2018-03-06

Fatos Klosi: Disponoj detaje tronditëse për vrasjen e Azem Hajdarit, ja si i ndihmoi Sali Berisha vrasësit

Fatos Klosi: Disponoj detaje tronditëse për vrasjen e Azem Hajdarit, ja si i ndihmoi Sali Berisha vrasësit
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, ka deklaruar se disponon fakte të reja tronditëse për rrethanat dhe personazhet e implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, e konsideruar edhe si vrasja e shekullit. 16 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit, Fatos Klosi pohon se di detaje të reja rreth vrasjes, që mund t’i shërbejnë prokurorisë dhe gjykatës për të rihapur dosjen. Në cilësinë e ish-kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Klosi pohon se Sali Berisha ka ndihmuar atentatorët e Azem Hajdarit për të realizuar qëllimin e tyre. Ndër të tjera, Klosi tha se vrasja e Azem Hajdarit mund të ishte parandaluar, pasi ai ka qenë në dijeni të atentatit. “Vrasja e Azem Hajdarit mund të parandalohej dhe u bënë përpjekje për ta parandaluar. Azemi u paralajmërua që grupe të caktuara se do t‘i bënin atentat dhe faktikisht atij iu bë atentati. Por, qarqet e vogla u ndihmuan nga qarqe më të mëdha të cilat më pas vranë Azem Hajdarin. Gjërat merrem me mend se kush kishte interes për ta vrarë Azemin. Dhe interesin e kishte opozita. Tani se kush e vrau, për këtë u zhvilluan gjyqe dhe gjykata vendosi burg përjetë për disa persona. Është premtuar se kur të vinte në pozitë, opozita e atëhershme do të rihapte dosjen dhe do të zbulonte se kush e vrau Azem Hajdarin. Por vendimi i asaj gjykate, me sa duket i ka vënë kapak kësaj çështje. Unë di detaje të tjera të rënda, por nuk mund të flas, pasi kjo do t’i shërbente gjykatës. Merret me mend se kush e vrau dhe të gjithë e dinë këtë gjë. Berisha ka qenë ndihmës për ata që vranë Azem Hajdarin”, deklaroi Klosi.

Materialet

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ka theksuar se ekzistojnë materiale rreth vrasjes së Azem Hajdarit. “Ka një material të klasifikuar e përfundimtar që ndodhet ende në arkivat e SHISH e Ministrisë së Brendshme, por jo vetëm aty, që përshkruan me emër pjesën më të madhe të autorëve të atentatit, planifikimin e lëvizjeve të tyre në drejtim të Tiranës dhe lëvizjet e tyre nëpër Tiranë, pikat e kontaktit e kështu me radhë. Është një material tepër i rezervuar që u vu dhe në dispozicion të prokurorisë kur hetoi vrasjen. Fatkeqësisht ndodhi ashtu siç e kishim paralajmëruar. Ne dinim që më parë se në shtator po përgatitej të bëheshin trazira në Shqipëri duke filluar nga Shkodra e për të përfunduar në Tiranë. Vrasja e Azemit e përshpejtoi këtë skenar”, ka deklaruar ai.

Atentatet ndaj Azem Hajdarit

Tentativa e parë për të vrarë Azem Hajdarin ka nisur më 18 Shtator 1997, kur deputeti i ndjerë u godit në Parlamentin Shqiptar me pesë plumba prej deputetit socialist, Gafurr Mazreku. Deputeti Hajdari shpëtoi edhe pse kishte marrë pesë plumba në trup. Kurthi i klikës në pushtet kishte llogaritur vdekjen e tij. Më 14 Shkurt 1998, forca të shumta policore e rrethojnë Azem Hajdarin në Urën e Milotit, qëllojnë mbi makinën e Azem Hajdarit, ku ishte edhe djali i tij për ta eliminuar. Por edhe ky kurth dështoi. Hajdari mbijetoi. Më pas policia arrestoi disa dhjetëra persona duke i akuzuar pa asnjë provë apo fakt. Ky proces kundër këtyre të arrestuarve nuk ka mbaruar edhe sot e kësaj dite. Ndër të arrestuarit e kësaj ngjarje nga klika në pushtet qe edhe ish-ministri i Brendshëm Ali Kazazi. Më 4 Qershor 1998, Azem Hajdarit i organizohet pritë në qytetin e Bajram Currit. Dhjetëra plumba derdhen mbi makinën e tij. Në këtë pritë mbetet i plagosur gazetari Bardhyl Pollo. Më 12 Shtator 1998, një tjetër pritë i merr jetën.

Të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit

Për vrasjen e deputetit Hajdari u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha dhe mbanin poste të rëndësishme. Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, sipas akuzës, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë, si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vjet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për “armëmbajtje pa leje”. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi se përse u ekzekutua Azem Hajdari. Ndërkaq, u vërtetua se mbi deputetin kishte qëlluar me dorën e tij Fatmir Haklaj, i cili u vra më pas gjatë një atentati të mirëorganizuar. I vetmi që u shpall i pafajshëm ishte Fatmir Meta. Ai u lirua nga salla e gjyqit. Të dënuarit pretendojnë se janë të pafajshëm për vrasjen e cilësuar si krimi i shekullit, ndaj janë ankuar në Gjykatën e Strasburgut.

Marjan Gryka: Berisha e nxori Azemin në pritë për ta vrarë

Ish-truproja e Azem Hajdarit, Marjan Gryka, ka deklaruar se natën e vrasjes Haklajt kanë shkuar për të vrarë Berishën dhe Azemi është thirrur me shpejtësi nga Fieri. “Në atë kohë, ditën që është rrethuar PD-ja, pra gjoja për të varë Azem Hajdarin, sepse Haklajt nuk kanë ardhur për të vrarë Azem Hajdarin. Haklajt e kanë deklaruar, e kanë rideklaruar madje e kanë kërkuar edhe në gjyq Sali Berishën. Sepse ata kanë ardhur me vra Sali Berishën dhe jo Azem Hajdarin. Se e dinte e gjithë Shqipëria që Azemi ishte në miting në Fier dhe po të donin vrasësit mund t’i bënin prita kudo nga Fieri në Tiranë. Por nuk kishin ardhur për Azem Hajdarin. Por skenaristët e PD-së telefonuan Azem Hajdarin me porosi të doktorit që duhej të vinte urgjent në Tiranë, pasi kishte mbledhje Kryesie. Unë fola me të dhe i thashë, madje iu thashë edhe çunave të Fierit, çunat që sot janë pronarët e turizmit, janë sot dëshmitarë të gjithë. “Mos e lini Azemin të lëvizë””, ka deklaruar Gryka.

No comments:

Post a Comment

Dhuna Politike në Dardani ...

Kërko brenda në imazh Gazi lotsjellës e koktej-molotovët janë dhunë politike, vlerësonte  ish ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie....