Filip Guraziu
Publikuar në Gazeta Ditore, Prishtine, datë 16 Shkurt 2013, me titullin: Një figurë kriminale si Mehmet Shehu nuk mund të quhet "Burrë Shteti"
http://gazetaditore.com/2013/02/16/nje-figure-kriminale-si-mehmet-shehu-nuk-mund-te-quhet-burre-shteti/
(Reflektim ndaj diskutimeve te z. Fatos Klosi dhe z. Idajet Beqiri ne emisionin "Opinion")
Ditën e enjte me 31 janar 2013 në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, ku debatohej për figurën e Mehmet Shehut, shqiptarët dëgjuan se sa me zjarr dhe pasion zotërinjtë Fatos Klosi dhe Idajet Beqiri mbronin tezën se ish-kryeministri komunist M. Shehu do të mbetet në histori si “një figurë e rëndësishme pozitive, një burrë i madh shteti, si kryeministri më i afte dhe më i suksesëshem krahas Ismail Qemalit” etj.
O zot ku jemi katandisur! Si është e mundur që sot pas 22 viteve nga përmbysja e atij regjimi antinjerzor i cili dërmoi dhe shkatërroi në themel një të tretën e botës, ku Shqipëria pa dyshim qe kampioni i atij rrënimi, t'i jepet lavdi figurës numer dy të udheheqies komuniste shqiptare që për 46 vite ushtroi gjenocid mbi popullin e vet!.
A thua se mund të ketë ndonjë shqiptar qe ende nuk e di që ishte pikërisht M. Sh. ideatori dhe urdhërdhënësi i mbjelljes së Shqipërisë me bunkerë dhe rrethimit të sajë me tela me gjemba duke e kthyer territorin shqiptar në një kamp të madh përqëndrimi?.
M. Sh. qe një luftëtetar terrorist i pashembëllt dhe i flaktë për zbatimin e luftës së klasave deri në gjenocid, për ngritjen e të gjithë atyre burgjeve mesjetare dhe kampeve shfarosëse ku nuk mungonin aty dhe qindra fëmijë të vegjël dhe nëna shtatzëna. Ishte ai më i zellshmi që zbatoi parimin e mbështetjes në forcat e veta duke e transformuar shqiptarin në qenien më mjerane në Europë.
Z. Idajet Beqiri për t'i rritur vlerat M. Sh., theksoi me të madhe pjesëmarrjen e tij në luftën e Spanjës, meritat e luftës së tij si komandant i brigadës së parë partizane, por ne do t'i thonim atij se ai (M. Sh.), vertetë luftoi kundër një diktature siç ishte fashizmi ne Spanjë, por po ai, më pas udhëhoqi për një kohë shumë të gjatë një diktaturë tjetër, tejet më të egër dhe më të zezë në vendin e tij kundër popullit të vet, ku ai personalisht u përfshi në krime të përbindëshme duke lyer duart me gjakun e bashkatdhetarëve të pafajshëm, aq sa nuk la pa ndëshkuar me burgime të rënda edhe bashkëluftëtarët e tij në Spanjë, si shkrimtarin e madh Petro Marko apo luftëtarin patriot Gjeto Keçi etj.
Në arkivat e Shtetit Shqiptar rezultojnë materiale tronditëse ku shkruhet se ai me dorën e vet ka ekzekutuar gjatë luftës dhjetra shqiptarë të pafajshëm, të gjithë fshatarë të varfër të pashkolluar që për ideale nacionaliste kishin marrë jo anën e komunistëve, por të Ballit Kombëtar, për të luftuar kundër pushtuesit. Ju kujtojmë gjithashtu atë që thonë arkivat se M. Sh. ka vrarë edhe robërit e luftës, veprim ky i dënueshem nga ligjet ndërkombëtare!.
Ja një rast, që vetë i biri i M. Sh., shkrimtari Bashkim Shehu e paraqet ne librin e tij ’Vjeshta e ankthit’, ku gjatë luftës një oficier italian, mik dhe shok shkolle i M. Sh. i dorëzohet atij në besë, së bashku me tre ushtarakë të tjerë, dhe ai (M. Sh) i ekzekutoi. Kjo është burrëria dhe besa e shqiptarit? Kjo ishte një ngjarje, siç thotë autori i librit, që është mbajtur sekret gjatë gjithë kohës për të cilën shumë shqiptarë që e kanë përfolur kanë përfunduar në burg politik.
Këto kanë ndodhur përpara marrjes së pushtetit, kurse më pas arkivat flasin për shumë e shumë krime të tjera të tij, siç është rasti në Mirditë ku M. Sh. dha urdhër që në vendin ku ishte vrarë Bardhok Biba të ekzekutoheshin me ceremoni përpara popullit me pushkatim dhe varje në litar 14 burra, më të mirët e asaj krahine, po ashtu do të arrestoheshin edhe 140 të tjerë në një kohë që të gjithë e dinin, e aq më teper ai vetë, se asnjëri prej tyre s’kishte të bënte me atë vrasje.
Të mos harrojmë rastin më tipik të një veprimtarie kriminale të përmasave të mëdha ku sipas dokumentëve tashmë të bëra publike, me propozim dhe urdhër te M. Sh. do të ekzekutoheshin pa gjyqë 22 intelektualë të shquar të këtij vendi me preteksin absurd të një eksplozivi në Ambasadën Sovjetike, megjithse ai vetë ishte i bindur se asnjëri prej viktimave të masakrës nuk kishte të bënte me atë ngjarje, por që u shfrytëzua si pretekst për eleminimin e intelektualëve nacionalistë dhe për të dëshmuar besnikërinë e verbër ndaj “baba” Stalinit. Këto janë të verteta absolute se i tillë ishte strategu i luftës dhe “burri i shtetit” që thoni ju.
Me siguri, zoterinjte Klosi dhe Beqiri “bëjnë sikur kanë harruar” dhe kjo është e pafalshme, se pjesa dërmuese e ajkës së ushtarakëve të lartë, bashkëluftëtarëve të M. Sh. janë ekzekutuar nga skuadrat e pushkatimit, pasi janë torturuar më parë deri në pragun e vdekjes, ndersa dihet se ç’kanë pësuar familjarët dhe farefisi i tyre, kurse një pjesë tjeter shumë e madhe e ushtarakëve të lartë pas torturave çnjerëzore u mbyllën në burgime të gjata. Koha tregoi më vonë se asnjë prej tyre s’kish bërë asgjë nga ato që akuzoheshin dhe se të gjitha këto “bëma” kanë patur firmën dhe miratimin e “komandantit legjendar dhe burrit te shtetit” M. Shehu
Ju z. I. Beqiri në fjalën tuaj gjate debatit keni vënë në dyshim në se 22 viktimat e atij terrori të padëgjuar në kohë paqe, ishin apo nuk ishin fajtorë! Turp per ju! Jeni ndoshta i vetmi mjeran që keni patur paturpësine të flisni kështu, duke rënë ndesh edhe me dokumentet arkivore që shokët e tu të idealit i kanë shkruar me dorën e vet.
Po në atë debat këta të dy “burra”, pasi ranë copë në mbrojtje të figurës kriminale të M. Sh., vazhduan me lëvdata qesharake edhe për atë sistem që na paska bërë të gjitha “ato të mira”. Po si mund të harroni? Kaq të shkurtë e keni kujtesën? Dihet botërisht se në vitet '90, me shembjen e komunizmit, Shqipëria u ballafaqua me botën liberalo-kapitaliste me infrastrukturën më primitive, të pakrahasuar dhe me atë të shteteve fqinje ballkanikë. Prapambetja katastrofike e Shqipërisë ishte rezultati i asaj strategjie “gjeniale” izolacioniste që “arkitekti dhe burri i shtetit”, që ju i thurni lavdi, zbatoi në Shqipëri. Po, këto ishin “bëmat” e M. Shehut. Edhe ato që u bënë, dhe që ju i quani vepra, u ngritën dhe u ndertuan me punë skllavëruese të të persekutuarve, punë të papaguar dhe me djersën dhe gjakun e njerëzve tanë që luftonin për mbijetesë, për bukën e gojës.
Teleshikuesit mbetën të befasuar, por dhe të çuditur në momentin kur z. F. Klosi u shpreh qartë dhe prerë se në atë kohë (në periudhën e diktaturës komuniste) ai si pedagog, ishte ndjerë me shumë dinjitet dhe krenar me studentë që i rrinin “pupa”, ndërsa sot tha ai, studentët nuk ishin seriozë dhe nuk ja varnin më, kështu që ai e kishte humbur krenarinë etj…
Thirrni mendjes Profesor Klosi!, atë humbje dinjiteti mos e kërkoni nga sistemi e as nga studentët, por thjeshtë nga vetja. Duket sheshit se ju rezultoni totalisht i pushtuar nga indoktrinimi i asaj ideologjije, pra e thënë ndryshe, profesor Klosit i ka mbetur ora në ato vite, ndërsa studentët e sotëm nuk ta falin minutin, ata tashmë kanë informacion dhe vizion shumë më të gjërë se studentët (dhe jo vetëm) e atyre viteve që dinin të rrinin vetëm sus.
Ju z. Fatos Klosi, u shprehët se paskeni qenë shumë i kënaqur nga ai sistem… ne do ju thoshim përsëri, por këtë radhe me keqardhje: Thirrni pra mendjes Profesor! Si është e mundur që ju si intelektual nuk e paskeni kuptuar se pikërisht ty dhe bashkëatdhetarëve të tu ju ka munguar gjëja më e shenjtë dhe më e shtrejtë: "liria" që është padyshim "alfa" e një shoqërie njerëzore normale!.
More profesor!, Shqipëria nuk fillonte dhe as nuk mbaronte aty në katedrën tuaj, prandaj duhej ta kishe hedhur më larg shikimin dhe do ta shihje qarte atë hije të rëndë mjerimi dhe përsekutimi që rëndonte mbi popullin tënd anë e mbanë. Ç’farë ju ka penguar juve që ta shihnit realitetin e asaj kohe, egoizmi? (jam mirë unë, ç'më duhen të tjerët !), apo indoktrinimi i tejskajshëm? Që të dyja këto, pa dyshim e zvogëlojnë pa masë njeriun. Pra i tille, i vogël u paraqitët përpara shqiptarve në atë debat ju, dhe shkoku i juaj Idajet Beqiri.
Z. Fatos Lubonja shpenzoi shumë energji me ju të dy, me argumente bindëse, ai ju tha juve se një udhëheqës diktator me dorë të hekurt nuk mund të quhet “burrë shteti”, se po të ishte ashtu, i takonte që edhe Stalini, Franko, Hitleri etj. të konsideroheshin “burra shteti”. Ju z. Fatos Klosi sapo dëgjuat këtë argument i shtyrë nga pasioni i verbër për të mbrojtur figurën e M. Sh., u treguat tejet arrogant duke iu kanosur z.Lubonjës me fjalë: “Turp të keshe” etj., ndërkohë qe ishit ju i turpëruar përpara opinionit, sepse mbronit atë, që askush në botën demokratike nuk mund ta mbrojë; kriminelin dhe diktatorin.
Z. Fatos Lubonja nuk ju ka asnjë borxh që ta fyeni, gjithashtu nuk ka asnjë përgjegjësi që ju nuk keni arritur ende të kuptoni se ç’tragjedi i shkaktoi shqiptarëve regjimi i diktaturës dhe roli që pati M. Shehu në atë tragjedi. Ju, dhe shokët e tuaj, duhet të përuleni përpara vuajtjeve dhe sakrificave të jashtëzakonëshme të Fatos Lubonjës dhe shokëve të tij bashkëvuajtës.
Zotërinjë, F. Klosi dhe I. Beqiri, sinqerisht ju bëjmë thirrje që në vënd se të merreni me hapjen e plagëve të periudhës së diktaturës, duke i thurur lavdi kriminelëve, do t'ishte më e udhës dhe e dobishme që publikisht t'i bënit thirrje inkuizitorëve komunistë për t'iu kërkuar falje viktimave të tyre. Ky veprim do të kontribuonte sadopak për realizimin e paqes sociale, fenomen aq i dëshiruar sa dhe vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë në gjirin e BE.
Sa për Mehmet Shehun mos t'ju hajë meraku se nuk duhet veçse pak vizion më shumë për të kuptuar dhe qartësuar se bilanci për te, anon në mënyrë të dukshme në anën e krimit. Të mbrosh figurën e M. Sh. do të thotë të jesh plotësisht dakord me krimet e tij gjatë dhe pas luftës.
Jo vetëm ata që e pësuan mbi kurriz, por pjesa dërmuese e shqiptarëve e kanë të qartë tashmë se M. Sh. për qëllime karrieriste u bë një përbindësh, një me diktatorin më të eger të Shqipërise, e hodhi vallen hap pas hapi me te, atë valle të turpshme dhe tragjike që shqiptarët nuk do t'ia falin kurrë. M. Shehu i mbajti ashtu të gjakosura duart si idhulli i tij diktatori Enver Hoxha, me gjakun e pafajshëm te shqiptarëve, derisa u vetëvra, apo u vra si një mjeran.
Natyrisht, historia për figura të tilla është e pamëshirshme dhe për ta nuk rezervon vënd tjetër veçse koshin e madh të plehrave, ku M. Shehu aty me duar të përgjakura do të ketë një post të rëndësishëm, por gjithnjë pas idhullit të tij E. Hoxha.
Filip Guraziu ( babai i pushkatuar )
Gjeto Vocaj ( ish-i burgosur politik)
Shkodër
...per publikime diku, ose ripublikime, me poshte keni dhe adresen e z. Filip Guraziu per kontakt
Saturday, February 16, 2013 9:21 PM
From: "filip guraziu" <fguraz17[ @ ] gmail.com>
To: "S Guraziu" <letrat1[ @ ]yahoo.com>
...
.........
http://gazetaditore.com/2013/02/16/nje-figure-kriminale-si-mehmet-shehu-nuk-mund-te-quhet-burre-shteti/
Te fala
Filip Guraziu