2012-09-19

Si ta ngrisim cilësinë në sportin tonë?

Nga Prof.dr.Hazir Salihu


Sporti kosovar, me keqardhje po udhëhiqet nga jo profesionistët. Si në aspektin profesional dhe ai menaxherial (teknik) nuk udhëhiqet nga profesionistët, mirëpo në rend të parë është aprofesionalizmi, e pastaj pjesa tjetër e atyre, që nuk kanë qenë asnjëherë pjesëmarrës në aktivitetet sportive.

Edhe pse ne themi se superliga apo liga elitare, ose kategoria superiore, mirëpo me keqardhje akoma vazhdon të jetë amatore, si në aspektin profesional të menaxhimit, dukurive negative, rezultateve të dobëta, mos pjesëmarrjen e profesionistëve, si dhe fenomeneve të tjera të cilat e parandalojnë që sporti kosovar të thirret si sporti profesionist dhe superior.

Këshilli profesional i klubeve menaxhohet nga jo profesionistët, ata duhet të kenë të mbaruar studimet për pedagog të Kulturës Fizike dhe Sportit. Gjithësesi në këtë sport profesionistët janë të anashkaluar edhe nga shtëpia e sportit, siç është rasti në shoqatën e trajnerëve, në atë të arbitrave (gjyqtarëve), si dhe në të gjitha komisionet udhëheqëse të federatave sportive. Mirëpo, është rasti edhe inkuadrimit të njerëzve degradues në këto institucione sportive, ndërsa janë anashkaluar profesionistët e që kanë bagazh e përvojë në aktivitetet sportive në tërësi. Për ta nxjerrë sportin nga kjo situatë në të cilën gjendet, duhet që urgjentisht organet kompetente të kërkojnë për angazhimin e profesionistëve, e ku është e lidhur ngushtë në ngritjen e cilësisë dhe punës profesionale të sportit në tërësi.

Ngecjet në sportin tonë

Ambientet e aktiviteteve sportive janë shumë më problematike se sa mund të paramendohet. Sepse ka ngecje të shumta si në klubet sportive, gjithashtu në shkollat e ndryshme si p.sh. futbollit, basketbollit, volejbollit e sfera të tjera. Problemi vjen për arsye se mungojnë profesionistët nëpër instancat më të larta të sportit. E që ndikojnë edhe në ngecjen, neglizhencën, anashkalimin e këtyre sporteve edhe nga ana e institucioneve të tjera.

Ngecjet e sporteve në fjalë vijnë si pasojë e degradimit të profesionistëve e që lidhet direkt me problemet e sporteve që përmendëm më lart. Mirëpo gjithësesi ngecja është si pasojë e mos sistemimit (rekrutimit) në federata sportive, në shoqata sportive, organizatat sportive, në klubet sportive, e seksionet sportive, si dhe në ekipet kombëtare të pedagogëve sportivë. Ngecja është edhe si rezultat i zhvillimit të politikave të sportit si tërësi, e të cilat janë mjaft të domosdoshme për çdo sport. Mos funksionimi i një ekipi kordinues për shkollat e ndryshme sportive, si dhe mos funksionimi i këshillit profesional për kategori të reja e shumë ngecje të tjera të cilat e preokupojnë sportin sepse ndërlidhen direkt me anashkalimin e punës profesionale të cilën mund ta bëjnë vetëm pedadogët e Edukimit Fizik dhe Sportit. Me një fjalë, ngecja e sportit ka ardhur për arsye mos afrimit të profesionistëve në federata, shoqata, ekipe, në vendet kryesore për avansimin e sportit, me të cilin do të krenohen i gjithë populli shqiptar në veçanti ai i Republikës së Kosovës.

Mosprania e profesionistëve

Mosprania e profesionistëve nëpër ekipe kombëtare është një nga problematikat kyçe. Mosprania nuk varet nga profesionistët, mirëpo ana e udhëheqësve të federatave sportive, të cilët nuk kanë hapësirë nga ana e federatave sportive. Profesionistët tash për tash janë në “aut”, ku mosprania e tyre ndikon në shumë aspekte, si në zhvillimin, masovizimin, ngritjet, stabilizimin, si dhe zbulimin e talentëve të rinjë. Profesionistët pasi që në shumë ekipe sportive mungojnë kjo ndikon edhe në shumë procese të tjera, siç janë në senzibilizimin e sportit, popullarizimin e mirëfillt, marrjen me aktivitete sportive të të rinjëve, në edukimin e të rinjëve në frymën sportive, në edukimin dhe riedukimin e spektatorëve për ballafaqimet sportive, në ngritjen e cilësisë së sportit në tërësi. Profesionistët janë jashtë “loje” për arsyje se në të shumtën e ekipeve, shkollave sportive, dominojnë metoda të vjetra si gjatë seancave stërvitore gjithashtu edhe gjatë ballafaqimeve në ndeshje (takime-gara). Profesionistëve nuk ju “jepet” hapësirë të tregojnë cilësitë e tyre si profesionale ashtu edhe shkencore, në veçanti kur kihet parasysh në përparimin e ekipeve të mësimit të elementeve (bazë) teknike si dhe pjesën taktike për të arritur në ngritjen e cilësisë të sportit tonë.

Rezultatet nën nivel (të dobëta)

Të gjitha ekipet që kanë pretendime që të jenë pjesë e garave të një lige, duhet të kenë rezultate të mira në fitimin e titullit si më të mirët, e në fitimin e kupës kombëtare (nacionale) dhe të asaj mbarëkombëtare. Mirëpo rezultatet në vendin tonë janë të dobëta në të dy konkurrencat, si te meshkujt po ashtu edhe te femrat, ku disa ekipe si gjatë këtij edicioni gjithashtu dhe gjatë edicioneve të tjera kanë shënuar humbje të “thella”.

Me këtë vlen të kuptohet se puna profesionale nëpër klube dhe shkolla të ndryshme sportive mungon në të gjitha (aspektet) nivelet. Këto raste që cekëm më lart, janë të shprehura në ligat superiore të sportit tonë e që janë si pasojë e mungesës nga ana e profesionistëve, sepse duhet të punohet me një punë më profesionale, e me qasje të reja dhe metoda të reja shkencore, sidomos gjatë seancave stërvitore, mirëpo ky problem në sportin tonë është evident edhe i paraqitur si fenomen shumë i rëndësishëm në ngritjen e kualitetit për përmirësimin e sportit në tërësi. Rezultati i dobët vjen si pasojë edhe në organzimin e dobët të ekipeve gjatë fazës së para-garave, gjatë garave e që vazhdon edhe në të gjitha fazat e tjera të organizimit të një edicioni garues.

Menaxhimi aprofesional

Menaxhimi i ndeshjeve apo edhe i klubeve nga ana e joprofesionistëve, sportin e ka sjellë në këtë gjendje në të cilën është për momentin. Menaxhimi i dobët është një ndër arsyet e shkaqet, pasojat, peripetit, në të cilat është duke kaluar sporti kosovar. Organogrami i organizimit të klubeve është shumë i dobët, si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë të menaxhimit nga ana e klubeve sportive, në të cilat ndërlidhet edhe me sigurimin e mjeteve buxhetore (financiare) të klubeve. Menaxhimi i dobët vjen si pasojë e mos koordinimit të punëve teknike nga ana e organeve udhëheqëse të klubeve sportive dhe që ndikon drejtëpërdrejt edhe në ngritjen e kualitetit në klube sportive. Menaxhimi i dobët taktik vjen si pasojë e mos përvojës së “trajnerit” për të përballuar situata të ndryshme që paraqiten në sport, si dhe në mos seriozitetin e tij gjatë krizave në klub. Mund të themi se në sportin tonë kemi shumë probleme, siç është rasti i përzierjes së kryesisë së klubit në punën e “trajnerit” si para ndeshjeve, gjatë tyre edhe pas saj, e nuk i lejohet trajnerit të kryejë punën e tij.

Duhet të eliminohet ky problem për arsye se trajneri duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe në aspektin që ai e sheh, e jo të ketë ndikime nga jashtë në vendimet e tij gjatë ndeshjes. Gjithësesi menaxhimi jo i mirë vije në shprehje atëherë kur profesionistët janë jashtë klubeve e shkollave sportive e ku menaxherët e klubeve më lehtë “manipulojnë” nëpër klube. Me një fjalë, nëpër klube sportive duhet të emërohet trajner ai i cili ka të mbaruara studimet e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, pra, së pari duhet të jetë me titull Pedagog e pastaj mund të emërohet si trajner i ndonjë klubi sportiv, kuptohet aty ku ka prirje më shumë.

Parandalimi i dukurive negative

Dukuritë negative në sportin kosovar janë evidente. Parandalimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë permanente. Një ndër problemet më të mëdha në sportin kosovar, është puna me grup-mosha të reja. Siç dihet në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës, funksionojnë disa shkolla-klube sportive. Mirëpo në ato shkolla punohet “shkel e shko” e që duhet të mendohet e të punohet në mënyrë më profesionale dhe pedagogjike për të arritur që t’i nxjerrim të paktën disa sportistë të nivelit ballkanik. Ta rikthejmë tifozërinë në fushat e sportit,e t’i edukojmë tifozët për anim korrekt dhe të drejtë që të paraqitemi në mënyrë edukative gjatë ndeshjeve, apo takimeve e garave të ndryshme sportive. Kurdisja e ndeshjeve është një problem tjetër (i veçantë) që e preokupon sportin tonë. Gjithashtu, dukuritë negative në sportin tonë janë evidente edhe me “falsifikim” të dokumentacionit te sportistët e rinjë, të cilët i detyrojnë vite me radhë të paraqiten si Juniorë/e apo edhe në grupmosha të tjera për të cilët mendohet se i bëjmë mirë, por në të kundërtën i dëmtojmë duke ia humbur (në zhargonin popullor) rrugën në “derë të oborrit”.

Në vend të përfundimit

Të gjitha problemet, shkaqet, pasojat, ngecjet, dukuritë negative, rezultatet e dobëta, menaxhimi jo i mirë si dhe mosprania e profesionistëve-ekspertëve në sportin kosovar, janë potencuar e janë elaboruar në këtë temë. Mirëpo, kjo përmbledhje në pika të shkurtëra nuk mjafton, por vetëm janë disa arsye si dhe mundësi që të metat t’i eliminojmë dhe së bashku mund të arrijmë që të ecim përpara me të gjitha sportet. Mendojmë se kemi numër të konsiderueshëm të profesionistëve të cilët qëndrojnë jashtë “loje”, e të cilët në të vërtet meritojnë të gjenden në kreun e çdo shkolle, klubi, apo skuadre sportive, për ta ngritur dhe avansuar sportin tonë në nivele më të larta.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...