Fehmi Ramadani
Prishtinë, Kosovë
fehmi.ramadani@hotmail.comDeklaratat e fundit të Piter Fait, përfaqësuesit special të Zyrës Civile (ICO) të BE-së në Republikën e Kosovës se në dialogun e ardhshëm me Beogradin, varet kryesisht nga Prishtina dhe Beogradi nëse do të shtrojnë në agjendën e tyre problemin e Luginës së Preshevës, përkatësisht Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, tri komunave të banuara kryesisht me shumicë popullsi shqiptare autoktone.
Kjo fjali e thënë nga ky zyrtarë special i BE-së në shtetin e Kosovës nuk është e rastësishme, por paraqet guximin dhe vizionin e një politike evropiane, e cila dëshiron të përballet me një problem mjaftë të ndjeshëm të rajonit. Duke mos harruar se ky politikan është njohës i mirë i zhvillimeve në Luginë, sepse gjatë kohës së krizës ishte negociues kryesor i BE-së ndërmjet UÇPMB-së dhe palës serbe. Pas luftës së vitit 2001 faktori ndërkombëtar kishte qëndruar indiferent për një kohë të gjatë ndaj kësaj çështjeje, rrëfimi i fundit i këtij diplomati të jep të shpresosh se mund të hapen rrugët e zgjidhjes së problemeve edhe të shqiptarëve të Luginës në të ardhmen. Kjo është edhe një lloj satisfakcion i tij ndaj heshtjes disavjeçare ndaj këtij problemi.
Në interes të zgjidhjes së problemit të Luginës shkojnë edhe deklaratat e zv/kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Hajredin Kuçi, i cili kishte deklaruar se nëse faktori ndërkombëtar kërkon zgjerim të drejtave edhe më të mëdha për serbët e Kosovës (jashtë Planit të Ahtisarit), kjo pa dyshim se do të fut në lojë parimin e reciprocitetit me shqiptarët e Luginës. Të gjitha të drejtat që do t’i gëzojnë pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, patjetër duhet t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.
Njëherësh, këto deklarata nënkuptojnë se politika e Prishtinës së bashku me faktorin ndërkombëtar janë pajtuar që të kenë një qasje konstruktive të zgjidhjes së problemeve, si të serbëve, por edhe të shqiptarëve të rajonit. Kjo nuk varet vetëm nga qasja e tyre, por edhe nga Beogradi, i cili përveç deklaratave demagogjike deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap inkurajues për t’iu futur zgjidhjes së problemeve një nga një të grumbulluara me decenie të tëra.
Askush nuk mund të besoj se me Beogradin mund të zgjidhen problemet brenda natës, por më mirë është të bisedohet dhe të arrihet ndonjë marrëveshje, se sa njerëzit e tyre të jetojnë në tensione dhe krizë të përhershme, si serbët, por edhe shqiptarët. Një fjalë e urtë e popullit thotë se më mirë është të bisedohet për shumë vjeç, se sa të luftohet vetëm një ditë, sepse pasojat janë të mëdha.
Faktori politik i Luginës duhet të jetë aktiv dhe vazhdimisht të jetë në kontakt me politikanët e Prishtinës, Tiranës, faktorin ndërkombëtar, por pse jo edhe politikanët e Beogradit, sidomos të atyre që kanë një qasje më konstruktive ndaj problemit shqiptar dhe t’i shtrohen problemet e tyre duke mos hezituar aspak.
Ç’ tensionimi i situatës politike dhe të sigurisë në Luginë dhe rajon është i një rëndësie të madhe, edh pse kërkohet kohë dhe aktivitet i vazhdueshëm politik.
Padyshim, se zgjidhja më e mirë ndaj problemit të Luginës së Preshevës do të ishte një marrëveshje paqësore ndërshtetërore ndërmjet Prishtinës, Tiranës, Beogradit dhe faktorit ndërkombëtar për ridefinimin e vijës administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu që dy komunat me popullsi serbe në veri të Kosovës të kalojnë në juridiksionin e Serbisë, sepse edhe ashtu serbët po donë, ndërsa tri komunat shqiptare të Jugut të Serbisë të kalojnë përfundimisht nën administrimin e Republikës së Kosovës, sepse deri në vitin 1947 ishin pjesë përbërëse të Kosovës. Pra, gabimi i shkaktuar rreth 50 vjet më parë nga komunistët jugosllavë duhet të përmirësohet në mënyrë që rajoni të ketë paqe dhe stabilizim të përhershëm njëherë e përgjithmonë. Kjo do të ishte zgjidhja optimale ndaj këtij problemi, ndërsa zgjidhja e këtij kontesti shqiptaro serb do të ç’tensiononte krejt regjionin e Ballkanit dhe do të hapte shtigje të shumta të zhvillimit dhe prosperitetit të këtyre dy vendeve fqinje.
Prandaj, gjatë këtyre bisedimeve nuk duhet anashkaluar ky problem, sepse moszgjidhja e tij do të rrit rrezikun për krizë të vazhdueshme të rajonit, por edhe të raporteve të ardhshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Integrimet rajonale dhe euro-atlantike mund të jenë vetëm një ëndërr dhe nuk do të gjejnë zbatim për një kohë edhe më të gjatë. Shansi për dialog dhe zgjidhje konstruktive të problemeve të lartcekura është më pak i llogaritshëm se sa çmimi i ripërsëritjes së krizave të vazhdueshme në rajon, andaj kësaj radhe kjo nuk guxon të humbet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
No comments:
Post a Comment