Florije Peci, studentja e plagosur në aksidentin tragjik të Himarës së 21 majit. Mësohet se Peci është zgjuar mbrëmjen e djeshme dhe sipas bluzave të bardha të spitalit austriak ku ajo është e shtruar, truri i saj ka reaguar pozitivisht pas testeve të bëra.
Sipas të njëjtave burimeve, Peci pas përmendjes ka komunikuar me familjarët e saj duke dhënë shenja të një shëndeti mendor të pacënuar, ndërkohë që pritet transportimi i saj në një tjetër spital në Austri, për një rikuperim më të plotë fizik. Florije Peçi dhe Eriselda Gubere, dy vajzat e plagosura në aksidentin që në Himarë u transportuan më 24 Maj drejt Vjenës, për një mjekim më të specializuar, Ndërkohë që Eriselda Gubere, doli nga koma më 15 Qershor.
Ambasadori Minallori: Zgjimi nga koma pa pasoja
Ambasadori shqiptar në Austri, Vili Minallori, në një lidhje telefonike për NEWS24, u shpreh se zgjimi i mbrëmshëm tregon se parametrat shëndetësor të Florijes janë shumë të mirë. “Përgjigjet e mbrëmshme treguan se nuk ka asnjë pasojë. Florija nuk ka pasur probleme të dëmtimit në tru, pasi mendohej se koma e zgjatur mund të kishte dëmtime në kokë, por fakti i mbrëmshëm e tregoi se ajo nuk ka pasoja”,- u shpreh Minallori.
Minallori theksoi se në zgjim, Florija u gjet pranë kujdesit të mjekëve austriak dhe atdhetarëve shqiptar që ndodhen në Austri, ndërkohë që shtoi I ka komunikuar mëngjesin e sotëm lajmin e lumtur dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaci.
Tragjedia
Si pasojë e aksidentit tragjik të 21 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Hetimet
Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar në kthesë shpejtësinë e mjetit. Por familjarët e drejtuesit të autobusit, Pellumb Cela, i cili humbi jetën në aksident, pretendojnë se autobusi nuk ishte në gjendje të mirë teknike. (B.W)
Selman Peci nuk e dëshiron fëmijën që bart në bark vajza e tij, Florija. Jo se është kundër lindjes, por i druhet shëndetit mendor dhe fizik të së bijës.
"Ajo nuk është në gjendje të kujdeset për veten e saj. Nuk kupton asgjë çfarë i ndodh dhe çfarë i thua, si mund të rrisë Florija një fëmijë?", pyet Selman Peci dhe po vetë përgjigjet: "Ajo e ka të ardhmen përpara, vetëm të shërohet. Nuk është koha e saj për të pasur fëmijë, se aktualisht është shndërruar vetë në një fëmijë që ka nevojë për kujdes".
Gruaja e Selmanit, Nazja, del jashtë duke dënesur nën vete kur dëgjon të shoqin të flasë për Florijen. "Nuk e përballoj dot. Aksidenti ishte aksident, por përdhunimi i vajzës sime në atë gjendje është krim makabër", thotë nëna e Florijes, duke mbyllur derën dhe duke ikur kushedi se ku.
"Unë dyshoj te personeli i klinikës. Përdhunuesi i vajzës sime ndodhet në atë klinikë. Policia dhe Prokuroria te bashkëpunojnë dhe të gjejnë autorin. Është krim, krim. Nuk di çfarë lloj mostre është ai person që ka bërë këtë veprim të tmerrshëm", shprehet babai i studentes së dhunuar, raporton BW.
Ndërsa në lidhje me disa familje kosovare në Austri që kanë ndihmuar Florijen,babai thotë: "Nuk dua të përgojohen emrat e atyre familjeve të nderuara. A e dini ju që njëri nga këta persona na kanë ardhur edhe për vizitë në shtëpi? Në gusht kanë qenë në shtëpinë tonë këtu dhe kanë pirë kafe me ne".
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në lidhje me një nga vajzat e aksidentuara në Himarë, e cila është transportuar në koma në Austri dhe rezulton të jetë shtatzënë, pas i mendohet se mund të jetë përdhunuar gjatë kohës që ishte e pavetëdijshme.
Prokuroria e Përgjithshme pritet të urdhërojë një hetim lidhur me një denoncim, e vëllait të vajzës, Florie Peci, dhe ky hetim do të hedhë dritë për një ndër skandalet më të mëdha në fushën e mjekësisë.
Vajza e mbijetuar Florie Peci, e cila u kurua në Austri për shkak të plagëve të rënda, rezulton se është shtatzënë dhe është përdhunuar e abuzuar seksualisht gjatë kohës që ajo ishte në koma. Kallëzimi penal është bërë nga vëllai i vajzës, Gazmend Peci i cili i thotë prokurorisë:
“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur, motra ime në aksidentin e Qafës së Vioshës në Himarë pësoi dëmtime të rënda shëndetësore.
Ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe për shkak të shqetësimeve të shumta specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Konceptimi i shtatzënisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën Gmunderbergut Almunster në Austri , në periudhën e rehabilitimi. Motra ime Florie Peci është përdhunuar në kushtet e spitalit ku ka qenë për kurim. Me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”.
Ky kallëzim ndodhet në duart e prokurorëve për të cilën familja e vajzës së mbijetuar në aksidentin e Himarës kërkon të gjendet personi që ka abuzuar me Florie Pecin. Ndërkohë, Prokurorit të Përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij që ai e quan krim makabër.
Zoti Balla kërkon nga kryeprokurori Llalla që të gjenden autorët, jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.
Vëllai i vajzës i thotë prokurorisë së aktualisht e motra është e shtruar në një maternitet në Tiranë./