2018-03-07

Cikël poetik nga DUKAGJIN HATA

NGA TUNDJA E AJRIT KINDAT E MBRËMJES U VARËN NË KRYQ HARRESE

Image result for DUKAGJIN HATA


Në kohën e lisit tënd



Në lugun e Kroit të Butë

Ende shoh fytyrën tënde

Pasqyruar mbi ujë.

Me shpejtësinë e dritës

Iku koha dhe çasti ngriu

Në avullin e bardhë përtej driatres.

Qenë vetëm fjalë, ndjesi, përfytyrim

U bënë mungesë, pëlhurë e endur me nge

Në tezgjahun e të pathënave.

Qukapiku çukit zgavrat e thata

Në kohën e lisit tënd

Ulen shqiponjat.



Për shkak të tundjes së ajrit



Nga tundja e ajrit kindat e mbrëmjes

U varën në kryqe harrese, manjola lëkundëse,

Purpuri i imët i sitës harrakate të dëshirave

Veshur me purpurin e klithjeve të bufave, krela bionde,

Parfumosur me ankthin e pritjeve, dëshira të befta kozmike,

Kaktuse pendesash pa mëshirë, askund nën asnjë qiell,

Mbi asnjë dhe, askush kujtohet për krahun cung të Rembosë,

Për anijen e dehur po. Rendin pas saj në dehjen e valëve dhe peshqve

Frymërat e algave brohoritëse, shtjellat e verbëra të diellit,

Manat e tokës dhe qiellit, gaforret e ç artura të puthjeve,

Mbështjellë me frymën e muzgjeve të verbër.

Anije e ç artur, detarë të ç artur, kohë e ç artur

Nga tundja e ajrit, të parat bien zonjushat me parzmore citatesh…

Pasatj rrogëtarët e ngeshëm të bujtinave ndanë rrugës,

Më vonë adhuruesit e Maos në orizoret pa frak,

Vijojnë më tej lypësit, politikanët, prestigjiatorët,

Rapsodët në odat e burrave në male,

Tek pinë raki thane të zier dy herë

Dhe kupat i hedhin në pusin e harrimit.

Në gishtat e gjatë të zonjave,

Në gishtat e lyer me këna pasthirrmash

Bien kërpudhat e tejpjekura të epshit…



Tramaks nga bukuria



Muzgu me eks i përpiu ahishtet

Shqarthin e pendesave të myshkura n’ajri

E orët e malit tu vallzu n’lumni

I grishin ujëvarat

N’gosti të harbuara

E Lugjet e Verdha, tu derdhë mëny

Mbi ojna kungatash të harruara

Pinë kupën e mushtit të barit të ri…



Në lektisje. Një pasthirrmë. Thyhet agu përbri

Si dru i thatë bie nga orteku.

Dizdar Osman Aga del në vërri

Orët e Mujit i këndojnë përbri

Rrokullisen kohët atij shtegu.

Muzgu me eks i piu ahishtet

Shqarthin e pendesave të myshkura n’ajri…

Dizdar Osman Aga i tramaks nga bukuria

Pesë mijë dimra s’po shtin gjumë në sy.




Humbet në anën e sprapsme të hënës



Ana e sprapsme e hënës, kungatë e shelgut në ujë,

Lëmashku i verës premtuese, tre herë rikrijuar

Në tehun e një ëndrre ngujuar, fiksim i gjithkujt

N’ajri zogu i mishit të harbuar

Brohoret e shkalafitet pa bujë

Në lëkurën tënde rritet pema e vjetër

Në tokën e askujt.

Ti vjen nga një cep i kopshtit

Me krelat si fllade përmallimi,

Veshur me nejlon nënshtrimi

Shtjellë e ëmbël gufmon gjinjtë e pritjes

Teksa muzgun e mbështjell me hije erëmimi

Si kulpër kacaviresh në lisin e çastit

Fytyra jote e imët, kubike

Humbet në anën e sprapsme të hënës

Dhe plaku Balë i bie lirës dhe vjel tinguj

Frutat e tejpjekur të një stine,

Kujtesën e braktisur të Kopshtit të Botës.



Të tjera ëndrra


Palma lundruese, gjinj të gufmuar, perla,

Deti si qielli, krah të përkorë gjakimi,

Endur në tezgjahun e orëve të Mujit

Bora e prekjes në tokën e Lugjeve të Verdha.

Shkimun ndjesitë, shkapetë trupat, dehur peshqit,

Fryma e rërës vesh muret e heshtjes

Dhe tingujt, hajnisht, ikin përskaj ndezjes.

Gjithkund palma lëkundëse, çasti mbërrin në Jutbinë,

Nuk ka kohë, hapësira shtrihet përtej detit,

Në dete të tjerë, në valë të panjohura…

Palmat lëkundëse flejnë dhe shohin në ëndërr

Të tjera vise, të tjera ëndrra…


Kaq kohë



Ke pritur nën statujën e thyer të qortimit

Teksa stinët ndërroheshin e bari i tundimit

Rritej në livadhin e harbimeve të vjetra.

Sa ikte dimri me heje akujsh groteskë

Pranvera të ndizte në bëbëza një flakë të re

E ti prap rrotulloheshe rreth të njëjtit imazh

Duke më pritur nën hijen e flokëve të tu.

Ku vallë kisha humbur

Që dot s’e gjeja rrugën

Për tek ti?

Shiu bie në një tokë të etur

Ku rritet myshku i premtimit

Dhe fjala ç el trëndafila dashurie.

Kaq kohë klorofili në enën e kurmit tënd

I jeshiloi të vjelat e stinës dhe era

Mori ngjyrën e mushtit, sytë e mëngjeseve

U ç elën nën palmat e qytetit të vjetër.

Ëndrra e kulluar poqi fruta të arta

Dhe paqëtoi sytë e tu në gjumë…

A thua trajta e shpellave pagane

U mbulua nën tënden gunë?


Fati i peshkaqenve


E hollë turma flirt në rreshta të gjatë e të ngjeshur

Camel digjet në buzë zonjash dendi

Trup më trup shuhet thëngjilli i ankthit

Nënqeshja me ura zjarri bie e ngrihet

Në thellësitë e ujërave shkruhet fati i peshkaqenve.

E hollë turma, lexon diçitura të holla

Pankarta të lyera me krem përmallimi

Trup më trup ndizet thëngjilli i limfës

Purot shuhen në buzë zonjash të hirshme

Në gojën e luleve

Fle fati i peshkaqenve.


Ti del nga gjumi i vdektarve


Muzgu i veshi kodrat me pulovrën e qeshjes tënde

Teksa del nga një cep i hënës

E hyn në pafajninë e gjumit të luleshqerrave

Vdektarët e luginës rrëfejnë të fshehtat e lëkurës tënde

Lëkurës tënde alabastër, çaste të mbetura pezull

Në frymëmarrjen e këmbanave të së dielës

Dehen tingujt e ngrirë kallkan në ajër, hieroglife

Poresh të shkalafitura në lojën pa të keq të epshit…

Mos më thuaj: Kam qenë në Luginën e Pendesës Bojëalle

Ç astet tona ishin ndjesi, hutim, ekstazë

Tani janë heshtje, përdëllim

Bien rroket e dëshirës nga buzët e tua

Si mana të tejpjekur

Onamatopetë e qejfit pa fillim, pa mbarim

Ti del nga gjumi i vdektarëve të luginës

E hyn në Amshim.



Pas anijes

Frymon me barin e ri, thekët, pistili

Klorifili në sëndukun e herbareve të harruara

Mushkëritë e festës të shtunave, nën neonë

Vjellin tym të zi ndukjeje, kafshimi…

Poker. Duart-lojë dalldi, lëng molle

Njollë në kurmin e ndrojtur të diellit…

Topi në rrjetë-kosh pendesa, shiringa

Bar magjik në sytë neurotikë të albatrosit

Teksa ndjek anijen e ankimeve të tua…


Pa shkak



Për shkak të mjekrës së kuqërremtë të hënës së re

Dhe mjekrave të tjera tebdil në gardërobën e vesit,

Unë nuk mbaj mjekër, nuk iu falem mjekrave…

Pikiatë shkon mendimi, duke fishkëllyer

Melodinë e gishtave memecë, fotosinteza

Lëvozhgat e kujtimeve i shndërron në ujëvarë.

Më nuk kam çfarë të lexoj në lëvorën e drurëve,

Rrathët e lisit nuk janë kujtesë, as ëndërr,

Kalorësi me Kryqin Ujor nga Fusha e Sinjës

Niset për Albulenë,

Me hënëzën e nuseve të Gjergjit

Në duar…

No comments:

Post a Comment

Kush është Dejona Mihali dhe pse është kaq e rëndësishme në LVV

Kërko brenda në imazh Para 2 vitesh  ish Deputeti i LVV, Haki Abazi, i cili  u largua nga 2 komisione parlamentare, kishte  disa akuza të rë...