Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/17

‘Sherifët e gjuhës’ dhe ‘gjuha e Hetemit’ në mëhallë

Avni Rudaku

Është e tmerrshme të mendohet gjuha standarde pa ruajtësit e gjuhës, pa kultivuesit dhe hulumtuesit e saj, pa hartuesit e fjalorëve dhe pasurimit të leksikut gjuhësor dhe pa profesorët të cilët edukojnë nxënësit dhe studentët për rëndësinë e të shkruarit të drejtë të gjuhës shqipe. Teprimi i mbikëqyrjes dhe kujdestarisë linguistike është vetëm i atyre që kanë obsesione-kompulsive për të korrektuar gjuhësisht çdo njeri sikur të ishim makina, i atyre të cilët nuk kanë as leksionet bazike të njohjes së dallimeve dhe ngjashmërive në mes të dialekteve, sllengut, ‘gjuhës ekonomizuese’ (sms, msn, fb) dhe standardit që gjen zbatueshmëri në komunikimet zyrtare, administratë publike, universitet, hapësira publike e të tjera hapësira të rregulluara për komunikim strikt përmes standardit gjuhësor. Bie fjala, jeni duke folur me ndonjë të njohur, thuajse takoheni shpesh me të dhe në secilën fjalë që e thoni të gjykon dhe të qorton në trajtë të tipit: “Nuk thuhet kështu, por ashtu!”, “Nuk bën të përdoret kjo shprehje, por ajo shprehje!”, “Hiqe këtë term, përdore këtë tjetrin”, “Mos thuaj asht’, por është!”, “S’po fol shqip sepse nuk thuhet tung, por tungjatjeta!”, “Përdorni shenjat e pikësimit kur të shkruani sms!”… Ka iks rastesh të cilat mund t’i përmendim e që ndërlidhet me atë që sot në këtë kolumne duam të shpjegojmë: ‘sherifët e gjuhës’. Gabimi themelor i tyre nuk është se duan ta ruajnë gjuhën shqipe nga barbarizmat, sllavizmat, greqizmat, anglicizmat e të ngjashme, por në mungesën e dallimeve se ku dhe kur duhet të kujdestarojnë. ‘Policët linguistikë’ të shqipes duhet ta kuptojnë se kudo në botë ka diferencime në mes të gjuhës standarde ku përdoret dhe gjuhës së dialekteve dhe krahinave, lokalizmat, ‘gjuhës ekonomizuese’ në komunikimet virtuale përmes sms-ve, email-ave jozyrtarë, në mesengjer e të ngjashme. Po ashtu, duhet ta kuptojmë se nëse një i ri e përdorë fjalën ‘mesengjer’, dhe ky ‘polici gjuhësor i shqipes’ ia kthen: nuk duhet thënë ‘mesengjer’, por ‘dërgues’, ‘lajmëtar’, atëherë janë gjuhëtarët ata të cilët bëjnë analizat e tyre gjuhësore dhe përmes rregullave të përgjithshme të inkorporimit të një fjale të huaj, në këta rast nga gjuha angleze “mesengjer”, atëherë të thonë se është më mirë të përdoret në gjuhën shqipe si “kështu apo ashtu”, apo edhe të mbetet krejtësisht legjitime që të përdoret si “gjuhë universale” e cila rrjedh nga vendi prej nga buron shpikja/zbulimi/inovacioni. Mirëpo, po që se sot ju i thoni dikujt “Hyni në dërgues/lajmëtar!”, sigurisht dhe absolutisht s’do të kuptojë se për çfarë e keni fjalën! Po që se dikujt i thoni se “Si e keni adresën në lajmëtar?!”, nuk do të të kuptojë se për çfarë keni në mendje kur e përdorni “dërguesin”, sepse mesengjer është bërë fjalë që kuptohet menjëherë për atë të cilën bëhet fjalë, ashtu siç do të ishte e pakapshme për shumë njerëz të të pyesnin: “A keni libër fytyre?”, ngase janë duke të pyetur a keni llogari personale aktive në rrjetin social të quajtur “Facebook”. ‘Policët gjuhësorë’ duhet ta kuptojnë larushinë e gjuhës së përditshme, komunikimin jozyrtar, natyrën e dialekteve, gjuhës popullore, zhargonet e të rinjve, shprehjet e caktuara në msn dhe chatet e rrjeteve sociale, termet e ndërkombëtarizuara varësisht nga shpikësit dhe pushteti në glob.



Gjuha standarde dhe ‘gjuha ekonomizuese’

‘Sherifët e gjuhës’ shpesh e ngatërrojnë ruajtjen e gjuhës standarde shqipe kur nuk e dallojnë atë nga ‘gjuha ekonomizuese’ në komunikimet virtuale jozyrtare. Bie fjala, nuk është e udhës të pritet që dikush që ta dërgon një sms, vëllai yt nga linja biologjike apo partneri, të të shkruaj me të gjitha shenjat e pikësimit dhe rregullat gramatikore, ngase ai/ajo përdorë gjuhën e shkruar me sms, me sa më pak fjalë dhe duke mos përdorur fare shenjat e pikësimit. Thjesht, kërkon kohë, nuk ka gatishmëri psikologjike të të thurë me precizitet akademik një sms, shpenzon më shumë para apo kredi celulari, në vend se të shkruaj një sms pa të gjitha rregullat e drejtshkrimit, i bëhen dy apo më tepër sms (p.sh. rreth 3 cent më shumë apo më tepër varësisht me “Vala 900” apo “Ipko”), por dëshiron të kryejë punë, ta dërgojë mesazhin apo porosinë sa më të shkurtër dhe kaq. ‘SHERIFËT GJUHËSORË’ shkojnë aq thellë saqë japin urdhra e detyra të domosdoshmërisë së ‘standardizimit akademik’ të secilit komunikim, të hiqet ‘gjuha ekonomizuese’ në tërësi, të shndërrohet gjithçka në standardizim, i cili nuk është normal as në vendet me traditë të thellë të studimit dhe standardit të gjuhës, madje ta mohosh dialektin në përditshmëri dhe në komunikime personale, private me të afërmit, është ta mohosh pjesën më të rëndësishme njerëzore, gjuhën e së ëmës, shpirtin e gjuhës spontane, sociolektin, mundësinë e ‘ekonomizimit të gjuhës’ në raste të veçanta, e të ngjashme. Nuk themi që duhet të mos e mësojmë si shkruhet gjuha drejtë dhe standardin e gjuhës shqipe, të të kuptuarit e rregullave themelore të gjuhës së shkruar shqipe, të të kuptuarit e leksikut, sintaksës, gramatikës e morfologjisë; të të njohurit e pjesëve të ndryshueshme dhe të pandryshueshme të ligjëratës, por të sillemi me aq rreptësi metodike dhe me aq egocentrizma standardistësh të kujdestarisë gjuhësore në secilin komunikim, është e papranueshme. Nëse një student i shkruan një profesorit për punim seminari, pa dyshim se ai duhet të ketë kujdes në të shkruarit dhe në të komunikuarit formal, por të kërkoni që kjo gjuhë formale të jetë pjesë sistematike dhe e përditshmërisë në të folurit dhe në të të shkruarit, është huqje e kujdestarisë kur dhe ku duhet. Për këtë arsye dallon gjuha standarde nga format e tjera gjuhësore, ngase përdoret në komunikime formale dhe nuk e keni obligim ta përdorni kategorikisht edhe në komunikim me nënën e familjen tuaj, miqtë e fqinjët e njohur, e të ngjashme. Po ashtu, jeni duke folur në mesengjer dhe një i ri që në fillim të bisedës mesengjerike të pyet: “ça ka ‘3?!” për pyetjen “çfarë ka të re?”, ngase tingëllimin e numërorit 3, e manipulon për humor, për ‘shmek’, për veçanti e ‘trend sllengu’?! Tek e fundit, kjo është një manipulim me gjuhën, lojë legjitime, përderisa nuk flasim zyrtarisht me dikë. Pse të mos e kemi lirinë shprehëse edhe në këto variante? Kjo është gjuhë për një kontekst të caktuar dhe shumë të ngushtë dhe përgjegjësia bie mbi përdoruesin kur nuk di ta përdorë standardin. Unë mund ta zotërojë standardin shumë mirë, por më pëlqen të luaj me varietete gjuhësore, kulturore, dialektore, krahinore, në komunikime me të njohurit e mi dhe gjatë shkrimit joformal! E kur këto lloj shprehjesh dhe variantesh të të folurit dhe të të shkruarit bëhen në mjedise publike, situata është krejtësisht ndryshe, ndonëse edhe këtu ka hapësirë për liri, nëse përdoren frazeologji të caktuara për lehtësim shpjegimi, por jo si mbizotërim dhe rregull.



Ku dallohen gjuha dhe dialekti?

Shqiptarët kanë dy dialekte kryesore gjuhësore të shkruara: gegërishten dhe toskërishten. “Është pjesë e kulturës sonë dallimi midis “gjuhëve” dhe “dialekteve”, dhe në realitet, duke përdorur këto terma ne bëjmë dy dallime të ndryshme… Në këtë kuptim, kultura mund të kundërvihet kulturave të tjera, që nuk e bëjnë këtë dallim. Sipas Einar Haugen (1966), p.sh., kjo ishte e vërtetë për Anglinë deri në Rilindje, kur u huazua fjala dialekt, si term dituror nga greqishtja. Dallimi që bëjmë ne midis “gjuhës” dhe “dialektit” në fakt, mund të konsiderohet si një rrjedhim i ndikimit të kulturës greke, sepse dallimi u krye në greqishte, për shkak të ekzistencës së disa varianteve të shkruara mjaft të dallueshme në përdorim në Greqinë e Epokës Klasike; secili prej tyre lidhej me një krahinë të caktuar dhe përdorej për një tip të caktuar letërsie. Kështu, kuptimet e termave grek, të përkthyera si “gjuhë” dhe “dialekt”, ishin shumë më të ndryshëm nga kuptimet e sotme të tyre në anglishte. Barasvlerëset e tyre të frëngjishtes ndoshta janë më të ngjashme, sepse fjala franceze “dialecte” u referohet vetëm varieteteve krahinore të shkruara dhe me një letërsi të veten, në kundërshtim me varietetet krahinore që nuk janë të shkruara dhe që quhen patois.” (Richard Hudson,“Sociolinguistika”, fq. 42). ‘SHERIFËT E GJUHËS’ duke mos bërë dallimin mes gjuhës dhe dialekteve, përpiqen vetëdijshëm apo pavetëdijshëm në rrafshimin e subidentiteteve gjuhësore të shqipes, duke shkaktuar ato që mund t’i quajmë edhe si “akte gjenocidiale linguale”, ngase tentojnë t’i zhdukin varietetet dialektore dhe sociodialektet shqipe, qoftë të gegërishtes, qoftë të toskërishtes, qoftë varietetet krahinore urbane e rurale, në mes rajoneve brenda bashkësisë së përgjithshme linguistike shqiptare. Policët gjuhësorë sillen si kaubojë dhe sherifë për t’i disiplinuar të gjithë ata/ato që shkruajnë dhe flasin gjuhën shqipe jashtë standardit të shqipes edhe në ambiente private, gjuhë mesengjerike jozyrtare, chat-e të rrjeteve sociale me të njohur, hapësirë jo publike në kuptimin e rregullimit të privaticitet të komunikimit me njerëz të caktuar. Sociolinguisti Hudson kur pyet për dallimin në mes të gjuhës dhe të dialektit, thotë: “Ekzistojnë dy mënyra të ndryshme për të dalluar njërin nga tjetri dhe një ambiguitet i tillë krijon shumë konfuzion (Haugen thotë se shkaku i ambiguitetit dhe përshtjellimit që rrjedh prej tij është saktësisht fakti që “dialekti” është një huazim nga greqishtja, ku ekzistonte i njëjti ambiguitet). Nga njëra anë, ka një dallim përmasash, sepse një gjuhë përmban më shumë njësi sesa një varietet i quajtur dialekt. Në këtë kuptim mund ta quajmë anglishten një gjuhë që përmban shumën e të gjitha dialekteve të saj, ku “anglishtja standarde” nuk është gjë tjetër veçse një dialekt midis të tjerëve (anglishtja e Jorkshirit, anglishtja e indianëve). Kundërshtia tjetër midis “gjuhës” dhe “dialektit” lidhet me një çështje prestigji: një gjuhë ka një prestigj që një dialekt nuk e ka. Po qe se këta terma i përdorim në këtë kuptim, anglishtja standard nuk është aspak një dialekt por gjuhë, ndërsa varietetet që nuk përdoren në shkrimin formal janë dialekte. Nga prestigji që ka një varietet i caktuar, varet nëse ai do të quhet gjuhë apo dialekt: për pjesën më të madhe të njerëzve kjo është shumë e qartë dhe varet nga fakti nëse përdoret ky varietet në shkrimin formal. Kështu, në Britaninë e Madhe njerëzit i quajnë normalisht dialekte ose “dialekte të thjeshta” gjuhët që nuk janë të shkruara (ose që mendojnë që nuk janë të shkruara), pa marrë parasysh nëse kanë ndonjë raport me një gjuhë (të vërtetë) - me sa duket nuk do të kishte asnjë kuptim të përdorësh “dialekt” në këtë mënyrë, në qoftë se u referohesh “përmasave të tij”. (Po aty, fq. 43)



Ndërhyrja te lokalizmat dhe krahinorizmat

LOKALIZMAT DHE KRAHINIZMAT E GJUHËS SHQIPE. ‘SHERIFËT E GJUHËS’ ndërhyjnë edhe këtu, dhe sikur të kishin ndonjë ligj që rregullon edhe ndëshkimin me gjoba, do të ‘shqyheshin’ për t’i ndëshkuar edhe lokalizmat dhe krahinizmat gjuhësorë. Si në të gjitha shoqëritë, edhe këtu kemi përveç kryedialekteve, edhe këto lokalizmat gjuhësorë, socio-rajonalizmat e gjuhës shqipe nga shqiptarët e tjerë të cilët jetojnë në shtetet e tjera fqinjësore në Maqedoni apo Serbi, që ne i identifikojmë si “tetovarçe, ulqinakçe, preshevarçe, dibrançe, gostivarçe…” Kur tetovari i zakonshëm të pyet: “Gji bon moj taj? Majr je?”, pa dyshim se ka vështirësi në herën e parë të një kosovari për ta kuptuar atë, por e kupton shumë shpejtë dhe, shumë studentë që studiojnë në Tetovë, kur vijnë në Kosovë na tregojnë me njëfarë buzëqeshje krejt legjitime për këto dallime gjuhësore të të shprehurit të shqipes në variantin e “tetovarçes”. Ose, kemi edhe brenda disa fshatrave disa dallime, si për shembull, folësit shqiptarë që janë shpërngulur nga fshati Zarbicë të Malësisë së Bujanocit” në Gjilan, në vend të “sy”, thonë “si”, jo “dy”, por “di”, etj. Fonema “y” zëvendësohet me fonemën tjetër “i”. Për shprehjen “Të betohem në dy sytë e mi!”, folësit e Zarbicës do të shpreheshin: “Të betohem në di sitë e mi”. ‘SHERIFËT E GJUHËS’ sikur të kishin autorizim institucional dhe kushtetues për t’i ndëshkuar të gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe përveç përdoruesve të standardit, kurrë nuk do të mundnin për të zhdukur varietetet gjuhësore, lokalizmat gjuhësorë dhe lirinë linguale të përdorimit në hapësirë jo publike.



‘SHERIFËT E GJUHËS’

‘SHERIFËT E GJUHËS’ si atribuim për individët apo grupe subjektesh, të cilët dënojnë çdo formë tjetër dialektore, krahinore apo varieteti gjuhësor të shqipes vetëm në të folur, duhet ta kuptojnë përgjithmonë se zhdukja e varieteteve gjuhësore është humbje e pasurisë së përgjithshme njerëzore për diversitet dhe të shumëllojshmërisë varietetesh të shqipes së shkruar e të folur, në të gjitha zonat e folësve shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe gjuhën e arbëreshëve në Sicili, çamëve në Shqipëri apo shqiptarëve ortodoksë në Ukrainë e të ngjashme. Është krejtësisht legjitime përderisa e kemi një standard dhe nuk e kemi një tjetër, përderisa është ashtu, në komunikimin publik ta përdorim në mënyrë korrekte, por jo të mos dallojmë gjuhën e shkruar në hapësira private, gjuhën e folur në përditshmëri dhe idiomat e caktuara kulturore që i krijon secila shoqëri. Nëse dëgjoni dikë teksa në një anë të Kosovës nuk i thotë “sheqer”, por “sheker”, ngase “q” është shndërruar në “k”; nëse dëgjoni një të ri teksa thotë inbox e jo kuti (in-brenda, box-kuti, brenda kutisë), kuptojeni se disa fjalë kanë marrë “gjuhë universale” dhe janë gjuhëtarët ata të cilët mund të thonë propozimin e tyre se si do të ishte më e përshtatshme të shqipëroheshin dhe, deri kur të mos dal në shkrim formal, apo të futen në thonjëza gjatë përdorimit apo të bëhen me “italic” për t’u thyer në pjerrtësi…’SHERIFËT E GJUHËS’ nuk gabojnë vetëm kur flasin për standardin në hapësirën publike dhe shkrimin formal, apo edhe shkrimin shumë të dobët të shkruar akademik nga studentët tanë, por gabojnë thellë që nuk kuptojnë shumësinë e varieteteve ekzistuese shqipe, kur nuk kuptojnë “gjuhën ekonomizuese” dhe kur korrektojnë çdo gjë, për ta standardizuar edhe gjuhën e mixhës Hetem që flet me bashkohanikun e tij në mëhallë… Kjo është edhe lloj “nazizmi lingual”.


No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...