Pesëmbëdhjetë vepra arti me “kryefjalë”, poetët njujorkezë, Laurie Anderson dhe Lou Reed, do të stacionohen në njërën nga galeritë e New York-ut.
Artisti Lorik Sylejmani është protagonist i ekspozitës që më 18 të këtij muaji do të hapet në galerinë “Chashama”, e cila ka për qëllim afirmimin e artistëve. Ekspozita e parë personale e Sylejmanit në New York përmban frymën rock të viteve ‘70 dhe ‘80.
Lorik Sylejmani
Një ditë para se të niset për në New York, Sylejmani ka zbërthyer konceptin e ekspozitës me të cilën do të prezantohet para audiencës njujorkeze.
“Janë gjithsej 15 punime formatesh të mëdha dhe të gjitha këto janë nga tema e rock poezive të dy poetëve njujorkezë, të cilët së bashku me Andy Warhol i kanë dhënë Amerikës dhe botës idenë e konceptin mbi artin e popullarizuar, pop-art”, ka shpjeguar Sylejmani.
Sylejmani po ashtu ka përshkruar teknikën me të cilën ka realizuar punimet që do t’i ekspozojë në New York.
“Këto vepra së pari janë punuar si piktura. Më pas i kam skanuar në slajde, i kam ripërpunuar dhe pak a shumë riformatizuar, derisa në fund janë shtypur”, ka shpjeguar ai.
Ekspozita personale në New York për Sylejmanin është jetësim i një ëndrre, nga e cila po ashtu mund të lindin bashkëpunime të reja.
“New York është qendër e artit bashkëkohor. Është vend i mundësive. Natyrisht kjo ekspozitë për mua është e një rëndësie të madhe. Veçse tashmë më kanë kontaktuar nga atje disa njerëz nga bota e artit dhe shpresoj që do të kemi bashkëpunime në të ardhmen”, ka thënë ai.
Lorik Sylejmani më 2006 ka ekspozuar në “HUN Gallery”, ndërsa muaj më parë ka ekspozuar në “Times Square”. Veç në New York, arti i tij është ekspozuar edhe në Angli, Itali, Francë, Argjentinë, Belgjikë, Shqipëri dhe Rusi.
Galeria “Chashama” është themeluar nga Anita Durst në vitin 1995 dhe deri më tani në të kanë ekspozuar mbi 500 artistë ndërkombëtarë.
No comments:
Post a Comment