2011-05-13

Nga Fritz RADOVANI: RISHFAQET NË SHEKULLIN XXI “JUPOTOMANIA”...



Ndërsa GAZETA “ILLYRIA” njofton:

(THE ONLY ALBANIAN – AMERICAN NEWSPAPER
   September 26-29, 2003, Volume 13, No. 1278.    $1.50)

“U shua albanologu i shquar shqiptar, Jup Kastrati.
            Tri ditë më parë, u nda nga jeta albanologu i shquar shqiptar, Jup Kastrati. Ky intelektual që nderonte jo vetëm Shkodrën po mbarë Shqipërinë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në studimet e albanologjisë duke bërë emër brenda e jashtë vendit. 
            Jup Kastrati ka lindur në Shkodër, me 15 Prill 1924, ku edhe u shkollua. Më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino dhe u kthye në Shqipëri. Gjatë pushtimit italian,  si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento” në kodrat e Tepës në Shkodër, pastaj është mbajtur  si peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. U bë Doktor i Shkencave Filologjike me 1982. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor. Ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është dekoruar me urdhrat “Mësues i Popullit” si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Brenda vitëve 1956-1999 ka botuar 35 libra.
            Studimet e fundit që kishte në dorë....
            Po shkruante vëllimin e tretë të “Studime Albanologjike”, por sëmundja nuk e ka lënë ta çojë në fund aventurën e tij....”

            Ju falemnderës, z. Ridvan Dibra!
            Falnderoj edhe Gazetën “Illyria” për botimin e faqes 24 të saj!  
            Isha shumë i sigurtë se një ditë do të dilte në dritë e vërteta!
            Ju shkruani: “....ka lindur në Shkodër, më 15 Prill 1924, ku edhe u shkollua.” Ku u shkollua? Në cilin nga katër gjimnazet e Shkodrës mori maturën? A po mos keni dashtë me thanë se “lindi i shkolluar!...atë ditë kur e gjetën ndër “ferrmana”...
            “Më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino...”. Si ka mundësi që në moshen 18 vjeçare, pa dijtë asnjë gjuhë të huej, tue përfshi edhe italishtën, me shkue në një gjimnaz italian të njohun të Torinos dhe me u pranue si student aty?
Ky, si “antifashist”, sa vjeç ishte kur u pushtue Shqipnia? Kur erdhi nga Italia, në cilin grup antifashist ka ba pjesë? Kush e burgosi dhe pse? Sa kohë vuejti i internuem në Kodrat e Tepës? Me cilin nga “shokët” u shkëmbye kur u mbajt “peng në Kosovë” për me e lirue? Po gjatë vitit 1944, me shka asht marrë ky “antifashist”? Sa gjermanë ka gjuejtë me lastikë?....
            Kam pasë pyetë z. Shaqir Hoti, se ku pate dalë në mal si partizan gjatë luftës? Ai m’u përgjigj kështu: “Aty nga gushti i vitit 1944 kemi shkue një grup shokësh në Bardhej me hangër fiq e rrush tek një bardhanjor, i njohun i familjës. Atje na çuen fjalë se gjermanët kerkojnë një komunist në lagjën tonë. Na, tue mos dijtë se cilin kerkonin, u friguem dhe fjetëm një javë tek fshatari, që ishte tue vjelë vneshtën. Mbas një jave u qetësue puna dhe erdhëm në shtëpija. Këte javë na ishim në mal!...”.
Edhe në Tepe ka pasë “mana”! Mos e kapen edhe Jupin tue shkundë mana?
            “Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin....” Po “maturën” kur dhe ku e mori? Si hyni në Universitet pa maturë? Apo kur ishte sekretar i  shkollës muejti me fallsifikue në amzen e gjimnazit edhe një “dokument mature” për vete? Në cilin vit dha provime në fakultetin e filologjisë? Pse nuk përcaktoni asnjë datë, kur ju shënoni  me saktësi edhe ata pak muej që ka qendrue në Torino (në pastë kenë ndopak!)?
            Sesi u ba  dhe kush e bani: “Profesor, doktor e Mjeshtër i Madh....”, këte e dijmë si ju edhe unë!... E ma mirë se unë dhe ju e di “shoku i tij anadollak” Ramiz Alia...i cili, simbas thanjes së z. Agron Sykja, i ka pasë dhanë Jupit edhe një numur telefoni me komunikue me te.
            Keni harrue me tregue se një “diplomë” ka marrë edhe kur ka ba parathanjen e librit të “shokut të tij”, spijunit Rakip Beqja, “Veprimtaria antiatdhetare e klerit katolik shqiptar”, ku Jup Kastrati shkruen: “Kleri katolik, ashtu si kishte veshjen, kishte shpirtin...” ose, ma mirë me thanë: “Ku Jupi tregon një autopsi të veten..!” Ndërsa, në darkë shkonte me vjedhë tek Arra e Madhe në Kuvendin e tyne çka mujte me bajtë nga “ata shpirtzezë”...
            Studimet e...”tij” janë mbi bazat e gjuhëve latine dhe italiane. Sigurisht ju flisni për kulturen e Klerikëve Katolik me të cilët Jupi ka shkembye “biseda kulturore”, siç shkruen edhe një mik i juej...Asnjenën nga këto gjuhë ai nuk i dinte në vitin 1954 kur ishte “mësues” në shkollen Pedagogjike “Sh. Juka” në Shkodër. Asht ajo kohë kur amorali Skender Villa i lejonte “mësues” Jupit edhe qendrimin imoral me nxanëset e veta, kur ato vajza ishin katolike dhe me biografi të “keqe”...Besoj se më kuptoni që jam tue tregue për atë kohë kur çdo darkë ishte “mysafir” në Kuvendin e Fretënve (kur “studjonte” latinishten) dhe kur delte prej aty “i ngarkuem” me libra e materiale studimore të shkecëtarit të nderuem At Justin Rrota....E, kur ju donte me bajtë randë... janë ende gjallë “vagabondat” e Arrës së Madhe që e kanë ndihmue tue ia çue librat Jupit deri në shtëpi, ndonse ende qendrojnë gojëmbyllun!..
            Ju, i nderuem z.Ridvan Dibra, Ju lumtë që thoni atë të vërtetë që nuk ka pasë kush guxim me e thanë se, jo ma me e shkrue deri sot: “....por sëmundja nuk e ka lënë ta çojë në fund aventurën e tij.” Një thanje shumë e përshtatshme për një aventurier si ai.
            Titulli asht shumë i gjetun: “U shua...” edhe një aventurier....  
            Kjo shprehje e Jueja duhet t’i vlejë si mësim edhe aventurierëve të tjerë, që nuk janë pak! Zoti asht i madh! Ai vonon, po nuk harron!.. Kështu thotë edhe populli...
            Ju falemnderës shumë për artikullin! Edhe pse vonë, por “ma mirë vonë se kurrë!”

           

Shfaqja e “Jupotomanisë”
Sot Shqipnia asht plot me këta “pseudoprofesorë” që kanë mbi në kooperativat dhe fermat e “universiteteve” të Shqipnisë...dhe u diplomuen kryesisht në provat e dhana në sigurimin e shtetit të vitit 1967 dhe mbas kongresit të drejtshkrimit në vitin 1972...
            “Revolucioni Ideologjik dhe Kultural” i vitit 1967, ku protagonist kryesor mbas shpinës së diktatorit ishte Ramiz Alia, dhe luhej me kartat e fundit të Mao Ce Dunit, u angazhuen një sasi e madhe e pseudointelektualëve, të cilët, për me dhanë prova besnikrije ndaj partisë dhe sigurimit të shtetit, nuk lanë gja pa ba nën masken e “teseres” së partisë komuniste (PPSh), tue shfrye me fanatizem të pacipë urrejtjen e mbrendshme anadollake kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe njerzve ma të thjeshtë të besimit katolik, sikur të mos ishin fare “shqiptarë”. Të paharrueshem mbesin në mendjen e Popullit të Shkodres servilët dhe spijunët: Jup Kastrati, Shefik Osmani, Skender Drini, Ramiz Hafizi, Xhemal Dini, Musa Kraja, Halit Isufi, Selahedin Cena, Angjelin Kumrija, Fadil Ymeri, Sadik Rama, Vehbi Bala, Fadil Kraja, Prekë Sokoli, Sofije Prifti etj...  
            Sigurisht “garanci” ishin veprat e tyne si spijunë të regjun!
            Një “garanci” e Jupit asht edhe “vepra” e tij “Diana”. Ajo asht e bija me të gjitha cilsitë e “prof. Dr, docent..” spijunit Jup Kastratit nga Shkodra, e datëlindjes 2 maj 1967, pak ditë mbas ardhjes në Institutin Pedagogjik të Shkodres të “shokut” Ramiz Alia për demaskimin e Klerit Katolik Shqiptar në “Revolucionin Kultural”, ku “shoku” Jup Kastrati me datën 29 Prill 1967, ora 17.00, në sallen e madhe të Institutit, me pafytyrsinë e tij karakteristike, ka guxue me demaskue klerikun e nderuem At Pjeter Mëshkalla,  me fjalën e tij “Jezuitet dhe protestat e popullit kundër tyne.” Përgjigjen... deri tek Mehmet Shehu ua dha vetë At Mëshkalla.
            Kujtoj pak ditë mbas fortunës së porsafillueme të atij “revolucioni” në 1967, aty nga fundi i muejt qershor 1967, mbasi ishte arrestue im vlla, më ndalon në rrugë, kur po shkoja në shkollen “Liria” të Pazarit të vjetër, prindi i një nxanësi, i ndjeri Muhamet Shami, Hoxhë, që doli nga shtëpija në fund të rrugës Xhabijej dhe, më tha: “Mësues, dola me të përshëndetë dhe me të urue gjithë të mirat, se ndoshta nuk shihemi ma. Unë nuk mund të dal ma nga kjo shtëpi, se jam me mjekerr dhe nuk e hjeku. Pashë Allahun, rueju fort prej “këtyne”, se para pak ditësh kanë fillue me priftnit tuej e kanë me vazhdue me ne. As turqit nuk kanë ba në Shqipni kështu çka po ban pa asnjë shkak kundër katolikëve Enver Hoxha!”. Dhe, me të vertetë, nuk e kam pa ma Atë Hoxhë të Nderuem e dashamir...Vitet banë punën e vet. E me dashtë me folë për sa e sa Muslimanë si Hoxhë Muhameti, do të duhej një liber i plotë, që në fund do të kishte vetëm një mbyllje: “Kur ishte në shtrat i sëmurë, disa muej para se me vdekë në shtëpinë e Tij At Pjetër Mëshkalla, i pamuejtun me marrë edhe një gotë me ujë, kush i qendroi tek koka dhe me dashuninë e një djali të pashoq u err’e u çue me muej i shtrimë ndër drrasa e shpesh pa ngranë, tue i ba shoqni e sherbim si Atit të vet..? Vetem një Burrë Musliman, z. Xhevat Meta”.
            E sot, ku janë “shokët” e Atij Burri Shkodran?! – Askund!
            Në atë “revolucion” të vitit 1967, Ramiz Alia emnoi mikun e vet Jup Kastratin “Kryetar i komisionit përzgjedhjes leteraturës fetare dhe kishtare”, pra, mbasi dha prova tue vjedhë e plaçkitë bibliotekat e Fretenve e Jezuitëve, dhe mbasi rjepi sa ishte gjallë thesaret e At Justin Rrotës, i jepet edhe “autorizimi” i shtetit me vazhdue hajninë në 1967 me leteraturen fetare kishtare, së ciles tashma ia kishte marrë doren edhe në Argjipeshkvinë e Shkodres.



            Rishfaqja ...në shekullin e ri...
            “Çka lind prej micet gjuen mijë”, thotë Populli. Edhe e bija Diana, e paknaqun nga titujt e “pamerituem” që komunizmi i ka dhanë babës saj, nuk ka si shfryen tek Enver Hoxha e Ramiz Alia, që nuk kanë ba edhe baben e saj “mit” po me atë fudullekun e saj, sigurisht të trashiguem në gjakun e saj nga “vllaznit” e gjakut të Ramizit e të Jupit, çon kokën boshe e me kryenaltësinë e koketës edhe kerkon:  
''Shqiptarve u pëlqen miti. Miti asht andërr e shqiptarve, nuk mund të flejnë pa mite dhe kështu po ndodh edhe me mitin Skënderbeu, prandej kush ka qejf le të jetojë me trille mitologjike, por shkenca nuk e pranon. Skënderbeu asht mitizue dhe ne duhet ta çmitizojme, ta demontojmë. Nuk kemi ende një libër për Skënderbeun, ku miti të mos shifet se asht i neveritshëm.
Jam e tronditun se studentëve të mi u asht mbushë koka, u asht ba koka daulle, na u mbushë koka gjatë komunizmit sikurse plot e për plot me mitin e Skenderbeut. Nuk durohet kjo lloj sjellje nga shkenca...”
Me thanë të drejtën, unë që kam njohtë edhe baben tand, atëherë kur Prof. Izet Bebeziqi dhe Prof. Filip Fishta, pastronin me leckë librat e plaçkitun nga bibliotekat e klerit në podrum të Muzeut Popullor të Shkodres (ish godina e “sahatit inglizit”), dhe i lenin në një anë se do të vijë me “zgjedhë” Jup Kastrati, mbasi kështu ka urdhnue “shkjau” komunist Vasil Llazari, ish drejtori i atij institucioni, nuk mund të pranoj se ju jeni injorante, që flisni me kaq urrejtje dhe vner bash si hana e ylli i atij flamuri ogurzi që poshtnoi i madhi Kastrioti yni, mbasi nuk mund të ishe aq e palatueme, kur nëper duert tueja ju duhet të keni kalue mbi 4000 libra, që baba yt ka vjedhë nga ato biblioteka dhe i keni në shtëpinë tuej... E sikur ti të kishe lexue në to vetëm titujt dhe autorët e tyne, nuk merresh me Oliverat e aventurirët tjerë të Tiranës, por duhet thanë troç: “Nga aventurierët spijun të sigurimit komunist, lindin vetëm mendje të tilla të përçudnueme, defiçente, seksualisht të shrregullta, të gjymtueme dhe të etuna për shkatrrim, të cilat për 65 vjet vazhdojnë me rrenue Muret e Kështjellave tona Kombëtare, mbi të cilat valonte për shekuj të tanë Flamuri i Gjergj Kastriotit me Shqipën e vet Dykrenare mbi shtrojen e përgjakun dhe të dhunueme, pikërisht nga ata tradhëtarë me të cilët bashkpunoi edhe baba yt tue vue mbi Gjakun e Atdhetarëve të shkuem rrëkajë “yllin e kuq”, të cilit i ka sherbye ai, dhe sot rrugen e atij aventurieri e ndjek edhe ti, vajza e tij... Diana Kastrati...”
Gjergj Kastrioti Skenderbeu asht si brilanti që vezullon edhe në natën e errtë e pa dritë gjysëshekullore që ka kalue Shqipnia e Martirizueme, Ajo vezullon edhe sot kur mbi Ate të gjitha hordhitë që kanë kalue dhe janë mundue me e “demontue”, tue fillue nga parardhësit tuej e deri tek sllavokomunistët ma të terbuem që rrenuen kulturën, artin, traditën, edukaten, nderin,  familjen, shkollën, fenë dhe gjithshka që e bante Atdheun tonë me shkelqye me vepra monumentale dhe skulptura madhshtore të Atij Kastrioti ndër pjaca e lulishta të Kryeqyteteve ma të zhvillueme, tue i tregue të gjithë Europës, se “Ky ju mbrojti nga osmanllijtë...”
E, prandej edhe duhet zhdukë...apo “demontue” thotë Diana Kastrati...“jupistia” e re..!

“Shqipnia pa Gjergj Kastriotin Skenderbeun do t’i ngjante gjithë Europës së Përparueme me një unazë shumë të çmueshme, së cilës i ka ‘humbë’ brilanti..!” 
Këte kerkojnë me ba “jupotomanët”me dallkaukët tjerë të shek. XXI...

            Melbourne, Maj 2011


**********************

Begzad BALIU

JUP KASTRATI (1924-2002)

Më 22 shtator 2002, në Shkodër vdiq njëri prej albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX. Gjatë këtyre 79 vjetëve të jetës së tij studimeve shqiptare ai u ka lënë një trashëgimi jetësore dhe shkencore të jashtëzakonshme, prandaj ai sot radhitet në pantonin e personaliteteve me emblemetike të kërkimeve albanologjike.

Ka lindur në Shkodër, me 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930 - 1935), gjimnaz klasik (1936 - 1940) dhe licé real (1941 - 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht - nëntor 1942) ka qenë edhe në Liceo scientifico “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I”, në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në Campo concentramento (Fushë përqëndrimi), Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër, ostaggio (peng) në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit (korrik - shtator 1943).

Ka kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Temë diplome ka pasur: Kontribute për studimin e Ndre Mjedës (1958). Relator: Prof. Mahir Domi. Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: E folmja e Thethit (1962). Udhëheqës shkencor: Prof. Eqrem Çabej.

Ishtë një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957). Ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës, me anë promemoriash dhe kërkesash në autoritetet më të larta shtetërore dhe në shtyp, si dhe në tubime të ndryshme. Edhe emërtimi i këtij Ateneu “Luigj Gurakuqi”, është konceptuar e hartuar prej tij. Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 - 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë.

Ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje, Përgjegjës i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 – 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 – 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit “Luigj Gurakuqi” (dhjetor 1957 – janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989)”. Ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj.

Për merita të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, është nderuar me: Arsimtar i dalluar (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhëri “Naim Frashëri”, kl. II (1970), Mësues i merituar (1979), Mësues i Popullit (Me rastin e 100 - vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1987), Drejtues kërkimesh (1995). Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 - 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë. Ka mbajtur ligjërata problemore, universitare e pasuniversitare, në Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë.

Është përfshirë në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i Trembëdhjetë i Intelektualëve Botërorë (Kembrixh, dhjetor 1997): International Biographical Centre, Cambridge: Dictionary of International Biography (1998). Thirteenth Edition of the International Who’s Who of Intellectuals etj.

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes Presidenti i Republikës e dekoroi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kohë më pare qyteti i tij i lindjes, Shkodra nga i cili nuk u largua asnjëherë edhe atëherë kur bëheshin përpjekje për ta dërguar për shërbime të ndryshme në Tiranë, e shpalli “Qytetar Nderi”.

Në një periudhë prej 60-vjetësh Profesor Jup Kastrati ka bërë një punë titaniku në fushë të kërkimeve, studimeve dhe sintezave shkencore të albanologjisë.  Rreth 40 vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se 40 vjetësh, janë rezultat i kërkimeve të dendura ndër biblioteka dhe arkiva, punë sistematike e studimit të kësaj lënde dhe pjesë e veprimtarisë së tij pedagogjike e studimore.

Në bibliografinë e tij prej rreth 1000 njësish të Profesor Jup Kastratit gjenden edhe këto vepra Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995; Fedri, Fabula, përkthyer nga latinishtja. Tiranë, 1958; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1962, Prishtinë 2003 (i plotësuar); Filip Shiroka, Zani i zemrës, Tiranë, 1958 (bashkautor); Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 - 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Histori e gjuhësisë shqiptare. Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër, Shkodër, 1989. (Dispensë); Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 - 1944), Prishtinë, 1980; Historia e albanologjisë (1497-1997). Vëllimi I (1497-1853), Tiranë, 2000; J. De Rada, Këngë të Milosaut, Tiranë, 1956; Prishtinë, 1965, 1968; J. De Rada, Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; J. De Rada, Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Tiranë, 1962;Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Version i plotësuar. Monografi, Tiranë, 1979; Prishtinë, 1980; Jeta shkencore në Shkodër (kronikë, 1962-1990), Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër; Kolë Mirdita (Helenau), Trëndafila që s’çelin për ne, Tiranë, 1959; Kontribute për studimin e Ndre Mjedës. Shkodër, 1958; Ndre Mjeda, Çështje gjuhësore. Tiranë. 1967; Ndre Mjedja, Vepra II. Prishtinë, 1982; Për historinë e ortografisë shqipe, Shkodër, 1969/1970; Prishtinë, 1971; Sintaksa e gjuhës shqipe (1974), konspekt-leksone, dispensë, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër; Studime për De Radën. Monografi, Prishtinë, 2003; Studime për De Radën, monografi, Nju Jork, 2003; Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Zef Jubani Ndokilia, Vepra të zgjedhura. Tiranë, 1966; Autobiografia e De Radës, Tiranë, 2002; Autoreferat i disertacionit për mbrojtjen e gradës “Doktor i shkencave filologjike”, Shkodër, 1982; Bibliografi albanistike I, Prishtinë, 2003; Bibliografi e Profesor Eqrem Çabejt 1929-1981”, Prishtinë, 2003; Bibliografi shqipe, Tiranë, 1959;Bibliografia e Ndre Mjedës. Shkodër, 1967; Botimet shkencore të Doktorit të shkencave filologjike, Jup Kastrati, propozuar për titullin shkencor Profesor (1945 - 1986). Shkodër, 1986.

Pjesa më e madhe e veprës së tij gjendet në dorëshkrim. Ajo është menduar dhe është përgatitur për shtyp nga Profesor Jup Kastrati me titujt e përgjithshëm: Histori e albanologjisë, Studime linguistike, Studime filologjike, Studime arbëreshe, Vepra historiko-filologjike e De Radës, Bibliografi albanistike, Epistolari, Ditari shkencor, të gjitha në disa vëllime.

Një anë të përkushtuar të angazhimeve të tij në jetën kulturore, shkencore dhe botuese. Ka themeluar dhe drejtuar 3 organe kulturore e diturake: Buletin për shkëmbimin e eksperiencës, Shkodër (1954); Buletin shkencor i Institutit të Lartë Pedagogjik (1957 – 1958, 1964 – 1990). Përmes tij, 45 pedagogë kanë marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave”; Shkodra (1961 – 1976), botim vjetor i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për Shkodrën.

Ka marrë pjesë në redaksitë apo kolegjiumet e këtyre botimeve: Anëtar i redaksisë së revistës Gjuha jonë (1981 - 1985), organ i Akademisë së Shkencave; Anëtar i redaksisë së revistës Lidhja (L’Unione), Kozencë (1991 - 1992); Anëtar i Këshillit botues të gazetesBesa, Organ i Shoqatës atdhetare kulturore “Kosova”, fletore e përjavshme, Shkodër (1991); Anëtar i Këshillit redaktues të botimit:“Meshari” i Gjon Buzukut - Monument i kulturës shqiptare (Material nga Sesioni shkencor, mbajtur me 19,20 maj 1995 në Ulqin, ART-CLUB, Ulqin (1995); Anëtar i redaksisë së botimit shkencor: 90 - vjetori i Kongresit të Manastirit, Gostivar (1998); Anëtar i Redaksisë së gjuhësisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1998 / 1999...

Ka qenë projektues, redaktor ose anëtar redaksie apo zv/kryeredaktor o përgjegjës redaksie i 15 botimeve shkencore e kulturore: 10 - vjetori i themelimit të Institutit të Lartë Pedagogjik,  Shkoder (1967); Kongresi i Manastirit, Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër (1969); Për përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore letrare, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1972); Çështje të folklorit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1973); Pashko Vasa - Luigj Gurakuqi, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1976); Lidhja Shqiptare e Prizrenit,Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1978); 100 - vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980);Aleksandër Xhuvani, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Instituti i Lartë Pedagogjik: 25 - vjetori i themelimit, 1957/1982, Shkodër (1982); Anton Xanoni, Universiteti Shtetror i Tiranës, Tiranë (1962); Instituti i Lartë Pedagogjik: 30 - vjetori i themelimit, 1957/1987, Shkodër (1987); Miss Edith Durham, Koplik (1997) etj.


Në vitin 2001, filloi botimi i veprës së plotë të tij, fillimisht e planifikuar në tridhjetë vëllime: Bibliografi, albanologji, linguistikë, letërsi dhe epistolar, me mundësi që më vonë të plotësohej edhe me tema të tjera nga arkivi i tij i pasur.

Vepra e tij sot konsiderohet trashëgimi e paçmueshme e albanologjisë, pavarësisht se, në të gjitha fushat me të cilat është marrë, para opinionit ka paraqitur vetëm majen e Aisbergut. Nga pesë vëllimet e Historisë së albanologjisë, vetëm vellëmin e parë, nga pesë vëllimet e studimeve deradiane vetëm dy vëllime, nga tre vëllimet e studimeve arbëreshe vetëm një vëllim, nga pesë vëllimet e e bibliografisë albanistike, vetëm një vëllim i botuar etj.
Në veprimtarinë e gjithmbarshme të tij shkencore Profesor Jup Kastrati ka botuar: traktate, monografi, studime, artikuj shkencorë dhe divulgativë, recensione kritike për vepra gjuhësore, përkthime diturake, bibliografi shkencore të karakterit gjuhësor (përshkruese dhe të arsyetuara, kronologjike dhe tematike), redaktime veprash gjuhësore autorësh shqiptarë. Në to, janë trajtuar probleme nga disiplina gjuhësore, letrare, historike, folklorike, etnografike, hulumtuese e shkencore-metodike. Është e kuptueshme prandaj pse vepra e tij do të mund të shikohej nga saspekti personal, prej njeriu diturak, prej pedagogu e studiuesi, nga aspekti i shkollës së studimit, metodës, domeneve, nocioneve etj.

Vepra e tij do të mund të shikohej veç e veç edhe nga këndi i kontributit të tij në fushë të studimit të fonetikës, të historisë së alfabetit, të ortografisë, të leksikografisë, të leksikologjisë, të historisë së gjuhës së shkruar, të dialektologjisë, të morfologjisë, të fjalëformimit, të sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës historike, të historisë së mendimit shkencor ndër dijetarët arbëreshë të Italisë dhe të Greqisë, në fushë të studimit të historisë së gjuhësisë shqiptare, në fushë të studimit të filologjisë, të tekstologjisë, të toponimisë, të historisë së albanologjisë, të përkthimeve gjuhësore etj.

Për të ardhur deri këtu dhe për të kurorëzuar veprën dhe jetën e tij, Profesor Jup Kastrati ka punuar shumë, është përpjekur shumë, ka kaluar shumë shtigje të vështira jetësore e mendore, ka pasur shumë përplasje me rrethe individuale, kolektive, institucionale dhe parasegjithash politiko-shoqërore. Por, sigurisht që në jetën e tij dhe në këtë rrugë gjashtëdhjetvjeçare ka pasur edhe përkrahje, vlerësime dhe përshëndetje kolegiale, kolektive, institucionale dhe shoqërore e politike në Shqipëri dhe në botë kryesisht ndër studiuesit e albanologjisë.
Studiuesit si Profesor Jup Kastratit, në botën e qytetëruar zakonisht quhen personalitet të kulturës kombëtare, ndërsa veprat e tyre quhen monumente të kulturës së tij.
                                                                                

 

Nga Blerina Goce

Në 85-vjetorin e prof. Jup Kastratit. Flet vajza e studiuesit

Me sytë e familjes

Nuk mund ta kujtojnë të atin pa syzet dhe lapsin, që gjithmonë e mbante në dorë. Sot vajzat e tij duket se e ruajnë shumë të qartë kujtimin e babait dhe atë punë të pafundme studimore brenda mureve të shtëpisë.
Mira, njëra prej tri vajzave të tij, as sot nuk mund të gjejë ndokënd që t’i afrohet sadopak. Ngurron të flasë, ka frikë se mos fjalët ngatërrohen me përfshirjen e emocioneve brenda, por ajo që është e veçantë mbetet e tillë, pavarësisht pjesës emotive të njeriut të afërm.
Përherë i përkulur para makinës së shkrimit, jo më kot një prej shoqeve të vajzave të prof. Kastratit do të vërente se e mbante mend xhaxhi Jupin gjithmonë me shpinë. “Është një figurë imponuese, madje mund ta përcaktojë një emblemë në jetën tonë. Duke e pasur parasysh, nuk kam ekzagjerime në këto që them”, - vëren Mira Kastrati.
“Shtëpia për të ishte gjithçka. Familja ishte gjithçka. E jepte në maksimum dashurinë dhe e ka marrë po në atë formë. Unë mund ta quaj “patriark” dhe një person të realizuar në të gjitha drejtimet e jetës së tij: si familjar, si bashkëshort, si baba. Unë e quaj “patriark të realizuar” edhe në pozicionin e tij si profesionist, pedagog dhe njëkohësisht në figurën e shkencëtarit. Atë dhunti që natyra ia kishte dhënë, ia kishte dhënë së bashku me punëtorinë, me vullnetin, me korrektesën, me skrupulozitetin, me saktësinë e një pune të papërsëritshme.” Ndaj, duke pasur parasysh këto, nuk i duket i tepërt një përcaktim që i kanë bërë të tjerët se “prof. Jupi është një gjysmëperëndi”. “Puna që ai ka bërë është e pashtershme. Vetëm kur ka qenë në Itali me prof. Dhimitër Shuteriqin kanë sjellë kopje dokumentesh nga Vatikani, që një institucion i tërë nuk ka arritur ta bëjë. Sepse për të jeta kishte kuptim vetëm me punë, me punën që ai dinte të bënte dhe donte të bënte. Dhe ai gjithmonë e dinte çfarë donte të bënte. Njerëz kaq të përcaktuar rrallë gjenden. Me rastin e 75-vjetorit të tim eti, në vitin 1999, kur njëkohësisht iu dha titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, prof. Jorgo Bulo pati thënë një shprehje të Senekës, që po e perifrazoj. “Seneka thoshte se gjysma e jetës na shkon duke mos e ditur çfarë kërkojmë, pjesa tjetër na shkon për të korrigjuar atë çfarë kemi bërë gabim. Kështu, pjesa më e madhe e jetës është joefikase. Prof. Jupi e ka sfiduar shprehjen e Senekës. Ai ka bërë punë, punë, punë dhe një mal me vepra.”
Por adhurimi ndaj tij nuk mund të ishte kaq i thellë, sikur përkrah studiuesit dhe njeriut të përkushtuar ai të mos ishte një prind i devotshëm. Aq sa sot vajzat e tij nuk dinë si të mund ta përcaktojnë marrëdhënien me të, vetëm si të jashtëzakonshme. “Në çdo rast babi ishte i gatshëm ndaj kërkesave tona.” Pavarësisht kohës, që kurrë nuk i mjaftonte (dita ishte e paktë me 24 orët e saj për punën që donte të bënte), gjithmonë do të gjente hapësirën dhe fjalët e ngrohta për fëmijët dhe gruan e tij. Mira nuk ka si të harrojë letrat që u shkruante çdo mëngjes para se të nisej në punë fëmijëve e ku “shpirtrave të babit” u përcaktonte saktësisht se ku do të shkonte dhe në çfarë ore do të kthehej. Dhe ai gjithmonë ishte i përpiktë…
“Pikërisht prej kësaj ishte imponues dhe përcaktues në jetët tona. Ishte i tillë se ishte vetvetja në marrëdhënie me ne. Marrëdhënien ai e krijonte vetëm kur kishte besimin dhe dashurinë absolute”, - thekson vajza e tij.
Falë kësaj dashurie, familjen e tyre të vogël në Shkodër ajo nuk ngurron ta cilësojë si një oazë të veçuar nga çdo gjë tjetër. “Një realitet i ndryshëm nga forma e jetesës së pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe kjo ka qenë meritë e dy prindërve të mi. Bashkë ata krijuan atë që në Shkodër e kanë quajtur çifti ideal”.
E sikurse thuhet gjithmonë, prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua e tillë, që vetësakrifikohet. Konsulentja e parë e prof. Jupit do të ishte pa dyshim gruaja e tij, Drita. Mira pohon se ishte në një pjesë të madhe merita e së ëmës që puna dhe jeta e prof. Jupit të rridhte qetë dhe të ishte e frytshme në maksimum. Përkrah këtij njeriu të studimeve ajo ishte nënë dhe grua, por edhe një mikeshë e mirë e të shoqit.
Të rritur në një lagje, me një diferencë moshe prej dhjetë vjetësh, lidhja e tyre nuk ka qenë ajo e një dashurie mes dy të rinjsh, e kurorëzuar më pas me miratimin e më të mëdhenjve. Porse edhe këtu prof. Jupi nuk u dyzua aspak, kur i propozuan të shihte Dritën si gruan e tij të ardhshme, u përgjigj “po”.
“Ka qenë një marrëdhënie jo e sforcuar, por marrëdhënie dashurie reciproke, një marrëdhënie respekti, që faktikisht nuk arrij ta shoh në çiftet e tjera. Një marrëdhënie e tillë e jetuar, që vetëm në një moshë të caktuar arrita ta kuptoja sa e ndryshme kishte qenë nga e zakonshmja.”
Arsimtare në profesion, ka qenë ajo, Drita, e para korrektore e shkrimeve të të shoqit. “Shkrimet e tij, para se të botoheshin, duhej të lexoheshin nga mama dhe botoheshin vetëm në pasi ajo të jepte miratimin”, - pohon Mira. Ishte pikërisht ajo që vendoste edhe se cila vepër do të botohej e para (vajza e tyre sjell këtu ndër mend botimin e “Historisë së albanalogjisë”, vëllimi I, përkrah veprës studimore për De Radën dhe vendimin nga ana e së ëmës për t’u botuar e para), pavarësisht se bëhej fjalë për veprën dhe jetën shkencore të prof. Jupit.
Kufizimet
Ajo që e kushtëzonte ishte vetëm koha fizike. Me këto limite mendonte se nuk do të mundej të realizonte gjithë ato qëllime që kishte. Dhe ky do të ishte edhe pengu i tij. “Pengu i tij i vetëm ishte se kërkonte gjithmonë punë, punë dhe 24-orëshi për të duhej të ishte shumë më tepër, për të dhënë gjithë atë potencial të brendshëm që kishte”, - thotë e bija.
Porse edhe vitet e jetuara në një regjim të mbyllur pa dyshim do të ndikonin në punën e një njeriu të studimeve.
“Kufizimet kanë qenë shumë të forta, sepse ishte pamundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë. Ai punonte me burimet arkivore dhe i kishte të domosdoshme lidhjet me arkivat, me bibliotekat e huaja, shkencëtarët, kolegët e tij jashtë. Por edhe një letër që i dërgohej nga jashtë atij i kontrollohej. Letrat vinin të hapura nga posta në formën më brutale. Dhe kjo ishte shumë lënduese, shumë peshuese ndaj një personi të tillë, që e kishte domosdoshmëri këtë lloj komunikimi.”
Miqtë
Nuk dilte asnjëherë të pinte kafe me miqtë. Vetëm shtëpia ishte vendi i pritjes për ata që donin ta takonin, por edhe këto takime në pjesën dërrmuese ishin vetëm për çështje pune.
Për vajzën e tij, Mirën, shtëpia ka qenë gati një vend pelegrinazhi, ku të gjithë vinin për të kërkuar informacione dhe ai çdokënd e priste më së miri, duke i dhënë çfarë kërkonte. “Përdorte shprehjen se ‘në shkencë ka vend për të gjithë’. Të gjithë atë punë kolosale, të jashtëzakonshme që kishte bërë për të mbledhur informacione, ia jepte në mënyrë të shkruar dhe asnjëherë me fjalë, kujtdo që vinte e ia kërkonte.”.
Porse të atin nuk mund ta quajë kurrsesi njeri të bisedave dhe tavolinave. Të paktat marrëdhënie miqësore që ai kishte ishin të formës familjare. “Ishte shumë i rregullt, shumë korrekt. Vizitat e kota, për të kaluar kohën, babai nuk i ka pasur asnjëherë për zemër. Duke mos pasur kohë të ushqente marrëdhënie jashtë kohës së punës, edhe vizitat ishin në funksion të punës, veç rasteve të Vitit të Ri apo ditëlindjeve tona.”
Dorëshkrimet, ditarët dhe letërkëmbimet
Faqet e shkruara prej tij janë me mijëra. Gjen aty dorëshkrime të veprave të pabotuara, ditarë personalë dhe shkencorë, letërkëmbime me studiues e njerëz të njohur të letrave etj. Të gjitha ruhen me fanatizëm nga vajzat e prof. Jupit me mendimin se shumë shpejt do të sistemohen krejt dhe pjesa më e madhe do të arrijë të shohë dritën e botimit.
“Ditarët janë të shumtë. Janë me mijëra faqe ditar, ku jepet e përditshmja me ato përjetime të ndryshme që ka pasur. Të merresh me ditarët e tij, është një punë më vete, që kërkon studiues të veçantë. Në këta ditarë del historia, dalin marrëdhëniet e ndryshme që ai ka pasur edhe në jetën e përditshme, vështirësitë, sukseset, pengesat”, - vëren vajza e profesorit. Jo më pak vlerë ka biblioteka dhe arkivi personal, për të cilin trashëgimtaret e tij po punojnë për ta sistemuar. Një punë që duhej të ishte në kujtesë të institucioneve përkatëse shtetërore, që faktikisht nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.
Biblioteka e prof. Kastratit është një nga bibliotekat personale më të mëdha në vendin tonë. E krijuar prej tij që kur ishte 14 vjeç, kjo bibliotekë “rrëfen” edhe fazat e formimit të tij. “Në fillim ishte i tërhequr nga letërsia, pastaj nga historia. Faktikisht, këtu nuk mungon as pjesa e kohës së studimeve kur ka qenë nxënës në Shqipëri e më pas në Torino, në Itali, me gjithë bibliotekën, librat e asaj periudhe.”
Pjesën më interesante pa dyshim e përbëjnë letërkëmbimet e tij. Siç saktëson e bija, epistolari apo letërkëmbimi është pjesë e arkivit të tij personal, që do të seleksionohet dhe më pas do të botohen, bashkë me vepra të lëna në dorëshkrim.
Dorëshkrime të veprave të pabotuara të tij janë me dhjetëra. Këto përmenden nga vetë prof. Jupi pak para se të vdiste dhe vijnë në formë të perifrazuar në artikujt e botuar nga Begzad Baliu pas vdekjes së studiuesit.
“Bibliografi albanistike”, “Studime arbëreshe”, “Studime letrare”, “Vepra e De Radës”, “Studime për Ndre Mjedën” etj. Vetëm katër dorëshkrimet e para të tij kapin më shumë se dy mijë faqe secila.
“Më fliste profesori me dhimbje si iu ndalua vepra për Ndre Mjedën, si fshihte dorëshkrimet për Faik Konicën, si iu ndalua libri për Skënderbeun, si nxirreshin vëllimet e buletinit. Brenda tridhjetë veprave të planifikuara një vit më parë dhe as në tridhjetë vëllimet e tjera vështirë të përfshiheshin të gjitha veprat, dorëshkrimet, projektet sintezat dhe materialet e tjera që formonin një arkiv të madh të qytetërimit shqiptar”, - nënvizon Baliu në një artikull të 22 shtatorit 2003. Vërehet atje edhe njohja personale e prof. Kastratit me plejadën e artë të gjuhësisë shqiptare: Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Justin Rrotën, me Eqrem Çabejn (me të cilin e lidhin shumë gjëra, jo vetëm shkencore, por edhe personale e familjare), me Mahir Domin, Shaban Demirajn etj.). Të veçanta janë njohjet dhe letërkëmbimet e tij me albanologët më të mëdhenj të kohës edhe jashtë Shqipërisë: me Maksimilian Lambercin, Desnickajen, Olbergun, Gertruden e kështu me radhë. Më i madhi letërkëmbim në traditën shqiptare i sistemuar sipas kontinenteve, shteteve etj. Numërohen pesë mijë letra dhe tri mijë fotografi. Një letërkëmbim personal me të dhëna për mbarë rrugën e studimeve albanologjike. Një letërkëmbim me gjithë botën albanologjike nga Australia në Paris e Nju-Jork. “Para tij ishte Konica me tri mijë letra. Para Konicës De Rada me një mijë letra”, - thekson Baliu. “Veprat e pabotuara të tij janë një listë e gjatë, për botimin e të cilave po hasim shumë vështirësi, sepse nuk gjenden fondet përkatëse. Po mundohemi si familje, por nuk e di sa do t’ia arrijmë, sepse këto janë nisma, plane që duhet t’i marrin përsipër vetëm institucione”, - vëren vajza e profesorit, Mira. Ajo ka dërguar faqe, programe dhe lista të këtyre veprave në dorëshkrim në Ministrinë e Kulturës dhe në Akademinë e Shkencave që prej katër vjetësh, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Institucionet e kaluan në heshtje edhe përvjetorin e një prej albanologëve dhe studiuesve më të mëdhenj shqiptarë, duke mos organizuar asnjë aktivitet të veçantë për këtë rast.
Kush ishte…
Lindi në Shkodër më 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe, gjimnazin dhe liceun i kreu në qytetin e lindjes. Për pak kohë ka studiuar edhe në liceun shkencor “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I” në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist ka qenë i burgosur, i internuar në kampe përqendrimi: “Comando Z”, në Kodrat e Tepes, Shkodër, në burgun famëkeq të Prizrenit etj.
Ka kryer Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës, studimet e të cilit i ka mbrojtur me temën e diplomës “Kontribute për studimin e Ndre Mjedës” (1958). Më pas ndoqi kualifikimin shkencor pasuniversitar për gradën “Kandidat i shkencave filologjike”, me studimin monografik dialektologjik “E folmja e Thethit” (1962) nën udhëheqjen shkencore të prof. Eqrem Çabejt.
Një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, edhe emërtimi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” është konceptuar e hartuar prej tij.
Bashkëpunëtor shkencor i jashtëm për 50 vjet, përgjegjës i rrethit letrar të shtëpisë së kulturës në Shkodër (1947-1957), kryetar i këshillit të bibliotekës së qytetit (1948-1990), anëtar i këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988), kryetar i komitetit të kulturës dhe arteve në Shkodër (1989) etj., ishte një ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj. Është nderuar me “Arsimtar i dalluar” (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhri “Naim Frashëri i Klasit të Dytë” (1970), Mësues i Popullit (me rastin e 100- vjetorit të shkollës së parë shqipe më 1987) etj. Është përfshirë në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i Trembëdhjetë i Intelektualëve Botërorë (Kembrixh, dhjetor 1997). Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës e dekoroi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, ndërsa është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës.
Rreth 40 vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se 40 vjetësh. Në bibliografinë e tij prej rreth një mijë njësish mund të veçojmë këto vepra: “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1635-1944), “Faik Konica” (monografi), 1995; “Studime për De Radën” (monografi) Nju-Jork, 1999; “Studime arbëreshe” (monografi), 1999; “Historia e albanologjisë” (1497-1997), kjo e fundit në tri vëllime.
Monografia për Konicën është studimi më i plotë dhe më i gjithanshëm botuar për të. Mbylli sytë më 22 shtator 2003.


LEXONI:





Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...