Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/16

NACIONALIZMI LETRAR NË VEPRËN E KRIST MALOKIT



Shefqet DIBRANI


Specifikimi i veprës dhe karakteri i saj

Mendohet se Krist Maloki ishte njëri ndër mendimtarët më karizmatik i viteve ’30. Ai trajtoi në mënyrë specifike kahet dhe zhvillimet e letërsisë dhe të politikës, ndaj ky qëndrim i tij u mor dhe u kuptua për të keq duke e izoluar dhe mënjanuar, madje duke e cilësuar edhe si idhnak. Por vepra e tij sa herë të lexohet, rishfaqet me dimensione të reja, personaliteti i tij mjaft karizmatik ku do t’i mbetet besnik botëkuptimeve personale gjatë gjithë punës studimore e hulumtuese.
Ndër studimet e tij më të njohura është vepra “Oriental apo Oksidental”, e cila e ka radhitur Krist Malokin ndër personalitetet e shquara të kohës siç ishin Gjergj Fishta, Faik Konica, Mithat Frashëri, Branko Merxhani, Anton Harapi, Ernest Koliqi, Tajar Zavalani dhe një plejadë e tërë krijuesish që i dhanë emër dhe kuptim letërsisë, filozofisë dhe shkencës shqiptare në mes dy luftërave botërore. Por, studimet e Malokit, sidomos ato për poezinë e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, veçanërisht studimi simplicitër (ballëhapët), për poezinë e Lasgush Poradecit mbeten perla të pa kaluara jo vetëm si qasje, por më shumë si veprim i guximshëm dhe mendim profesional i vyer. E di se viteve të fundit ka pasur disa studime rreth veprës së Krist Malokit, por studimi im lidhet me publikimin e veprës “REFLEKSIONE”, të botuar nga Sh. B. “Faik Konica”, në Prishtinë në vitin 2005, e jo edhe me hulumtimet e më vonshme, prandaj kontrastet e mundshme nuk kanë të bëjnë me këto mendime.

Heqja dorë nga lirikat
Është e ditur se kundër pikëpamjeve të Krist Malokit (sa i përket poezisë së Lasgush Poradecit), në atë kohë ka reaguar Mitrush Kuteli, por si duket kundërpërgjigja e Krist Malokit do të ketë ndikuar drejtpërdrejt në mbylljen hermetike dhe përfundimtare të Lasgush Parodecit. Mendoj se gjeneza e mbylljes së Lasgushit dhe kalimi i jetës së tij në mënyrë aq misterioze duhet të kërkohet te kjo kohë, te kjo kritikë, jo për interesa të caktuara politike, nefretizmi (pezmatimi) i Lasgush Poradecit t’i ngarkohet një sistemi tjetër që si duket nuk e paska pasur tërë mëkatin sa i është ngarkuar. Si duket kritika e ashpër që Krist Maloki i ka bërë në bulëzimin e poezisë së Lagush Poradecit do të ketë ndikuar që ai të heqë dorë nga lirikat pa motive e ndjenja nacionale. Parë nga ky prizëm mendojmë se kritika e re, e liruar nga bagazhet e kohës dhe e çliruar nga interesat e çastit të caktuar, do të merret me këto shqyrtime, përkatësisht me fenomenin për të cilin folëm më parë dhe për të konstatuar më saktë shkaqet e mbylljes së Lasgush Poradecit. Një qasje e tillë profesionale duhet të bëhet edhe për poezinë e Naim Frashërit, sidomos ka nevojë studimi i karakterit të Naimit, butësia dhe melankolia e tij, shkaqet dhe arsyet, pikëpamja dhe delli shqiptar i vonuar dhe sidomos duhet të studiohet mirë dhe drejt “urrejtja” e një kristiani siç ishte Krist Maloki kundër kulturës, mitologjisë dhe përgjithësisht kundër Greqisë që shfaqet te trajtimi për poezinë e Naimit. Ai kurdoherë e ka trajtuar at vend dhe politikën e tij të dëmshme dhe armiqësore kundrejt Shqipërisë, ka shprehur simpatinë e hapët për liberalizmin e atëhershëm që ndihej në Turqinë Evropiane, përkatësisht për kulturën evropiane të Stambollit, që në planin e politikave afatgjata dhe largpamëse ky element mbetet njëri nga rastet provokuese për mendjen e një studiuesi, madje dhe të një lexuesi të rëndomtë. Pastaj Maloki, ka treguar respekt të veçantë për besimin bektashian të Naim Frashërit, për inspirimin që ka gjetur te ai besim, sidomos performanca e misticizmit bektashian i ka bërë përshtypje specifike, sepse duke e krahasuar me mënyrën e të besuarit te budizmi, ai ka qit në pah argumente pozitive të cilat me sa di unë nuk janë prekur e trajtuar, madje as nuk janë zhvilluar më tej. Kur të studiohet edhe nervi patriotik te poezi e Gjergj Fishtës, e cili ishte e robëruar nga një koncept që ngjasonte me solidarizimin komunist siç thotë vetë Maloki, për të përfunduar se nuk ka pasur asnjë arsye sistemi komunist në Shqipëri ta sakatoj kulturën kombëtare, duke i mohuar veprat e Fishtës.

Veprat e shkurtra dhe provokimet e mëdha
Veprat e Krist Malokit janë vepra të shkurtra, por që kanë bërë provokime të madha. As vepra “Oriental apo Oksidental” nuk është voluminoze sikurse studimet për poezinë e Naimit, Fishtës dhe Poradecit që nuk janë as si studime veç e veç e as si tërësi voluminoze që do të shteronin mendimin krijues. Por, provokimi është i madh, i pasuruar me ide të shumta sa që mendohet se ideja në veprat e Malokit, nuk shteron, më sa gurra e ujit që del nga “kroi i fshatit” të kritikuar nga vetë ai.
Maloki ishte një personalitet me sedër dhe kjo i vinte për dy arsye. Tek ai kishte lënë gjurmë edukata familjare dhe tradita e të qenit nga gjeni shqiptar, dhe e dyta është thithja e dijeve gjatë shkollimit dhe emancipimit në një vend me kulturë dhe me shkolla me ndikim në atë kohë. Atje ai fitoi njohuri të mjaftueshme në shumë fusha të dijes dhe kulturës, shkencës dhe letërsisë veçmas u shqua në filozofi, letërsi dhe ekonomi, por Maloki ka hulumtuar edhe në fushën e muzikës, si kompozitor e instrumentist. Mendja na thotë se ai bëri nam sidomos në kritikën letrare duke mbetur njëri nga personalitetet e shquara të kohës që me përkushtim u mor me çështjen shqiptare. I mbrujtur nga një karakter i fortë që e lidhte me kulturën tradicionale si një entitet historik e kulturor ai u angazhua të bashkonte në një trup të gjitha personalitetet e shquara kudo që ishin në botë, ai ishte një eveniment i rrallë që e ka shoqëruar jo vetëm jetën dhe karakterin e autorit, por këto elemente janë reflektuar kudo në veprën e tij studimore e kërkimore duke iu bërë parim edhe në qasjet kritike apo ato të artit muzikor. Me një fjalë Krist Maloki ishte i kompletuar dhe njëri nga personalitetet e rralla jo vetëm të kohës, por edhe i ditëve të tashme, si një nga figurat më të shquara që dijet e tija i ka avancuar në nivelin më të lartë të një shkencëtari e dijetari të paepur. Botëkuptimi i tij nuk ishte një rastësi për t’u gjetur aq kollaj në akademitë dhe universitetet e Austrisë apo siç mund të parafrazojmë në kulturën oksidentale. Këto botëkuptime ai i fitoi në familje dhe shoqërinë e hershme për t’i avancuar e përparuar në një rreth dhe shoqëri përparimtare që ai e pat përkufizuar si kulturë oksidentale, gjë që në shkrimet e tija kemi një fjalor dhe një gamë prurje të shprehjeve dhe fjalëformimeve interesante që do t’u shërbenin studiueseve të ndryshëm, veçmas linguistëve për t’i regjistruar dhe për ti futur në fjalorët e shqipes së sotme si një pasuri e rrallë dhe e domosdoshme, nëse dëshirojmë përparimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Pa dyshim vepra e Krist Malokit mbetet një burim i pashtershëm edhe në këtë plan, edhe në këtë fushë, sepse ai ishte një dijetar dhe njohës i mirë i gjuhës gjermane. Duke bërë përpjekje për të gjetur shprehjen adekuate në gjuhën shqipe për ta artikuluar më mirë mendimin e tij krijues ka zbuluar fjalë e shprehje të reja.Veprat e Krist Malokit, të ribotuara viteve të fundit, vijnë si një margaritar për të sotmen, për të tashmen dhe do t’i shërbejnë së ardhmes së kombit. Sado që veprat e tij nuk ishin aq të njohura, viteve të fundit janë bërë disa studime dhe janë ribotuar veprat e tij të cilat janë studime, kritikë letrare, analiza dhe mendime, e ku autorin e bëjnë më të njohur, e që kanë shërbyer për t’i kompletuar më mirë njohjet tona për këtë personalitet të shquar, i cili pas disa dekadash po na zbulohet si një margaritar i rrallë, i veçantë dhe i panjohur sa duhet nga breza të hershëm, po më shumë nga brezi i ri që po hapëron në këtë fushë.

Përfundimi që të rikthen te një fillim i ri
Ndonëse qëllimi i studimit tim nuk ka të bëjë aq me analizën dhe trajtimin esencial të veprës letrare të Krist Malokit, por më shumë të jap sugjerime, (ndash edhe pse të ripërsëritura), për studiuesit e letërsisë, fushë kjo që më fle më shumë në zemër dhe që posedoj njohje më të kompletuara.
Bërja publike (vite më parë) e veprës “Refleksione”, e cila përmban shkrimet më të mira të Krist Malokit për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën dhe Lasgush Poradecin do t’u vë pikëpyetje mjaftë veprave kritike e studimore që janë bërë (sidomos për Naimin dhe Lasgushin), të cilat nuk kanë marrë në konsideratë pikëpamjet e Malokit, sepse veprat e këtyre dy autorëve janë trajtuar mjaftë dendur dhe kryesisht janë parë vetëm në prizmin “pozitiv”, ku nuk kanë munguar hyjnizimet, kurse te shkrimet e Malokit reflektohet edhe ana tjetër e medaljes, përkatësisht e veprës çka nuk e kemi njohur. Nëse vepra e Naimit kundrohet nga ky prizëm qasjesh e trajtimesh do të vlerësohet më mirë, më drejt dhe do t’i jepet vendi i merituar në letërsinë shqipe, sepse sipas doktrinës së Krist Malokit, poezia e Naim Frashërit nuk i ka epitetet e një poezie të nivelit të Göthes apo Aligerit. Lavdërimet në periudhën e realizmit socialiste janë mbushur me epitete e frazologjizma të një rendi shoqëror, i cili pati ndikuar edhe në krijimet letrare. Edhe poezia e Lasgush Poradecit do të ketë mundësi të ketë një përthyerje tjetërfare, si një poezi e parametrave të lartë që mund të reflektonte ndjenja të holla lirike në të gjitha gjuhet e botës, ndoshta do të përftonte ndonjë gjuhë tjetër edhe më shumë sesa gjuha shqipe, nga e cila kjo poezi ka buruar, por asaj i mungon ajo ndjenja shqiptare dhe përpjekja tradicionale për çka është angazhuar Krist Maloki, kurse kritika letrare s’ka nevojë ta fsheh një gjë të tillë, por duhet pasur guxim e kuraje ashtu siç ka pasur Krist Maloki në atë kohë, pikërisht në fazën e evulimit që me sa duket do të ketë luajtur rol vendimtar në hermetizmin e Lasgush Poradecit, që pastaj ta gjejë koha e realizmit socialist të mbërthyer në egon e tij si në një guaskë, dhe jo pak është trajtuar si një madhështi perandori që nuk ka pranuar diktatin politik për të krijuar poezi me një koncept të porositur. Sigurisht studimet e mëvonshme do të qesin në pah dhe do të vejnë në spikamë këtë pikëpamje që po e theksojmë.
Edhe te qasjet e Krist Malokit për Fishtën do të gjejmë një përkushtim të madhnueshëm që ky autor ka shpreh si admirim për Heroin e Epikave shqiptare, i cili arriti t’i japë nam dhe famë ligjërimit epik shqiptar. Ndonëse dihet se Krist Maloki ka vizituar disa herë Shqipërinë e regjimit komunist, qasja që i bënë Fishtës dhe sidomos akuzat që i bënë pushtetit komunist për aktet barbare që kanë bërë kundër veprës, emrit dhe madje edhe kundër eshtrave të Fishtës është padia më e rënd që dikush i ka bërë atij regjimi. D.m.th. Krist Maloki nuk i ka vënë interesat politike e partiake të regjimit komunist mbi ato nacionale dhe kombëtare, edhe pse ai regjim atij i ka krijuar privilegje të rralla, sepse ishte ndër personalitetet e pakta të asaj kohe që ka pasur mundësi me udhëtua dhe me vizitua Shqipërinë. Po më së miri këtë konstatim po e ilustrojmë me fjalën e tij: “Gjithë jeta e jeme ka kalue pa u përzie as në politikën e Shtetit Shqiptar e as të ndonji shteti tjetër, due me thanë s’kam marrë pjesë as ndër adventura të ndonji politikani ambicjoz e as të ndonji klike e grupi politik me interesa personale, lokale, regjionale edhe partiake”.
Mirëpo, qëndrimet e tij prej një dijetari të paepur gjithmonë kanë hasur në refuzime duke e izoluar dhe përbuzur tej mase. Ndonëse mendimi i tij ka ushtruar ndikim në qarqet intelektuale të kohës dhe ai u ka ndejtë konsekuent pikëpamjeve të tija edhe kur ka bërë ndonjë vlerësim për Shqipërinë ai ka folur troç: “Shqipnija e 1913 për mue ma fort – shkodranisht – asht nji vend dreqit a ma mirë vend haram e vend vakuf: I mallkuem nga DJALLI por i bekuem nga ZOTI: Si i mallkuem nga Djalli ka për të qenë gjithmonë objekt grindjesh, gryksinash e inatesh ... personale, lokale e internacjonale; i bekuem prej Zotit sepse çdo dorë grabiqare që në të digjet, shkrumbohet e cungohet për të zezën e vet”.
Kontributi i prof. dr. Krist Malokit për nacionalizmin letrar qysh nga vitet 30-ta të shekullit të kaluar është i madh. Ai ishte një kritik letrar mjaft i rreptë. Një filozof i mendimit të preftë. Dhe një ekonomist i dalluar, po aq dhe muzikolog i dashur dhe respektuar. Ai tha se Naim Frashëri nuk mund të krahasohet me poetët e mëdhenj “Dichter” të kohës, siç janë Göthe e Dante. Ai shtroi dilemën “A është poet Lasgushi”, kritikoi Mitrush Kutelin, lavdëroi Fishtën me të gjitha mangësitë e një heroi epik që ia ka theksuar. Adhuroi Avni Rrustemin si hero i veprimit politik dhe krenohej vazhdimisht që ishte kosovar, humanist dhe me pikëpamje oksidentale deri në çastin kur i mbylli sytë më 24 nëntor 1972.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...