2013-02-23

Po punojmë për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare për të përcjell punimet e Samitit Botëror të Paqes në Seul të Koresë Jugore, sot nga Federata Botërore e Paqes u nderua me çmimin prestigjioz më të lartë të kësaj federate, Çmimi për Lidership dhe Qeverisje të Mirë.

Thaçi u nderua me Çmimin për Lidership dhe Qeverisje të Mirë
Ky çmim u ndahet liderëve të botës dhe organizatave të ndryshme që kanë treguar standardet më të larta në lidership, qeverisje, integritet profesional si dhe parime etike.

Me këtë çmim janë nderuar liderë të ndryshëm botëror, në mesin e tyre edhe kryeministra, presidentë, lider fetarë e shkencëtarë, ndër të cilët ishin edhe ish kryeministrja britnaike Margaret Thatcher, presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ish-kryeministri i Islandës, Steingrimur Hermansson, ish-kryeministri i Japonisë, Yasuhiro Nakasone.

Thaçi u takua me kryeministrin e Timorit Lindor, Xanana Gusmao

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot u takua me kryeministrin e Timorit Lindor, Xanana Gusmao, shtet ky që e ka njohur Kosovën. Kryeministri Thaçi falënderoi në emër të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës kryeministrit e Timorit Lindor për njohjen që ky vend i ka bërë Kosovës së fundmi.

Thaçi: Po punojmë për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në Samitin Botëror të Paqes, mbajtur në Seul të Koresë së Jugut. Kryeministri Thaçi gjatë samitit ka takuar liderë nga vende të ndryshme të botës, ku temë kryesore e takimeve ishin rritja e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës. Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi në Samitin Botëror të Paqes, mbajtur në Seul.


Kam kënaqësinë por edhe nderin të jem këtu para jush sot, në një takim të një grupi aq të shquar njerëzish nga e gjithë bota, kontribuues të paqes dhe zhvillimit global. Kjo është një mundësi e veçantë që t’ua rrëfej historinë e vendit dhe popullit tim. Kjo është vërtetë një histori e triumfit të paqes mbi konfliktin, të besimit në mirësi mbi frikën, një histori që ka filluar kohë më parë me luftëra të përgjakshme në Ballkan dhe e cila përfundoi në arritjen e paqes në vend dhe në rajonin nga unë vij.

Quhem Hashim Thaçi. Jam kryeministër i Republikës së Kosovës, një vend i vogël në Evropën Juglindore që ka një vend të veçantë në historinë moderne botërore. Vendi im është shteti i fundit i krijuar në kontinentin evropian dhe kemi festuar ditëlindjen e pestë të vendit më 17 shkurt.

Kur them se Kosova ka fituar një vend të veçantë në historinë botërore, i referohem, asaj të cilën disa nga ju mund ta mbani mend, rrugën që populli im ka marrë për të arritur paqen, lirinë dhe demokracinë. Kosova ishte një njësi në ish-Jugosllavi, një vend që u shpërbë plotësisht nën sundimin e regjimit nacionalist në një varg të luftërave të përgjakshme. Serbia fqinje, nën diktatorin Milloseviq që vdiq në burg në Hagë në pritje të një gjykimi ndërkombëtar për krimet e kryera ndaj popullit tim, si dhe ndaj njerëzve të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë, kishte pushtuar vendim tim dhe filloi një fushatë sistematike të dhunës. Mbi 10.000 njerëz janë vrarë në një periudhë të shkurtër kohore. Mbi 1 milion, që nënkupton mbi gjysmën e të gjithë popullsisë, ishte pastruar etnikisht dhe u dëbuan jashtë vendit nga ky regjim i ligë. Mbi 20.000 gra u përdhunuan.

Kam qenë student kur kishte filluar shtypja e popullit tim dhe kam ikur në Zvicër si një student disident politik, i përkushtuar me idenë e rezistimit dhe të përmbysjes së këtij regjimi të luftës dhe urrejtjes. Shpejt u bëra një luftëtar gueril dhe udhëheqës i burrave dhe grave që morën armët për të rezistuar. Lufta jonë, përkushtimi jonë për vlerat universal të njeriut dhe thirrja jonë për ndihmë nuk mbeti pa përgjigje. Bota e lirë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore evropiane na ndihmoi që të bombardohet Serbia dhe të mposhten forcat që shkaktuan kaq shumë kërdi dhe mjerim.

Kështu filloi faza e dytë e angazhimit tim politik. Lufta u fitua, njerëzit u kthyen dhe Kombet e Bashkuara vendosën një protektorat të veçantë për të qeverisur Kosovën, deri në momentin kur ne mund të qeverisnim veten dhe mund të vendosnim për rrugën që shoqëria jonë do të marrë.

Shoqëria jonë bëri përzgjedhjen e duhur. Jam krenar të kem qenë në ballë të popullit që zgjodhën të drejtat e njeriut, përkushtimin për paqe, tolerancë, zhvillim ekonomik, që e mbështetën sipërmarrjen dhe shoqërinë e hapur si një mënyrë për të shty përpara dhe zhvilluar vendin tonë të shkatërruar nga lufta.

Momenti më krenar i jetës sime erdhi në vitin 2008. Pas viteve të angazhimit me zell në negociatat me Serbinë për statusin e Kosovës, fituesi i Çmimit, Marti Ahtisaari propozoi një plan për të bërë Kosovën të pavarur. Na u premtua vetëvendosja në këmbim për garantimin e të drejtave të gjera për pakicat tona dhe për një sistem vërtetë demokratik për qytetarët tonë. I mblodha përfaqësuesit e popullit nga të gjitha komunitetet, dhe e shpalla pavarësinë e vendit tim më 17 shkurt 2008. Isha krenar që biri im, fëmijët tanë, kurrë më nuk do të jetonin në frikë, kurrë më nuk do t'' i nënshtroheshin urrejtjes, kurrë më nuk do t’u bëheshin pyetje për gjuhën që flasin apo fenë e tyre.

Të nderuar Shkëlqesi,
Paqekrijues të shquar,
Të nderuar miq

Çfarë kemi bërë ne në 5 vitet e pavarësisë sonë? A e kemi lëshuar mundësinë që erdhi me paqe? Cili ishte plani im dhe plani i qeverisë sime për jetën pas lirisë që e fituam?

Do t’i prekë disa nga këto çështje në disa komente të shkurtra, duke shpresuar se disa mësime të çmuara mund të ofrohen. Meqë flas në shoqërimin e folësve të shquar që bënë luftëra dhe rindërtuan vendet e tyre, këshilla ime nga republika e vogël e Kosovës mund të rezonojë meqë ndajmë përvojat tona për bërjen e paqes globale, një tipar të përhershëm të kohës sonë.

Do të citoj kolegen dhe folësen time të dashur Xanana Gusmao nga Timori Lindor e cila tha se “pas dekadave të konfliktit, durimi është më i nevojshmi”.

Ne fillimisht u përkushtuam që vendi ynë të njihet. Serbia ndërroi politikanët dhe u bë demokratike, por fatkeqësisht diskursi i tyre ndaj kosovarëve nuk ndryshoi shumë në fillim dhe ata ngurronin që t’i pranonin krimet e kryera ndaj kosovarëve dhe të pranonin realitetin e shtetit të ri. Ne morëm ndihmë të madhe, dhe në më pak se 5 vjet, pavarësisht rezistencës nga disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Kosova tani është njohur nga gati 100 shtete. Koreja e Jugut është ndër vendet e para që e njohu Kosovën dhe ne jemi përjetësisht mirënjohës për këtë shenjë të miqësisë. Populli im kurrë nuk do ta harrojë rolin pozitiv që Koreja e Jugut e luajti duke na ndihmuar në sigurimin e statusit tonë. Jemi bërë anëtarë sovranë të agjencive të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, dhe të organizmave të tjerë shumëpalësh dhe e dimë se procesi i njohjes së shtetit tonë do të përfundojë me një ulëse për Kosovën në OKB në Nju Jork.

Shfrytëzoj këtë rast që të ju ftoj, udhëheqës të shquar nga vende që ende nuk e keni bërë këtë, të njihni vullnetin e popullit të Kosovës dhe t’i bashkoheni më shumë se gjysmës së anëtarësisë të OKB-së duke përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe NATO-s, shumicën Organizatës së Konferencës Islamike, shumicën e vendeve të Këshillit të Evropës, të pranoni dorën tonë të miqësisë dhe të na njihni.

Ekonomikisht, kemi filluar një program të stimulimit që ka mundësuar rritje. Dyfishova pagat e të gjithë punonjësve publikë brenda 5 viteve, ndërsa i trefishova pagat e prokurorëve dhe gjykatësve. Kemi iniciuar programin e ndërtimit dhe kemi ndërtuar autostradën moderne deri në bregdetin Adriatik me kompanitë më të njohura amerikane dhe po e ndërtojmë aeroportin më të madh në Ballkan me investitorë turq dhe francezë.

Kemi ndërtuar 100 shkolla. Nga 2000 dollarë të bruto prodhimit vendor për kokë banori në vitin e fundit para pavarësisë, tani kemi arritur deri në 4000 dollarë, duke e dyfishuar pasurinë e qytetarëve tonë në 5 vjet. Rritja jonë ekonomike është e dyta më e madhja në Evropë për pesë vitet e fundit, me gjithë faktin që po veprojmë në periudhën e krizës ekonomike që e ka goditur vendim tim po aq sa tuajat. Më shumë duhet bërë, sidomos në joshjen e investime të huaja direkte dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çfarë është më e rëndësishmja, kam këmbëngulur në pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe këtu qëndron kontributi ynë për paqen në botë që shpresojmë së do të çmohet më së shumti. Po vij në këtë konferencë shumë të rëndësishme nga Brukseli, kryeqyteti i Evropës së Bashkuar, ku për dy ditë kam takuar kryeministrin e Serbisë, Daçiq. Ai ishte kundërshtar imi por sot, nën udhëheqjen e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së, jemi takuar 5 herë për të siguruar që Serbia po e njeh realitetin në terren.

Në takimet tona të mëparshme Serbia njohu diplomat e republikës sonë, letërnjoftimet, gjykatat, kufijtë. Tani duam të zgjidhim statusin e serbëve që jetojnë në veri të vendit tim duke i integruar plotësisht në sistemin kushtetues të Kosovës. Kryeministri i Serbisë është përkushtuar që të punojë me mua për të arritur paqe të qëndrueshme dhe normalizim të marrëdhënieve në dobi të të dyja palëve. BE-ja na ka thënë të dyja palëve që të veprojmë në mënyrë fqinjësore nëse duam të bëhemi anëtarë të BE-së. Kjo është ajo që ne duam: një Serbi evropiane e cila njeh Kosovën në emër të vlerave universale, por edhe për interesa vendore.

Do të udhëtoj për në Nju Jork së shpejti në Këshillin e Sigurimit për të raportuar për përshtypjet e mia nga dialogu. Është një proces i vështirë, veçanërisht për shkak se ende na mungon një falje zyrtare e Serbisë për krimet e tmerrshme të kryera në të kaluarën ndaj familjeve tona. Megjithatë, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë, do të takohem me këdo dhe kudo për të siguruar që popujt tanë mund të përqendrohen në zhvillimin dhe rritjen ekonomike. Rritja ekonomike e familjeve, rritja e ekonomisë në përgjithësi, rritja e vlerave.

Qeveria ime ka mundësuar mbrojtjen e plotë të pakicave. Më lejoni të shtoj, meqë mund t''iu interesojë, se kemi hapur edhe një dialog të vërtetë ndërfetar me bashkësitë fetare dhe Ministria ime e Jashtme do të organizojë një konferencë në maj të këtij viti duke mbledhur krerët më të lartë të feve dhe të çështjeve ndërfetare për të siguruar që njerëzit e fesë na ndihmojnë për të shpërndarë suksesin e dialogun që po e zhvilloj me kryeministrin serb, deri te shoqëria e gjerë, e sidomos te të rinjtë.

Ajo që nisi si ëndërr, sot është fakt. Kosova është shtet. Nuk do të zhduket. Kompromiset ishin të nevojshme dhe ne qëndruam të përkushtuar ndaj kauzës së paqes globale.



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Samitit vjetor Botëror të Paqes 2013, u takua me kryeministrin e Shri Lankës, Dissanayake Mudiyanselage Jayaratne. Në këtë takim, kryeministri Thaçi i dorëzoi zyrtarisht kryeministrit Jayaratne kërkesën për njohjen e shtetit të Kosovës.
Thaçi kërkon njohjen nga Shri Lanka dhe Zimambvea

Kryeministri Thaçi e njoftoi kryeministrin e Shri Lankës edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovës. Përveç tjerash, dy kryeministrat biseduan për bashkëpunimin reciprok në mes të dy vendeve.

Nga ana e tij, kryeministri i Shri Lankës, Jayaratne e ftoi kryeministrin Thaçi për një vizitë në Shri Lankë, ndërsa premtoi se me vëmendje të veçantë do të shqyrtojë kërkesën për njohje të Kosovës.

Thaçi, në kuadër të punimeve të Samitit Botëror të Paqes që po mbahen në Seul, ka pasur një takim edhe me kryeministrin e Zimambves, Morgan R. Tsvangirai.

Fokus kryesor i takimit ka qenë kërkesa për njohjen e Republikës së Kosovës nga Zimbabve. Me këtë rast, Thaçi i dorëzoi zyrtarisht kryeministrit të Zimambves kërkesën për njohjen e shtetit të Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se shteti i Kosovës është njohur nga rreth 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, prandaj kjo është një arsye më shumë që shtetet që ende hezitojnë, të bëjnë njohjen e shtetit më të ri të Evropës.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Ksoovë, me ç’rast kryeministri Tsvangirai dhe se i ka përcjellur me vëmendje të veçantë zhvillimet e fundit. Poashtu, kryeministri Tsvangirai siguroi kryeministrin Thaçi se do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën për njohje.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...