figurën e tyre. Këto figura nëpërmes këtyre poezive bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore. Nëpërmes këtyre poezive, martirëve që u kushtohen, ato përjetësohen dhe figura e tyre ngrihet edhe më lart dhe kështu ata mbesin të pavdekshëm ndër brezni.
Vargëzim përkushtues
Siç thotë edhe redaktori i librit, Halil Haxhosaj, garnitura poetike e vargjeve të këtyre poetëve dhe të të tjerëve buron thellë në frymëzimet dhe skalitet fort në figuracionin dhe shprehjen e vargëzimit përkushtues. Martirët e përjetësuar në këtë libër me veprën dhe idealin e tyre atdhetar ishin frymëzim i përhershëm i të rinjve, luftëtarëve dhe pishtarëve të tjerë, madje edhe luftëtarëve të UÇK-së. Andaj kjo vepër “Trinomi i lirisë” është libër i veçantë dhe ka rëndësinë e vet se ka mbledhur në një vend poezitë përkushtuese të poetëve nga vende të ndryshme të trojeve shqiptare, por që për momentin janë në diasporë.