Si hap i parë, duhet të arrihet riintegrimi shqiptar-shqiptar (etnik, territorial dhe shtetëror), pastaj, si hap i dytë, integrimi në Bashkimin Evropian (BE). Ndryshe, integrimi eventual i gjysmë Shqipërisë (2020) në BE do të ishte tradhtia dhe braktisja e dytë shekullore ndaj gjysmës tjetër të Shqipërisë së kolonizuar nga Serbia, nga Mali i Zi, nga Greqia dhe nga Maqedonia
Shkruan: Prof. Dr. Mehdi HYSENI
Veç politikës zyrtare shqiptare të Tiranës, të Prishtinës, të Tetovës, të Ulqinit dhe të Preshevës, asnjë shqiptar i Shqipërisë Etnike, nuk është kundër ribashkimit kombëtar shqiptar. Mirëpo, ky fenomen është i kushtëzuar nga zgjidhja paraprake e problemit kolonial të gjysmës së Shqipërisë Etnike në Ballkan. Por, sa ia vlen të merremi çdo ditë me trajtimin e kësaj teme të “valë” njëqindvjeçare, kur krerët drejtues të Shqipërisë, tanimë “e kanë bindur” Bashkimin Evropian (BE-në) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se “nuk ekziston kurrfarë problemi i pazgjidhur kolonial shqiptar” në Ballkan! Me një fjalë, kjo do të thotë se Tirana zyrtare, në mënyrë të vullnetshme (në kundërshtim me të drejtën natyrore, historike dhe atë ndërkombëtare të Shqipërisë mbi territoret e saj etnike) ka pranuar që ta sakrifikojë gjysmën e Shqipërisë së kolonizuar, vetëm për hir të interesit të saj gjysmak territorial, kombëtar, shtetëror, ekonomik, politik, ushtarak, tregtar etj., që së bashku me Serbinë kolonialiste, të integrohen në BE (diku në vitin 2020, ose ndoshta kurrë, sepse sipas parashikimeve të analitikëve të CIA-s, viti 2020 mund të jetë edhe vit i shthurjes së BE-së).
Faktori i brendshëm politik zyrtar shqiptar
Jo vetëm politika zyrtare, por të gjithë shqiptarët duhet ta kenë të qartë faktin se as gjysmë Shqipëria artificiale e as Kosova nuk do të kenë fatin që të integrohen në Bashkimin Evropian (BE) para se të vihet në “rend dite” trajtimi dhe zgjidhja përfundimtare e problemit kolonial të shqiptarëve në Ballkan. Fundja, na pëlqeu apo jo, në Bashkimin Evropian (BE) do të hyjë vetëm edhe Kroacia në vitin 2012, e cila nuk ka probleme të pazgjidhura me shtetet fqinje ballkanike. Ndërkaq, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria do të hyjnë në BE vetëm atëherë pasi t’i kenë zgjidhur konfliktet koloniale dhe ndërterritoriale mes tyre, të cilat datojnë që nga viti 1912 i shekullit XX.
Duhet ta rikujtojmë faktin se gjatë gjithë shekullit XX fajtor kryesorë i kemi lënë faktorët e jashtëm (Evropën) pse shqiptarët plot një shekull jetuan si popull i copëtuar, i përçarë dhe i kolonilzuar në disa shtete fqinje imperialiste (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia).
Mirëpo, përvoja e hidhur e derisotme e historisë sonë provon se, edhe faktori i brendshëm politik shqiptar, ka luajtur njësoj rolin negativ, ashtu sikurse faktori ndërkombëtar në moszgjidhjen 100-vjeçare të çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.
Ç’është e vërteta, shqiptarët, që nga viti 1878 (XIX) e deri më 1912(XX), kanë zhvilluar disa luftëra dhe kryengritje të përgjakshme për të dalë nga sundimi kolonial anadollak turk dhe sllav. Mirëpo, që nga viti 1912 e deri më 1999, kur doli në sipërfaqe UÇK-ja (1993-1999), shqiptarët në Ballkan nuk kanë zhvilluar luftë të pandërprerë anitkoloniale dhe çlirimtare kombëtare.
Një ndërprerje e këtillë njëqindvjeçare e luftës antikoloniale e shqiptarëve ka ndikuar që kombi dhe shteti etnik shqiptar të ngelë i copëtuar dhe i kolonizuar nën thundrën e huaj sllavo-bizantine të Ballkanit, edhe në fillimshekullin XXI.
Fajin dhe përgjegjësinë më të madhe historike (1912-2012) për moszgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan pa dyshim se e mban politika dhe diplomacia e regjimeve të derisotme shtetërore të gjysmë Shqipërisë së lirë dhe sovrane, e cila deri më sot, nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan (1912-2012).
Braktisja (de-fakto dhe de-jure) e gjysmë Shqipërisë së kolonizuar nga ana e gjysmë Shqipërisë artificiale (1912), të njohur nga Fuqitë e Mëdha të Evropës (1913), tani ka krijuar një hendek të thellë si në kuptimin e së drejtës historike, ashtu edhe në aspektin juridik të së drejtës ndërkombëtare, sepse gjysmë Shqipëria gradualisht po e humbet të drejtën historike mbi territoret dhe mbi popullsinë e saj indigjene të gjysmës së Shqipërisë etnike, të kolonizuara nga aleanca sllavo-bizantine (Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia).
Rikthimi i territoreve shqiptare
Duke qenë se Shqipëria, si shtet i pavarur dhe sovran, asnjëherë deri më sot nuk e ka shtruar zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare as në kuadrin e Lidhjes së Kombeve (1919 -1945) e as në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1946-2012), për këtë mosverpim, nuk mund të kritikohet dhe fajësohet bashkësia ndërkombëtare, e as Evropa e sotme, e as Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sepse ka munguar kërkesa zyrtare e Republikës së Shqipërisë.
Shkolonizimi nuk arrihet vetëm me pamflete, me programe dhe me projekte politike të organizatave dhe të partive të ndryshme politike, pavarësisht nga kohëgjatësia e veprimit të tyre politik dhe kombëtar.
Për t’i bindur institucionet me kompetencë të bashkësisë ndërkombëtare se më se gjysma e kombit dhe e territoreve etnike shqiptare (mbi 50 për qind) kanë statusin kolonial nën Serbi, Mal të Zi, Greqi dhe Maqedoni (1912-2012), gjysmë Shqipëria si shtet më vete, është dashur që këtë çështje ta zgjidhë me mjete politike dhe juridike si dhe me anën e forcës, ashtu siç kanë vepruar shumë ish-koloni në kontinentin e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo, regjimet e derisotme të Shqipërisë (1912-2012) nuk kanë vepruar as politikisht, as diplomatikisht e as me luftë, që të rikthejnë territoret e copëtuara dhe të kolonizuara shqiptare. Për më tepër, asnjëri prej regjimeve të derisotme të gjysmë Shqipërisë nuk kanë qenë në gjendje,e as të interesuara, që të paktën, problemin kolonial shqiptar në Ballkan, ta ndërkombëtarizonin, duke ushtruar trysni te faktorët relevantë evropianë ndërkombëtarë.
1. Pse deri më sot problemi kolonial shqiptar asnjëherë nuk u shtrua në “rendin e ditës” të Asamblesë ose të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke qenë se gjysmë Shqipëria është anëtare e saj që nga 16/03/1946.?
2. Edhe pas rënies së sistemit socialist-komunist në Shqipëri (1990-2012) qeveritë demokratike dhe socialiste asnjëherë nuk kanë bërë përpjekje dhe nuk janë angazhuar në shtruarjen, as në trajtimin politiko-diplomatik dhe juridik të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.
Përkundrazi, asnjë qeveri e derisotme e Republikës së Shqipërisë (1990-2011) nuk e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme që të merret me rindërkombëtarizimin e problemit kolonial të gjysmës së Shqipërisë së pushtuar nga Serbia, nga Mali i Zi, nga Greqia dhe nga Maqedonia.
Braktisja e mbi 3 milionë shqiptarëve (jashtë kufijve artificialë) të Shqipërisë
Çfarë kuptimi do të kishte integrimi i gjysmë Shqipërisë në BE, po qe se mbi 3 milionë shqiptarë do të ngelnin nën “saçin e kuq” të kolonializmit serbo-malazez-maqedonas-grek në Ballkan?!
Nëse do të përsëritej një tragjedi e tillë shekullore, nuk ka asnjë dyshim se gjysmë Shqipëria e sotme do të humbiste të drejtën e saj historike dhe juridike ndërkombëtare mbi territoret dhe mbi shqiptarët jashtë kufijve të saj të sotëm (1913).
Këtë konstatim e provojnë edhe këto fakte të pakundërshtueshme: (1) Heshtja e problemit kolonial të Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, (2) Mosdeklarimi zyrtar se këto vende i përkasin Shqipërisë etnike, (3) Mospranimi dhe mosnjohja e kërkesës së disa partive, lëvizjeve dhe fronteve politike, që Tirana zyrtarisht të angazhohet dhe të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare, (4) Ashtu, sikurse njëqind vjet më parë, edhe në dy dekadat e fundme (1990-2012) për politikën dhe për diplomacinë e Tiranës nuk ekziston kurrfarë problemi kolonial shqiptar në Ballkan, përkundër faktit se më se gjysma e territoreve dhe e popullsisë shqiptare ende ka statusin e pazgjidhur kolonial nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Greqi dhe nën Maqedoni, (5) Këtë politikë të gabuar dhe antishqiptare, e provojnë edhe disa deklarata zyrtare të kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha dhe të ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, të cilat para opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar ka kritikuar ashpër kërkesën e ligjshme historike të popullit shqiptar për vetëvendosje dhe për ribashkim kombëtar, duke e vlerësuar atë si të rrezikshme dhe të dëmshme si për vetëm popullin shqiptar, ashtu edhe për tërë rajonin ballkanik?!
Edhe pse një cilësim i këtillë i përfaqësuesve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, nuk ka kurrfarë baze as etike, as historike e as juridike ndërkombëtare, megjithatë është edhe një argument më shumë si për armiqtë kolonialistë, sllavë të Ballkanit, ashtu edhe për Evropën e Bashkuar demokratike, për OKB-në, për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se nuk ekziston kurrfarë problemi i pazgjidhur kolonial i shqiptarëve në Ballkan.
Duke përfillur kursin e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Republikës së Shqipërisë për të cilën nuk ekziston i pazgjidhur kurrfarë problemi kolonial shqiptar në Ballkan, por vetëm agjenda dhe interesi jetik për t’u integruar në BE, ashtu sikurse u integrua në Aleancën e Atlantikut Verior(NATO), edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin një strategji të këtillë proevropiane të Shqipërisë, duke e konsideruar si një partner respektibil në realizimin e interesave të tyre komplementare, që kanë të bëjnë me sistemin e sigurisë, të stabilitetit dhe të paqes në rajon.
Një mbështetje e tillë e faktorëve ndërkombëtarë, logjikisht, është e pranueshme, sepse, derisa për Shqipërinë nuk ekziston kurrfarë problemi kolonial shqiptar në Ballkan, atëherë pse të jenë brengosur BE-ja, Amerika, NATO-ja dhe OKB-ja për rindërkombëtarizimin dhe për zgjidhjen e tij.
No comments:
Post a Comment