2012-09-19

Hetimet për akuzat e Dick Martyt do të marrin kohë




Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së do të duhet të presin ende derisa ta thonë versionin e tyre lidhur me akuzat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, i cili në një raport të tij për Këshillin e Evropës thotë se pjesëtarë të UÇK-së menjëherë pas luftës në Kosovë kanë rrëmbyer qytetarë serbë, i kanë dërguar ata në Shqipëri për t`ua hequr organet, e të cilat pastaj janë shitur në tregun e zi, shkruan sor e përditshmja Koha Ditore.

Një vit pas krijimit të Task Forcës së EULEX-it që po i heton akuzat e Dick Martyt, nuk ka ende rezultate konkrete, pos identifikimit të dëshmitarëve të mundshëm. Hetimet thuhet se do të zgjasin shumë, për shkak të kompleksitetit. Task Forca, në bazë të marrëveshjes së arritur për zgjatjen e mandatit të EULEX-it, do të mund të hetojë derisa ky mision të ketë mandat.

Në këtë mënyrë prokurori Clint Williamson dhe ekipi i tij nuk do të kenë nevojë të nguten për të zbardhur vërtetësinë e akuzave që vlerësohen se kanë rrënuar rëndë imazhin e Kosovës dhe kanë rënduar kredibilitetin ndërkombëtar të kryeministrit aktual, Hashim Thaçi. Mandati i EULEX-it do të zgjasë të paktën deri në qershor të vitit 2014.

“Është hetim kompleks. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se zoti Marty flet për krime që dyshohet se kanë ndodhur para dhjetë vjetësh. Kjo e bën hetimin edhe më të vështirë”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i kësaj Task Force, Juri Lass. “Jemi duke i analizuar informatat prej një numri të caktuar të institucioneve dhe në të njëjtën kohë është duke vazhduar hetimi. Kontaktet me persona, të cilët kanë informata relevante për çështjen janë intensifikuar”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, shefi i EULEX-it, Xavier Bout De Marnhac, në raportin e rregullt për Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk ka hezituar që të zbardhë faktin se Task Forca ka disa dëshmitarë të mbrojtur me të cilët ka vënë kontakte.

Në këtë raport, ku shefi i EULEX-it përshkruan në një faqe të veçantë aktivitetet e SITF (Task Forcës Speciale të Hetimeve), thuhet se prokurori Williamson ka kërkuar nga disa shtete që po e mbështesin hetimin, të mundësojnë akomodimin e disa dëshmitarëve të mbrojtur, ndërkaq që ka vendosur bashkëpunim të ngushtë edhe me EUROPOL-in më qëllim të mbrojtjes së informatave dhe këtyre dëshmitarëve.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...