2011-05-09

Roli i mediumeve serbe në Kosovë!

artikuj

Fehmi Ramadani

Prishtinë, Kosovë
fehmi.ramadani@hotmail.com

Në Kosovën e pasluftës mediumet, si ato elektronike, por edhe të shkruara kishin marrë një hov të madh të zhvillimit të tyre. Ky “turr” i hapjes së tyre kishte ardhur si pasojë e ndalimit shumëvjeçar të informimit në gjuhën shqipe nga regjimet serbe. Pas vitit 1999, UNMIK-u kishte lejuar që të hapen mediume të shumta, sidomos radio dhe televizioneve private në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e pakicave që jetojnë në Kosovë. Me dhjetëra mediume kishin filluar të punojnë, shumica e të cilave kishin qëllime komerciale, kurse disa kishin qëllime informative dhe argëtuese.
Mirëpo, këtu shtrohet problemi se, cili është roli dhe qëllimi i funksionimit të një numri të madh të mediumeve, sidomos në gjuhën serbe nëpër vendbanimet e tyre? Sa për kuriozitet UNMIK-u kishte lejuar që gati në çdo fshat serb në Kosovë të ketë nga një medium në gjuhën serbe. Kjo punë, përveç UNMIK-ut është bërë edhe me ndihmën e disa shoqatave të huaja, por edhe me ndihmën e drejtpërdrejt të Beogradit. Mediumet që financohen nga Beogradi janë: Radio “KIM” në Çagllavicë, Radio “Graçanica”, Radio “Raniluk”, Radio “Shilovo”, Radio “Shterpce”, Radio “Kosovo Polje”, TV “Most”, etj. Ndërsa, në veriun e Kosovës, sidomos në Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicën veriore ka shumë të tilla dhe kjo punë bëhet pa asnjë pengesë ligjore.
Numri i tyre në Kosovë është aq i madh sa që nuk dihet se kujt i dedikohen të gjitha këto mediume, kur dihet se numri i pakicës serbe në Kosovë sillet diku rreth 5 për qind. Por, problemi nuk qëndron në lejimin apo moslejimin e tyre, sepse informimi në gjuhën amtare në Kosovë është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë për të gjitha etnitë. Shqetësimi është në faktin se me çfarë programesh punohet nëpër këto mediume serbe, nga kush financohen, cili është roli i tyre, kush i mbështet ato dhe për çfarë qëllime përdoren ato?
Në Kosovë të kërkosh frekuencat e një radio në gjuhën shqipe, padyshim se do të hasësh në pengesa nga valët që kanë këto radiostacione serbe. Frekuencat e tyre nëpër tërë territorin e Kosovës janë aq shumë të forta sa që pengojnë së transmetuari radiot dhe TV-të në gjuhën shqipe. Këto radio dhe televizione serbe kanë një teknologji shumë të avancuar në krahasim me ato në gjuhën shqipe.
Programet e këtyre mediumeve janë krejtësisht një nacionale dhe asgjë nuk kanë të bëjnë me realitetin e kësaj hapësire, apo me jetën “multietnike”. Këto mediume shtetin e Serbisë e trajtojnë si shtet të tyre, ndërsa Beogradin si kryeqendër. Kosova trajtohet si krahinë serbe edhe quhet “Kosovo i Metohija”. Këto mediume kanë një skemë programore shoviniste dhe për qëllim kanë nxitjen e urrejtjes kundër popujve tjerë. Sipas këtyre mediumeve NATO-ja është agresor i këtij vendi, ndërsa UÇK-ja bandë terroristësh. Deri më tani askujt kjo në Kosovë nuk i ka penguar. Pakica serbe në Kosovë informohet sikur këtu të mos kishte ndodhur asgjë në të kaluarën e afërt, sikur shteti serb të mos ketë bërë gjenocid dhe pastrim etnik ndaj shqiptarëve. Këta sillen nëpër këto mediume, sikur ata të kishin jetuar në ndonjë planetë tjetër e jo në tokën e Kosovës dhe Ballkanit. Sipas tyre, KFOR-i, UNMIK-u, EULEXI dhe organizatat tjera të huaja konsiderohet të përkohshme dhe si të ashtuquajtura, bile as nuk ju hanë palla për respektim të ligjit.
Financimi i këtyre mediumeve bëhet kryesisht nga institucionet e shtetit serb, pa asnjë pengesë nga institucionet e Kosovës. Sot e kësaj dite këto mediume marrin paga dhe donacione nga Serbia, shoqatat e ndryshme, por një pjesë e tyre edhe nga Buxheti i Kosovës. Beograd vetëm gjatë këtij viti ka ndarë rreth 230 milionë euro për strukturat e saj në Kosovë. Edhe pse kanë kaluar dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria e saj nuk është marrë me problemin e legjitimitetit të tyre dhe vënies së rendit në këtë fushë. Kjo punë është lënë krejtësisht në duart e Beogradit.
Ndaj mediumeve në gjuhën serbe nuk janë kërkuar kurrfarë rregulla, apo kritere të funksionimit të tyre, ndërsa ndaj mediumeve në gjuhën shqipe kërkohet respektim i kritereve të forta. Për ironi, shqiptarët e Kosovës, bile as që janë pyetur se çfarë informimi dëshirojnë të kenë. Deri vonë ata kanë paguar 3.5 euro taksë për RTK-në në faturat e energjisë elektrike dhe për këtë nuk i kishte pyetur askush. Mënyra e financimit të këtij mediumi për mes faturave të rrymës ishte një e padrejtë shumë e madhe. Kjo ishte një shkelje e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë, por kësaj here nga misionet e huaja dhe vendorët. Me një fjalë deri sa mediumet serbe në Kosovë punojnë dhe funksionojnë duke mos respektuar asnjë ligj, rregull, apo kriter, disa nga to në gjuhën shqipe ende janë të diskriminuara. Vlen të përmendet, sidomos Radio “Kosova e Lirë”, e cila si medium i parë që u vu në ballë të lirisë së këtij vendi është privuar nga disa të drejta. Në vend që Qeveria e Kosovës këtë medium ta bëjë publik dhe t’i ofrojë ndihmë si me mjete dhe teknikë, ky medium nuk përfillet aspak nga kjo institucionet e saj. Ndërsa mediumet tjera janë ndihmuar nga donatorë të ndryshëm, ky medium mbahet nga njerëz të vullnetit të mirë që janë në shërbim të kauzës kombëtare. A nuk është kjo një padrejtësi e madhe nga institucionet e Kosovës? Kjo padrejtësi duhet të përmirësohet në të ardhmen, sepse është obligim kombëtar, ligjor e moral.
Shteti i Kosovës, përkatësisht i institucionet e saj, përfundimisht duhet të ndërmarrin masa ligjore ndaj të gjitha mediumeve pa marrë parasysh se në cilën gjuhë janë ato, që njëherë e përgjithmonë në këtë vend të vihet rendi dhe ligji edhe në fushën e informimit dhe legalizimit të mediumeve, si elektronike, por edhe të shkruara. Shteti duhet të përcaktojnë rregulla të qarta të funksionimit të tyre, por kuptohet që fjala e lirë është postulati i parë i demokracisë, ama ato duhet të sillen sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Mediumet që propagandojnë urrejtje të mbyllen menjëherë, ndërsa përgjegjësit e tyre të sillen para drejtësisë. Shteti i Kosovës duhet të jetë i detyruar që të gjitha ato mediume që nuk sillen sipas ligjit të Kosovës t’ua ndalojë veprimtarinë e tyre. Mediumeve serbe që financohen nga Beogradi duhet t’i ndalohet veprimtaria, sepse ato janë në kundërshtim me ligjet e këtij vendi. Kjo do të jetë një punë jo e lehtë për institucionet e Kosovës. Kjo është një sfidë e domosdoshme dhe jetike për vënien e rendit dhe ligjit në këtë fushë, por është edhe një sprovë e madhe për funksionimin e demokracisë së këtij shteti të ri...

No comments:

Post a Comment

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën më 2035 !

Kërko brenda në imazh Shkruan :Akademik Prof.Dr.Flori Bruqi,PHD Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është ideja për të bashkuar të gjithë treva...