2011-05-10

Manipulime shoviniste turko-maqedonase në Dibrën shqiptare

Valon Kurtishi Copëtimi i territorit etnik shqiptar sipas marrëveshjeve ndërkombëtare më 1912, dhe lënia për pasojë jashtë shtetit shqiptar të 60% të popullsisë së atëhershme shqiptare, ka shkaktuar pasoja të rënda e gati të pakthyeshme në çdo sferë të jetës shoqërore të popullit tonë në përgjithësi. Masat shqiptare që mbetën nën sundimet serbo-greke jashtë Shqipërisë ranë moralisht e materialisht duke u bëre pre e lehte e manipulimit të nacionalshovinizmave ballkanikë. Që në atë kohë filluan eksperimentet e para me përkatësinë etnike dhe fetare të masave kompakte shqiptare të mbetura nën okupim klasik e shtazarak serbo-grek. Duke filluar më 1912 e para këtij viti të zi e deri në ditët tona, vazhdon në mënyrë të pandalshme dhe në përmasa të pabesueshme falsifikimi i historisë dhe shkatërrimi i së ardhmes së shqiptarëve në Ballkan. Qarqe e qendra shumë të fuqishme e nga më të ndryshmet janë vërsulur mbi shqiptarët e pambrojtur të IRJM në veçanti dhe gjithë shqiptarëve tjerë jashtë atdheut në përgjithësi, të cilët nga ana e tyre enden të çoroditur tamam si Juda në shkretëtirën afrikane dikur. Shihet qartë se kultura dhe trashëgimia kulturore shqiptare në Fyrom nuk mbrohet nga askush dhe përdhoset e falsifikohet tmerrësisht nga kujtdo që i teket dhe e dëshiron një gjë të tillë. Falsifikimi i fundit e i pastër i fakteve historike dhe vjedhja e tmerrshme e radhës e historisë shqiptare ndodhi në fshatin shqiptar Koxhaxhik të komunës shqiptare të Dibrës. Sipas lajmeve që i dhanë agjencitë e informacionit dhe sipas shkrimeve në gazeta të ndryshme, në Koxhaxhik të Dibrës qenka vënë gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së një personi të quajtur Ali Riza, baba i Mustafa Qemal Ataturkut. Kjo paska ardhur pas gërmimeve arkeologjike që i kanë organizuar Pasko Kuzmani në bashkëpunim me Bexhihudin Shehabin në këtë zonë të njohur historikisht si boshti kurrizor i popullit shqiptar. Dhe në këto gërmime qenka zbuluar shtëpia e këtij Aliut, babait të themeluesit të Turqisë moderne. Me këtë veprim nacionalshovinizmi sllav dhe ai turk njëkohësisht u thonë shqiptarëve se banorët e Koxhaxhikut dhe Qendër Zhupës në përgjithësi janë turq etnikë. Aq turq të pastër etnikë janë këta fshatarë saqë prej gjirit të tyre ka dalë edhe vetë Mustafa Qemali i madh i kombit turk (!!!). Kjo është një tërheqje interesante taktike e shovinizmit maqedonas i cili në të kaluarën e afërt i quante torbeshët e Zhupës si maqedonas myslimanë. Tash kur janë shtuar shumë shanset që banorët e 10 fshatrave të Qendër Zhupës të kthehen natyrshëm në gjirin e kombit amë shqiptar, Nikolla Gruevski dhe banda e tij i pranojnë këta torbeshë si turq etnikë. D.m.th vetëm e vetëm se mos këta “torbeshë”deklarohen si shqiptarë, Gruevski pranon që “maqedonasit myslimanë të vitit 1990 të shndërrohen në turq etnikë më 2009” (!!!). Po ç’thonë burimet historike në lidhje me të kaluarën e këtyre zonave shqiptare dhe çka duan të arrijnë sllavo-maqedonas e turq bashkë me këto falsifikate të pastra dhe vjedhje të historisë shqiptare atje? I gjithë territori i krahinës historike të Dibrës ku hyjnë edhe Gollobërda e Peshkopia sot në Shqipëri dhe Dibra e madhe me gjithë Qendër Zhupën me 10 fshatrat e saj dhe Rekën e Mavrovën sot nën pushtimin e IRJM-së, janë banuar historikisht nga popullsi autoktone Ilire. Sipas profesorit të njohur nga Tirana, Dr.Skënder Anamalit, “Maqedonia perëndimore, krahinat e Tetovës, Gostivarit, Dibër-Kërçovës e Strugë-Ohrit kanë qenë të banuara me Ilirë penestë e dasaretë, të cilët i takonin Ilirisë Jugore”. Kur e japim këtë fjali mos kujtojë dikush se Shkupi apo Kumanova e Manastiri nuk kanë qenë të banuar me shqiptarë. Aty kanë banuar fise tjera ilirësh si ilirët dardanë dhe ilirët maqedonas. Këtë e citojmë vetëm pasi temë e shkrimit tonë është Dibra dhe rrethinat e saj. Pra shihet qartë se popullsi autoktone e parë në Dibër janë vetëm shqiptarët. Me pushtimin romak të zonës kemi një latinizim të popullsisë, por në Dibër si zonë përgjithësisht malore ruhet me sukses gjuha shqipe dhe përkatësia etnike shqiptare e shumicës dërmuese të popullsisë. Sipas profesor Bahri Becit, që në shekullin e dytë të erës sonë del në skenë qyteti me emrin Deboros, i cili në bazë të ligjeve gjuhësore të shqipes kalon në emërvendin e sotëm shqiptar Dibër. Pushtimet sllave detyrojnë shqiptarët të largohen në drejtim të zonave më të thella malore. Gjatë kohës bizantine paraqitet herezia e njohur e bogomillëve. Pikërisht këtu i kanë origjinat edhe shqiptarët e sllavizuar të këtyre anëve që sot njihen si torbeshë, kurse Gruevski dhe ambasada turke i kanë shpallë si turq. Sipas Profesor Dr. Skënder Rizajt nga Prishtina, goranët ose torbeshët janë shqiptarë të sllavizuar. Këtë e argumenton shumë mirë me citatin në vazhdim: “se goranët dhe torbeshët janë shqiptarë të sllavizuar flasin doket e tyre, zakonet, ritet, traditat dhe tiparet antropologjike që dominojnë te ky kolektivitet. Gjuha sllave e torbeshëve dhe goranëve nuk e tregon përkatësinë etnike e as kombëtare të tyre. Këta në të vërtetë janë patarenë (arbëreshë). Siç dihet, patarenizmi si rrymë e re krishterimi u lind në Bullgari. Në faltoret e kësaj rryme fetare përdorej gjuha sllavo-bullgare. Kështu gjuha kishtare e patarenëve, më vonë u bë gjuhë shtëpiake e ithtarëve të kësaj kishe”. Këtë çështje e ka zbërthyer shumë mirë edhe prof. dr. Dhimitër Shuteriqi në librin e tij ”Shënime mbi herezinë mesjetare në Shqipëri”, (Studime historike nr.2, Tiranë 1980). Nga ky citat pak më i gjatë i prof. Skënder Rizajt, duket shumë qartë se çka janë në të vërtetë etnikisht “torbeshët”, “goranët”, “maqedonasit myslimanë” apo “turqit” e Qendër Zhupës. Edhe në shkrimet e profesor Mojsi Lutfiut nga Shqipëria është shpalosur shumë qartë manipulimi sllav dhe turk i kësaj pjese etnike të kombit tonë të vuajtur shqiptar. Sipas profesor Lutfiut, okupatorët e ndryshëm duke përdorur forma të ndryshme të trysnive administrative në pushtet dhe në administratë bënë që në Buzadrin dhe në Rekën e poshtme të dominojë gjuha sllavo-bullgare; okupatori turk bëri që në fshatrat e Zhupës së sipërme të bëhet si gjuhë nacionale e shqiptarëve lokalë turqishtja e importuar nga Anadolli. Kurse gjuha shqipe mbeti me shumë vështirësi si gjuhë nacionale në më shumë fshatra të Rekës së sipërme dhe në disa fshatra të Rekës së poshtme. Pra administratat e okupatorëve të ndryshëm gjatë historisë arritën ta shkatërrojnë unitetin gjuhësor të shqiptarëve të Dibrës duke i përhapur gjuhët e tyre të mallkuara turke dhe sllavo-bullgare në gjirin e masave shqiptare. Sa i takon çështjes së të a.q “turq” të Dibrës (të Qendër Zhupës) është me rëndësi të thuhet se ata kanë qenë historikisht në epiqendër të kryengritjeve shqiptare kundër hordhive osmane. Vetiu shtrohet pyetja interesante tani se, si paskan luftuar këta historikisht kundër vetvetes?. Sipas rapsodit të paharrueshëm popullor, Haziz Ndreut, “edhe vetë toponomastika historike që flet për vendlindjen dhe vendbanimin e Kastriotëve, nxjerr në pah dy krahina të Dibrës së poshtme, Muhurin dhe Qidhnën. Nga ana tjetër sipas Dr. Përparime Hutës, “dibranët në luftën e tyre heroike kundër hordhive otomane zënë një vend nderi në kuadrin e luftërave të Skënderbeut (shih në: “Dibra dhe etnokultura e saj, simpozium shkencor, Dibër 1993). Gjithashtu edhe më vonë dibranët kanë luftuar kundër reformave centralizuese të Tanzimatit. Njihet kryengritja e madhe e vitit 1844 kundër terrorizimit turk që i bëhej popullsisë së kësaj krahine. Si e paska terrorizuar ushtria turke “popullsinë e vet turke të Zhupës” (!!!). Është kënga e njohur popullore që e ka përjetësuar këtë betejë heroike të shqiptarëve të Dibrës ku sipas shkrimtarit Haki Stërmilli anadollaket lanë reth 9000 të vrarë. Katundarët dhe qytetarët dibranë e paguan me gjakun e 2500 vetëve këtë betejë me një armik shumë më të madh dhe më të armatosur. Nga këta 2500 heronj shqiptarë të kësaj beteje, me qindra ishin gjyshërit shqiptarë të këtyre “Turcive” të sotëm që i promovon Nikolla Gruevski dhe ambasada turke në Qendër Zhupë”(!!!). Këtë betejë heroike e kanë ndriçuar me shkrimet e tyre një numër i historianëve të mëdhenj shqiptarë si Zenel Sula, Moisi Murra, Ligor Mile, Fadil Shehu etj. Edhe gjatë lidhjes së Prizrenit shqiptarët dibranë ishin energjikë në mbrojtje te tërësisë territoriale të trojeve shqiptare. Në telegramet dërguar konsullatave Austro-hungareze dhe Britanike shihet qartë se popullsia e këtyre anëve, edhe atë, 200.000 mijë myslimanë dhe 10.000 ortodoksë është e gjitha me gjuhë e me gjak shqiptare etnike e pastër (A. Petermouns, Mitteilungen aus Juskus Perthes geographicher Austalt, Band 30, Wien 1884). Edhe vetë vjetarët osmanë të regjistrimit të popullsisë nuk japin turq etnikë në krahinën e Dibrës. Tani shihet qartë se popullsia e Qendër Zhupës ka qenë e gjitha me origjinë shqiptare, dhe edhe sot është shqiptare dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Edhe vetë Mustafë Qemali, më i njohur me emrin Ataturk, ka qenë shqiptar etnik me origjinë, duan apo nuk duan ta pranojnë këtë sot, falangat e errëta të shovinizmit turk. Por shkenca ndërkombëtare nuk bie nën ndikimin e falsifikateve turke apo maqedonase. Shumë libra biografikë për Ataturkun të autorëve jo-shqiptarë si dhe vetë revista e madhe amerikane TIMES, datë 12 tetor 1953, faqe 67, në artikullin me titull “The land a dictator turned into democracy”, thotë që, ”babai i gjithë turqve (i cili nuk la pas trashëgimtarë) lindi më 1881 në Selanik, në atë kohë pjesë e perandorisë Otomane, nga një baba i butë shqiptar dhe nga një nënë e rreptë maqedonase. (“The Father of All the Turks (who left no legitimate heirs) was born in 1881 in Salonika, then part of the Ottoman Empire, of a mild Albanian father and a forceful Macedonian mother”). Kjo nëna “maqedonase” e Ataturkut me siguri ka qenë “torbeshe” e këtyre fshatrave që ka folur sllavisht. Shfrytëzimi nacionalist i figurës madhore të Mustafa Qemalit për të turqizuar mendërisht shqiptarët e 10 fshatrave të Qendër Zhupës është edhe një përpjekje e radhës e qarqeve shoviniste turke dhe maqedonase për të ulur sa të jetë e mundur më shumë numrin e popullsisë shqiptare në FYROM. Popullsia shqiptare e kësaj zone, e detyruar nga vështirësitë dhe presionet politiko-ekonomike edhe mund ta pranojë përkatësinë artificiale etnike turke dhe ta mohojë përkatësinë e natyrshme të saj historikisht shqiptare. Por kjo nuk shkon në favor të marrëdhënieve miqësore mes kombit shqiptar nga njëra anë dhe atij turk e maqedonas nga ana tjetër. Kjo shkakton një dhimbje dhe pezmatim të thellë te shqiptarët kudo janë. Miqësia nuk ndërtohet duke i vjedhur tjetrit pjesë të popullsisë së tij vetëm pse për momentin je më i fortë dhe mund ta bësh këtë. Miqësia e vërtetë bazohet mbi raporte mirëbesimi e reciprociteti. Këto nuk i shohim sot as te turqit dhe as te maqedonasit. Të themi dhe diçka. Qendër Zhupa dhe gjithë pjesa tjetër e këtyre zonave i takojnë historikisht krahinës së gjerë të Dibrës. Dibra ka qenë gjithmonë shqiptare dhe i ka takuar historikisht Shqipërisë. Kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Nacional-shovinizmat e kujdo qofshin ato mund vetëm ti ëndërrojnë me syhapur këto toka shqiptare. Do të vijë dita kur banorët e 10 fshatrave të Qendër Zhupës do ti thonë vetë “stop” falsifikimeve turke dhe maqedonase kundër tyre. Ata kanë qenë shqiptarë, janë shqiptarë dhe do të mbeten përgjithmonë pjesë përbërëse, aktive dhe e pandashme e kombit shqiptar.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...